Kerko: a
Sami Repishti: Politika parimore dhe oportunizmi politik
E enjte, 13.02.2020, 08:33 PM
POLITIKA PARIMORE DHE OPORTUNIZMI POLITIK
Nga
Sami Repishti, Ph.D.*
Ridgefield, CT. Me 28 janar 2020, në nji
Konferencë shtypi të mbajtun në Washington, D.C.- Presidenti
Trump shpalosi nji “Plan” për zgjidhjen e problemit të ndërlilkuem
izraelito-palestinez.
Me 29 janar 2020, Presidenti i Republikës së
Kosovës, Hashim Thaçi, vrapoi me nji deklaratë publike; ai përshëndeti “zgjidhjen e problemit palestinez” të
mbiemnuem edhe “marrëveshja e shekullit” ose “Plani Trump”. “Thaçi e mirëpret
planin e Presidentit Donald J.Trump për Lindjen e Mesme” shkruente gazeta ZERI
e datës 29 janar 2020 “.
Presidenti Thaçi tha:“E mirëpres dhe e
pranoj planin e leadershipit amerikan të
Donald J. Trump për Lindjen e Mesme”. Kështu u shpreh leaderi i Kosovës për nji
problem që nuk ka lidhje me Kosovën. “Me që së fundi, vijoi ai, Presidenti
Trump takoi liderët izraelitë duhet të tregohet udhëheqje dhe vizion që ta
bëjnë atë të plotësohet…Bota është duke shikuar dhe është inkurajuar që të
ndjekin këte shembull” shprehej ai në Twitter.
Unë nuk e pranoj këte përcaktim, dhe quej
qendrimin e Presidentit Trump nji gaffe e madhe politike, dhe nji paturpësi që
mohon çdo aspekt pozitiv të politikës së çeshtjes palestineze.
Reagimi i parë dhe i fortë e parimor erdhi
nga diplomati suedez e ndërmjetës në diskutimet për fatin e Kosovës, Carl
Bildt, ish ministër i jashtëm i Suedisë. Ai shkruen: “ Jam plotësisht i sigurt
se në nji kohë, Millosheviqi do të kishte përqafue me gëzim nji zgjidhje të
këtill për Kosovën si ajo që propozon Presidenti Trump…Forcat e Sigurimit serb
do të ishin në kontroll të plotë e përfundimtar të kufinjve, hapësinës ajrore,
hapësinës dixhitale, tregëtisë. As edhe nji mitroloz i vetëm nuk lejohet. Dhe
natyrisht edhe disa të drejta të kufizueme për kosovarët…” Diplomati suedez
vazhdon: se ashtë i sigurtë që”… edhe
diktatori serb do të dëshironte nji zgjidhje ‘a la Trump’ ku gjithçka
kontrollohet nga ushtria (në Kosovë serbe) …”
Reagimi politik i udhëheqësve arabë të
Lindjes së Mesme ka qenë i shpejtë por jo i plotë. Disa ambasadorë arabë ishin
prezent në konferencën e shtypit; nji akt skandaloz që u interpretue si përkrahje
e Planit Trump. Edhe reagimi i Jordanit dhe Libanit që kufizohen me Israelin ka
qenë i vakët. Arabia Saudite, Abu Dhabi dhe Egjipti preferuen me heshtë. Presidenti
turk Erdogan e cilësoi Planin “nji aneksim i Territorit palestinez të okupuem.
Analisti amerikan i marrëdhanjeve
Izrael-Palestinë, Profesor Alon Ben Meir (N.Y.Un.) shkruente në nji mesazh
“Çmenduria Trump-Netanyahu”, 5 shkurt 2020: “Qeveritë e njimbasnjishme
izraelite kanë ba sigurimin kombëtar pikën qendrore të mbijetesës së Izraelit
dhe e lidhin ate me të ashtuquejtunën kercënim ekzistencial që vjen nga
Palestinezët, dhe ashtë ba tani nji mani kombëtare. Kështu, kontrolli i jetës dhe
territorit palestinez janë kthye në sinonim me sigurimin kombëtar të Israelit.
Israeli, nga çdo pikëpamje i jep vehtes liçencen me veprue
ashtu si i pëlqen në territorin palestinez, tue përfshi edhe “settlements”,
(vendbanimet ilegale), me ndertue pengesa dhe mure ndarëse, me shkatërrue shtëpitë
palestineze, dhe me kufizue lëvizjen e tyne, e tashti ashtë i gatshëm me
aneksue Luginën e Jordanit, dhe e gjithë kjo në emën të sigurisë kombëtare…”
Ç’fare ofron Plani Trump për të dy palët në
konflikt?
Tue pasë
pranë vetes Kryministrin e Izraelit, B.Netanyahu, Z. Trump shpalosi disa hollësi
të nji plani prej 181 faqesh që u duertrokit
nga pjesëmarrësit. “Sot, tha ai,
Izraeli ban nji hap të madh përpara drejt paqës. Unë nuk jam zgjedhë me
krye sherbime të vogëla, ose mos me trajtue probleme të mëdha”.
Fletorja
britanike The Guardian,31 janar 2020, tregon disa hollësi:
Vendosja
e Jerusalemit si kryqytet “i pandarë”, me mundësisht nji kryqytet palestinez në
Lindje dhe Veri të Jerusalemit.
Me njohë
shumicën e madhe të “settlements” (vendbanimeve) në Bregun Prendimor palestinez
si tokë të pandame të Izraelit. Palestinezët do
të shpërblehen me disa zona shkretinore afër Rripit Gaza, të shkëputuna
por të lidhuna me hekurudhë…..
Me njohë
Luginën e Jordanit si territor izraelit.
Nji
shtet palestinez pa ushtri, me kontroll policor izraelit në disa pjesë, tue përfshi
edhe Bregdetin Palestinez, por vetëm mbasi që palestinezët të plotësojnë disa kondita
që kërkohen ngn Izraeli.
Besohet se nji fond prej 50 miljardë dollarësh do të mblidhet, nga kontributorë
arabë, për zhvillimin ekonomik të Palestinës…..
Menjiherë mbas shpalljes, KM izraelit,
deklaroi se bahet fjalë për “nji sovranitet të kufizuem dhe me disa kushte…”.
Shefi i Opozitës izraelite, Gjenerali Gantz tha se plani “….ashtë nji fazë themelore me
randësi historike dhe e randësishme” dhe se ai“do
të përpiqej
me e zbatue në se fiton në votimet e ardhme “ (mars 2020)
Ambasadori i Izraelit në Washington, njeni
nga autorët e Planit deklaroi se Plani Trump ashtë “…nji përparim i
madh në procesin e zgjidhjes paqësore”.
Por ish nen-Sekretari i Shtetit, Nicholas Burns, përbuzi Planin: “Plani
eliminon edhe formën ma të dobët të së drejtës dhe detyron palestinezët me jetue
si popull pa shtetësi, në tokën që ata banojnë….Plani do të thellojë ma shumë se do të ndihmojë zgjidhjen e këtij konflikti
70 vjeçar”
Nga bota e jashtëme, Ministria e jashtëme franceze
tha se”Franca e mirëpret përpjekjen e fundit të Presidentit Trump, dhe se Parisi
do të shqyrtojë me kujdes propozimet e Planit.”
Ambasadori Martin Indyk shkruen në revisten
prestigjoze Foreign Affairs të datës 4 shkurt 2020, se “Plani jo i drejtë për
Lindjen e Mesme nuk len asgja për negociata. Zgjidhja e problemit jo reale dhe e imponueme nuk do të qendrojë…. Ndërmjetësit në të kaluemen u përpoqen me
vendosë nji bazë për marrëveshje tue ndertue ura për pozitat e deshprueme në të
dy anët “.
Organizata ndërkombëtare Human Rights Watch,
New York, deklaroi se Plani i Paqës
tashma gjysëm i vdekun ashtë ba nji “gjeth fiku” për sundimin
diskriminues të Izraelit mbi Paletinezët.
Kryministri palestinez, Muhamed Shtayyeh
deklaroi se Plani Trump ka të bajë me përpjekjtet
e Trumpit dhe Netanyahut, të dy të akuzuem, dhe jo me paqën, por me i mbrojtë
ata nga burgosja e mundëshme. Nuk ashtë nji Plan paqeje për Lindjen e Mesme….Plani
nuk ka asnji vlerë, dhe se Palestinezët e ndien veten të abandonuem…”
Ish KM britanik, Tony Blair, bani thirrje Palestinezve
me u angazhue në bisedime sepse Plani ashtë shpresa e tyne e fundit…palestinezët
nuk detyrohen me deklarue se pranojnë Planin, por të angazhohen me Qeverinë
amerikane me kerkue përmirësime të Planit që ata e shohin të nevojshme.
Edhe gazeta The New York Times, e datës 29
janar 2020 shkruen:” Oferta (Plani) favorizon Izraelin dhe i mohon (Presidentit)
Abbas të gjitha të arritunat për të cilat ai ka luftue. Mundësia e nji zgjidhje
për nji shtet të aftë me mbijetue krah për krah me Izraelin, po zhduket përfundimisht”. Shtetet e Bashkueme hoqën dorë nga çdo
pretendim me qenë nji ndërmjetës neutral”. Në edicionin e saj të 31 janarit
2020, kjo gazetë shkruente:” Nga të gjithë propozimet për paqë në mes të Israrelit
dhe Palestinezve të paraqitun dekada me rradhë, rrethanat konfirmojnë se Plani
i Presidentit Trump që u ba publik të marten e kalueme ashtë ma i vështiri të merret
seriozisht”.
Analisti Thomas L. Friedman shtron pyetjen:”
Ashtë ky nji plan që ka të bajë me dy shtete për dy popuj, a po ashtë nji manevër
me largue vemendjen e publikut nga dy udhëheqës të baltosun? …Tashti unë duhet
të dij, Palestinezët duhet të dijnë, dhe bota mbar duhet të dijë në se ky Plan
ashtë pika fillestare!”
Presidenti i ”Coalition for Israel”, Howard
B. Weber, N.Y. shkruen: “Ky nuk ashtë
nji plan serioz. Ky ashtë nji “blank cheque”
(dorë e lirë) nga nji president që përballet me “impeachment”(akuzime) e
gjykim dhe i dorëzuem nji KM izraelit, i
dënuem me akuza për korrupsion”.
Në këte situatë mjerane dhe padrejtësie të
imponueme me forcë, hynë në skenë Presidenti i Kosovës së çlirueme vetëm pak
vite ma parë, Hashim Thaçi, me përkrahje të hapët për agresorin dhe denimin e
viktimës me vdekje të paevitueshme. Asgja nuk justifikon këte qendrim servil;
as deklaratat absurde të përfaqsuesve palestinez në Beograd të bame kunder pavarësisë
së Kosovës, as qendrimi burracak i vendeve
myslimane të Lindjes së Mesme me mosnjohëjen e pavarësisë së Kosovës.
Dy të këqia nuk përbajnë nji të mirë!
* * * *
Kosova ashtë atdheu i im, Shqipëria e ime, ushtarakisht
e aneksueme nga imperatoria otomane ne vitin 1479, padrejtësisht e ndame dhe e okupueme
që nga viti 1877 dhe deri në vitin 1944-45 nga Serbia dhe ish Jugosllavia,. Ajo
u coptue në mes të Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi.
Sot, Kosova ashtë e lirë!
Kosova më ka frymëzue që në ditët e shkollës
fillore, kur fëmij e të rritun këndojshim: “Edhe flamuri kuq-e-zi/ Do të valojë
përsëri/ Në Kosovë e Çamëri/ Plot me gaz, me gaz dhe në liri!” Shkëputja e Kosovës – hapësina ku banojnë
qytetarët shqiptarë në ish Jugosllavi- ka qenë nji plagë e randë, e hapun, dhe
e dhimbshme për çdo shqiptar që në shekullin 19-të me invazionin sllav të
regjimeve që synojshin ri-formimin e perandorisë serbe të Car Stefan Dushanit,
pa marrë parasyshë kombësinë e popullsisë që e banonte. Nga ku rrjedh tragjedia
e Kosovës së martirizueme….. që nga Garashanin deri te Millosheviqi….!
Shqiptarët nuk duhet të harrojnë! “Mospërfillja
e nji fatkeqsie” të këtill për cilindo popull të shtypun, si janë sot Palestinezët
dhe Kurdët, nga udhëheqja politike e Repubikës së lirë të Kosovës ashte moralisht
e neveritshme dhe politikisht e pa pranueshme. Nji qendrim i këtill ofendon
viktimën e djeshme, denon viktimën e sotme, dhe shuen shpresat e viktimës së
ardhme.
Nji oportunizëm politik i këtill nuk duhet
lejue! Servilizmi nuk duhet të bahet “kultura politike e shqiptarëve” në të
anët e kufinit arbitrar!
Ashtë
mungesë e plotë dinjiteti njerëzor e kombëtar!
Na, të
gjithë na, duhet ta demaskojmë dhe ta luftojmë!
-------------------------------------------------------------------------------------
* Autori
95 vjeçar ashtë qytetar amerikan me kombësi shqiptare.