Kerko: a
Kristaq Turtulli: Apologjia e vërtetë e veteranit pensionist
E diele, 30.08.2020, 09:22 AM
APOLOGJIA E VËRTETË E VETERANIT PENSIONIT
NGA
KRISTAQ TURTULLI
Kush
isha unë...e çfarë jam! Ç'tu them më parë. Hëm, i ziu unë, partizani që ma
prenë këmbën pa narkozë, me sharrën që presin drutë. Shpirti ma di sa vuajta
kur sharra hyri në këmbën e gangrenizuar dhe preu kockën. Nga dhembja nuk qava
por këndova. Dhe isha mustaqe pa dirsur gjashtëmbëdhjetë vjeç.
Oh,
ç'ta kujtoj! Ndaj ju lutem a mund ta përjetoni zhgënjimin shpartallues të një
plaku sakat, me kocka e gjymtyrë të shkulura prej trupit, shumë vite më parë.
Të flakura në sepeten e shqyer të harresës..!
Më
është mërzitur jeta, mbart brengën e madhe. Të ec, të gjykoj nëse mundem, t’i
bie qytetit të ndryshkur kryq dhe tërthor, duke baritur si breshkë e vjetër që
i kërcet shpina...
Është
e mundshme të jesh i gjymtuar, sakat, me një këmbë e gjysmë. Të tërheqësh gjithë
jetën, pas vetes një protezë të konsumuar druri. Nuk je si gjithë të tjerët, që
ecin lirshëm, vrapojnë, kërcejnë, dancojnë, luajnë me dy porta, kacavirren dhe
ku di unë se çfarë tjetër. I gëzohen trupit kur shikohen në pasqyrë, të
zhveshur gollomesh, qeshin të lumtur, shkrihen prej kënaqësisë. Ndërsa unë i
gjori jam me disa eshtra të rëndësishme më pak dhe sa herë shihem në pasqyrë
rrëqethem...
Klithma
ime tashmë është e shuar, sikur ngrihet me zvarritje prej një honi të thellë.
Protesta ime rakitike kundrejt pamundësisë, shndërrohet në një mundim
zhgërryes, i lemerishëm, si eshtrat e zbardhura të një kafshë prehistorike të
lënë në humbëtirë ku gërryejnë vazhdimisht erërat e forta dhe tajfunet.
Duhet
të më kuptoni, është një mundim i pa përshkruar të tërheqësh zvarrë jo vetëm
një këmbë të poshtër druri, por e njëherësh të mbartësh mbi supe kapotën e
rëndë të brengave dhe halleve torturuese. Ndjehesh sikur je i lidhur me
zinxhirë çeliku. Si i burgosur i përjetshëm, me eshtra të cunguara, në kthinën
e harruar e të neveritshme të nënvleftësimit. Të mundon shpjegimi ndaj asaj që
fshihet dhe të vërtetës së plagosur rëndë. Je i hallakatur mes indiferencës,
hipokrizisë e çmendurisë së botës dhe i mbërthyer nga mendime tmerrësisht
sfilitëse. Të duket vetja sikur je skllav i padijes, i brengës dhe
padrejtësisë. Cungu dhe proteza e drunjtë janë klithma ngjethëse në humbëtirën
shekullore. Truri im është mpakur, mbledhur si oshaf, lodhur prej trusnisë.
Ndërsa zemra e lodhur dridhet si zemberek ore i shkurdisur.
Gruaja
Anjëze dhe djali im Xhuvi më grindin gjithnjë. Por sot në mëngjes më
dokëndisën. Ma hedhin mua fajin për çdo gjë dhe gjithçka ka ndodhur dhe do
ndodhë, deri te buka me listë dhe kafja lëng gështenje. Sikur unë sakati, jam
pika e referimit, të fillimit dhe të mbarimit të kësaj bote të mbarsur me halle
dhe rrëmete.
Ec
kokulur me merakun e rrëzimit dhe krisjes së tmerrshme brenda vetes. Tërheq
këmbën zvarrë, të shkoj në arkën e sigurimeve shoqërore të tërheq pensionin
qesharak mujor e, prej andej do mbaj frymën në dyqanin e Jerinës, të heq nga
supet barrën e rëndë të borxhit të blerjes së bukës me listë.
2
Oh
o Zot! Qysh në mëngjes mu lëndua dita nga ngrindja me gruan dhe djalin, por nuk
e dija se ti o Reshat Meçka do ma vrisje përfundimisht. Frenove makinën me
zhurmë përpara meje, më spërkate me baltë, nga koka deri në këmbë, më bëre
helaq.
Më
ngriu gjuha si cungu i drunjtë i këmbës. Kur pashë që me ceremoni hape derën e
makinës dhe zbrite me madhështi...
Vite
që se kisha parë. I mbajtur, i fryrë, i shëndoshë. Fytyrëkuq, sikur do të
pëlcasë fytyra prej vetëkënaqësisë dhe shëndetit. Më hodhe vështrim përbuzës,
indiferent, nënvleftësues, dhe barite gjithë dëngla drejt hotel turizmit.
U
zbytha i mjerë. Gruaja Anjeza dhe djali Xhuvi ma shpifën me këtë emër, ma venë
si shembull përpara. Ata s’e dinë kush është Reshat Meçka. O nëne, tani i
nënvleftësuar dhe i përbuzur gjendem ngujuar, si trung në trotuar, i përlyer me
llym nga koka deri në këmbë nga rrotat e makinës së tij. Më bëri të më vijë keq
për veten dhe gjithë jetën time. Të më rrëqethet trupi deri në palcë....
Përse
më dole përpara o Reshat Meçka, pikërisht tani, kur më është mërzitur
tmerrësisht vetja. Më ha dhe më kruan trupi prej marazit. Shkoje ore tutje,
qyteti ka boll trotuare ku mund të ndalosh makinën. Ti Reshat Meçka më
vështrove me indiferentizëm nga lart poshtë, ngrite krahun dhe shtrove me
madhështi ato pesë qime të lyera me bojë, ku në gisht të shkëlqen unaza e artë
me gurin e çmuar vezullues e të gjorëve që vrave pa një pikë mëshire. Dua të bërtas
në kupë të qiellit. S’ të hyri asgjë gjemb në këmbë o Reshat Meçka; vrave,
preve, vodhe, kërdise. Kërceve si karkalec nga një magazinë në tjetrën, nga një
shef kuadri në anëtar byroje. Në gërmadhën e vjetër të Naumit, tregtarit që
pushkatove me dorën tënde, ndërtove shtëpi elbasanase, me oborr të madh përpara
dhe prapa. Me ndryshimin e sistemeve e ndërtove shtëpinë trekatëshe, i nxore
takëmet që u vodhe borgjezëve të dikurshëm, unazat dhe xhevahiret e fshehura
dhe hape dyqanin e bizhuterive në qendër të qytetit.
O
Reshat Meçka, o pusht i pushtave, unë jam ai që isha, djalosh idealist plot
ëndrra dhe dëshira të pambukta. Hëngra ciflën e granatës në pritën e parë.
Përballova dhimbjet e tmerrshme kur ma prenë këmbën me sharrën e drurit pa
narkozë.
E
kupton o Reshat Meçka, o qen i biri i qenit se çfarë po ndodh me mua! Në çfarë
luftë rraskapitëse jam me veten. Në ketë botë të flamosur nuk ec, apo
zvarritem. Jam kokulur si dikur. Kam qenë dhe mbetem i ndershëm, me merakun e
përhershëm të rrëzimit të papritur, duke hequr këmbën e drunjtë zvarrë. E di ti
o pusht, që s'mu ndanë asnjëherë radhët e gjata. Muri i shtëpisë më bie sa herë
rrjedhin shirat dhe marr bukë me listë. Zvarritem si një breshkë e vjetër, duke
tërhequr pas vetes protezën e plasaritur dhe të drunjtë.
O
Reshat Meçka, o biri i bushtrës, o vrasës, katil e bir katili. Çfarë faji bënë
ata të rinj dhe shumë të tjerë, të pambrojtur, i vrave me gjakftohtësi xhelati
dhe u vodhe qypet me florinj? Hëm, unë fakiri ec si kërmill dhe hija ime
përthyet në xhama. Jo, nuk jam kërmill dhe nuk do jem kurrë kërmill deri në
frymën e fundit. Jam njeri dreqi ta marrë, që kam një zemër, të thjeshtë, të
mplakur, të lodhur, të drobitur.
Ndërsa
ti o Reshat Meçka s’je njeri, je lubi, oktapod, përbindësh, dreqi me brirë. Nuk
e di, në jam naiv, i trashë nga mendja, i luajtur nga fiqiri, apo pleqëria dhe
rrëgjimi i halleve më ka katandisur për ibret të zotit, në një thes të vjetër
me byk e kashtë. Por përsëri ta them me bindje o Reshat Meçka, jam Njeri.
Ndoshta e mira e shumëvuajtura ime Anjeze e djali im Xhuvi kanë të drejtë dhe
kjo kaploqja ime e shkretë ka mbetur qytyk, me mendime të prapambetura si më
parë.
Një
brengë kam dhe një dert të madh, më shumë se ujërat e lumenjve, liqeneve,
deteve dhe oqeaneve. Një pyetje të madhe:
Çfarë
ndryshim ka, gjoja partizani, sharlatani, vrasësi me gjakftohtësi, Reshat Meçka
dhe shokët e tij, nga kriminelët e tjerë. Bënë sikur luftuan për liri,
drejtësi, barazi dhe, vranë e prenë të pafajshmit. Tashmë këta malukatë i sheh
të krekosur, të pasuruar, të pangopur dhe prej atyre të mjerëve, klasës që e
quajtëm të përmbysur, gjakpirës, tregtarë të poshtër, katilë, të cilët i
shpronësuam, i përndoqëm, i burgosëm, i vramë pa mëshirë si të ishin kakarroçë?
Ata që në qindra vjet, në brezni, vunë kamje dhe pasuri, luftuan për komb dhe
atdhe.
Ndërsa
ti krokodil i pashpirt Reshat Meçka me shokë qysh në fillim tradhtuat idealin,
gjakun e të rënëve, vodhët, u pasuruat, jeni më të keq se të këqijtë. Cilët
kanë qenë dhe janë katilë dhe rezilë, ata që u munduam ti shfarosnim me zjarr e
me hekur, apo jeni ti përbindëshi Reshat Meçka me shokë?
Oh,
ju lutem, ju lutem shumë zbërthejeni fillin e këtij lëmshi të koklavitur, më
thoni, më tregoni, mos më mundoni. Siç e shihni jam plak, me një këmbë, mund të
vdes shumë shpejt dhe fatkeqësisht do marr me vete në atë botë, në varr
naivitetin, ndershmërinë e një veterani sakat të dalë mode?
Më
besoni as vetë nuk di se çfarë kërkoj. Nuk e di kujt ti drejtohem, kujt ti
hapem; vetes, miqësisë, njerëzisë në qoftë se do mundnin të më përgjigjen. Ti
kthehem fanatizmit gërdallë, idealizmit të zhvlerësuar, bërë prostitutë
rrugësh, marrëzisë, çmendurisë? Kujt?! Kudo është shurdhëri, shkretëtirë... Më
vjen keq për veten por dhe njëherësh dua të qesh me të madhe, të shkulem së
qeshuri, aq sa të thyhen xhamat e vitrinave, të buçasin sirenat e makinave, të
prishen hijet, të shqyhen rrjetat e merimangave dhe të shkundet i gjithë
qyteti...
(Fragment nga novela ZHGËNJIMI, Amazon 2014)