Faleminderit
Faruk Tasholli: Afaristë shqiptarë në Gjermani - Ilir e Mentor Krasniqi
E premte, 07.11.2008, 02:06 AM
FARUK TASHOLLI
AFARISTË SHQIPTARË NË GJERMANI
ILIR E MENTOR KRASNIQI
Në Krefeld të Gjermanisë, jo fort larg Dyseldorfit, jeton një familje shqiptare dymbëdhjetanëtarëshe nga Lypjani, e cila pas strehimit në këtë vend, ka shënuar suksese të shumëfishta në fushën e afarizmit. I zoti i shtëpisë, Ilmi Krasniqi, me qëllim që ta ngrisë familjen dhe t’i shkollojë fëmijët, zbret nga fshati Okllap dhe vendoset në Lypjan. Por, sa fillojnë të rriten fëmijët dhe kur duheshin orientuar dikah, në fillim të viteve nëntëdhjetë, mbyllen shtigjet për të rinjtë, pasi në ndërkohë pushteti okupues serb mbyll shkollat. Ky njeri kishte shitoren e vet në Lypjan, por edhe aty i ngushtohej rrethi. Këtë ngushtim e vëren djali i dytë Mentori, i cili nuk sheh zgjidhje tjetër, pos të dalë jashtë vendit. Tregimet për jetën në Evropë këtë djalosh e kishin joshur më shumë se përrallat e fëmijërisë dhe, mezi pret rastin të nisej. Historia e daljes së tij në Evropë është shumë interesante dhe ngjan si në një vepër arti, të rrëfyer apo të luajtur. Hapi i Mentorit ka bërë që e gjithë familja të kalojë nga Kosova në Gjermani.
“Isha bërë merak të dal jashtë Kosovës, - nis rrëfimin Mentori. - Isha fare i ri. Pesëmbëdhjetëvjeçar. Kur e bisedoja këtë dëshirë në familje, as që ma varte kush veshin. Të gjithë ishin kategorikë që as të mos bisedohej për largim nga Kosova. Unë nuk bëhesha rehat. Sikur i merrja erë situatës se aty nuk prosperohej më. Flitej për Suedinë. Thuhej se ky apo ai njeri u rehatua atje. Njerëzit për të cilët flitej, i njihja. Nuk më bëhej edhe mua pa dalë. Sa herë u thosha prindërve, ata reagonin kategorikisht. Thoshin e kemi shitoren, ju shitni diçka jashtë shitores dhe kështu e kalojmë disi bashkë. Por një ditë shkova në një kafene, ku rrinte shpesh babai. Aty në kafenenë e Limanit. Babai ishte aty, me shoqëri. E shfrytëzova rastin dhe i kërkova leje të dal në Suedi. Ai nuk ishte as për jo as për po. Edhe shokët e tij ma ndihmuan pak. Ai kafexhiu, Limani, i dha kurajo babait duke i thënë: O prite Ilmi prite! T’u ba djali me dalë në kurbet! Në ato momente babai më tha po, pa menduar shumë, ndërsa Limani, ma mbushi biletën. Si e kam futur biletën në xhep, kam marrë vrapin drejt shtëpisë dhe, i entuziazmuar ua kam qitë biletën në tavolinë. Vëllai dhe motrat më shikonin me habi, ndërsa nëna, sa e ka marrë biletën në dorë, ia plasi vajit. Por unë nuk dorëzohesha. Mezi prisja rastin e nisjes. U nisa pa e ditur fare çka më pret, si thuhet shpesh, si me shku´ te dajat. Udha ishte e gjatë e unë mendoja se Suedia nuk është larg. Kufi pas kufiri dhe dikur arritëm në kufi të Suedisë. Ishte prill i vitit 1992. Përkthyesi shqiptar që ishte me policinë suedeze, na tha se kush don të paraqitet azil, duhet ta dorëzojë pasaportën. Disa nuk i dorëzonin. Unë e futa letërnjoftimin në pasaportë dhe ua dorëzova. Kur më pyetën ku i ke prindërit, ua ktheva se jam vetëm. Aty më ka plasë vaji. Prej aty më morën e drejt e në jetimore, jo ku shkonin azilkërkuesit e zakonshëm. Merre me mend, kur mërzitesha, katër-pesë asistente më merrnin nga Sagosen, një qytezë e vogël suedeze dhe më dërgonin në Goteborg për të më shëtitur. Kur flisja në telefon me prindërit dukeshin shumë të mërzitur. Nëna nuk pajtohej kurrsesi. Një ditë nuk durohen më dhe nisen pas meje. Me vete e marrin motrën e vogël, Marigonën dhe drejt e në Suedi. Posa mbërrijnë, këto procedurat e bashkimit me familje zgjasin disa ditë dhe prindërit, i humbin krejt shpresat se jam diku. Unë reagoja para edukatoreve dhe ato më lusnin për durim se puna do të kryhej. U bashkova me prindërit. Qaj ata e qaj unë. Kur u ngimë mall e mërzi, si thuhet nga ne, tash nëna nuk kryhej për fëmijët e tjerë që kishin mbetur në Lypjan: kuku ai e kuku ky! Tash i thërriste motrën dhe vëllain Ilirin që të na bashkoheshin. Motra e madhe Teuta, ishte e martuar dhe, as sot e kësaj dite nuk ka dalë nga Kosova. Iliri po ashtu ishte i martuar, por nuk vinte që nuk vinte. Nuk e lëshonte Lypjanin. Unë nuk kthehesha assesi në Kosovë. Prindërit mbetën mes dy zjarreve. As të rrinin me mua, as të ktheheshin në Kosovë, te Iliri. Merre me mend, sa ishim bashkë në Kosovë, në njërën nga demonstratat për shkollën shqipe, gazeta serbe e Beogradit “Veçernje Novosti” mua dhe Ilirin na kishte qitur në fotografi, në faqen e parë, duke demonstruar. Na thirrën në polici, por me ne në atë fotografi, ishin edhe dy bashkëmoshatarë serbë, që i kishim fqinj. Me ne ishte nëna se frikësohej mos na ndodh diçka. Kur policët e pyetën pse kanë dalë djemtë në demonstratë, ajo ua ktheu: pse nuk po pyetni pse kanë dalë këta shokët e tyre serbë? Ku ta di unë si i ka rrokë aparati! Na liruan. Merre me mend, në lagjen shqiptare, kishte fare pak fëmijë serbë, sa gjatë lojës edhe emrat ua ndërronim duke u vënë nofka shqiptare dhe ata, gjithçka pranonin vetëm të mos i largojmë nga loja. Edhe në demonstratat tona ata vinin me ne. Por një ditë prej ditësh, edhe Ilirin policët e kërkojnë seriozisht. Ky bëhet gati dhe bashkë me nusen, pra me Vlorën, që është vajza e Ismail Gashit, njërit nga patriotët më të devotshëm të Rrafshit të Kosovës, dhe motrën Taiben e nisen për Suedi. Me përcjelljen e gjyshit të ndjerë, Sabri Shaqirit, pas të gjitha ballafaqimeve, gjatë rrugës nëpër Evropë arritën në Suedi. Në vitin 1993 Suedia mori vendim të na dëbojë. Si të ktheheshim tash kur sa u adaptuam pak. U nisëm me Ilirin dhe kaluam në Gjermani. Thamë ta shohim si është puna e pastaj i thërrasim të tjerët. Kërkuam azil dhe na u njoh e drejta për qëndrim. Shpejt e thirrëm pjesën tjetër të familjes dhe u bashkuam. Pasi rregulluam qëndrimin, kishim dy djem axhe këtu, dhe babai, tha të shkojmë atje afër tyre. Këtu ishin edhe disa pjesëtarë nga farefisnia. Babai, si më i vjetër që ishte, dëshironte t’i ketë nën mbikëqyrje dhe thoshte më mirë të jemi bashkë. Dhe, nga Bückenburgu, erdhëm në Krefeld ku jemi edhe tash, këtu ku kemi bërë shtëpinë dhe firmën tonë transportuese”.
Në familjen Krasniqi ka gjallëri. Fëmijë të vegjël, mysafirë të shpeshtë, biseda për punën. Familja natë e ditë është në lëvizje. Të rrallë janë vëllezërit si Iliri e Mentori që respektojnë dhe duan njëri-tjetrin. Nga ky respekt dhe kjo dashuri e ndërsjellë sikur vjen edhe suksesi. Ata e kanë firmën e përbashkët “IMK Transporte GmbH”, që tashmë ka bërë emër në Gjermani. Mentori është njeri i aksioneve. Edhe për firmë ia ka mësyrë si për dalje jashtë Kosovës. Si tregon Iliri, këta dy vëllezër e vërejnë se në Gjermani ka mundësi të prosperimit ekonomik, por duhet pavarësuar. Kjo mund të bëhej vetëm nëse hapej ndonjë ndërmarrje. Vëllezërit Krasniqi, në fillim mendojnë të hapin një piceri, por aty ndërhyn babai i tyre. Pasi që kishin bërë përvojë në transport, ai u propozon që të bëjnë diçka në këtë fushë, e të mos lakmojnë në punët që nuk i dinë. Dhe kështu bëhet. Këta dy vëllezër shkojnë te përfaqësia e Mercedesit në Krefeld dhe pyesin si mund ta blejnë një kamion. Pas informatave të nevojshme, për çudi, përfaqësia e Mercedesit, sapo u rrëfen edhe përfaqësuesei i saj Norbert Halfen, kamionin e parë ua shet vëllezërve Krasniqi. Por ky pazar nuk ishte i vetmi mes Mercedesit dhe vëllezërve Krasniqi. Ky ishte fillimi i afarizmit të pavarur të tyre. Më vonë dhjetëra kamionë i blejnë nga Mercedesi. Si rrëfejnë, në fillim punën si i pavarur e fillon Mentori, ndërsa Iliri vazhdon në firmën e mëparshme, ku ishte vetëm punëtor. Ata e testonin se si do të shkonte firma në ndërkohë, pasi iu frikësoheshin përvojave të pakta që kishin, pastaj njohjes së gjuhës, përgatitjes së dokumentacionit e pengesa të tjera që sjell puna. Por kur e do fati, edhe puna gjendet shpejt e mbarë. Vëllezërit Krasniqi pranojnë një ofertë serioze nga firma “ComPass”. Në këtë firmë duhej transportuar stabilimente të telekomunikacionit, që puna ishte shumë specifike, ku kërkohej siguri e nivelit të lartë në transport. Si rrëfen edhe përfaqësuesi i “KomPass-sit”, zoti Arnold Kaempkes, në vitin 2003, kishim nevojë për transportues të stabilimenteve të telekomunikimit, si për T-Mobil, Nokia, E-plus etj. Paraqitjen në ofertë të vëllezërve Krasniqi e pranova, jo vetëm me skepsë, por edhe me frikë të madhe. Në fillim desha t’i angazhoj vetëm një apo dy kamionë, vetëm sa për testim të punës. Transportimi dhe vendosja e stabilimenteve kishte plot pengesa e rreziqe. Ato ishin të shtrenjta, me vlerë të pakrahasueshme. Por që në transportin e parë, frika jonë u tregua e paarsyeshme. Vëllezërit Krasniqi e dhanë provimin por edhe ne në zgjedhjen e partnerit serioz. Sot ky bashkëpunim ka evoluar aq shumë, sa nuk ka të ndalur në rritje të vazhdueshme. Çdo sukses yni është rezultat edhe i punës së vëllezërve Krasniqi.
Por Iliri e Mentori nuk ndalen. Ata i kanë hyrë me entuziuazëm këtij lloj transporti që u ka sjellë edhe suksese të mëdha. Kamionët e tyre ngjyrë kyq e gri dhe me mbishkrimet kaltër, çdo ditë lëvizin rrugëve të Evropës. Ata transportojnë stabilimente speciale të telefonisë, që duhet vendosur në kulme ndërtesash, në majë malesh ku shpesh mezi çahet bora, madje duke u kujdesur për çdo imtësi. Vlera e stacioneve telefonike është disamilionëshe. Pra, fitimi i ka edhe rreziqet me vete, por vëllezërit Krasniqi me punëtorët e disiplinuar, ia dalin të korrin sukses. Iliri merret me menaxhimin e brendshëm të firmës, ndërsa Mentori, me kontratimet e punës, ndërmjetëson në raportet me afaristët partnerë. Nusja e Ilirit, Vlora, pasi ka bërë një kualifikim për administratore, mban administratën e firmës, rregullon pagesat e punëtorëve, kontrollon hyrje-daljet e gjëra të tjera me të cilat ballafaqohet një firmë. Po ashtu, edhe nusja e Mentorit, Feridja, nuk rrin jashtë lojës. Ajo mban administratën e kamionëve, afatet e rregullimit teknik të tyre, shpenzimet e naftës etj. Në firmën “IMK Transporte”, që tri shkronjat e para kanë domethënien e emrave të pronarëve: Ilir e Mentor Krasniqi, nuk dihet kur fillon dhe kur përfundon orari i punës. Sidomos për Ilirin e Mentorin. Ata me kohë e kanë kuptuar se puna me partnerët kërkon edhe sakrificë. Duhet kënaqur edhe partnerët që të korren rezultatet e punës. Si na rrëfejnë, ka ndodhur që edhe kur e kanë pritur natën e vitit të ri në familje, gjysmë ore pas ndërrimit të motmoteve, është dashur t’i ndezin kamionët për të kryer punë. Jo rrallë ka ndodhur që të bëjnë edhe transporte express, si nga aeroporti i Frankfurtit, kur zakonisht vjen mall nga Amerika. Ata kanë bartur mijëra stacione bazike të telefonisë. Po në këtë fushë, falë përgjegjësisë së lartë dhe efikasitetit të madh, vëllezërit Krasniqi edhe për pesë vitet e ardhshme kanë kontrata pune. Transportet me vlera milionëshe iu jepen vetëm atyre. Për këtë Mentori është i sigurtë. Pak me emocion e rrëfen një rast nga një konferencë ofertuesish për transporte kur është ngritur e ka thënë: “Po qe nevoja, firma ime do ta transportojë edhe tymin nëse ndonjë partner ka arritur ta ngarkojë në thasë plastmasti, e lëre më sendet që i kap dora”.
Derisa jemi ulur rreth kaminit dhe pimë kafe, sërish e kujtojmë Kosovën, e sidomos ndihmat që kanë sot fuqinë t’i bëjnë afaristët shqiptarë nëpër Evropë. Nga kjo fushë Iliri e Mentori janë për lakmi. Ata janë nga donatorët kryesorë për Shoqatën Humanitare “Nëna Tereze” që e drejton bashkëvendësi i tyre, Shaqir Gashi, një veprimtar i palodhshëm në Mynih. Duke u ndejtur gati donacioneve për Nënën Tereze, një herë ka ndodhur që donacionin ta përsërisin dyfish. Ka qenë një rast kur Mentori ka paguar një fletëpagesë dhe është nisur për Kosovë. Vjen Iliri dhe duke menduar se Mentori nuk e ka kryer punën, sërish e paguan donacionin e planifikuar prej 2000 eurosh. Pasi dëgjohet në telefon me Mentorin, kupton gabimin, por nuk e tërheq donacionin. Në ato momente, rrëfen Iliri, thashë sigurisht Zoti e ka ditur që duhet paguar më shumë dhe nuk e tërhoqa tepricën e parave, duke menduar se do të bëhet mirë për fëmijët e Kosovës që janë të sëmurë nga zemra. Dhe falë edhe donacioneve të të tjerëve, edhe punës organizative të Shaqir Gashit, shumë fëmijë janë shëruar në Gjermani.
Ndërkaq, një nga donacionet e vëllezërve Krasniqi të një viti më parë ka një rrëfim interesant. Në natën e vitit të ri 2007 ra edhe Dita e Bajramit. Mentori shkon në Kosovë dhe siç kishte vendosur familja e tij, bën shpërndarjen e mishit të 11 kurbanëve nëpër familjet e varfëra të Drenicës. Ky numër kishte simbolikën e numrit të anëtarëve të familjes Krasniqi, që aso kohe ishn 11, ndërsa tash së voni Mentori ka edhe një djalë, që është bërë anëtari i dymbëdhjetë. Siç thotë Mentori, shkova në Okllap, në fshatin ku i kemi kushërinjtë tanë dhe aty i bleva të 11 kurbanët. Më ndihmuan t’i ngarkoj disa dhe ia mësyva Vushtrrisë. Atje dhëndri më tha se në polici është një zyrë që i din rastet më të rënda sociale. Shkova me të dhe kur policia jonë kuptoi qëllimin tim, ma dha një patrullë përcjellëse, që të më ndihmonte t’i gjeja familjet e varfëra. Ishte terren i vështirë. Dimër. Borë. Baltë. Isha me xhip, e po ashtu edhe policia. Vështirësitë e rrugës i tejkalonim. Shpërndamë sa shpërndamë kurbanët dhe na erdhi radha të shpërndajmë te një plak. Kur shkova aty, e morën atë plakun e palëvizshëm dhe e nxorën te dera. Ua lashë mishin e kurbanit dhe po ashtu, si në çdo familje më parë, ia dhashë plakut edhe 50 euro. Por plaku e shfaqi një kërkesë të tij. Tha: “Cili është ai njeri prej juve që ka ditë me më gëzue në këtë ditë së paku me m’i dhanë duert me ia puth!” Edhe tash qan Mentori derisa rrëfen. Aty, - thotë ai - më plasi vaji, e me lotët e mi u bashkuan edhe lotët e policëve dhe të shoqëruesve. Më parë do ta pranoja vdekjen se t’ia jap duart atij plaku të m’i puth. Atë në atë gjendje e kishte sjellë lufta, ku kishte rrënuar gjithçka”.
Në bashkëbisedim me vëllezërit Krasniqi na ka zënë mesi i natës. Dalim së paku ta vizitojmë autoparkun dhe zyrat e firmës. Zyrat janë në një oborr me shtëpinë e bukur. Të rregulluara si është më mirë. Kalojmë te autoparku. Iliri dhe Mentori rrëfejnë çdo detaj të punës. Pos disa kamionëve të rreshtuar në parking, anash është një nga transportuesit më të mëdhenj. Në të mund të ngarkohen edhe 45 tonë peshë. Derisa Mentori shpjegon përparësitë e këtij kamioni dhe dyfishimin e suksesit të punës me të, ngadalë afrohet dhe e puth. Shenjë kjo që këta burra të rinj e duan punën, e respektojnë dhe me të nderojnë, jo vetëm familjen, por edhe kombin në tërësi.
Sukses vëllezër!
Komentoni
Artikuj te tjere
Mehmet Bislimi: Pishtarëve të Lirisë Afrim Zhitia e Fahri Fazliu
Kolec Traboini: Amaneti i Hoxhë Muglicës
Faruk Tasholli: Afaristë shqiptarë në Gjermani - Enver Hasani
Xhevat Rexhaj: Patriot i hershëm dhe familjar shembullor
Ibrahim Rugova më 1996 u nderua me titullin Doktor Nderi i Universitetit të Parisit
Në përvjetorin e 88-të të lindjes së Akademik Mark Krasniqit
Pesë vjet nga Lumturimi Nënës Shqiptare, Nënë Tereza
Albert Zholi: Si e kam njohur, arvanitasin e shquar Aristidh Kola!
Albert Shala: Deshmori i Kombit Nike Hajdaraj
Apel për të përçuar më shumë librat e tezat e Aristidh Kolës
Gjon Marku: Mara Bajraktari, gruaja fisnike që sfidoi kohët
Shlomo Avinier: Ibrahim Rugova – njeriu i rezistencës dhe i paqes
Isuf Dedushaj, Avdyl Krasniqi: Me rastin e njëvjetorit të vdekjes se Akademik Musa Haxhiut
Prof Akil Koci: Përmasat e personalitetit të Tonin Harapit
Albert Shala: Vdekja ne shkrimet e Viganit te Kombit Jusuf Gervalla
Sami Repishti: Lavdi Presidentit Ibrahim Rugova
Shaban Peraj: Përkujtim për Fiqri Hasanagën
Kryeministri nga Mitrovica
Shkodrani fisnik, që u dekorua nga Presidenti francez më 1895-ën
Një homazh për Prenk Jakovën, kolosin e muzikës shqiptare