E diele, 28.04.2024, 08:32 AM (GMT+1)

Faleminderit

Pesë vjet nga Lumturimi Nënës Shqiptare, Nënë Tereza

E diele, 19.10.2008, 09:04 AM


Pesë vjet nga Lumturimi Nënës Shqiptare, Nënë Tereza: Vepra ime një pikë lehtësimi në një oqean vuajtjesh

Nga Gazeta 55
 
Me siluetën e saj të brishtë, të mbështjellë me një pelerinë prej pambuku të bardhë, me shirita ngjyrë blu, Nënë Tereza, u shpall e "lumturuar" 5 vjet më parë (19 Tetor 2003) nga Papa Gjon Pali II, si simbol i ndihmës për "më të varfërit e të varfërve", të cilëve ajo iu kushtoi jetën. Gjon Pali II, i cili e adhuronte, kishte shprehur dëshirën për ta shenjtëruar besimtaren, e cila vdiq në shtator 1997 në moshën 87 vjeçare, por arriti deri në etapën e parafundit, Lumturimin. Në vitin 1979, Çmimi Nobel i Paqes kishte shpërblyer punën e palodhshme të Nënë Terezës në favor të të varfërve dhe personave që ishin duke dhënë shpirt, duke i dhënë një autoritet botëror asaj që shumë prej adhuruesve e konsiderojnë tashmë si shenjtore.
Emri i saj ka mbetur i lidhur me qytetin që frymëzoi prirjen e saj dhe ku ajo u shua: Kalkuta, metropoli i madh indian, i mbushur me miliona banorë, me bidonvile, me të sëmurë dhe të varfër.
Nënë Tereza, e veshur me mantelin e bardhë, me shirita blu të urdhërit të Misionareve të Bamirësisë, që ajo e krijoi në vitin 1950, shprehej gjithnjë se vepra e jetës së saj nuk ishte veçse "një pikë lehtësimi në një oqean vuajtjesh". Por, shtonte ajo, "nëse kjo pikë nuk ekzistonte, ajo do t'i mungonte detit".
E lidhur me vlerat më tradicionale të Kishës, besimtarja kishte siguruar një ditë se nëse do të kishte jetuar në periudhën e Galileut, ajo do t'i kishte dhënë të drejtë Kishës kundër tij. Ajo kundërshtonte gjithnjë të gjitha format e abortit.
Në shtëpinë e Loëe Circular Road, një rrugë e vogël në qendër të Kalkutës, ajo bënte jetën e thjeshtë të postulateve të kongregacionit të saj, merrte pjesë në punët shtëpiake të komunitetit. Dhoma e saj e vogël ishte e mbushur me dosje dhe libra fetarë, të vetmit që ajo pranonte të lexonte. Grua e vendosur, e guximshme, pragmatike dhe me njohuri të mira në biznes, një ditë kur po kalonte në Romë, i kërkoi Gjon Palit II një pjesë të pasurive të Vatikanit për të varfërit e saj. Papa i dhuroi makinën e tij, një Rolls Royce, që ajo e shiti në ankand me një çmim shumë të leverdisshëm. Por disa edhe e qortuan se kishte siguruar fonde nga persona pak të pëlqyeshëm, si ish-diktatori haitian Jean-Claude Duvalier.
Gonxhe Agnes Bojaxhiu lindi më 26 gusht 1910 në Shkup nga prindër shqiptarë. Që në moshën 12 vjeç, ajo kishte dëshirë të bëhej misionare "për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit". Në moshën 18 vjeçare ajo hyri në Dublin në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës.
Ajo nuk mund të braktiste udhërin e saj pa pëlqimin e arkipeshkvit të Kalkutës, Ati Ferdinand Periers, i cili nuk e vlerësonte sa duhet. "Eshtë një fillestare që nuk do të ishte në gjendje të ndizte si duhet një qiri", mendohej të kishte thënë prelati.
Nëna e saj superiore në Dublin dhe Papa kishin më shumë besim tek ajo. Dhe në fillim të vitit 1948, ajo lejohet të largohet nga urdhëri. Motra Agnes bëhet atëhere Nënë Tereza për nder të shenjtores franceze Sainte-Terese e Lisieux dhe vendoset në barakat e Kalkutës.
Në vitin 1952, takimi me një grua të plagosur që po jepte shpirt mbi një trotuar, me këmbët të brejtura nga minjtë, e bënë atë të ndëmerrte një nga detyrat për të cilat ajo u admirua më shumë, kujdesin për njerëzit duke dhënë shpirt. Duke kritikuar ashpër autoritetet e qytetit, ajo arriti të siguronte një ndërtesë të shekullit të 19-të, pranë tempullit Kali, Perëndesha hindu e vdekjes.
Në këtë "pasqyrë" të Nirmal Hridaya, ajo do të priste ata që vuanin nga tuberkulozi, nga dizanteria ose tetanozi. Për 40 vjet, më se 30 000 persona kanë vdekur atje. Për Nënë Terezën, garantimi i "një fundi të denjë" për ata që kanë "jetuar si kafshë" ishte një detyrë.
Më pas, do të jetë Sichu Bhavan, ku janë strehuar vazhdimisht qindra fëmijë. Ndihma për lebrozët do të vazhdojë, për këta "të varfër mes të varfërve", nënë Tereza do të hapë Shantinagar, më pas shumë vende të tjera për kurimin e lebrozëve. Ajo u vinte gjithashtu në ndihmë viktimave të Sidës dhe kishte hapur një qendër për ta në Shtetet e Bashkuara. Kur i thoshin se do të shenjtërohej, ajo thoshte: "Në fillim më lini të vdes".

Biografi i Nënë Terezës e cilëson atë si "dashuri të pastër në veprim"
 
"Si do ta cilësoja Nënë Terezën? Ajo ishte dashuri e pastër në veprim". Don Gjergji Lusha është biografi më i famshëm i Nënë Terezës së Kalkutës, i cili nga viti 1980 deri në 2002 ka shkruar për bamirësen 12 volume të përkthyera në 35 gjuhë.
"Për herë të parë e takova në vitin 1969, kur isha student i filozofisë në Romë dhe ajo ndodhej në qytet për të përuruar një nga shtëpitë e saj pritëse. Më pas jemi takuar edhe shumë herë të tjera, as nuk e mbaj mend sesa. Kudo që ajo hapte misione të reja unë i qëndroja pranë", tregon don Lusha.
"Momentin më të bukur dhe emocionues e përjetuam në Oslo në vitin 1979 kur Nënë Tereza mori çmimin Nobel për Paqen. Atë ditë kaluam shumë orë së bashku me bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë. Falë saj ishte një eksperiencë e jetuar në mënyrë të mrekullueshme", vazhdon tregimin e tij don Lusha.
Don Lusha sjell edhe një dëshmi domethënëse: "Unë me të flisja shqip dhe ajo e konsideronte veten shqiptare, fliste për Shqipërinë dhe shqiptarët si për atdheun dhe për popullin e saj. Vetëm rrallëherë përdorte anglishten për të shprehur terma që nuk i mbante mend në shqip. Nëqoftëse më kërkoni një përkufizim për të, ju përgjigjem se Nënë Tereza ishte dashuri e pastër në veprim, edhe pse është ende herët për të përfaqësuar në të vërtetë çka ajo ishte".

Mbrëmje Bamirësie

Përvjetori i pestë i lumturimit të Nënë Terezës u përkujtua me anë të një mbrëmje bamirësie nën kujdesin e Zonjës së Parë Teuta Topi dhe ideuar nga studio ''Toçila''.
Mbrëmja e titulluar “Nënë Tereza, shenja shenjtërie” përmbajti një sfilatë mode dhe një ankand pikturash, të ardhurat e të cilave do t’u shkojnë misionit të motrave të Nënë Terezës në Tiranë.
Në këtë mbrëmje morën pjesë Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, znj. Liri Berisha, imzot Rrok Mirdita dhe përfaqësues të politikës dhe artit.
Në fjalën e saj znj.Topi vlerësoi figurën e Nënë Terezës.."Humanizmi dhe vepra e Nënë Terezës janë gjithmonë shembull bashkëjetese për sot e për të ardhmen. Ajo jo vetëm iu qëndroi pranë miliona njerëzve në botë, duke i ndihmuar të marrin frymë më lirshëm, por iu zbuti shpirtin qindra miliona të tjerëve duke trokitur pa pushim në ndërgjegjen e tyre me fjalët: 'bëj diçka për nevojtarët'. Më shumë së kurrë, shoqëria shqiptare ka nevojë ta përsërisë këtë mesazh, sepse mes nesh ka shumë nevojtarë, që e presin këtë mesazh si veprim", u shpreh ajo.
Ankandi për bamirësi, që ishte qëllimi i mbrëmjes ka nisur me prezantimin e punëve të ofruara nga artistët për këtë mbrëmje, një sfilatë mode e stilistes Merita Toçila, punimet e së cilës ishin frymëzuar nga motivi bardh e blu i veshjeve të Nënë Terezës, si dhe një ekspozitë e veprave të piktorëve shqiptarë si Skënder Kamberi, Anastas Kostandini, Adnan Kastrati, Artan Shabani, Arben Bajo, Orion Shima dhe Idlir Koka.
Ndër pikturat e shitura ishte një portret i Nënë Terezës që u ble për 1350 euro dhe një skulpturë po e Nënë Terezës që u ble për 1400 euro. Të ardhurat e ankandit iu dorëzuan misionit të Motrave të Nënë Terezës në Tiranë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora