Mendime
Enver Bytyçi: Marrëveshja do të shitet si “ndarje me Serbinë”
E enjte, 26.03.2020, 09:56 AM
Marrëveshja do të shitet si “ndarje me Serbinë”
Nga
Enver Bytyçi
Sot
kam shkruar disa statuse, në të cilat kam tentuar të ndikoj sado pak për ta
ndaluar votimin e mocionit për qeverinë e Kosovës. Në një debat me një prej
figurave të Lidhjes Demokratike, të cilin e kam mik real e jo virtual, Fadil
Kajtazin, ky i fundit arriti të shkruajë e të më akuzojë për spiunllëk të
LDK-së te Vetëvendosja. Madje caktoi edhe vitin kur e kisha filluar unë
spiunimin e LDK-së te Vetëvendosja, sipas tij nga viti 2011! Eshtë e kotë t’u
mbush mendjen militantëve të partive se pse kërkova me këmbëngulje evitimin e
këtij mocioni. Ka vetëm një arsye – të evitohet nënshkrimi i një marrëveshje
për shkëmbim territoresh nën trysninë e ambasadorit Grenell nga ana e Hashim
Thaçit.
Në
këto momente vendimi u mor. Mora të shkruaj jo për të vajtuar Albin Kurtin, as
Vjosa Osmanin. Por për ta paralajmëruar opinionin publik në Kosovë e jashtë
saj. Prej nesër do të blihen stilolapsët më të shtrenjtë në treg, me të cilët
do të nënshkruhet marrëveshja e gatshme për ndarjen e Kosovës. Kriza e
qeverisjes u shkaktua qëllimisht në kohë të epidemisë e pandemisë së
koronaviruesit, sepse pas nënshkrimit të marrëveshjes pritej të bëheshin
protesta në Kosovë kundër presidentit Thaçi dhe kundër marrëveshjes së
imponuar. Në kushtet e pandemisë ekzekutorët e shtetësisë dhe integritetit
territorial të vendit besojnë se nuk mund të bëhen protesta. Do të gjendet
ndonjë mundësi që të vendoset edhe gjendja e jashtëzakonshme, me qëllim që të
legjitimohet përdorimi i policisë dhe ushtrisë kundër revoltës popullore, nëse
ajo ndodh.
Marrëveshja
do të shitet si “ndarje me Serbinë”, si “përfitime në ekonomi”, si “gjest
kurajoz i politikanëve që kanë përgjegjësi”, si heqje qafe e gangrenës së lënë
qëllimisht me emrin “Veriu i Kosovës”, si “evitim i krijimit të bashkësisë së
komunave serbe”, si “fitore me pranimin në OKB”, etj. Ata që kanë ndërtuar
vekshin, ia kanë vënë atij edhe bishtin. Por ajo që do të mbetet ka të bëjë me
faktin se Kosova kurrë më nuk do të mundë të kërkojë të rivendosë një
padrejtësi, marrjen me dhunë të një pjese të territorit të Kosovës. Kjo sepse
do të jetë vetë presidenti i vendit, ai që do ta firmosë me dëshirë të madhe
copëtimin e vendit të tij dhe shpërbërjen e shtetit të tij.
Vota
për rrëzimin e qeverisë Kurti ndoshta do të dalë për së mbari për Kosovën. Në
gjendje të jashtëzakonshme të shpallur nga Milosheviçi kanë lindur dhe janë
zhvilluar lëvizjet më të fuqishme të shqiptarëve të Kosovës për liri e
pavarësi. Vjeshta e vitit 1988 dhe viti 1989 janë kohët e arta të përfshirjes
masive të të gjithë Kosovës në këto protesta. Edhe tani, besoj se pavarësisht
gjendjes së jashtëzakonshme, Kosova do të ketë burra e gra, të rinj e të reja,
studentë e profesorë, të cilët do ta ndjejnë përgjegjësinë që ata kanë për
integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës dhe do të vihen në krye të
lëvizjeve për liri, dinjitet, integritet dhe atdhe!
Edhe
diçka: Mos u gënjeni, nëse ju thonë se pas ndarjes “keni të drejtë të
bashkoheni me Shqipërinë”! Ju garantoj se pas një viti nga dita e bashkimit do
të kërkoni përsëri të ndaheni! Shqipëria nuk po mban qytetarët e saj të sotëm,
jo më do t’u mbajë edhe ju. Tirana do t’ju diskriminojë politikisht e nga
pikëpamja sociale në atë masë, sa ju nuk do të mund ta duroni!