Mendime
Agim Aliçkaj: Letër e hapur Presidentit Amerikan Donald J. Trump
E diele, 29.03.2020, 11:00 AM
(MOS) RESPEKTIMI I VLERAVE DEMOKRATIKE NË KOSOVË NGA AMBASADORI RICHARD GRENELL
Nga MA
Agim Aliçkaj*
Letër e hapur Presidentit Amerikan Donald J. Trump
I nderuari Zoti President Trump,
Më vjen shumë keq, që më duhet të ju
drejtohem për një çështje krejt tjetër, në këto momente të vështira, kur jeni
të angazhuar me tërë qënien për shpëtimin e popullit amerikan dhe të mbarë
botës nga virusi katil covid-19.
Para tri dekadave, si mijëra
shqiptarë të tjerë nga Kosova u detyrova ta lëshoj vendin tim të dashur. Ishim
të ndjekur nga represioni i shtetit diktatorial, komunist dhe terrorist serb të
kriminelit Slobodan Millosheviç. Pata fatin e mirë që erdha në shtetin më të
fortë dhe më demokratik të botës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, simbolit të
lirisë dhe drejtësisë, garantuesit të sigurisë së mbarë botës, përkrahësin më
të madh të kombit shqiptar.
Pasuan luftrat mizore të Serbisë kundër popujve të
ish-Jugosllavisë, sllovenve, kroatve, boshnjakve dhe shqiptarve. Filloi
gjenocidi, pastrimet etnike dhe masakrat monstruoze në Bosnje dhe Kosovë.
Nënat shqiptare të Kosovës ende i vajtojnë bijt e tyre të zhdukur.
Pasojat e tmerrshme të luftës ende rëndojnë mbi kujtesën e popullit të Kosovës.
Faktet dhe dokumentet historike tregojnë për krimet e
Serbisë dhe fqinjëve tjerë ndaj shqiptarëve dhe grabitjen e tokave të tyre.
Tregojnë për rezistencën heroike të popullit shqiptar, gjithmonë në mbrojtje të
lirisë së vet. Tregojnë edhe për respektin e tij për popujt, kombet, racat dhe
besimet e e tjera fetare, për shpirtin fisnik dhe tolerancën. Mjafton të
përmendet shpëtimi i të gjithë hebrenjve që jetonin apo erdhën në tokat
shqiptare pasi përndiqeshin nga nazistët (gjatë Holokaustit) ku në mbrojtje të
tyre mori pjesë edhe babai im Arif Aliçkaj.
Amerika e Presidentit Klinton, e ndihmuar nga shtetet e
tjera të NATO-s, si shumë herë të tjera gjatë historisë, doli në mbrojtje të
viktimës së pafajshme, doli në anën e drejtësisë dhe së vërtetës. Me
bombardimin e agresorit Serb në vitin 1999, e ndihmoi popullin e Kosovës për ta
fituar lirinë. Lirinë për të cilën
luftuan dhe u sakrifikuan djemt dhe vajzat më të mira të popullit shqiptar,
brez pas brezi për më shumë se një shekull.
Amerika e Presidentit Bush, pas shumë vitesh bisedime të
vështira e të lodhshme, nën udhëheqjen e Presidentit Ahtisaari e ndihmoi
Kosovën për ta shpallur pavarësinë e kufizuar për të cilën populli shqiptar i
Kosovës, me dhimbje në zemër, bëri kompromisin më të madh të mundshëm. Kjo
pavarësi, pas ankesës së Serbisë u shpall e ligjshme dhe u konfirmua edhe nga
Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Ajo përmbante një gjë të mirë dhe shumë të
rëndësishme, nuk u preken kufijtë e Republikës së Kosovës. Por, përmbante dy
gabime të mëdha, të padrejta dhe shumë të rënda. Së pari, në bisedime dhe në
marrëveshje nuk u përfshinë të drejtat e popullit shqiptar që jetonin në tokat
e veta në Serbi, të cilat duhej barazuar 100% me të drejtat e minoritetit serb
në Kosovë. Së dyti, nuk u dënua agresori
serb përveç Millosheviçit dhe disa kriminelë të tjerë, nuk u detyrua fajtori që
të kërkojë falje, t’i paguaj dëmet e luftës dhe t’i kthente të pagjeturit
familjeve shqiptare në vuajtje të pafund.
Këto gabime të pafalshme ia mundësuan Serbisë, e cila
edhe sot e kësaj dite udhëhiqet nga bashkëmendimtarë dhe bashkëpuntorë të
Millosheviçit, të fillloi një ofensivë të paparë armiqësore kundër shtetit të
ri të Kosovës. Me propagandë shtetërore mashtruese të bazuar në gënjeshtra të
kulluara dhe pa kurrëfarë faktesh, veçanërisht me veprime shumë të shtrenjta
lobiste në Uashington, Serbia ia arriti qëllimit që në opinionin ndërkombëtar,
të shiqohet si viktimë dhe jo si agresore. Në këtë ndërmarrje të ndyrë e
ndihmuan edhe politikanët dhe qeveritë e dështuara të Kosovës që ia arritën ta
marrin pushtetin pas vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova. Në vend se të merren me ndërtimin dhe
forcimin e shtetit demokratik ata u dhanë mbas punëve të ndyra, antidemokratike
dhe shkatërruese për shtetin.
Amerika e Presidentit Trump, na gëzoi shumë disa muaj më
parë kur u angazhua serisht për
zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb. Menduam se, në pajtim me vlerat e
përherëshme amerikane, Ambasadori Richard Grenell I Ngarkuari i juaj për
bisedimet Kosovë- Serbi, do të punoi dhe veproi drejt, siç e presim nga një
përfaqësues i Amerikës, do të bënte presion mbi agresorin serb për t’ja njohur
të drejtën e viktimës popullit të Kosovës për ekzistencë në tokat e veta
shekullore.
Fillimisht Ambasadori Grenell kërkoi që Kosova të
anullojë pa kushte tarifat 100% për mallrat serbe, ndërsa Serbia të ndalë
veprimtarinë armiqësore kundër popullit shqiptar. Këtë e kuptuam si dëshirë të
tij për ndërmjetësim të paanshëm. Por, pas një kohe të shkurtër ai kaloi
plotësisht dhe në mënyrë të hapur në anën e agresorit serb. Kur Serbia e
kundërshtoi publikisht duke deklaruar se do të vazhdojë me veprime armiqësore
dhe se nuk e njeh kurrë pavarësinë ai nuk u zemërua fare, e harroi presionin
ndaj Serbisë por vazhdoi me presion ndaj Kosovës. E mundësoi vazhdimin e
kontakteve dhe bisedimeve sekrete në mes të Presidentit serb Aleksander Vuçiç
dhe Presidentit kosovar Thaçi. I pari, shovinist dhe urrejtës i përbetuar i
popullit shqiptar, kuadër dhe bashkëpunëtor i kriminelit serb Millosheviç me
prapavijë të mundëshme kriminale. I dyti, Hashim Thaçi politikan i urryer nga
shumica e popullsisë së Kosovës si përgjegjësi kryesor për dështimet e
njëpasnjëshme 20 vjeçare, i cili në bazë të kushtetutës së Republikës së
Kosovës nuk ka të drejtë as të udhëheqë
bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë.
Ishte absurde kërkesa e Ambasadorit Grenell për heqje të
tarifave, për të mundësuar dialogun me Serbinë, në të njejtën kohë kur
bisedimet zhvilloheshin pandalur me dyer të mbyllura. Qeveria e re demokratike
e Kosovës, qeveria e antikorrupsionit dhe shpresës më në krye liderët më të
votuar nga populli Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, nuk e kundërshtoi atë. Me
respekt të madh për Amerikën, ata dolën me propozim real dhe logjik për heqjen
e tarifave. Vepruan në pajtim me premtimet e dhëna votuesve njësoj si ju Zoti
President. Kjo nuk u pranua nga ambasadori. Aktivitetet që pasuan, sjellja në
Uashington e Thaçit që përfaqëson partinë më të madhe në opozitë- PDK dhe
sidomos e Hysenit që përfaqëson partnerin e koalicionit-LDK, na bëjnë të
dyshojmë se ai e inkurajoi rrëzimin e qeverisë legjitime të Kosovës. Ishte e
pabesueshme dhe e dhimbshme deklarata e Ambasadorit Tuaj, në përkrahje të mbajtjes së mbledhjes së
parlamentit për shqyrtim të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, në kushte të
jashtëzakonshme, kur Kosova, Amerika dhe mbarë bota po luftojnë për jetë a
vdekje me Covid-19. Pjesa më e madhe e botës demokratike ishin kundër,
përfshirë edhe Spanjen e cila nuk konsiderohet përkrahëse e Kosovës.
Me këtë rast dëshiroj të citoj raportuesen për Kosovën në
Parlamentin Europian, Eurodeputeten Viola von-Cramon: “Një autogol i SHBA-s në
Kosovë me një dimension historik. E pabesueshme, e papërgjegjshme.”
Zoti President Donald J. Trump, më lejoni, që si amerikan
i devotshëm dhe republikan konservativ, ta shfrytëzoj të drejtën time për liri
të shprehjes, me qëllim të mirë por me zemër të lënduar, t’i paraqes para jush
edhe disa vërejtje të mija konkrete dhe më të drejtpërdrejta.
-Më pëlqen dhe e përkrah platformën tuaj “America First”
dhe deklaratën tuaj në OKB se edhe
liderët e tjerë kanë të drejtë ta bëjnë të njëjten gjë për shtetet që ata i
përfaqësojnë. Pse kjo e drejtë iu mohua në mënyrë flagrante Kryeministrit
Kurti? Veprimet e fundit të ambasadorit tuaj i shërbejnë interesave
hegjemoniste serbo-ruse në Ballkan dhe mund të kualifikohen si “Serbia first,
Rusia second, Amerika third and Kosova last”. Gjithashtu më pëlqen thënia
tjetër e juaja: “Let’s Make America Great Again” por në rastin konkret i ngjanë
më shumë thënies “Let’s Make Serbia Great Again”.
-Gjatë ballafaqimit Tuaj në Kongresin Amerikan me
përpjekjen e Partisë Demokrate për votë mosbesimi ndaj jush (impeachment) duke
ju akuzuar “si të shitur” te Rusia deklaruat: “Kjo është “gjuajtje shtrigash”
dhe “nuk duhet t’i ndodhë më kurrë asnji presidenti”. Pse duhej t’i ndodhte e
njëjta gjë kryeministrit Kurti me pëlqimin e ambasadorit tuaj, vetëm pse
mbrojti interesat e vendit të vet?
E përshëndes deklaratën e fundit të përfaqësuesve të
Departamentit të Shtetit Amerikan se në takimet e organizuara nga Ambasadori
Grenell nuk është biseduar për ndarjen e Kosovës. Po për çka është biseduar dhe
pse ato nuk ishin transparente? Dhe
shtrohet pyetja edhe më e rëndësishme, nëse populli i Kosovës, pas të gjitha
presioneve, nuk e pranon kurrsesi shkëmbimin territorial të negociuara nga
Thaçi-Vuçiç, a do ta mbrojë Amerika sovranitetin dhe integritetin territorial
të Republikës së Kosovës, në kufijt me të cilët e njohu Kosovën në vitin 2008?
Pse kohëve të fundit sovraniteti dhe integriteti territorial nuk po përmenden fare?
-Si është e mundur që Amerika e Presidentit Trump tu jap
përkrahje politikanëve të cilët vetë i kritikonte si të korruptuar, disa prej
tyre edhe si kriminelë të partive që qeverisin Kosovën prej shpalljes së
pavarësisë e deri me sot?! Si mund të pranohen si legjitimë në bisedime
për zgjidhje të problemit ata që e krijuan vetë problemin, ata që e sollën
Kosovën para shkatërrimit duke i sjellë fatkeqësi popullit të vet dhe probleme
të mëdha Amerikës kur ajo ka nevojë të angazhohet në çështje shumë më të
rëndësishme?! Si është e munduar që të
përkrahet rrëzimi i qeverisë të sapoformuar demokratike të Kosovës, e cila për
40 ditë pune tregoi se ka aftësi për ta ngritur vendin nga varfëria dhe gjendja
e pashpresë?! Më falni Zoti President, por kjo nuk ka asgjë të përbashkët me
vlerat demokratike të Amerikës sonë të dashur. Me këtë akt anti-demokratik,
administrata e juaj mori përgjegjësinë për destabilitetin dhe trazirat
potenciale që mund të shkaktohen pas largimit të rrezikut nga virusi Corona, në
Kosovë, Ballkan dhe mbarë Evropën.
-Pas kthimit nga Amerika, i trimëruar nga Ambasadori
Grenell, presidenti Thaçi doli në sulm të hapur, jodiplomatik dhe arrogant
kundër përfaqësuesve Evropian. Si mendojnë ata se mund ta “detyrojnë” Evropën
të përkrahë një zgjidhje të imponuar, pa pjesëmarrjen dhe pa pëlqimin e saj,
kur dihet se edhe Kosova edhe Serbia gjenden në Evropë?
- Me veprimet e fundit të Presidentit Thaçi me pak
shokët e tij në Kosovë, të përkrahur nga një pjesë e rëndësishme e
administratës tuaj, Serbisë iu shtuan apetitet për plaçkitje të mëtutjeshme të
tokave shqiptare. Për një kohë të gjatë në të kaluarën historike, ajo ka
rrëmbyer dhe i ka pastruar nga populli shqiptar Nishin, Toplicën, Leskovcin,
Sanxhakun dhe toka të tjera. Pas marrjes së Mitrovicës dhe Veriut të Kosovës
ajo nuk do të ndalet, do të kërkojë Podujevën, Gjilanin, Prizrenin, Shkodrën,
Durrësin dhe ndoshta Prishtinën e Tiranën. Dokumentacioni nga burime të
paanëshme historike për këtë ekziston. Një gjë është e qartë. Serbia do të
ndalet vetëm atëherë kur të bindet se nuk ka shance për të grabitur më
toka shqiptare.
-Zgjidhja përfundimtare
është e vështirë, por e mundshme dhe e thjeshtë. Amerika, dhe bota demokratike
që e ka njohur Kosovën në kufijt ekzistues duhet të ia bëjë të ditur Serbisë se
puna e kufijve ka përfunduar njëherë e përgjithmonë. E do të bëhet garantimi në
mënyrë të njejtë i të gjitha të drejtave humane, politike dhe njerëzore të
serbëve në Kosovë dhe të shqiptarve në Serbi. Pra vetëm duhet presioni i
mirëfillët dhe i vendosur i Amerikës dhe shteteve demokratike të Evropës mbi
Serbinë.
Problemi nuk është në Kosovë por në Serbi sepse ajo është
e sëmurë nga urrejtja për shqiptarët dhe kombet e tjera përreth. Vetëm me
shërimin e saj problemet mund të
zgjidhen. Alternativa e shkëmbimit të territoreve është shumë e komplikuar dhe
e pamundur të realizohet, pasi kjo shkakton trazira në Ballkan dhe destabilizon
mbarë Evropën me dekada të tjera.
-Dëshiroj të theksoj se këto që i paraqita para jush, nuk
janë vetëm mendime dhe qëndrime të mijat por të më shumë se 90% të
qindra-mijëra pjestarëve të mërgatës shqiptare në Amerikë, Evropë dhe anë e
mbanë botës, si dhe të më shumë se 60% të shqiptarve në trojet e veta në
Ballkan. Mendoj se është më rendësi të ju bëj të ditur se nuk i përkas dhe nuk
përkrah asnjë parti politike në Kosovë. Si shumë bashkatdhetar të tjerë të mij,
i përkrah vetëm ata lider që punojnë më përkushtim në të mirë të popullit dhe
kombit.
Ju lutem Zoti President Trump!
Mos e largoni popullin mik shqiptar që e do Amerikën me
zemër dhe pa hile. Serbia mund të shtiret, por të gjithë e dijnë se populli
serb me shumicë e do më shumë Rusinë se sa Ameriken, kjo nuk do të ndryshojë
kurrë.
Zoti ju bekoftë juve, familjen tuaj dhe kombin Amerikan!
Zoti e bekoftë kombin shqiptar!
*Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare
shqiptaro-amerikane dhe anëtar i Këshillit të Vatrës