Kerko: a
Resmi Osmani: Bota e magjishme e përrallave
E marte, 23.06.2020, 12:49 PM
BOTA E MAGJISHME E PËRRALLAVE
Nga
Resmi Osmani
E
kush nuk është rritur me përrallat?
Ato
janë të lashta dhe të përcjella gojarisht brez pas brezi, që në ato kohë kur
nuk ishte drita elektrike, as radio, kinema e televizor. Ishin pjesë e shkollës
së jetës, që mbushnin boshllëqet. Përcillnin te brezat dituri, mënçuri, guxim e
trimëri, vyrtytet më të mira njerzore që fisnikëronin dhe zbukuronin
shpirtërat. Shekujt shkuan, vitet ikën, bota ndryshoi, por përrallat mbetën, po
aq të pëlqyera e të dëshiruara si qëmoti.
Janë
përjetime dhe pjesë e jetës fëmijërore. Njjë fëmijëri pa dëgjimin dhe shijimin
e përrallave, do të ishte si një fëmijëri e pajetuar.
Na
ishte mos na ishte. Kështu e niste rrëfimin përralltari, pranë vatrës në netet
e dimrit, apo nën qiellin plot yje netëve të verës, dhe dëgjuesit prisnim me
gojëhapur, tërë sy e veshë. Kush do të ishte vallë? E Bukura e Dheut, Hirushja,
Princi i Kaltër, Shtriga, Mamadhija, dhelpra dinake, Ujku gjaksor dhe qëngji i
pafaj? Pastaj përralltari apo përralltarja, që mund të ishte edhe gjyshi dhe
gjyshja, apo dikush tjetër që i dinte dhe i tregonte bukur ato, niste rrëfimin.
Dhe ne zhyteshim në atë botë të magjishme dhe fantastike, ku çuditë, njerëzit
dhe kafshët, gurët e drurët, zogjtë apo qënie të çuditshme e të jashtzakonshme,
e të papajtueshme,me njëra tjetrën, silleshin dhe flisnin me gjuhë njerëzore,
duke bërë veprime, sjellje e duke kaluar ngjarje të papritura e të pangjara në
jetë, të pamundurat që bëheshin të mundura, dredhitë, pabesia dhe hiletë e të
ligjve, ndesheshin me zgjuarsinë, dashurinë dhe trimërinë, ku e mira ndeshej me
të keqen dhe fitonte edhe atëhere kur dukej e pamundur.
Por
përrallat, nuk i kanë pëlqyer dhe pëlqejnë vetëm të vegjlit. Pas tyre janë të
dhënë edhe të rriturit, ngaqë gjejnë në ‘to, përveç bukurisë së rrëfimit dhe
thurjes, të papriturave dhe fantastikes edhe
vlera morale njerzore, për të qënë më të mirë, më të dashur, më të
drejtë e më të dobishëm. Është kjo arsyeja që “Një mijë e një net”, përrallat e
Andersenit, “Pinoku””Tregimet e moçme Shqiptare” të Kutelit etj. etj. kanë
mbetur në fondin e librave të artë dhe vijojnë të lexohen brez pas brezi.
Çdo
shkrimtari i vjen një moshë, ca më tepër kur bëhet gjysh, kur i lind dëshira
për të shkruar edhe përralla. Por këtë se bën dot kushdo. Është arti për të
qënë gjysh, që jo vetëm t’i duash e të përgjërohesh për vogëlushët, por t’a
njohësh dhe të dish të depërtosh në jetën e tyre, në dëshirën për të njohur
botën që i rrethon, etjen për të mësuar dhe ditur më shumë.
Shkrimtari
Skënder Braka, vendosi t’u bëjë një dhuratë fëmijëve:të shkruajë mjë libër me
përralla. Dhe ja doli. Tashmë libri është i përfunduar dhe lexuesit do ta kenë në bibliotekën e tyre.
Janë dhjetë përralla, njëra më e bukur se tjetra, të shkruara thjesht, me
gjuhën e kuptueshme për të vegjlit, që
lexohen me ëndje dhe mbajnë të gjallë
kërshërinë për të ndjekur ecurinë e ngjarjeve me të papriturat dhe befasitë e
tyre.
Personazhet
e përrallave janë marrë kryesisht nga bota e kafshëve , janë të njohura e disa
të dashura për fëmijët: qukapiku, dreri, delja, elefanti,arushi, keci etj. që
përfshihen në ngjarje në të cilat ata duhet të tregohen të mençur, të shkathët
dhe të fitojnë mbi të keqen. Ngjarjet zhvillohen në pyll, mes natyrës, në mal
apo në det, dimër e verë. Është për të vënë në dukje, se secila nga prrallat,
nëpërmjet rrëfimit, mbart mësime dhe domethënie, të cilat shërbejnë si mësime
për jetën, për sjelljen, për mardhëniet në shoqëri, që janë pjesë e edukimit të
përditshëm. Aty mësojmë sesi qukapiku që u tregua I pabindur dhe u shkëput nga
gjiri I familjes, përfundoi në një bandë keqbërsish, te”Arushi I vogël që
kërkonte shok” sesi bashkimi bën fuqinë,nga “Dreri brihollë dhe ujqërit e
pabesë” se e drejta fiton mbi ligësinë dhe të keqen, nga”Tregtari dhe lypsi” se
gjithmonë ka një zgjidhje dhe rrugdalje nga fatkeqësitë me besim e vullnet e se
bujaria dhe e mira një ditë të
shpërblehet, te”Gregu” shpaloset njohja e botës rrethuese dhe nevoja për të
mësuar; te “Fshatari dhe delja” se lakmia e tepërt dhe dëshira për fitim të
shpejtë të le pa gjë(Tahmaja e madhe të len pa gja) etj. Nuk dëshiroj të rrëfej
secilën përralë se dua t’ia le lexuesit, që krahas shijimit të ngjarjeve dhe
bukurisë së rrëfimit, të nxjerrë vetë
përfundimet, të cilat do të jenë një
vlerë e shtuar për diturinë e secilit lexues të vogël.
Libri
është i ilustruar me vizatime, të cilat e bëjnë edhe më interesant, dhe lexuesi
gjen në ‘to të materializuara ato që ai i përfytyron dhe fantazon, nga leximi,
me fuqinë e imagjinatës.
Uroj
lexim të këndshëm dhe gjej rastin të përgëzoj
shkrimtarin Skënder Braka, për këtë libër të ri, në këtë gjini për
fëmijë, që është sa e vështirë por edhe aq fisnike, që i shtohet krijimtarisë
së tij, jo të pakët në fushën e letërsisë.
Tiranë, qershor 2020