Kerko: a
Frank Shkreli: Zi në familjen e Xhim Xhemës
E merkure, 22.04.2020, 07:07 PM
ZI NË FAMILJEN E XHIM XHEMËS
Nga
Frank Shkreli
Ndërroi
jetë bashkshortja e Xhim Xhemës, Mrika - një bashkshorte e dedikuar, mike dhe e
dashur për të gjithë ata që e njohën dhe filantropiste e dalluar e komunitetit
shqiptaro-amerikan dhe më gjërë.
Fillimisht, dëshiroj që mikut dhe bashkatdhetarit tonë Xhim Xhema dhe
familjes t’i shprehi ngushëllimet - e mia dhe të familjes time - më të sinqerta
për këtë pikëllim. Me ketë rast të
dhimbshëm jemi afër bashkatdhetarit dhe dashamirsit tone të kahmotshëm,
njëherazi edhe përkrahsit të ndritur të çështjeve madhore kombëtare, duke marrë
pjesë në pikëllimin e tij, me ndjenjat më të gjalla miqësie, ndërsa i dërgojmë
përdhimbtimet tona më të sinqerta. Lutem
që Xhimit, i Madhi Zot t’i japë forcë
për të bartë këtë humbje të rëndë, për të, familjen dhe për farefisin e tyre.
Vet
Xhim Xhema, të cilin unë e konsideroj si njeriun në krye të listës të
aktivistëve më të dalluar, në mos dhe më i efektshëm të komunitetit
shqiptaro-amerikan për çështjet shqiptare, por edhe familja e tij kanë
preferuar gjithmonë të bëjnë një jetë private, por për dekada kanë bërë punë të
mëdha dhe pa zhurmë, “pa rrahur gjoksin” se unë bëra këtë, e unë kontribova këtu, e tjera, siç thotë një
fjalë popullore. Si rrejdhim, besoj se
është e dobishme të ndajmë me publikun shqiptar, këtu në Amerikë dhe në trojet
tona në Shqipëri, Kosovë dhe gjetkë pak hollësi mbi jetën dhe veprimtarinë e të
ndjerës Mrikë, ashtu siç janë shënuar në nekrologjinë e botuar në median
amerikane, me rastin e kalimit në amshim të Mrikës, nga shkrimtari amerikan Rob
Taub.
Mrikë
Xhema ka jetuar me bashkshortin e saj Xhim Xhema prej një kohe të gjatë në
qytetin Greenwhich të shtetit Konetikut.
Ajo ndërroi jetë më 17 prill, 2020. Mrika ka lindur në Tivarin shqiptar,
nën Malin e Zi më 26 Shkurt, 1946. Në
vitin 1969, ajo ka ardhur me bashkshortin e saj Xhimin në Shtetet e Bashkuara
ku ajo punoi si Sekretare Ekzekutive në ndërmarrjen e ndërtimtarisë të
bashkshortit të saj Xhim Xhemës, “Xhema Industries”.
Autori
amerikan Rob Taub shkruan në nekrologjinë kushtuar jetës dhe veprimtarisë së
Mrika Xhemës, se ajo ishte një katolike e devotshme, anëtare e Kishës St. Mary
në qytetin Greenwich, ku ajo njihej për njerëzinë dhe aktet e shumta
filantropike. Ajo është shpërblyer shumë
herë për aktet e saja bujare dhe zemërgjërsie, sidomos për dhuratat e
konsiderueshme të familjes Xhema për ndërtimin e Katedralës Shën Nënë Tereza në
Prishtinë, Republika e Kosovës, që siç dihet është ndërtuar pas luftës së
udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, për çlirimin e Kosovës, në vitin 1999. Ajo njihej në rrethin ku vepronte, sipas
autorit Taub, nga miqtë dhe anëtarët e kishës që ajo frekventonte si një,
“person i pa kursyeshëm, e gatshëme për të ndihmuar gjithmonë njerëzit më në
nevojë, e cila nuk kishte kurrë asnjë fjalë të keqe për të thënë, për askënd.”
Ata
që e kanë njohur, shkruan Rob Taub, se megjithë sëmundjen e gjatë nga e cila
vuante, Mrika ishte gjithmonë e qeshur, e lumtur dhe optimiste dhe këto cilësi
i reflektonte pozitivisht edhe tek njerzit me të cilët bisedonte e
punonte. Mrika njihej edhe për humorin e
saj, sipas miqëve dhe bashkpuntorëve të saj.
Një mikeshë e saj e ngusht e përshkroi Mrikën kohët e fundit si “një
grua të jashtzakonshme, plot dinjitet, njerzillëk, inteligjencë dhe
bukuri.” Megjithëse vitet e fundit ishin
të vështira për Mrikën për arsye të sëmundjes së rëndë që e kishte goditur, ajo
kurrë nuk ankohej.
Kur
ishte në gjëndje të mirë shëndetsore, Mrikës i pëlqente të kalonte kohë në
shoqëri dhe të udhëtonte me bashkshortin e saj Xhimin dhe me miqtë e tyre të
shumtë. Mrika ishte mirënjohëse për të
gjitha të mirat në jetë dhe ndjehej sinqerisht e bekuar për përvojën që kishte
patur mundësi të vizitonte aq shumë shtete e kultura të ndryshme. Ajo fliste katër gjuhë të huaja dhe kishte
një memorie të përsosur. Ndërsa shëndeti
i saj po keqësohej, në ditët e saj të fundit, ajo gjithnjë veshej në mënyrë
elegnate e të përsosur çdo ditë, edhe pse disa nga ato ditë, ajo nuk mund të
dilte nga shtëpia, thuhet në nekroligjinë e saj.
Mrika
Pecaj Xhema la pas burrin e saj Jim Xhema dhe një familje të madhe dhe krenare,
e prëhapur në të gjithë zonën tre-shtetërore.
Ajo i mbylli sytë në paqë e rrethuar nga bashkshorti Xhimi dhe miqtë e
saj ndërsa dëgjonte muzikë Jazz.
Njoftohet
se për shkak të rregullave të distancës sociale në këtë kohë epidemie, Mrika
Xhema do të varroset gjatë një ceremonie katolike private. Një meshë e plotë funerali dhe celebrimi i
jetës së saj do të planifikohet sa më shpejt që të jetë e mundur, thuhet në
njoftimin për kalimin në amshim të Mrika Xhema, bashkshortes së aktivisti dhe
patriotit të njohur shqiptaro-amerikan, Xhim Xhema.
NJË SHËNIM I SHKURTËR
PËR XHIM XHEMËN
Xhim
Xhema nuk ka nevojë për paraqitje. Shqiptaro-amerikani, Xhim (Xhemail) Xhema,
është biznesmeni dhe njëri prej aktivistëve më të dalluar në tërë historinë e
komunitetit shqiptaro-amerikan. Xhimi,
siç njihet nga miqtë dhe dashamirësit e tij, jeton e punon në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, ku ishte vendosur prej më shumë sëe një gjysëm shekulli.
Ai ka lindur në fshatin Tupallë të Medvegjës të “Shqipërisë lindore”, por pohon
se familja e tij e ka origjinën prej Shkrelit të Malësisë së Madhe. Për të
gjithë ata që e njohin, Xhimi është tepër modest dhe nuk flet për veten dhe për
as sukseset e tij në jetë, si njëri prej biznesmenëve më të dalluar – i njohur
si i tillë në qarqet amerikane dhe ato shqiptare, jo vetëm si mjeshtër i madh i
profesionit të tij në ndërtimtari, por i njohur edhe në fushën politike si
patriot, që e ka provuar veten gjatë veprimtarisë së tij politike 40-vjeçare
këtu në Amerikë.
Ai
ishte dhe, me të vërtetë, mbetet i pa-arritshëm në këtë fushë. Këshilli
Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA), të cilin ai me bashkëpunëtorë të tjerë
shqiptaro-amerikanë, kishte ndihmuar në themelimin e tij, e që falë
përkushtimit të Xhimit, luajti një rol të rëndësishëm, ndoshta të
pazëvendësueshëm, në mbrojtje të Kosovës gjatë viteve ’90 dhe në mbështetje të
interesave shqiptare në përgjithësi. KKSHA – e kishte dekoruar Xhimin më 2003,
me medaljen “Për Arritje të Mëdha në Jetë”, me motivacionin: “Për devotshmërinë
e tij legjendare ndaj çështjes shqiptare dhe për punën e palodhur drejtë
përmirësimit të jetës së shumë shqiptarëve, në të dy anët e Atlantikut.”
Përkushtimi
dhe devocioni i Xhim Xhemës – dje dhe sot – ndaj interesave shqiptare në
Shtetet e Bashkuar dhe në trojet e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, nuk
kanë kufi. Xhim Xhema e kishte kuptuar
shumë mirë, se fati i shqiptarëve në të kaluarën kishte qenë i lidhur me
Amerikën. Ai ishte i vetëdijshëm për rolin
që kishte luajtur komuniteti shqiptaro-amerikan në krye me Fan Nolin -në fillim
të shekullit XX – me ndërmjetësimin e presidentit amerikan Woodrow Wilson, në
favor të pavarësisë së Shqipërisë. Xhimi
me disa pjesëtarë të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan kishte ardhur në
përfundimin, se vetëm Amerika do të ndihmonte shqiptarët dhe të drejtat e tyre
edhe në fund të shekullit XX. Ai filloi të trokiste në dyert e senatorëve dhe
kongresmenëve më të njohur të jetës politike amerikane, për t’i njohur ata me
situatën tepër të vështirë, përballë të cilës gjendeshin shqiptarët e Kosovës,
dhe shqiptarët në përgjithësi, anë e mbanë trojeve të veta. Dyert e tyre nuk ishin kurrë të mbyllura për
Xhimin.