E diele, 04.05.2025, 05:05 AM (GMT+1)

Kerko: a

Nexhat Halimi: Zjarri i kthimit

E diele, 19.04.2020, 12:26 PM


Nexhat Halimi

Zjarri i kthimit

- e hënë

Këtë të hënë të metaltë mbështjellë me teshtitje e ethe

Mbyllja në karantinë  t`i ikësh të ligës zgjimit të prekjes

Arritur te dera nën dry me qenin në zinxhir të vdekjes

E ndiej vetminë në degë ta presin qiellin përmbi gjethe

E ndiej trokun  në gjëra gjysmë të fjetura të koronës

Frika më end në rrugët e vjetra të harruara e prapë gjallë

Kjo prekje pa ndjenjë në këtë mëngjes vjen kolonës

Me zjarrin e vet gjysmë të fikur e natyrisht vetes kallë

Më zgjohet fëmijëria ndër lule të xhenetit në Dumnicë

Apo ikja para thikës së egër serbe fatit epik të Toplicës

Me dimrin e ashpër vdekjet tashmë zgjohen në kujtesë

Me valixhe në dorë fëmijë e plaka ecin rrugën e gjatë

Të arrijnë te kjo mbretëri e pandemisë pa dritë e shpresë

Natyrisht në karantinë në pritje të ilaçit të ik nga ky fat

Vetmi në dritare

- e martë

Ngjitet e marta pandemisë së parrëfyer të koronës

E ec prapë rrugën e këputur të librit të kthimit

Ec e ec ndërmjet fjetjes së gjatë dridhjes së zgjimit

Vjen e shtohet e dhembshmja zinxhirit të kolonës

Zjarrmia kolla e frika lidhen mendimit të tretur

Në hamendje prekin copëzës së këputur të poezisë

Shpirtit të fikur e pjesës tjetër kaq afër të vetmisë

Ndërmjet të vrarës hirit e zjarrit pjesërisht të fjetur

Ndjek me shikim majat e degës së thyer e të gjatë

Hënën mbi kodrinë e yjet të shpërndarë ndër vite

Unë i vogël shkoj e kthehem jetës së ikur në natë

Matem me kujtimet `i plak me mjekër thinjur fare

Vërej mallëngjyeshëm sytë ndritur qelqit në dritare

Ç` ka ndërruar fytyra e ka pësuar fati nëpër mite

E vetmja gjë në lëvizje

e mërkure

Natyrisht e vetmja gjë në lëvizje është ai yll i kthimit

Njëjtë siç u kthye nëna mbi oqean në udhëtim të gjatë

Të varrosej te dy djemtë e vdekur e vajza e pafat

Arriti dhjetë ditë me vonesë në tokën e vet të zgjimit

Patjetër deshi të mbetej në Dumnicë me besim në zot

Unë e përgjoj zemrën në trokun e vet me dashuri në hi

Tërë natën pranë të sëmurit të shtrirë të vdes në vetmi

Pres dikë a diçka dhe përgjoj udhët e Toplicës me lot

Natë e gjatë e pandemisë së virusit të vdekjes korona

Lëvizjet janë ndaluar rreth shtëpisë këputen orë të vona

Hapi e ndjek tjetrin e kumbojnë me ashpërsi të mpirë

Tri herë i kotur këtë të mërkure e asgjë nuk ngjet

Mendimet më lidhin me botën e qiellin e përshkëllirë

Mesnatë hëna e tretur ç`ndodh zot kush me kë flet

I vetmuar në gjëra e asgjë

e enjte

Asgjë nuk ik tashmë as nuk vjen te dera bie veç natë

E enjte me gjak të frikës shtrihet për flakë të qiririt

Prek i vetmuar në gjëra dhe asgjë nuk zgjohet më hirit

Koha në kolonë  në pusullë  rrëshqet me kollë të thatë

Ag me lule qershie e shtëllunga shtëllunga bie borë

Gruaja e vajza në dhomën tjetër zënë ëndërr flutur

Streha ka krijuar qiri akulli e përplaset erë e bukur

Në gjërat e përgjysëmura troket me ritëm e vetmja orë

Pakëz pa ra drita dëgjohet nga xhamia e afërme ezani

Shikoj portretin e shqiponjës me dy koka e aty jatagani

E të vrarë e plaka e nëna në kolonë me fëmijë në gji

Ecën ky popull këmishë shqyer zemër thyer ik kot

Ik e vjen e përsëri ndiqet dhe vritet e çel varre për liri

Asnjëherë në gjunjë asnjëherë i shuar e kurrë me lot

Bredhje pa cak

- e premte

Udhëtim i vështirë në mes dy stacionesh lëviz veç pak

Njëri e ka biletën për stacionin te arti i dyti ec pa biletë

Të arrijë te stacioni te pema e mbetur pa asnjë fletë

Tjetri ec zvarrë udhën me gunga bredhë pa ndonjë cak

Kanë çel lule të bardha në gema kuqërremtë në qershi

E shkruajë qiellin kaq bukur me pamje e ritme cik cak

Për dritare të kullës derdhet dritë e hënës gjithë gjak

E unë bëj përpjekje të bëj skicë të shkruaj për ty poezi

Në rrugën Ali Hadri vjen e premtja për të tretën herë

Ec heshtur mbi vete pa lojë e biseda me hije në dritare

Veç me ndonjë tundje koke me tjetrin pa fjalë fare

E kolona ec e plakem i dërmuar në karantinën në erë

Shpërthejnë kujtime për ty e aty për aty përsëri vdesin

Me duart zgjatur unë e hija vdekjen tashmë e presim

Figurat e shahut

- e shtunë

I heshtur i radhis figurat e shahut në tabelën bardh e zi

E luaj kalin në eL e ec drunjtë fushës së tretur në largësi

Njëherë shihem pak e me t`u larguar vetes në brendësi

Ik për kurriz të kodrës të prek gjithnjë dhembjen në gji

E shtuna gjuhë nxjerrë jashtë dihat te rrapi qind vjeç

Me strajcë të verdhë karhaqafe të arrij në lyth të kurbetit

E nis gjahtarin  rrugës së hapur nga ushtari para mbretit

Diçka apo ndokush lëviz zbritjes  më del para për dreq

Do të humb a do të fitoj në këtë lojë të ngatërruar shahu

Nën vetëtimë të lulëzuar qiellit të thyer në kalim ujit

Mbaj drejtpeshimin vigut të vjetër me gur në cep krahu

Më bie këpuca e çjerrë  fluturim nga ecja e gjatë në jetë

Çfarë lëviz bregut tjetër zot është hija e ime apo e kujt

Diçka e njohur shpërfaqet nën gjak e prapë humb e qetë

Në të njëjtën karantinë

- e diel

Prapë e diel prapë në të njëjtën karantinë e sytë në gjumë

Koha ik çastit të tretur mund t`ia gjesh  vetëm gjurmët

Nata bie përmbi qiri e digjet e ndonjë gjë e vetme e gurtë

Vështron vetmisë së thellë me rrënjë të rënë në lumë

Çdo gjë rrjedh apo është ndalur e tashmë shikon vdekur

Bredh ndër kujtime përshkon çastet datat ngjarjet mitike

Shkruan vetes diçka të panjohur të fshehtë kaq mistike

Kalon nëpër gjëra të pakuptueshme vetëm me të prekur

Secilën ditë e konsideroj të fundit e luaj me të kaq në vaj

Natyrisht veç pse kjo mund të jetë dita e daljes nga ky hi

Nesër s`punon barnatorja në të cilën blen ilaçe për vetmi

E kujtoj rrugën e kaluar dhiares me vurrata e me lot qaj

Si të më nxjerrin nga ky ankth të më bartin për Dumnicë

Apo të më mësojnë të dua e të vdes në Tullar në Tolpicë



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx