E diele, 28.04.2024, 04:39 AM (GMT+1)

Faleminderit

Në përvjetorin e 88-të të lindjes së Akademik Mark Krasniqit

E hene, 20.10.2008, 12:20 AM


Akademik Mark Krasniqi
Nga Gazeta 55
 
Një jetë në shërbim të kombit

Opusi shkencor dhe veprimtaria e përgjithshme krijuese e akademik Mark Krasniqit zë një hapësirë të madhe dhe tepër të gjerë në shpirtin dhe kulturën e gjithmbarshme kombëtare dhe patriotike të kombit shqiptar në veçanti, gjegjësisht, në ngritjen dhe zhvillimin e përgjithshëm të shkencave dhe disiplinave të ndryshme shqiptare dhe humaniste në përgjithësi

Bashkësia e Degëve e PSHDK-së për Austri, me rastin e 88-vjetorit të lindjes (19 tetor) i uron akademik Mark Krasniqit ditëlindjen duke i dëshiruar suksese, shëndet në jetë. Akademik Mark Krasniqi, tërë jetën ia ka kushtuar çështjes kombëtare shqiptare. Rëndësinë e akademik Mark Krasniqit për çështjen tonë kombëtare e përligjin vetvetiu dhe detyrat e ndryshme, që kreu ai, nga të cilat, këtu, po i përmendim disa më kryesoret: Më 1945- 1946 qe gazetar i të përditshmes së vetme në gjuhën shqipe në Kosovë, “Rilindja”, më 1947-1949 gazetar i programit në gjuhën shqipe në Beograd, prej vitit 1951-1961 punoi në Akademinë Serbe të Shkencave, në fillim asistent e pastaj bashkëpunëtor shkencor; ishte njëri nga doktorët e parë të shkencës në Kosovë, ishte kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, profesor shumëvjeçar në Fakultetin Juridik-Ekonomik të Prishtinës, prodekan dhe dekan disavjeçar, themelues i Katedrës së Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Matematikore-natyrore, kryetar i Shoqatës së Gjeografëve të Kosovës, nënkryetar dhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kandidat për rektorin e parë të Universitetin të Prishtinës, i propozuar dhe i përkrahur nga organet legjitime të fakulteteve të larta, po jo dhe nga organet e pushtetit dhe të Lidhjes së Komunistëve, pastaj antropogjeograf, etnograf, folklorist, përkthyes letrar, polemist dhe veprimtar i shquar për pajtimin kombëtar, përkatësisht për pajtimin e gjaqeve në Kosovë, dhe politikan, që shumë vjet e udhëhoqi Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës. është deputet në Parlamentin e Kosovës. Akademik Mark Krasniqi ishte nismëtar për ngritjen e përmendores së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut. Ai ka shkruar shumë libra shkencorë a letrarë, tekste shkollore e publicistike. Të gjitha këto punë e detyra të përmbushura me përkushtim të lartë dëshmojnë përcaktimin, ndërgjegjësimin dhe flijimin e tij, për mbarësinë dhe mirëqenien e njeriut tonë dhe për studimin dhe njohjen e botës sonë. Së këndejmi, kontributi i tij si i këtillë u bë pjesë e pandashme e ekzistencës dhe e zhvillimit shpirtëror dhe material gjithëshqiptar.
Rëndësia dhe qenësia e punës së akademik Mark Krasniqit për botën tonë nuk qëndron në faktin pse ai u mor me disa lloje të veprimtarisë, por pse arriti rezultate të rëndësishme e të çmueshme në secilën prej tyre. Në disa nga këto fusha ai vuri, të them metaforikisht, gurët nismëtarë të mendimit shkencor. Ky mendim, pastaj u ngrit nga ai e nga kuadrat që përgatiti, por edhe nga autorë e studiues të tjerë shqiptarë e të huaj. Punë prej pionieri në Kosovë akademik Mark Krasniqi bëri në lëmin e antropogjeografisë, të etnografisë dhe të letërsisë për fëmijë.
Ndjekja e profesor Krasniqit nga regjimi serbo-jugosllav/Secili që e studiojmë me kujdes veprimtarinë e tij e ka vështirë të pohojë me siguri se në cilën fushë është më i madh dhe më i rëndësishëm, si antropogjeograf, etnograf, ose poet për fëmijë. Një mëdyshje e këtillë rrjedh nga e dhëna se ai punoi me përkushtim të pazakonshëm dhe me dinjitet të palëkundur në këto fusha të dijes e të veprimtarisë shpirtërore, fryte të cilat janë të pranishme mbi gjysmë qindvjetëshi në botën dhe në jetën e njeriut tonë. Punët dhe arritjet shkencore dhe letrare të akademik Mark Krasniqit bëhen edhe më të vlefshme dhe marrin një peshë dhe më të veçantë kur merren parasysh koha dhe kushtet në të cilat ai punoi dhe krijoi. Vetë fakti se ai ishte ndër intelektualët e parë shqiptarë të pasluftës së Dytë botërore në Kosovë dhe se puna e tij hiqte peshë në zhvillimin dhe në studimin e kulturës dhe të shkencës shqiptare, në ngritjen kombëtare dhe në pasurimin artistik të njeriut tonë-nëpërmjet artit letrar, sidomos për fëmijë-puna e tij u vu nën mbikëqyrje nga pushtetarët dhe në mënyrë të vazhdueshme ai u ballafaqua me pengesa të ndryshme.
Kjo përndjekje mori një formë më të hapur e më të organizuar në mars të vitit 1966, kur nga platforma nacionaliste dhe shoviniste serbe, u sulmua puna e tij, veçmas vepra “Ndryshimet bashkëkohore shqiptare-gjeografike në Kosovë”, botuar në gjuhën serbe më 1963, që ishte teza e doktoratës, mbrojtur më 1960 në Universitetin e Lubjanës. Mbikëqyrja e punës dhe e veprimtarisë së profesor akademik Mark Krasniqit vazhdoi dhe më tutje, për të marrë një formë të egër gjatë viteve 80, kur organet përkatëse të pushtetit e larguan nga procesi mësimor i Universiteti të Prishtinës si njeri i padëshirueshëm, i rrezikshëm, separatist shqiptaromadh, nacionalist dhe u ndaluan nga përdorimi vepra e tij letrare dhe tekstet shkollore dhe universitare. Ky hap anticivilizues dhe antikulturor nuk ishte i rastit, viktimë e politikës jugosllave antishqiptare binin pikërisht krijuesit dhe intelektualët e nivelit më të lartë, siç ishte akademik Mark Krasniqi, për t’u ardhur radha pastaj të tjerëve.
Gjithmonë në shërbim të së vërtetës shkencore dhe të çështjes shqiptare/Mirëpo, përpjekjet e tilla që ta pengonin dhe ta ndalonin në punën e tij shkencore hulumtuese, letrare dhe kombëtare e bënë dhe më këmbëngulës, më të qëndrueshëm dhe më të vetëdijshëm në synimet e tij; e inkurajuan për flijime edhe më të mëdha intelektuale ,për studimin dhe ndriçimin e atyre çështjeve që dëshmonin mirëfilli lashtësinë dhe pasurinë e madhe të trashëgimisë shpirtërore e materiale të popullit tonë e cila ishte mbrojtje më e mirë e botës dhe e qenies sonë. Një vlerë të rëndësishme në këtë fushë paraqesin veprat “Lugu i Baranit”, monografi etnogjeografike, botuar më 1984 nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe ribotuar nga redaksia e botimeve të “Rilindjes” së Prishtinës, vëllimet me studime e punime etnografike „Gjurmë e gjurmime“, botuar më 1979 nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe ribotuar në Tiranë më 1982 dhe “Nga gurra e traditës” (Prishtinë 1991), “Qëndrime e reagime” (katër vëllime-1995), “Përpjekje për Kosovën” (2002), “Rrënjët tona etnike”(2002), “Aspekte mitologjike” (Prishtinë 1995), “Mikpritja në traditën shqiptare” (2005). “Toleranca në traditën shqiptare” (2007), dy veprat e fundit të botuara nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në këto vepra dëshmohet një dije e sa e thellë aq dhe e gjithanshme në fushat përkatëse, dhe dëshmohet rigoroziteti dhe objektiviteti shkencor si dhe akribia në hulumtimin e fakteve dhe të dhënave nga ballafaqimi i tyre me zhvillimin modern shkencor. Në to trajtohen në thellësinë, dhe në ndërlidhësinë e kushtëzimit e të bashkëveprimit probleme të ndryshme të botës sonë, të para në dialektikën e zhvillimit dhe të ndryshimit, brenda një kulture të lashtë e të pasur si është kultura shqiptare ose duke e krahasuar me kulturat e tjera. Çështja kryesore, në të cilën u mbështet dhe i besoi akademik Mark Krasniqi qe puna e tij e pavarur, aftësia dhe vullneti i madh i palëkundur për të ndriçuar të vërtetën shkencore dhe të vërtetën për popullin dhe botën që i përkiste. Ai shkruan: “Në punën time modeste pesëdhjetëvjeçare gjithmonë jam përpjekur që ajo të jetë në shërbim të së vërtetës shkencore,dhe që kjo e vërtetë të jetë në shërbim të popullit shqiptar. Kuptohet, kjo nuk u ka pëlqyer atyre që e kanë mbajtur dhe duan ta mbajnë këtë popull në robëri, por e vërteta doli në anën tonë”. Qëndrimin e tij kombëtar e të palëkundur akademik Mark Krasniqi e dëshmoi edhe gjatë kohës kur agresori i Serbisë ishte bërë krejtësisht i qartë dhe kur ndërmerreshin aksione të dhunës e të terrorit të paparë të ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve të pafajshëm dhe të pambrojtur të Kosovës. Kjo gjendje e rëndë, e shqetësonte dhe i shkaktonte dhimbje shpirtërore. Kështu në Senatin e Belgjikës, më 15 tetor 1992, duke folur për çështjen e Kosovës dhe për mundësitë e zgjedhjes së saj, ai thekson ndër të tjera: “Mendoj se zgjidhja më e mirë e problemeve politike dhe kombëtare është ajo për të cilën përcaktohet vetë populli. Prandaj, edhe populli shqiptar duhet të ketë të drejtë të realizojë qëllimet e tij shekullore, për të cilin gjatë historisë ka derdhur një lumë gjak”. Ky qëllim i tij është krijimi i shtetit të pavarur kombëtar, në cilin do të përfshiheshin të gjitha territoret etnike shqiptare, ku sot shumicën e banorëve e përbëjnë shqiptarët. Shteti shqiptar sot kufizohet nga të gjitha anët me vetveten me territore dhe popullsi etnike të shkëputur me kufij, i cili kalon përmes Shqipërisë etnike. Vetëm shteti me kufij etnikë mund të jetë garanci e paqes së përhershme në vise të caktuara.
Njeriu që i vuri gur themelin e institucioneve arsimore e shkencore të Kosovës/Një ndihmesë të rëndësishme akademik Mark Krasniqi e dha në fushën e letërsisë, sidomos si poet për fëmijë dhe për të rritur. Shkrimet e para letrare të tij datojnë para luftës, disa nga të cilat u botuan në fletushkën e nxënësve “Ylli” që filloi të dalë në dritë nga viti 1939 kur ndiqte Gjimazin real të Prizrenit. Me fillimin e botimit të revistës letrare “Jeta e re” më 1949, ai filloi t´i botojë poezitë e veta për të rritur. Mirëpo, nga viti 1953, kur botoi përmbledhjen “Përrallat e gjyshit”, akademik Mark Krasniqi është i pranishëm në jetën letrare e artistike të Kosovës. Kjo prani u bë më e madhe me botimin e përmbledhjeve të tjera të rëndësishme, të cilat e pasuruan poezinë tonë për fëmijë në rrafshe e përbërës të ndryshëm. Përmbledhjet “Posta e porositur” (1959), “Kulla e buburrecit” (1989), “Lepuri analfabet”, “Drita e parë”, “Borëbardha” dhe “Postieri i maleve” (1984), zgjedhja e poezisë së tij, bëjnë pjesë në rrethin më të ngushtë të veprave më të vlefshme e më të rëndësishme të letërsisë shqiptare për fëmijë.
Ndërkaq Mark Krasniqi ka botuar edhe vëllimin për të rritur “Jehona e kohës” e cila ka përjetuar 3 vëllime, i fundit i plotësuar dhe i botuar më vitin 2007.
Akademik Mark Krasniqi pa dyshim është njëri prej figurave dhe personaliteteve më të shquara (lapidare dhe monumente) të shkencës, kulturës, letërsisë dhe historisë sonë kombëtare në harkun e përgjithshëm kohor të këtyre pesë dekadave të fundit. Ai është njëri ndër ideatorët, protagonistët dhe themeluesit kryesor të institucioneve shkencore dhe kulturore të popullit shqiptar në Kosovë. Së këndejmi, opusi shkencor dhe veprimtaria e përgjithshme krijuese e akademik Mark Krasniqit zë një hapësirë të madhe dhe tepër të gjerë në shpirtin dhe kulturën e gjithmbarshme kombëtare dhe patriotike të kombit shqiptar në veçanti, gjegjësisht, në ngritjen dhe zhvillimin e përgjithshëm të shkencave dhe disiplinave të ndryshme shqiptare dhe humaniste në përgjithësi. Ndaj, pikërisht i njohur dhe i shquar- për disiplinat e lartpërmendura shkencore dhe shoqërore iluministe, akademik Mark Krasniqi është bërë sot udhërrëfyes dhe një sovran i madh i mendimit shkencor dhe letrar-kulturor në hapësirën mbarëshqiptare dhe më gjerë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora