Kerko: a
Berat Buzhala: Dita e Lirisë së Shtypit sipas kutit të Haki Abazit
E diele, 03.05.2020, 09:20 PM
Dita e Lirisë së Shtypit sipas kutit të Haki Abazit
Zëvendëskryeministri
i Kosovës sot ua uroi ditën e Lirisë së Shtypit mediave të vërteta, mirëpo jo,
sic tha ai, edhe pseudo dhe kuazi gazetarëve. Problemi me Haki Abazin është se
ai e ka keqkuptuar se cfarë është Liria.
Nga
Berat Buzhala
Nëse
nuk gaboj, të premtën, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës– tash
edhe i vetmi – Haki Abazi, me një status prej vetëm dy rreshtash e dha
diagnozën e plotë se cila është fatkeqësia e vendeve në tranzicion. Mijëra
studiues të shkencave shoqërore po rropatën me shekuj të tërë, duke hedhur në
letër miliona fjalë, duke mbajtur miliona ligjërata, për të zbuluar këtë të
vërtetë që Hakiu e definoi me 15 fjalë.
“Gurthyesit
dhe yellow pressi janë fatkeqësi e vendeve në tranzicion. Të parët prishin
ekosistemin natyror e të dytët ekosistemin mendor”, tha zëvendëskryeministri në
statusin e tij. Krejt cfarë mungonte aty ishte që të thuhej se fatkeqësia do të
ishte edhe më e plotë nëse personat që merren me media e kanë emrin Berat.
I
njëjti, pra Hakiu, sot kur është dita e Lirisë së Shtypit, pasiqë i uroi
gazetarët e vërtetë, ai gjithashtu uroi që të ketë sa më pak pseudo gazetarë
dhe kuazi gazetarë, e të këtë sa më shumë gazetarë të vërtetë. Kur ai flet për
gazetarë të vërtetë ai sigurisht mendon në gazetarë që i japin llogari atij ose
qeverisë. Ose kushedi cfarë ka në mendje ai. Nuk është problem që Hakiu shkruan
kështu, problem është që ai ndoshta edhe mendon kështu. Ka rrezik që në këtë
pikë është i sinqertë.
Në
fakt nuk është vetëm Hakiu që bën këtë gabim, duke treguar se cilat lloje të
mediave bëjnë e cilat nuk bëjnë. Bota është e mbushur me demgagogë të tjerë,
shumë më të rrezikshëm dhe me të mencur se sa Hakiu, që kur flasin për mediat
dhe lirinë e tyre bien në këtë grackë, duke i klasifikuar mediat dhe gazetarët
në ata që janë të mirë dhe në ata që janë të këqinj, në atë që janë fatkeqësi e
shoqërive në tranzicion dhe në ata që janë bekim i këtyre shoqërive, në armiq
të popullit dhe në aleat të popullit. Hakiu është i fundit, më i parëndësishmi,
i kësaj lige të politikanëve. Kjo është një ligë e vecantë.
Nëse
në të kaluarën, disa dekada më parë, kishte qeveritarë që jepnin urdhër që të
ndiqeshin penalisht ‘kuazi gazetarët’ dhe ‘pseudo gazetarët’, sot ka ndryshuar
ky trend. Meqë arrestimi, ose vrasja e gazetarëve, shkakton shumë pluhur dhe
është vështirë të tejkalohet – e pamë cfarë ndodhi me Kashogin e Ëashington
Postit – politikanët e llojit të Hakiut, por me të mencur ku e ku – kanë
ndryshuar taktika. Ata thjesht i dehumanizojnë gazetarët, i shpallin njerëz të
këqinj, njerëz që shpifin, që punojnë për shërbime sekrete të shteteve të
huaja, e mbi të gjithë njerëz që e pengojnë qeverinë që ta luftojë krimin dhe
korrupsionin, që nuk e mbulojnë si duhet punën e tyre, që kanë tendenca dhe që
janë të anshëm.
Mirëpo,
kjo sjellje e kësaj kaste politikanësh nuk ka asgjë të përbashkët me lirinë e
shtypit. Kush janë këta njerëz që mendojnë se kanë monopol mbi definimin e
lirisë? Saktësisht duke i pasur manipuluesit e defincioneve të lirisë në
mendje, Mahatma Gandhi, kishte thënë: “Nuk ia vlenë ta kemi atë liri që nuk e
ka brenda vetës edhe lirinë për të bërë gabime.”
Ky
defincion vlenë për të gjithë liritë. Liria e mediave nuk mund të kufizohet.
Ato janë të lira. Pikë. Janë të lira edhe për të raportuar gabimisht, e edhe
për të shpifur.
Sa
më e gjërë dhe më e sigurtë që është demokracia aq më plurale dhe me më shumë
nuanca janë raportimet. Në anën tjetër sa më e shtypur është një shoqëri aq më
i ngushtë është defincioni i lirisë. Madje i vetmi autoritet për ta
interpretuar lirinë është kryeministri, presidenti, ose diktatori. Ai vendosë
se cka quajmë liri e cka nuk quajmë, cka quajmë gazetari të mirë e cka quajmë
gazetari të keqe.
Hajde
ta krahasojmë gazetarinë në Britani të Madhe dhe gazetarinë në Kore të Veriut,
për të parë se ku ka më shumë shpifje dhe ku ka më shumë, sic do të thoshte
Haki Abazi, shtyp të verdhë.
Në
emër të gazetarisë së vërtetë, asaj serioze, që nuk shpifë, në Kore të Veriut
dinastia Kim është kujdesur që t’i mbyllë të gjithë gazetat dhe televizionet,
duke i toleruar vetëm ato shtetëroret, ato që raportojnë në mënyrë serioze. Në
Kore të Veriut kjo dinati është kujdesur që gjyqet – nëse ka gjyqe – të mos
kenë fare punë me padi dhe gjykime për shkrimet dhe mediat. Ata e kanë
thjeshtësuar të gjithë procesin. Një gazetë dhe një televizion.
Në
anën tjetër në Britani të Madhe, në vendin ku ka lindur liria e shtypit, mediat
cdo ditë shpifin, raportojnë gabueshëm, shkojnë në gjykata, përballën me
paditë, pa u frikësuar se ‘Haki Abazi’ i tyre do t’i kualifikojë ato si
fatkeqësia e shoqërisë. Para disa javësh një këshilltar i Boris Johnsonit
(Cummings) bëri përpjekje që ta bëjë një gjë të tillë, duke i ndaluar gazetarët
e mediave që e kritikojnë qeverinë që të merrnin pjesë në një takim të
kryeministrit me gazetarët. Pa u menduar dy herë atë takim e bojkotuan edhe
mediat që konsiderohen të afërta me kryeministrin. Të nesërmen në Daily Mail,
gazetë e konsideruar proqeveritare, u publikua një editorial në të cilën
goditej rëndë Johnson për tendencën për t’i ndarë mediat.
“T’ua
mohosh gazetarëve të drejtën për të marrë pjesë në konferencë për media është
cenzurë flagrante, për të cilën gjë Boris Johnson do të duhej të turpërohej”,
ishte titulli në Daily Mail.
Metoda
të këtilla, të klasifikimit dhe kualifikimit të gazetarëve, në të mirë dhe në
të këqinj, përdorin autokratë dhe diktatorë të ndryshëm nëpër botë. Në Rusi, Hungari,
Turqi, Iran, Serbi, Shqipëri, e në shumë vende të tjera të botës, janë
politikanët ata që i filtrojnë mediat, që vendosin se cilat bën të publikohen e
cilat jo. Kurse në vende si Gjermania, Italia, Britania e Madhe, këtë e vendosë
lexuesi, e jo zëvendëskryeministri, e jo kryeministri. Fatkeqësisht edhe në
vendin tonë jemi duke e parë një trend negativ. Qeveria e Kurtit dhe vetë Kurti
gjatë gjithë kësaj kohe ka vendosur që t’i zgjedhë mediat dhe gazetarët të
cilëve u jep intervista, e cilëve jo. Nëse jo vetë Kurti, njerëzit e afërt të
tij nuk kanë hezituar që t’i ndajnë mediat në media të mira dhe në media të
këqija. Këto sinjale kanë qënë të mjaftueshme që militantët partiakë të
shfrenohen me vandalizëm në rrjete sociale, duke e ataktuar secilin gazetarë që
guxon ta shikojë shtrembër Kurtin, duke nisur fushata ndaj mediave të caktuara
dhe mbështetur disa të tjera që ata i konsiderojnë miqësore.
Pas
këtij shkrimi unë jam i përgatitur edhe për një fushatë të Haki Abazit, për të
cilin, kur kishte hyrë në Vetëvendosje unë i pata zgjedhur disa fjalë të mira.
Mirëpo hapësira e madhe mediale dhe pozita e lartë shtetërore e ka tronditur
atë.
Marrë nga www.gazetaexpress.com