Kerko: a
Frank Shkreli: Kosova nderon me statujë ish-Senatorin amerikan Robert Dole
E shtune, 29.02.2020, 02:31 PM
KOSOVA NDERON SË SHPEJTI ME STATUJË ISH- SENATORIN AMERIKAN ROBERT DOLE
Nga
Frank Shkreli
Disa ditë më parë,
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Z. Filip Kosnett
vizitoi ish-Senatorin amerikan, Z. Robert Dole në zyrën e tij në
Washington. Kryediplomati amerikan në
Prishtinë njoftoi, në portalin e tij të internetit, qëllimin e takimit të tij
me Z. Dole. Ai ka shkruar se “Ishte
kënaqësi për mua që t’i dorëzoja personalisht Senatorit Dole, fotografinë e
statujës së tij që do të zbulohet së shpejti në Prishtinë, (punuar nga
skulptori Luan Mulliqi) – për një burrë të shquar e plot merita”, është
shprehur ambasadori Kosnett. Senatori
Dole, nga ana e tij, shfaqi kënaqësinë për vendosjen dhe zbulimin shpejt të
statujës së tij në Prishtinë ndërsa falënderoi përfaqsuesin e lartë diplomatik
amerikan në Kosovë për vizitën, duke shënuar gjithashtunë portalin e tij se
Ambasadori Kosnett, “Po bën një punë të mrekullueshme, si përfaqësues i
Shteteve të Bashkuara në Kosovë.”
Autoritetet e
Republikës së Kosovës kishin marrë vendimin për të vendosur statujën e -ish
Senatorit republikan Bob Dole në Prishtinë, në vitin 2018, me rastin e
95-vjetorit të ligjvensit amerikan, i njohur si njëri ndër politikanët më të
dalluar amerikanë të fund shekullit të kaluar, për përpjekjet e tija në
mbështetje të çlirimit dhe të pavarësisë së Kosovës. Statuja e Senatorit Dole do të vendoset në
një kënd të Rrugës Bob Dole dhe Bulevardit Bill Clinton, që siç tha edhe
ambasadori amerikan Kosnett, në ianugurimin e vendit ku do vendoset statuja e
Dolit, rrugë këto që janë emërua pas dy kundërshtarëve politikë amerikanë nga
dy parti të ndryshme politike, njëri republikan e tjetri demokrat. Megjithë ndryshimet në qëndrimet e tyre në
rrafshin e zhvillimeve politike në Amerikë, ata ishin miq të ngushtë me njëri
tjetrin. Ata ndanin dashurinë për
Atdheun e tyre dhe ishin të dedikuar shërbimit ndaj të tjerëve, ndërkohë që
përpiqeshin të bashkpunonin kurdoherë që ishte e mundur, është shprehur
ambasadori Kosnett, duke shtuar se “Do bënim mirë të gjithë, nëqoftse do të
përqafonim filozofinë e Senatorit Bob Dole -- se në politikë kemi kundërshtarë,
por jo armiqë”.
Senatori Robert
Dole, ish-veteran i Luftës së Dytë Botërore, Kongresmen dhe Senator nga shteti
Kansas, udhëheqës I republikanëve në Senat dhe kandidat i Partisë Republikane
për President, e kishte bërë çështjen e Kosovës kauzë të tijën, që në fillim të
90-atave të shekullit të kaluar. Në një
letër dërguar Dr. Ibrahim Rugovës, Senatori Dole, udhëheqës, në atë kohë i
republikanëve në Senat dhe kryetari i
Komisionit të Senatit për punë të Jashtme, Senatori demokrat, Claiborne Pell –
dy ligjëvensit e lartë amerikanë i shkruajnë presidentit të ardhëshëm historik
të Kosovës se, “Siç e dini ne jemi shumë të shqetësuar rreth gjëndjes në
Kosovë. Për vite tani, popullësia shqiptare në Kosovë është subjekt shtypjesh
dhe mohimesh të të drejtave të njeriut nga një regjim i egër komunist i
Republikës së Serbisë…” Senatorët
amerikanë shprehen se situata në Kosovë është e rrezikshme dhe e pa
parashikueshme. Ata ftojnë Dr. Ibrahim
Rugovën që të vizitojë Washingtonin, sa më parë që të jetë e mundur për ‘të,
“Për t’u takuar me ta dhe me senatorë të tjerë të interesuar për gjëndjen në
Kosovë, për tu këshilluar me ju, për hapat më të mirë që duhet të merren,
individualisht dhe në bashkpunim me njëri tjetrin”, shkruanin senatorët
Claiborne Pell dhe Bob Dole në letrën e tyre drejtuar Dr. Ibrahim Rugovës të
datës19 Shtator, 1991.
Kështu filloi edhe
ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës.
Fillimisht me sensibilizimin e popullit amerikan dhe përfaqësuesve të
tij në Kongres, siç ishte Senatori Bob Dole, i cili me letrat e tija të shumta
dërguar udhëheqësve të botës për t’i njoftuar për gjëndjen në Kosovë,
sensibilizoi edhe opinionin ndërkombëtar në favor të mbrojtjes së të drejtave
të shqiptarëve të Kosovës dhe të aspiratave të tyre demokratike për një Kosovë
të lirë dhe të pavarur. Angazhimi dhe
roli i tij, mbrenda dhe jashtë vendit në atë kohë, ishte kritik për zhvillimin e punëve në favor
të Kosovës, sidomos gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar, përpjekje
këto që më në fund çuan në çlirimin dhe më vonë në pavarësinë e Kosovës.
Statuja e
Senatorit republikan Robert Dole në Prishtinë i bashkohet statujës së
ish-presidentit amerikan demokrat Bill Klinton dhe bashkpuntores së tij,
ish-Sekretares së Shtetit Madeleine Albright, në frymën e bashkpunimit të dy
partive kryesore amerikane në mbështetje të aspiratave të Kosovës për liri e
pavarësi. Kjo frymë bashkpunimi midis dy
partive amerikane republikanëve dhe demorkatëve – përsa i përket Kosovës,
vazhdon edhe sot. Duke folur për
angazhimin e ish-Senatorit Bob Dole ndaj lirisë dhe të drejtave të poullit të
Kosovës gjatë inagurimit, vitin që kaloi të vendit ku do të zbulohet
shpejt statuja e Senatorit Dole,
Ambasadori Kosnett e cilësoi, Z. Bob Dole si, “Një udhëheqës në promovimin e
kauzës së lirisë anë e mbanë botës. Nuk
është për të çuditur që ai u bë një mbështetës i pa zevëndsueshëm i Kosovës,
duke qëndruar pranë dhe në mbështetje të popullit të këtij vendi, në përpjekjet
e tija, për të ndërtuar një shtet të fortë dhe të lirë”, ka thënë me atë rast,
kryediplomati amerikan në Prishtinë.
Duhet thënë se në
këtë frymë bashkpunimi është njohur dhe vlerësuar shumë prej popullit të
Kosovës, ndihma e këtyre burrave dhe grave amerikane në mbështetje të Kosovës
gjatë dekadave. Siç është shprehur edhe
Ibrahim Rugova, shpresojmë që më në fund, kjo frymë bashkpunimi, të sigurojë
një miqësi të përhershme, jo vetëm, midis Shteteve të Bashkuara e Kosovës por
edhe midis Kombit amerikan dhe Kombit shqiptar, në përgjithësi. Megjithë grindjet dhe mosmarrveshjet midis
partive të ndryshme politike në Kosovë dhe në Shqipëri, duket se të pakën deri
tani, kjo miqësi është e paprekshme dhe gjesti për vendosjen e statujës së
ish-Senatorit Republikan Robert Dole në Prishtinë pasqyron një qëndrim të
përbashkët mirënjohjeje të klasës politike shqiptaredhe popullit të Kosovës,
karshi burrave të shtetit amerikan që kontribuan në thememlimin e shtetit të
pavarur e të lirë të Kosovës që është sot.
Duke aluduar se
edhe midis miqësh mund të ketë mosmarrveshje, ambasadori amerikan në Prishtinë,
Filip Kosnett, me rastin e inaugurimit të vendit ku do të vendoset statuja e
Senatorit Dole në Prishtinë, është shprehur se,“Qeveritë tona nuk do të
pajtohen gjithmonë për politikat e ndryshme dhe do të nevojitet punë serioze
për të mbajtur qëndrimet tona në përputhje me njëra tjetrën, ndërsa rritet
partneriteti i Kosovës me Shtetet e Bashkuara.
Por, një gjë është e qartë: se miqësia e qendrueshme midis popullit të
Kosovës dhe popullit të Shteteve të Bashkuara, nuk varet nga ndonjë parti
politike ose nga ndonjë individ, në veçanti”, është shprehur me atë
rast, ambasadori amerikan në Prishtinë, por janë lidhje ndërmjet dy popujve
tanë.
Po e përfundoj
këtë shkrim me fjalët e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Z. Kosnett që
shqiptoi në inaugurimin e vendit ku do të zbulohet së shpejti statuja e
Senatorit Dole në Prishtinë, duke shpresuar se rasti i zbulimit të statujës së
Senatorit Amerikan Robert Dole në Prishtinë, të jetë një moment që të
fokusohemi në historinë dhe në vlerat tona të përbashkta që kanë bashkuar
popullin e Shteteve të Bashkuara dhe popullin e Kosovës. “Le të frymëzojë ky monument i Bob Dolit,
përpjekje të reja për të ndërtuar -- për fëmijt e Kosovës një atdhe që ata e
meritojnë -- për një Kosovë në paqe me
fiqnjtë e saj, me drejtësi dhe mundësi të barabarta për të gjithë, pa dallim”,
është shprehur ambasadori amerikanë në Kosovë, Filip Kosnett. Shpresojmë që ashtu të jetë!
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett duke i
dorëzuar ish-Senatorit Robert Dole fotografinë e statujës së tij që, sipas
ambasadorit amerikan, së shpejti do të zbulohet në Prishtinë