Kerko: a
Xhelal Zejneli: Aristoteli - 'Poetika''
E diele, 08.03.2020, 02:17 PM
ARISTOTELI – “POETIKA”
Nga Xhelal
Zejneli
Aristoteli (384-322 para K.) Është filozof
grek më i gjithanshëm dhe teoricien i letërsisë i periudhës antike. Një nga
figurat më të mëdha të të gjitha kohëve. Lindi në Stragirë, qytet në bregdetin
trak të Greqisë. Një kohë të gjatë jetoi në Athinë. Ishte nxënës i filozofit të
madh grek Platonit (427-347 para K.). Me fjalë të tjera, u edukua dhe
mësimet e para të filozofisë i mori në Akademinë e themeluesit të idealizmit
objektiv, Platonit. Shkollën filozofike të njohur si Akademi,
Platoni e themeloi në një korie, vendi ku ra heroi grek Akademos.
Në vitin 342, Aristoteli shkoi në
oborrin mbretëror të Maqedonisë, i ftuar nga mbreti Filip si mësues të djalit
të tij Aleksandrit. Aty filozofi qëndroi shtatë vjet. Mësimet e Aristotelit
ndikuan shumë në formimin e përgjithshëm të Aleksandrit. Mësimet që mori ai nga
filozofi i madh mbështeteshin në arritjet e deriatëhershme të letërsisë, të
filozofisë dhe të kulturës greke. Prijësi i ardhshëm luftarak mori mësime
sidomos për poemat e Homerit. Për këtë qëllim Aristoteli përgatiti për
nxënësit e tij një botim të veçantë të poemave homerike.
Në vitin 335 para K. u kthye në Athinë. Aty themeloi një shkollë e cila u
quajt shkolla peripatetike. Mësimet në të mbaheshin në natyrë apo
në sheshin pranë tempullit të Apolonit.
Athina e cila ndodhej nën hegjemoninë maqedonase, ngriti krye me shpresë se
do të fitonte lirinë. Tani armiqtë e Aristotelit ndërmorën një fushatë kundër
tij. E fajësonin për lidhjet që mbante me Maqedoninë. Për këtë arsye,
Aristoteli u detyrua të largohej nga
Athina. Vajti në Kalkidë, qytet dhe port i Greqisë në ishullin Eube. Vdiq aty
në vitin 322 para K. në moshën 62-vjeçare.
Aristoteli, një nga mendjet më të ndritura dhe më të thella të të gjitha
kohëve, shkroi për shumë çështje. Me përjashtim të matematikës, lëroi të gjitha
fushat e dijes, duke lënë vepra me vlerë të jashtëzakonshme për filozofinë,
etikën, logjikën, politikën, shkencat e natyrës, artin etj. Rreth 120 veprat e
tij krijojnë një lloj enciklopedie. Në to përfshihen njohuri nga të gjitha
fushat e dijes. Në çdo vepër të Aristotelit bie në sy dashuria për të mirën
dhe për të vërtetën. Ndonëse e adhuronte dhe e nderonte shumë mësuesin e
tij, Platonin, për çështje filozofike dhe estetike të caktuara kishin dallime
në pikëpamje. Në një vepër të tij Aristoteli thotë se është e arsyeshme të kesh
respekt për miqtë dhe të vërtetën, por midis miqve dhe të vërtetës, është gjë e
shenjtë të duash më shumë të vërtetën. Nga kjo lindi shprehja latine. “Mik
është Platoni, por mike më e madhe është e vërteta”.
Në disa vepra të tij, letërsinë dhe artet Aristoteli i konsideron si mjete
me fuqi edukuese të madhe. Në veprën “Poetika” thotë se qytetarët duhet
të merren me punë, të ruajnë paqen dhe të kryejnë vepra të dobishme e të
bukura. Në këtë vështrim, filozofi i kushton rëndësi të madhe edukimit të
njeriut me muzikë dhe me arte të tjera, të cilat ushqejnë shpirtërisht dhe
në aspektin intelektual.
* * *
“POETIKA” – Pikëpamjet e tij për artin e
veçanërisht për poezinë (epikën, lirikën dhe tragjedinë) Aristoteli i ka
paraqitur në veprën e tij “Poetika” (Mbi artin poetik) e cila ka
arritur në ditët tona në formë të cunguar. Por, edhe me kaq, mund të krijohet
një ide e qartë mbi pikëpamjet estetike të filozofit dhe estetit të parë
të madh të lashtësisë.
Çështjet letrare Aristoteli i ka shtjelluar në dy veprat e tij në prozë: “Retorika”
si dhe “Poetika”. Në
veprën “Retorika” i paraqet rregullat e oratorisë dhe çështjet e stilit.
Në veprën “Poetika” (Peri poietikes – Mbi artin poetik, viti
334 para K.) Aristoteli është i pari i cili hap çështjen e llojeve dhe
të gjinive poetike dhe i numëron ato: poezia epike, tragjedia,
komedia, ditirambi, himni, parodia etj., duke i theksuar edhe
karakteristikat e tyre.
Thelbin e poezisë e përcakton si mimesis (greqisht:
mimeomai – imitoj, përngjasoj), d.m.th. si veprimtari
krijuese të artistit.
Aristoteli i përcakton kufijtë ndërmjet poezisë dhe jopoezisë (asaj që nuk
është poezi), duke theksuar madhësinë, dinjitetin dhe rëndësinë njohëse të
poezisë.
I përcakton nocionet themelore në strukturën e veprës artistike (fabula,
peripecia, episodi, thurja (gërshetimi), shthurja (zgjidhja),
personazhi, gjuha, ideja), duke e konsideruar atë si një tërësi të
harmonishme të rrumbullakuar.
Teoria estetike e Aristotelit mbi poezinë në kuptimin e gjerë të fjalës,
është përfundim i një studimi të veprave të letërsisë klasike greke dhe të
mendimeve, që patën dhënë të tjerët para tij mbi të bukurën, por
që kanë humbur në mjegullnajat e kohëve. “Poetika” mbetet monumenti më i
rëndësishëm i mendimit estetik në periudhën klasike greke.
Aty trajtohen çështjet kryesore të estetikës dhe të teorisë së artit, si: kuptimi
i së bukurës, prejardhja e gjinive letrare dhe klasifikimi i tyre,
marrëdhëniet e letërsisë me realitetin, parimet e vlerësimit artistik
(vlerësimi objektiv dhe vlerësimi subjektiv i veprës
letrare artistike) etj.
A është arti reflektim i realitetit, apo ekziston i pavarur nga realja? A
është arti imitim i realitetit apo është fushë e mëvetësishme që nuk varet nga
realiteti? A do të ishte Niagara e bukur, sikur të mos kishte njerëz në këtë
botë që do ta shijonin bukurinë e saj, apo ajo është e bukur vetëm po qe se ka
njerëz në botë të cilët e konsiderojnë si të tillë, pra të bukur?
Platoni thotë se bota është imitim, ndërsa arti
është imitim i botës. Nga kjo del arti është imitim i imitimit.
Kjo pikëpamje e Platonit u quajt teori e mimezisit. Platoni pyet:
“Po qe se arti është imitim i botës apo i realitetit, atëherë si është e
mundur që Homeri të shkruajë për luftën e Trojës, përderisa nuk ka marrë
pjesë në të?!”
Aristoteli e ka quajtur veprën “Poetika” pasi aty trajton probleme
që kanë të bëjnë me të gjitha gjinitë letrare që shkruhen në vargje siç janë eposi,
poezia lirike dhe poezia dramatike. Por nuk është thjesht
vargu ai që e ka shtyrë filozofin e madh ta emërtojë veprën kësisoj. Në radhë
të parë është përmbajtja ajo që e dallon artin e fjalës nga
llojet e tjera të shkrimit.
Duke e zbërthyer kuptimin dhe rëndësinë e artit, Aristoteli thotë se “detyra
e poetit është të flasë jo vetëm për atë që ka ndodhur në të vërtetë, por edhe
për atë që mund të ndodhë, për atë që është e mundshme dhe e domosdoshme të
ndodhë”.
Duke e analizuar këtë mendim tejet të rëndësishëm që ndërthuret edhe me artin
realist, del si përfundim ideja se poezia apo arti në përgjithësi i
pasqyron vërtet anët më thelbësore të jetës, por nuk i paraqet ato thjesht
ashtu siç janë, në formë të ngrirë dhe statike, por në mënyrë kreative, në
lidhjet e tyre të brendshme, në lëvizje dhe në zhvillim të vazhdueshëm. Në këtë
vështrim, Aristoteli e quan poezinë si diçka më filozofike dhe më universale,
në krahasim me historinë që i tregon gjërat vetëm ashtu siç kanë ndodhur.
Kështu duhet kuptuar mendimi shumë i rëndësishëm i autorit se “vepra
artistike duhet ta tejkalojë modelin”. Me fjalë të tjera, poeti apo artisti
nuk duhet ta riprodhojë realitetin në mënyrë dokumentuese, por duke i analizuar
dituritë e veçanta, të zbulojë dhe të përgjithësojë kuptimin e shkaqeve të
tyre.
Duhet shtuar se studiues të ndryshëm Poetikën” e Aristotelit e kanë
interpretuar në mënyra dhe në forma të ndryshme, si dhe nga këndvështrime të
ndryshme.
Vendin kryesor në veprën “Poetika” e zë teoria mbi tragjedinë.
Në të flitet për zanafillën dhe zhvillimin historik të saj, duke sjellë
shembuj nga vepra të tragjikëve të mëdhenj grekë. Rëndësi të veçantë kanë
mendimet e Aristotelit lidhur me ndikimin e tragjedisë në ndërgjegjen e njerëzve.
Nëpërmjet tmerrit dhe dhembjes, ajo i bën njerëzit më të mirë duke i pastruar
nga pasionet e liga. Në këtë mënyrë, spektatorët ose lexuesit, nëpërmjet
kënaqësisë estetike që ndjejnë duke parë ose duke lexuar një tragjedi,
lehtësohen dhe çlirohen shpirtërisht, ndërsa ndjenjat e tyre fisnikërohen.
Domethënë përjetojnë katarzë. (greqisht:
kathairo – pastroj). Teoricieni i tragjedisë, Aristoteli, termin katarzë (katarzis)
e futi në dramaturgji me kuptimin “pastrim nga pasionet”.
Pastrimi i ndjenjave në një çast të rëndë, vendimtar dhe kulmor të tragjedisë
dhe zbutje e gjendjes shpirtërore të nderë. Në çastin e kthesës në tragjedi,
personazhi kryesor arrin qëllimin e vet të madh dhe njëherazi ia del të mësojë
edhe të vërtetën e plotë apo lajthitjen për të cilën ishte i gatshëm të jepte
edhe jetën.
Për të ushtruar tragjedia ndikim pastrues te spektatori nuk duhet të ketë
në qendër të saj heronj të lartë që kalojnë nga lumturia në fatkeqësi dhe
anasjelltas. Me një fjalë, heroi të jetë njeri i zakonshëm, jo i veçantë për
nga virtyti dhe drejtësia dhe që bie në fatkeqësi, jo ngase është i lig dhe me
vese, por për ndonjë gabim në një kohë kur gëzonte nder dhe lumturi, siç është
për shembull Edipi ose personazhe të tjera të këtij lloji.
Në ndonjë kapitull të veprës, Aristoteli flet edhe për poezinë epike,
për zanafillën e saj etj. Gjininë epike e krahason me atë tragjike, duke vënë
në dukje se ç’është ajo që i bashkon apo që i dallon ato nga njëra-tjetra.
Sipas mendimit të Aristotelit, “poezia epike është një gjini më e hershme
dhe më pak e përsosur se tragjedia e cila është më e përqendruar dhe ka fuqi më
të madhe veprimi”. Ai pohon se “të gjitha elementet që i ka epopeja, i
ka edhe tragjedia, kurse të gjitha elementet e tragjedisë nuk i gjen në epope”.
Përpos kësaj, tragjedia është më e ngjeshur në veprim. Epopeja “ka një
unitet më të pakët dhe këtë e dëshmon edhe fakti se prej çdo imitimi epik mund
të dalin shumë tragjedi”. Nga të gjitha vrojtimet që bën lidhur me këtë
çështje, autori vjen në përfundim se tragjedia qëndron më lartë se epopeja.
Me “Poetikën” e tij, Aristoteli krijoi një vepër që shquhet për
thellësinë e analizës. Ai i vuri themelet e mendimit estetik të
mëvonshëm për shumë probleme teorike të letërsisë dhe veçanërisht të
tragjedisë.
Aristoteli ndikoi fuqimisht në zhvillimin e estetikës dhe të teorisë së
letërsisë apo të shkencës mbi letërsinë. Një pjesë e madhe e terminologjisë së
tij themelore dhe burimore profesionale është pjesë e pandarë e çdo shkence të
letërsisë.
* * *
PIKËPAMJET TEORIKO-LETRARE DHE ESTETIKE PAS ARISTOTELIT
HORACI (Kvint Horacije Flak, 65-8
para K.) është poet romak. Bashkëkohës i epokës së Augustit. Shkroi letrën
qarkore kushtuar familjes së Pizonëve “Epistula ad Pisones”. Më
vonë kësaj ia shtuan titullin e veprës së Aristotelit, ndaj më tepër
njihet me titullin “De arte poetica” ose “Ars poetica”.
BUALO (Nicolas Boileau-Despreaux,
1636-1711), është poet dhe kritik francez. Autor i veprës “L’art poétique (Arti poetik,
1674) që është një poemë didaktike në katër këndime. Bualo është përfaqësues i
shoqërisë oborrtare të shekullit XVII dhe i racionalizmit
borgjez që do të zhvillohet në mënyrë më të plotë në shekullin XVIII. Kërkon që
poetët, krahas talentit të tyre të natyrshëm, të çmojnë edhe arsyen (racion)
dhe që me ndihmën e saj të fitojnë famë dhe vlerësim, ngase ideja
dhe përmbajtja ideore janë shenja thelbësore të veprës poetike. Flet
gjerësisht për format poetike duke i paraqitur karakteristika e
hollësishme të tyre. Në lëmin e dramës mbron me vendosmëri parimin e tri
njësive (vendit, kohës, veprimit).
Në shekullin XVIII, në rrethana shoqërore dhe kulturore të
reja, paraqiten kundërshtarët e parimeve të poetikave të hershme.
Kundërshtohen sidomos idetë themelore të harmonisë, të rendit, të rregullave
dhe të qetësisë së arsyes. Ideja e gjeniut poetik, e
gjeniut të krijuesit dhe besimi në gjenialitetin e poetit u bënë nocione
vendimtare dhe themelore të poetikës të cilat i zgjerojnë pikëpamjet e hershme,
duke hapur pikëpamje të reja mbi krijimtarinë poetike.
Romantizmi evropian nuk solli
ndonjë vepër teorike të sistematizuar mbi poetikën, por paraqiti pikëpamje të
reja të rëndësishme. Poezinë e theksoi si formë dhe si shkallë të njohjes, që
është më e thellë, më përfshirëse dhe më e rëndësishme se filozofia, shkenca
dhe religjioni. Gjeniu i poetit nuk mund të pengohet nga kurrfarë
rregulli poetik, pra as nga ligjshmëritë e llojeve poetike, për arsye
se poeti, pjesën më të rëndësishme të krijimtarisë së vet e ka gjetur në
veprimtarinë instinktive të nënvetëdijshme, në frymëzimin që ka
pasuar, ndaj të cilit nuk ka pasur pushtet.
Modelet e antikës dhe poetika e antikës nuk janë më burime të vetme. Madje,
një pjesë e madhe e tyre lihen mënjanë dhe nuk përfillen. Shikimet drejtohen
tanimë kah studimi i letërsive evropiane dhe përtej evropiane. Përvetësohen dhe
vihen në përdorim format e letërsive të ndryshme popullore gojore, të letërsive të Lindjes
dhe të së kaluarës së hershme. Shikimet u drejtuan kah letërsia e tërë
botës. Problemet e poetikës tani do të ndriçohen nga pikëpamja botërore dhe
mbarë njerëzore.
Realizmi letrar evropian jetën shoqërore
konkrete dhe aktuale e përcakton me objektin e drejtpërdrejtë dhe qendror të
veprës letrare. Nocion themelor dhe thelbësor bëhet e vërteta e cila
pasqyrohet me përshkrimin e plotë dhe të hollësishëm të jetës së përditshme dhe
të figurave të njerëzve të vegjël, që nga bota fshatare deri te mjediset
borgjeze. Botën dhe gjërat duhet paraqitur ashtu siç janë. Frymëzimin poetik
romantik tani do ta zëvendësojë puna intensive e shkrimtarit, vrojtimi i tij i
vetëdijshëm dhe pasqyrimi i njerëzve dhe i sendeve rreth tij. Shkrimtari është
vëzhgues dhe dëshmitar i asaj që ka parë.
Poeti lirik i simbolizmit francez Pol Verlen (Paul
Verlaine, 1844-1896) shkruan veprën “Art poétique” (Arti poetik,
1874). E ka shkruar në formën e një poezie lirike të shkurtër, me gjithsej 36
vargje. Ndonëse nuk ka krijuar një vepër teorike të gjerë të poetikës, ngase
kryesisht flet për poezinë lirike, megjithëkëtë, në formë të thuktë ka
përcaktuar disa premisa teorike të cilat janë bërë ide themelore të poetikë së
re. Verleni kërkon në poezi, në radhë të parë muzikë.
Poetika do të paraqiten deri në ditët tona në të katër anët e botës. Me
kalimin e kohës, termi “poetikë” dalëngadalë u hoq nga përdorimi. Në
vend të tij u vu në përdorim termi estetikë. Sido që të jetë, në
qendër të studimit mbete vepra poetike, e parë nga determini i
saj historik dhe shoqëror.