Kerko: a
Fran Gjoka: Horizont gri
E merkure, 05.02.2020, 08:09 PM
Horizont gri
Intervistë
e gazetarit Fran Gjoka me shkrimtarin Viron Kona
-Z. Viron, ju keni shkruar disa libra për emigracionin.
Është ky një interesim i veçantë juaji si shkrimtar?
-Shpesh
gjërat janë rezultat i kushteve dhe rrethanave që krijohen, jo gjithçka mund ta planfikojmë, madje shpesh herë jeta
na çonë në situata të atilla, që nuk i
kemi menduar kurrë më parë. Për shembull, mua asnjëherë nuk më kishte shkuar
mendja se do të shkoja refugjatë dhe do të punoja hamall në Greqi. Ky fakt
jetësor, por dhe i detyruar nga rethanat, ishte shkaku që unë shkrova romanin
tim të botuar disa herë “Drithërimat e yjeve”, ku trajtohet jeta një intelektuali shqiptar në emigracion.
Ose, rethanat shëndetësore më çuan në vitin 1987 në Budapest për një operacion
të rëndë të pankreasit. Kur u ktheva, me shënimet që kisha mbajtur, shkrova
romanin “Dëgjoma zemrën Budapest!” Në vitin 1982 më ngarkuan detyrën kryetar i
një ansambli artistik të këngëve dhe valleve në një turne në Turqi. Kur u
ktheva, shkrova romanin “Yje mbi Bosfor”, në vitin 2011...
-Si i keni përjetuar ju
zhvillimet e kulturës dhe të artit në botë?
-Ne
në Shqipëri u edukuam me artin e realizmit socialist. Pak njerëz dinin për
artin modern, rrymat moderne në letërsi, poezi, pikturë, skulpturë, koreografi,
muzikë etj. Pas hapjes me botën, si dhe të tjerët, edhe unë doemos që i
përjetova brenda vetes zhvillimet e botës moderne e bashkëkohore dhe krijova
një vizion tëri dhe më të gjerë. Tek e fundit ajo që është e mirë dhe e bukur
në SHBA, është e mirë dhe e bukur
edhe në Shqipëri dhe Francë; ajo që është e mirë dhe e bukur në Angli e Itali, është e mirë dhe e
bukur edhe në Shqipëri, Greqi apo Maqedoni. Më e mira dhe me e bukura
përqafohen.
-Me kushte dhe mundësi më të mira, do të kishte zhvillime
më të dukshme kultura dhe arti në vendin
tonë?
-Po.
Krijimi i disa kushteve më të mira teknike-ekonomike-kulturore etj., do të
çonin në zhvillime të reja, në shpërthime të potencialeve krijuese. Si individë,
shqiptarët janë shumë të zotë dhe më aftësi të rralla krijuese. Ata po dëgjohen
dhe po prezantohen sot suksesshëm si këngëtarë, instrumentistë, balerinë,
aktorë teatri dhe kimemaje, si piktorë e skulptorë, sportistë, por dhe si
shkencëtarë dhe ekonomistë, si gazetarë, politikanë dhe shkencëtarë deri edhe
astronautë të hapësirës kozmike. Vetëm në Italinë fqinje janë disa këngëtarë
dhe balerinë të rangut të lartë, por, kështu dhe në Greqi, Francë, Gjermani,
SHBA, Skandinavi etj.
-Shumë njerëz mendojnë se ju jetoni në Suedi?
-Po
kështu më thonë shumë miq të mi, por në fakt unë banoj në Tiranë. Ky opinion
vjen sepse kam shkruar disa libra që ia kushtojë Suedisë dhe veçanërisht
bashkëkombëseve tanë që jetojnë dhe punojnë atje. Në të vërtetë unë kam shkuar
atje i ftuar katër herë nga tre apo katër ditë.
-Si ndodhi që shkove në Suedi, cilët janë librat që i
keni dedikuar Suedisë dhe bashkkombësve shqiptarë?
-Në
vitin 2006, libri im për fëmijë “Eh more Bubulino!” fitoi çmimin UNICEF kur kjo
organizatë Botërore e Fëmijëve festontë 60 - vjetorin e krijimit të saj. Libri
u shpall më i miri i vitit 2006. Në atë kohë veç librave, unë botoja tregime në
gazeta, portale e revista brenda dhe jashtë vendit. Revista “Dituria” e Boråsit, Suedi, organ i QKSH “Migjeni” atje,
botoi disa nga këto tregime.
Shkrimtari Viron Kona, Vimmerby, Suedi 2011
Një
ditë prej ditësh, drejtuesi i kësaj reviste, që më vonë do të bëhej nga miqtë e
mi më të mirë, z. Sokol Demaku, erdhi në Shqipëri së bashku e drejtorin e
shkollës së “Fjardingskolan” të qytetit të Boråsit, Per Kettisen dhe me dy
mësuese Annette Ekelund dhe Sonja Persson. U takuam dhe, pas bisedës që bënë me mua, ata vendosën
përkthimin e librit tim “Eh, more
Bubulino!” në gjuhën suedeze. Pas kësaj më ftuan në një ceremoninë përuruese,
që nuk do ta harrojë kurrë dhe që do të më shoqërojë tërë jetën. Me tej, unë,
si mirënjohje, por dhe si një shkrimtar që impresionohet nga një vend me
zhvillime të gjithanshme siç është Suedia, shkrova fillimisht librin
“Bukuri suedeze”. Pastaj, kur shkova për herë të dytë, të tretë dhe të katërt
shkrova librat: “Për ju Miqtë e mi”, “Zonja nga Boråsi”, “Poleni vikng” (me
bashkautorë z. Sokol Demaku). Në vazhdim shkrova monografitë: “Ju dua më shumë
se veten!”, “Kur vjen Sokoli”, “Marigoja shqiptare në Norvegji”...
-Meqënese keni shkruar kaq shumë për emigrantët, mendoni
se ikja “e çmendur” e shqiptarëve nga vendi i tyre është vetëm për shkak të
kushteve ekonomike?
-Ne nuk e kemi luksin të zgjedhim sipas
ligjeve dhe të drejtave të lëvizjes së lirë. Një italian apo francez, e zgjedhë
se ku do të shkojë të ndërtojë jetën: në
Amerikë, Kanada, Londër? Ne, shpesh herë nisemi për në një vend dhe
përfundojmë në një tjetër,madje ndodh që edhe na kthejnë siç kthehen “pakot
postale” pa adresë të saktë.
-Shkaqet pse shqiptarët largohen apo
“braktisin” vendin, janë në radhë të parë për një jetë më të mirë ekonomike,
por edhe më të sigurtë për vete dhe për fëmijët e tyre. Por shkaqet janë edhe social-politike,
pasiguria për të qëndruar në Shqipëri për shkak të gjendjes së pastabilizuar.
Shqiptarët janë ata që vuajnë pasojat, kurse poltikanët që “shqetësohen” aq
shumë dhe vënë kujën se po u ikin shqiptarët (votuesit) mendoj se janë ata
shkaktarët e parë të kësaj “përzënie”. Politikanët nuk u thonë shqiptarëve
“ikni”, por e bëjnë këtë me veprimet që kryejnë. Njerëzit në Shqipëri thonë:
“Këtu punë s`ka, por s`duken shanse as në horizont, ai është gri. Këtu s`ka
stabilitet social dhe politik, këtu përditë ka kronika të zeza që përsëriten “non stop” 24 orë dhe, kësisoj, ajo që i
ndodh njërit mund t`i ndodh edhe tjetrit. Kur ne shikonim “Oktapodin” me Mikele
Plaçidon në vitet 80-të, tmerroheshim, por ato që shihnim në atë film, këtu po
i shohim si të zakonshme. Ndërkaq, leksiku i gjuhës shqipe është ngushtuar
vetëm në fjalët “drogë, krim, vjedhje, korrupsion, rrëzim qeverish, tritol,
bomba molotov...”. Palët poltike e shohin njëra-tjetrën si armike. Edhe
autoblindat e bankave që ruhen nga dhjetëra policë nuk kanë siguri jo më njeriu
i thjeshtë...” Këto situata bien si “kambana funebre” edhe te mërgimtarët, të
cilët, edhe nëse kishin një mendje të ktheheshin në vendlindje me kursimet e
tyre, ata ndryshojnë mendim, shohin me ankth e keqardhje nga vendlindja e tyre
e dashur dhe vendosin të qëndrojnë
përfundimisht në vendin ku kanë emigruar...
-Ku mendoni ju se shfaqet më shumë dashuria e
mërgimtarëve për vendlindjen?
-Mjafton
t`u kujtojmë lexuesve mallin e madh të mërgimtarëve, një mall që gërryen dhe
gurin, mall që nuk shuhet kurrë. Shumë prej shqiptarëve në mërgim edhe ëndrrat
i shohin me Shqipërinë. Venë e vijnë si dallëndyshet, por folenë e shohin këtu.
-Me
nismat e tyre ata çelin shkolla shqipe apo përpiqen ta përfshijnë gjuhën shqipe
në mësimet plotësuese në shkollat ku studiojnë. Ky është një preokupim i madh i mërgimtarëve.
-Por
dashuria për vendlindjen shfaqet edhe në vënien e emrave të fëmijëve të tyre,
në merakun që kanë që t`u vënë emra origjinalë shqiptarë bijëve dhe bijave të
tyre, duke filluar me emrat që na vijnë nga Iliria e lashtë: Ilir, Bato,
Dardan, Taulant, Dasaret, Enkelejd, Teuta, Bardhyl, Agron, Glaukia, Alban,
Genti, Ardian,..; emrat: Gjergj, Arbër, Gjin, Arianit, Martin, Donika, Besa,
Shota, Zana, Muji, Afërdita, Moisi, Atdhe, Mal, Flamur; emrat e maleve shqiptare: Korab, Tomor, Shkëlzen,
Trojan, Gramoz...; emrat e deteve Jon dhe Adriatik; emrat e lumenjve: Drini,
Vjosa, Shkumbin, Valbona, Erzen; emrat e qyteve: Vlora, Korça, Saranda,
Shkodra, Argjiro, Berat, Elbasan...; emrat e shpendëve: Shqiponjë, Pëllumb,
Sokol, Gjeraqinë, Mjellmë, Bilbil, Dallëndyshe, Skifter etj. etj. Kurse
shoqatat kulturore shqiptare në mërgim mbajnë emra personalitetesh të shquar të
kulturës, humanizmit dhe artit shqiptar: “Migjeni”, “Nënë Tereza”, “Naim
Frashëri”, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, “De Rada”, “Ismail Qemali”, “Fan
Noli”...
Vëmendjen
ata e fokusojnë fort te gjithçka ndodh në Shqipëri. Në Suedi shikoja që ndiqej
çdo ditë leximi i gazetave, ata informohen menjëherë për gjendjen në Shqipëri.
Ka shumë nga mërgimtarët, që i ndjekin lajmet dhe situatat në Shqipëri më mirë
sesa ne këtu. Ndërkaq, radiot në makina gjëmojnë nga këngët shqiptare dhe nga
emisionet kulturore, artistike apo ato me theks patriotik e kombëtar, ndërsa,
në shfaqjet artistike, emocionohesh nga bukuria e magjishme e valleve dhe e kostumeve kombëtare shqiptare
shumëngjyrëshe, ku dominon ngjyra e flamurit kuq e zi me shqiponjën dykrenore.
Shoqatat kulturore zhvillojnë paraqitje veshjesh kombëtare shqiptare, çelin
ekspozita të arteve figurative në pikturë e skulpturë, por edhe punime artizanale shqiptare;
zhvillojnë festivale këngësh e poetike ose “Sofra poetike”, zhvillojnë sfilata
mode dhe festivale folklorike, bëjnë përurime librash. Mërgimtarët deri edhe
çelin pavione të veçanta në panairet e
librit në Tiranë me botimet e tyre kushtuar kombit shqiptar, ndërkohë që
zbulojnë dokumente të vjetra që flasin
për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe dhe i bëjnë ato të njohura duke i përkthyer,
duke i propoganduar. QKSH “Migjeni” në Borås, Suedi, kurorëzoi me sukses përkthimin në shqip dhe
botimin e veprës së Tunman “Për historinë dhe gjuhën e shqiptarëve”.
Tunman është albanolog suedez, i pari europian, që vërtetoi shkencërisht
origjinën ilire të shqiptarëve. Libri u prezantua edhe në panairin e 22-të të
librit në Tiranë, nëntor 2019. Teksti dygjuhësor suedisht dhe shqip, përkthim
nga origjinali gjermanisht, si rezultat i punës së përkthyesve Robert Elsie,
Hamit Gurguri dhe Ullmar Qvick.
-Çfarë mendon se duhet të bëjë shteti dhe qeveria
shqiptare për emigracionin?
-Mendoj
se ka shumë për të bërë. Të mbajmë parasysh se janë afro 500 fëmijë shqiptarë
nëpër botë, që kanë dëshirën të mësojnë në shkolla gjuhën shqipe dhe, për këtë
shteti ynë mund të ndihmojë si me programe të përshtatshme, ashtu dhe me tekste
serioze dhe metoda bashëkohore për mësimin e gjuhës shqipe. Kjo të unifikohet
dhe të mos i lihet spontanitetit apo disa njerëzve që priren nga dëshira të
mira por që nuk i kanë as aftësitë e duhura, as mundësitë dhe potencialet
arsimore, pedagogjike dhe intelektuale.
Ndërkaq
shteti ynë mund të mbrojë ligjërisht akoma më shumë dhe në mënyrë më të
kualfikuar shqiptarët në emigracion, që ata të mos nëpërkëmben, por të
trajtohen në vendet ku shkojnë si qytetarë me të drejta të barabarta. Shteti me
organizmat e tij të qëndrojë më pranë halleve të tyre, sepse jo të gjithëve u
ecën jeta dhe fati, jo të gjithë arrijnë të gjejnë vetveten në vendet ku
shkojnë, teksa, disa, bien në kthetrat apo në
kurthet e krimit. Shteti duhet t`u gjendet pranë këtyre njerëzve, të mos
t`i anatemojë e t`i mallkojë por t`i ndihmojë të vetorientohen në rrugën e
ekonomisë së lirë të tregut. Ndërkaq, shteti shqiptar duhet të propogandojë dhe
përgjithësoj, por edhe të mbështesë nismat dhe lëvizjet e tyre kulturore dhe
artistike. Janë me qindra shoqata shkrimtarësh dhe artistësh, qendra kulturore
shqiptare nëpër botë, të cilët duhen mbështetur dhe nxitur, por edhe duhen
ndihmuar me bazën e nevojshme materiale. Më shkon mendja që edhe vet mërgata të ketë këtu në
Shqipëri një apo më shumë organe të posaçme shtypi apo stacione TV, që të
shërbejnë si dritare të mërgatës, të
informojnë për shqiptarët në mërgatë, të trajtojnë problemet, jetën dhe
veprimtaritë e tyre social – ekonomike, kulturore, letrare, gjuhësore,
artistike, patriotike, të traditës dhe ato kombëtare.