Kerko: a
Albert Zholi: Filmi kushtuar Heroit, Agim Ramadani
E shtune, 25.07.2020, 05:29 PM
Filmi kushtuar Heroit, Agim Ramadani, një film himn për trimërinë, patriotizmin dhe sakrificat në emër të lirisë
Kujtim
Gjonaj: Agim Ramadani jetoi me moton “Kombi është shenjtëri dhe liria virtyt”
Nga
Albert Z. ZHOLI
Disa
ditë më parë regjisori Kujtim Gjonaj,
ftoi një grup gazetarësh dhe kineastësh për të na surprizuar me filmin e
tij më të ri, kushtuar Heroit të Kombit, Agim Ramadani (Nder i Kombit). Një
film mbresëlënës me emocione të fuqishme dhe realiste të një lufte heroike, ku
një popull i shtypur dhe terrorizuar për gati një shekull, sheh dritën e lirisë
falë gjakut të Agim Ramadanit dhe dëshmorëve të tjerë! Një film me shumë
episode dhe rrëfime emocionuese të njerëzve të familjes dhe bashkëluftëtarëve
të tij. Plot emocion është rrëfimi i Shukrie Ramadanit bashkëshortes, për
dashurinë që lindi që në bankat e shkollës me Agimin, dhe megjithëse ai nuk është më, ajo e
dashuron me të njëjtin pasion edhe sot.
Çdo hap që hedh është edhe për Agimin e saj. Filmi nis me një prolog
artistik befasues dhe heroik . Ai është një hymn për heroin. I gjithë filmi në tërësinë e vet ka
shumë episode që lartësojnë figurën e Agim Ramadanit, figurë që në tërësinë e
vet, si thotë regjisori Gjonaj, është unikal në trimërinë dhe sakrificën e vet.
Heronj si Agim Ramadani ku ndërthuren arti ushtarak me shpirtin e artistit dhe
poetit, vështirë se do t’i vinë trevave shqiptare për dekada të tëra. Në film
plot dashuri dhe respekt janë trajtuar edhe tema e dashurisë së popullit për
këtë legjendë trimërie, Një film mbushur me situata,
detaje, përshkrime, dialogë, intervista, filmime peisazhe fantastikë. Një film
plot temp, ritëm, ankth, që përmban një sasi
planesh filmike të ndërlidhura, të shoqëruara me zë apo të ndërthurura me foto
shprehëse, të cilat krijojnë efektin e lëvizjes, ku të gjitha këto elementë
kanë një harmoni unikale ndërmjet formës
dhe përmbajtjes dhe sjellin para
spektatorit një film që të mbërthen. Jashtë klisheve dhe skenave të ngurta ky
film është një rrugëtim jetësor dramatik, që përcjell emocione drithëruese për
një jetë dëshmori dhe intelektuali të
paepur. Filma të tillë marrin përmasat e vërtetësisë dhe të besueshmërisë,
vetëm nën regjinë e Gjonajt i cili me mbi 150 filma dokumentarë është bërë
udhërrëfyes i regjisorëve të rinj në
zhanrin e dokumentarëve, gjini filmike
që kërkon pjekuri, saktësi, vizion, ide dhe mprehtësi organizative. Gjilani në çdo vit pret
me dashuri dhe respekt djalin e tij
heroin Agim Ramadani, poetin e dashurisë për atdhe, meteorin e lirisë.
Kosharja
tani sërish në paqe, bashkon shqiptarët që përkujtojnë të rënët.
Zhegra shtrihet në pjesën juglindore të Kosovës, rrëzë
maleve të Karadakut. Zhegra e mbi tremijë shtëpive dhe legjendarit Idriz Seferi,
është vendi ku Agim Ramadani e pa dritën për herë të parë, më 3 maj 1963. Ishte
ajri i maleve të Karadakut, historia e lavdishme e të parëve, edukimi i shëndoshë
familjar që e formuan me të gjitha virtytet njerëzore dhe atdhedashëse. Shkollimin fillor e vijoi në vendlindje, ku
shquhet si nxënës i dalluar në mësime dhe aktivitete të shumta, më pas edhe në
shkollën e mesme teknike në Gjilan.
Akademinë
ushtarake - drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.
I ndodhur në Zagreb, Agimi që në ditët e para, do të merrte
guximin që t'i shkruante një letër Shukrijes, shoqes së pandashme të fëmijërisë
dhe të idealit të përbashkët, ku i shprehte ndjenjat e tij, një letër që do të
ishte fillimi i qindra letërkëmbimeve ndaj njëri-tjetrit. Në fundjavën e parë, pasi përfundoi
universitetin, Agim Ramadani kurorëzoi dashurinë me Shukrijen dhe pas pak u
vendosën së bashku në Çaplinë, ku ushtroi detyrën e oficerit ushtarak. Ishte koha kur ish-Jugosllavia po shkatërrohej
dhe Agimi nuk deshi të ishte pjesë e saj. Pasi i liron të gjithë ushtarët kroatë
e boshnjakë, me tre ushtarët e fundit, që ishin nga krahina e tij, niset për në
Zhegër. I ballafaquar me shumë sfida dhe sakrifica të reja, këtë ja shprehu edhe
vëllait të tij më të madh Demës, me një telefonatë nga Çaplina. Si vizionar dhe largpamës që njihej, veproi
shumë në mobilizimin e vendasve me armatime, ndërsa vëllai, Jashari, pasi
kishte përfunduar universitetin e mjekësisë së bashku me vëllain e vogël,
Bekimin, filluan përgatitjet e para për strehimin e armatimit, si dhe kurset e
ndihmës së parë për vajzat, pasi pritej të shtrihej lufta në Kosovë.
Fjalët
domethënëse të babait Hysni
"Je i madh nëse bën për të tjerët, e jo për
veten" - do të ishin këto fjalët domethënëse të babait Hysni, - nis
kujtimet Jashari me një dhimbje që përpiqet ta fshehë, dhe brengën e Agimit për
kujdesin prindëror, por edhe krenarinë që pati Agimi për të vëllanë mjek.
Për
një tjetër dhunti familjare, atë të skulpturave të drurit, na rrëfen Qazimi
Shpirtin dhe vlerat e një krijuesi më së miri e shpjegojnë
veprat e tij. Këtë e dëshmon jeta dhe vepra e Agim Ramadanit, (në çdo hap të
jetës së përditshme) por edhe në poezi dhe pikturë.
Agim Ramadani la pas një vepër të madhe si dëshmi, se
vepra të mëdha mund të krijojnë vetëm shpirtrat e mëdhenj. Ai ishte poet i
imazhit dhe piktor i vargjeve poetike, ishte artist për nga ndjeshmëria dhe
luftëtar për nga bindja. Ai është një personalitet emblematik, i cili u gjend
mes dy idealeve të mëdha, artit dhe luftës. Agimi e ndjente dhe e përjetonte
ngjyrën, e linte të rridhte çurg, siç rrjedh lumi, ëndrrat, idetë. Ngjyrat dhe
tablotë e Agimit, shkrihen, përqafojnë, ledhatojnë njëra-tjetrën si akordet
muzikore. I gjithë arti i tij është një ëndërr e papërfunduar, ëndërr e këputur
në mes nga plumbat e armikut. Ekspozitat e para i pati në Zagreb në vitet '84,
'85, '87. Suksesi i jashtëzakonshëm i ekspozitave i dha frymëzim që të vazhdojë
më me zell. Më 1989 hapi ekspozitën në Çaplinë, pastaj një vit më vonë në
Mostar, e ndërkohë mori pjesë në ekspozita kolektive në Kroaci dhe Slloveni e
Zvicër.
Motra
e madhe, Makfirja.
“-Sa herë kthehem në Zhegër, unë akoma shikoj nga porta
dhe pres ardhjen e Agimit”, -fillon rrëfimin motra e madhe, Makfirja. Në
familjen e Agim Ramadanit, pas ardhjes së lirisë vijnë edhe çastet e gëzimit
dhe ripërtëritjes. Agimi i vogël, që mban dhe emrin e gjyshit Agim, së bashku
me vëllanë, Kolosin, rriten të lirë me plot ëndrra të bukura fëmijërore. Oguri
i bardhë që po priste dhe fliste Agimi kishte ardhur. Krismat e para, martirët
e parë paralajmëronin se poeti, piktori dhe dashnori i lirisë do rrëmbente
armët.
Opinione krijuesish për heroin...
Poeti Visar Zhiti shkruan për Agimin:
Agim Ramadani, ky poet e luftëtar i madh lindi në muajin
e dashurisë, më 1963 dhe vritet në prillin e trimërisë, si thotë populli, më
1999.
A është poeti profetizues? Cila është porosia e tij
hyjnore? Çfarë komunikimi krijon ai me perëndinë, për ta sjellë mesazhin e tij
në botë? Poeti që e parathotë atë që më vonë dhe do ta realizojë, është profet.
A është liria maksimë pas së cilës gjithmonë ngarend poeti. Ai e ndjen dhe e
parathotë, dhe si fund edhe e bën. Mbase
këtu qëndron vlera e posedimit autentik poetik të Agim Ramadanit.
- Poet që e do jetën, botën, vendin - shkruan kritiku Ali
Aliu. Dashuria që rrezaton vargjet e tij, është natyrë e lindur... Ajo është vetëdije,
është vetë krijuesi, luftëtari, Njeriu...
- Përjetësia e harmonisë - e titullon shkrimin e tij
gazetari Xhemail Mustafa...
- Ndërsa studiuesi dhe poeti Sali Bashota, në shkrimin
"Një jetë tjetër, pastaj Pavdekësia" thekson se esenca e artit të
poetit është shpirti njerëzor... dhe pavdekësia rri si imazh madhor, përgjithnjë
në mes, për ta gjetur ekuilibrin e përjetësisë.
- Pavdekësia e solli në mes nesh - thotë poeti i madh Ali
Podrimja... Ai tani i takon Pavdekësisë, dhe ky libër poezish, dhe të tjerë që
do të vijnë, paralajmërojnë shkrimin e historisë sonë të re, se historinë e
shkruajnë fituesit.... dhe një nga ata është Agim Ramadani... Pavdekësia e
kthen prapë mes nesh.
Atdhetar
dhe intelektual vizionar
Njeri më formim të shëndoshë intelektual, njerëzor, bashkëshort
dhe baba i përkryer, mik besnik deri në shenjtëri për mikun. Njeri që aq shumë
e deshi dhe adhuroi të bukurën, adhuroi jetën, përveç që krijonte poezi dhe
pikturë, kishte pasion edhe për muzikën. Shpesh në çaste harmonie, miqësie dhe
familjare shoqëronte atmosferën edhe me tingujt e telave të kitarës. Eleganca e tij e brendshme ishte në raport
harmonik me pamjen e tij të jashtme. Agimi
mbeti shëmbëlltyra më e mirë, ku motoja e tij individuale, se Atdheu është
fryma e fundit, kombi është shenjtëri dhe liria virtyt, moto të cilën ai e
respektoi dhe dëshmoi me gjakun e tij. Atdhetar
deri në palcë, i dashuruar përjetësisht me lirinë dhe çështjen Kombëtare,
projektues i shkuljes së gurit ndarës të kufirit si Agim Ramadani, kombi ynë
nuk dihet se kur do të njohë sërish në kohërat që do të vijnë. Gjilani po pret në gjirin e vet djalin që i
dha emër, meteorin që i solli dritën e lirisë.