E diele, 28.04.2024, 12:44 AM (GMT+1)

Faleminderit

Ibrahim Rugova më 1996 u nderua me titullin Doktor Nderi i Universitetit të Parisit

E marte, 21.10.2008, 09:24 PM


Më 17 dhjetor 1996 në e Universitetit Paris 8, në praninë e një numri të madh pjesëmarrësish, dr.Ibrahim Rugovës iu dorëzua diploma "Doktor Honoris Causa" Në solemnitetin dyorësh, presidentja e Universitetit Irene Sokolgarsky, duke përshëndetur Dr.Rugovën, ndër të tjera tha: "Dr.Ibrahim Rugova, teoricien dhe kritik letrar para se shqiptarët të goditeshin përsëri nga gjëmat e errëta të historisë evropiane, është përcaktuar për aksion politik në mbrojtjen e 'ekzistencës'.
 
Po ky nxënës i vjetër i Roland Bartit, i cili ka medituar dhe shkruar shumë mbi relacionet forcë-dije, nuk është angazhuar në një rrugë të çfarëdofshme, por universalizmi i tij është vullneti absolut për të luftuar për të drejtat e njeriut dhe për demokracinë. Kjo e ka shtyrë të praktikojë dhe të bëjë të ndiqet një politikë e mosdhunës, absolute, e cila dukej e parealizueshme në kontekstin e luftës dhe të vlimeve nacionaliste.

I etshëm për tolerancë dhe hapje ndaj Evropës, Universiteti Parisi 8 është shumë i nderuar me pranimin në cilësinë e doktorit të nderit të Ibrahim Rugovës, shkrimtar pacifist dhe i guximshëm në rrugën e tij. Të mos pyesim ne sot 'se ç'presim nga Ibrahim Rugova', por më mirë të pyesim "se ç'pret një njeri i tillë nga ne".


Fjalimi i Dr. Ibrahim Rugovës mbajtur në Universitetin e Parisit

Me rastin e marrjes së titullit Doktor Nderi të Universitetit të Parisit 8, mbajti këtë fjalim.

Jam shumë i lumtur që gjendem sot në Universitetin tuaj, në këto momente gëzimi që më keni dhuruar, duke më ndarë diplomën e çmuar Doktor Honoris Causa. Po ashtu ndiej kënaqësi të madhe t'i drejtohem këtij auditori të respektuar të Parisit e të Francës që ka gjetur kohë të marrë pjesë në këtë solemnitet.
Titulli që më është dhënë është një njohje për mua personalisht dhe për popullin e Kosovës, për rezistencën e tij non-violente e paqësore që po bën tash disa vjet me sakrifica të mëdha. Njëherësh është një njohje nga Universiteti juaj, i dalë nga gjiri i njërit nga universitetet më të vjetra të Evropës, i njohur për ide e studime moderne, që sot njihen në të gjithë botën. Është një njohje e intelektualëve francezë për Kosovën.

Më lejoni t'i them disa fjalë për lidhjet shqiptaro-frënge. Shqiptarët dhe Shqipëria dalin së pari në Këngët e Rolandit, pastaj lidhjet e kontaktet e Derës së Anzhuinëve me princat në Shqipëri e në Kosovë. Në kohën e Renesansës në Francë shumë shkrimtarë e filozofë e bëjnë të njohur figurën e heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i cili për 25 vjet udhëhoqi rezistencën e shqiptarëve kundër osmanëve dhe nga Ati i Shenjtë u quajt 'Atleta Cristi'.
 
Në veprën e shkrimtarit dhe teologut shqiptar të shek. XVII, Pjetër Bogdani, gjejmë gjurmë të Dekartit, ndërsa Rilindja Kombëtare Shqiptare e shek. XIX do të inspirohet nga lëvizjet kombëtare që i inicoi Napoleoni i Madh në Evropë dhe që nga kjo kohë kultura shqiptare do të ushqehet nga kultura dhe idetë franceze e evropiane.
 
Mirëpo raportet e para për një kulturë të fuqishme mesjetare shqiptare i kemi nga prifti frëng Brocard, që shërbente në Arçeliocezën e Antivarit (Antibarensi), më 1332.
 
Nga shek. XIX e këndej, filologjia dhe historiografia frënge është marrë shumë me gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare, si Antoine Meje dhe Mario Roques, mes dy luftërave botërore, kurse Emil Benvenorde, njëri ndër linguistët më të mëdhenj të shek. XX, në institucionet e vjetra indoevropiane e vendos institucionin Be-ja -besa e sotme shqiptare, si njëri ndër institucionet më të vjetra. Georges Castellan thotë se grekët dhe iliro-shqiptarët janë popujt më të vjetër të Ballkanit, kurse Georges Salograc e çmon lart civilizimin e Ilirisë antike dhe ilirët i vendos edhe në tabelën e gjeneologjisë biblike, tash vonë më 1992.

Kosova e sotme përfshin pjesën më të madhe të Dardanisë antike, apo Dardanisë qendrore, që ishte e njohur për minierat e saj.
 
Para romakëve ishte njëra ndër mbretëritë më të fuqishme ilire dhe si popull dardan, në histori lidhet me Trojën dhe me shkrimet e Egjiptit të vjetër. Në kohën romake, Dardania ishte një provincë e lulëzuar dhe me Ilirinë bëhet ndër qendrat më të rëndësishme të antikës. Pra, Kosova-Dardania është atdheu i Konstantinit të madh dhe i Justinianit, njërit ndër themeluesit e së drejtës romake. Po ashtu, në Dardani, në Ulpianën e bukur, afër Prishtinës së sotme, kemi martirët e parë të krishterizmit në Evropë, Florin e Laurin (Flavius et Laurius), 117-135, që ishin skulptorë e minatorë.
 
Dardanët ishin të njohur për muzikën e tyre të instrumentuar me tela e me frymë. Te Prishtina është gjetur instrumenti me frymë, okarina e keramikës e kohës së neolitit. Po ashtu, Kosova-Dardania antike është vendlindja e shenjtëreshës së gjallë Nënë Tereza. Për kërshërinë e këtij auditori, më lejoni të theksoj se emrin Dardania filologjia franceze dhe evropiane e shjegojnë me fjalën shqipe "dardhë", që do të thotë "vend i dardhëve".

Më lejoni që nga ky auditor i këtij universiteti të njohur t'u drejtoj një apel studiuesve të fushave të ndryshme që me studiumet e tyre të bëjnë të ngritet, të njihet dhe të hyjë në civilizmin universal edhe njëri krah i trekëndëshit të artë antik, Greqi-Romë-Iliri sepse, pos tjerash, civilizimi ilir i dhuroi botës njerëz të kulturës si Shën Jeronimi, Justiniani etj.

Kërkoj falje që u ndala në disa çështje historike, po me dëshirë që brenda një semiologjie historike të hedh pak kripë, siç thoshte Barthi, në dijen historike mbi shqiptarët dhe Kosovën, sepse civilizimi shqiptar duhet të zërë një vend në historinë universale të njerëzimit, në kohën kur Kosova e Shqipëria dhe shqiptarët po shndërrohen në shoqëri moderne demokratike, apo thënë me një parafrazë frënge, se pak histori nuk na bën keq.

Gjendja në Kosovë që shtatë vjet është dhe vazhdon të jetë e rëndë, me represion sistematik, persekutim të aktivistëve politikë e humanitarë, pra një gjendje mjaft e rrezikshme. Këto ditë ky front i dhunës, që falë durimit të popullit të Kosovës nuk u shndërrua në front të armëve, mori viktimën e 14-të të pafajshme gjatë këtij viti. Kështu Serbia e mban Kosovën nën dominim, në kundërshtim me të gjitha normat e të drejtës ndërkombëtare. Pra, në Kosovë qe shtatë vjet shqiptarët persekutohen deri në vrasje (...).

Në fjalën e vet, Dr.Rugova, duke iu drejtuar presidentes, theksoi: "Më lejoni që këtë diskurs ta dedikoj të tërin në kujtim të Roland Barthes-it, njëri ndër intelektualët më të njohur të Parist dhe të botës të kësaj pjese të shekullit. Ndihem krenar të them se jam një nxënës i vogël i Barthes-it të madh.

Më lejoni që nga ky auditor i këtij universiteti të njohur t'u drejtoj një apel studiuesve të fushave të ndryshme që me studiumet e tyre të bëjnë të ngritet, të njihet dhe të hyjë në civilizmin universal edhe njëri krah i trekëndëshit të artë antik, Greqi-Romë-Iliri sepse, pos tjerash, civilizimi ilir i dhuroi botës njerëz të kulturës si Shën Jeronimi, Justiniani etj."
Më 17 dhjetor 1996

M.F. Allen: Rugova është një lloj shkrimtari që ka pranuar të mbajë mbi supe fatin e popullit të vet

Në ceremoninë e shpalljes Doktor Nderi në Universitetin e Parisit për Ibrahim Rugovën flet edhe biografja e tij franceze Mari Fransoa Allen, profesoresha e atij Universiteti, intelektuale e njohur dhe koautore e librit "Ibrahim Rugova: Çështja e Kosovës", e flet gjerësisht për dr. Rugovën si intelektual e politikan në rrethanat aktuale në Kosovë. Ajo, ndër të tjera, ajo thekson:

- Rugova erdhi në politikë në rrethana të veçanta dhe pasi që këtë e kërkonte nevoja e që mund ta krahasojmë me V. Havelin, i cili në vitin '86 thoshte: 'Për shkaqe të ndryshme të interesit të shkrimtarit, i cili mund të shkruajë për dashurinë, xhelozinë, për dështimin... për Zotin, ka një gjë të vërtetë që shkrimtari nuk mund ta evitojë kurrë, që është historia-situata sociale, epoka e tij që njëkohësisht do të thotë vetë politika'.

Rugova është ky lloj shkrimtari që ka pranuar të mbajë mbi supe fatin e popullit të vet; është figurë e jashtëzakonshme, figurë e rrallë pacifisti jo vetëm në fjalë, por edhe në veprime. Këtë e ka vërtetuar tash shtatë vjet me gjithë pengesat dhe grackat e provokimet që ka. Rugova mban ekuilibrin mu nga ajo se si shkrimtar ka shkruar për përgjegjësinë dhe raportet e të mundshmes dhe pushtetit."

- Duke prezentuar filozofinë politike të dr. Rugovës, biografinë e tij dhe situatën në të cilën mori rolin e politikanit, Mari Francoaz Allen thekson se "në vitin 1981 Kosova u bë pikë e kuqe e Evropës me manifestimet për liri e pavarësi që u shtypën me gjak. Procese politike, dënime të rënda. Në atë kohë Rugova ishte duke shkruar monografinë e Pjetër Bogdanit, shkrimtar i shekullit XVII, në Prizren, humanist dhe liberator i një pjese të Kosovës.

Esetë e tij (1980) në 'Strategjinë e kuptimit', ishin shenja që nënkuptonin më vonë edhe në 'Refuzimi estetik', ku dëshmoi se letërsia është sipërore ndaj pushtetit, dhe se vetëm literatura ishte në formë të së mundshmes në veprimet e pushtetit. Rugova ishte i njohur me miqtë e tij Eqrem Basha e Rexhep Ismaili, të formuar në Francë, edhe pse në vitin 1985 mori qëndrim të guximshëm në mesin e shkrimtarëve, por edhe kur ishte në aksion të të shprehurit. Këtë e shpjegon në librin 'Çështja e Kosovës'.

Denoncimi i terrorit së pari kaloi nga të shprehurit e letërsisë. Prej aty erdhi edhe miqësia për Francën, për studimet e tij nën disertacionin e dr. Roland Barthes (1976-1977). Semiologjia dhe strukturalizmi ishin arma e tij më e fortë. Ai ka deklaruar në libër se ka dy rrugë për intelektualin: të qëndrohet me librin dhe të merret me veprimin.

Në vitin 1988 ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kur në 'Refuzimi estetik' thekson: 'Refuzim do të thotë të mos pranohet ajo që imponohet'. Më 1989 ai diferencohet, i larguar nga e drejta, i zhgënjyer; çdo i dyti shqiptar i ndaluar nga policia - do të thotë mbi 700.000 veta."

- Duke folur gjerësisht për gjendjen në Kosovë, Mari Francoaz theksoi "e gjithë biografia e dr. Rugovës del nga angazhimi i literaturës që prodhoi tipin e veprimit që ai udhëheq sot: lirinë dhe demokracinë. Dr.Rugova është një çelës që hap një rrugë nga literatura në aksion politik.

Rugova është përcaktuar të shkojë deri në fund të lojalitetit të tij. Politika për të është një shërbim (service), por u mbetet besnik angazhimeve të tij si shkrimtar. Kështu, sistemi i tij politik është fryt i elaborimit me situatën. Përveç kësaj, referencat e tij të mendimit mbi botën perëndimore janë permanente.

Citon BECKETT-in, Dostojevskin, Levi-Strausin, Sartre-in, etj. Gjithashtu, sot ende e lexon Aristophanin, Platonin, Biblën. E shohim atë në pozicion intermediar midis intelektualëve të Perëndimit dhe të Lindjes, duke u inspiruar, po e citoj, nga të parët për atë çka i takon teorisë, por duke e pasur të njëjtin fat me të dytët" Ai do të preferonte pa dyshim të mbetej pranë librave: në mënyrë modeste thotë: 'Nëse mbetet diçka prej meje në historinë shqiptare, ky do të jetë emri im intelektual', thekson Mari Fransoa Allen.
Më 17 dhjetor 1996



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora