Kerko: a
Xhemal Ahmeti: Paraziti, krimbi dhe liria
E diele, 03.05.2020, 07:24 PM
PARAZITI, KRIMBI DHE
LIRIA
Nga
Xhemal Ahmeti
Mentaliteti
i formuar në pranga përqesh atë madhështinë e njeriut për të cilën fliste
Benjamin Franklin kur «de hominis dignitate»-n e Mirandolas e përkthente me
mosshkeljen e krimbit dhe moszvarritjen baltës rreth këmbëve të perandorit.
Robi i stërvitur vetëm me një formë ekzistence këndon më me dëshirë gabimisht
refrenin sartrian: «njeriu është i dënuar që të jetë i lirë» se sa ta
interpretojë atë ashtu siç u mendua. Ai pëlqen leksemën «dënim» aty brenda.
Ndyshe nuk i këndon dot zëlartë, duke qarë e u përjargë kredot tjera të
paraardhësit të Jean -Paul-it, i cili besonte se «njeriu [qenka] lindur i lirë,
por ja që gjithandej gjendet në pranga» (Jean-Jacques Rousseau). Kështu, ngase,
sërish sipas filozofit që depononte foshnjat e sapolindura të tij internateve
të botës (Rousseau), njeriu s’paska nevojë të kërkojë «ferrin në përtejshmëri,
ngase ai gjendet këndej», në këtë jetë, në aortën e së Keqes. E ç’paska më të
tmerrshme e më demoniake se t’i hedhësh fëmijët e tu kontajnerëve kolektivë
vetëm për t’i ikur përgjegjësisë? Liria dhe përgjegjësia. Pikërisht për këtë
arsye citohet postulati i Sartre përherë gabimisht nga mendësia e parazituar.
Ngase vetëm cituar shtrembur ai eliminon, maskon ai kushtin determinantë të
lirisë individuale: Përgjegjësinë! «Dënimi» i Sartre-t nuk shkon bashkë me
filizofinë e dandit Rousseau që për tu fshehur nga kospeciet ecte i veshur si
beduin qytezave helvetike. Ekzistencialisti gjysmëqorr i shekullit 20 lirinë e
njeriut reflektonte si «bërthamën përcaktuese të ekzistencës së tij».
Domethënë: «mund të jesh njeri [me dignitas] vetëm si i lirë» ndryshe jo. Tmerr
ngase kjo donë të thotë se realizimin e tij si „subjekt“, punësimin e tij,
sistemimin social të hallave, tezeve të tija, rritjen, edukimin dhe ngritjen e
fëmijëve të tij nuk ia bën partia, lideri, shteti, xhamia apo kisha dot, porse
[edhe| ai vetë duhet t’i bëjë ato. Po prangat? Cilat? Ato që s'të lënë të pish
makiato ditenatë? Çka? Ikë ore gojëhiobik - bërtet mendjeskllavi. Hedh
Mirandolën dhe Sartren nga kujtesa dhe ulërin militançe e si i çmendur rrugëve
«rroftë tirani, rroftë perandori, rroftë mbreti, shkele krimbin, më mirë vdekje
se liri».
Besoj
se me këtë udhëtim të shkurtër citateve, kohëve e mentaliteteve të kemi
portretuar deri në ndonjë shkallë «karakterin e militantit» dje, sot dhe nesër,
atij që më mirë pranon vdekjen rrugëve këmbëve të liderit se sa t’i përvesh
krahët për ta ndërtuar lirinë e tij. Liria pa marrë përgjegjësi nuk bëhet. E
këtë mentaliteti i stërvitur me shekuj nënpranga nuk dëshiron ta kuptoj dot.
__________
POETI SI PROFITER LUFTE
E
keni dëgjuar atë konstatimin: «poezitë më të bukura lindin në kohë dramash,
luftërash...». Nëse kjo qëndron, atëherë shumica e poetëve të realizuar nuk
kërkuakan «të bukurën», por qenkan profiter luftërash [njerëzore]. Është edhe
kjo njëra ndër arsyet pse jemi kaq magnetik ndaj së keqes e e kaq indiferent
ndaj së bukurës, pozitives?
__________
IDENTITETI SI STATUJË
Përfaqësimi
i një kulture, shteti, vendi nuk do të thotë të jesh vetëm shenja statike që
markon ekzistencën e tij. Prezentimi pa një projekt [sidomos personal - në
kuptimin institucional] që bën çdo çast të gjallë e operativ atë që përfaqëson
është analogon i mumieve egjiptase. Besoj kjo të jetë substanca e dështimit të
diplomacive dhe kulturës shqiptare jashtë gardheve të tyre.