Kerko: a
Mehmetali Rexhepi: Arti i përgjithësimeve ontologjike (2)
E diele, 01.12.2019, 03:54 PM
Studim (2)
ARTI I PËRGJITHËSIMEVE
ONTOLOGJIKE
Shefik Shkodra :
“AUREOLË E PËRHITUR” SHB “Sogjetime”; Gjilan, 2019
Nga
Mehmetali Rexhepi
Poezia si kjo
ngërthen tipologji, që e karakterizon dëftimin poetik përmes pleksjeve të
trajtave të dhunës, shfaqjes së barbarisë, jo vetëm si pamje vrastare, por dhe
si mendësi imponuese “nga psalme fëlliqtë demoniane.” Përvoja dhe intuita e
vetëdijes së zgjuar, në mesnatën gjysmë
të fjetur, nuk kishte si t`i shmangej ripërsëritjes së fantazmave “në oborre të
robit.” Fantazmat tashmë kishin hyrë,
ishin thyer gardhiqet, “nderen” e përcaktonin “yjtë e kuq!” Mjerimi i
psikologjisë së robit shfaqte trajtat e servilizmit, dorëzimin pa kushte dhe
radhën e darkës barbarëve të rinj të njëmendësisë ortodokse:
“Darka vazhdon me
yjet e kuq shija krejt zerdelinë
Dhe s`pranë hareja
me siklet të robërimit mesjetar!”*
Teksti ka brenda
vetës epitetin “yjet e kuq”, gjendjen e
detyrueshme kur “s`pranë hareja me siklet.” Mes dy kontrastesh haresë
dhe sikletit kishte hyrë robërimi mesjetar! Si mund të kishte hare
dhe siklet njëkohësisht?! Duke u thelluar më tej kësaj “hareje”, në
përfytyrimin e poetit ndjehet e duket
djallëzia partizane-çetnike, me stilin e ngadhënjimtarëve barbarë: ju vramë, ua
pushtuam truallin e konakun, duam darkën solemne dhe, shkalla e cinizmit
ngjitej në gradën më të lartë të
sikletit: të na bëni atmosferë hareje!?... Pleksjet ideore, gjendja psikologjike, dendësia e tendosjes, zierja e
mllefit... Kjo është forca e vargut të sprovuar, si dëshmi dhe si vizion, për
të mos u djegur kujtesa historike në breza!...
Foljen e shprehjes
me ngërthesë shpirtërore siklet, fare lehtë do ta zëvendësonte emri skile,
ose shumësi i emrit skilet... Kështu, mund të zgjerohej fusha figurative
e konotacionit, nga folja me barrë të rëndë emocionale, në një emër
simbol dinakërie e i dinakërisë shekullore... Poezia e këtillë lejon mundësi të
hapura për interpretime ideore-emocionale dhe modalitete të tjera...
Ontologjia poetike
ia zgjeron gamën e depërtimit poetit Shefik Shkodra, në relieve pamjesh të
lëvizshme, të ndryshueshme, sjelljesh vendnumërimi dhe jashtë ëndrrave të
gjakimeve, nëpër kundërthënie sistemesh, sprovime qytetërimesh në kahet e
absurdit dhe në paradokset e njerëzimit: “Si po u rritka njerëzimi me gjithfarë
fare dhe gjinie...”
Poezia me gamë të
zgjeruar motivesh, doemos nuk mund të
mos kishte një bosht graviteti dhe një skelet rrëfimtar, ku jo çdo fjalë do të
mbulohej me figura. Pohimi lidhet me poezitë e shtjellimeve me mbi dyzet vargje
e tutje. Çfarë mund të ndodhte përkitazi ndërtimit të kompozicionit homogjen të
tyre? Gjasat e daljes nga shinat,
shkapërderdhjes së idesë qendrore do të ishin afër heterogjenes. Teksti,
konteksti dhe nënteksti poetik ose do t`i nënshtroheshin një lloj rrëfimi, ose
do të mbuloheshin nga mjegullnajë e hirtë e paqartësisë?... Poezisë do t`i
ndodhte humbja e koherencës nga mbindërtimet fragmentare të tërësisë. A i
ndodhi një rrëshqitje e këtillë poetit Shefik Shkodra? Kultura e përgjithshme
letrare, përqendrimi, kujdesi, kriteri, disiplina e durimit krijues, fjalori
ontologjik, talenti qëmtues, nuk lejuan që poezisë së këtij poeti t`i mungojë
koherenca.
Gjatësia e
vargjeve monokolorë e këtyre shtjellimeve poetike do të ishte e mërzitshme,
sikur mos të shihnim kontraste dritë-hijesh, ndjeshmëri, emocione e
kënd-shikime dukurish ekzistenciale, me brenga njerëzore tej të sotmes...
Mandej, paraqitja e situatave shpirtërore të subjektit njerëzor me formulime
metaforike, përfytyrime, simbole, epitete, krahasime, ironi e mozaikë
karakteresh, gjendje drithëruese, lakime e depërtime shprehjesh labirinteve të
situatave...
*Po aty, f. 100
Leximi i sprovave
historike, përgjithësimi i ideve vetjake, kapja me anë të vargut e inserteve të
së veçantës dhe shkrirja e
tyre në unin e
përvojës gjithënjerëzore...
POETIKA E KARAKTERIT
Ku shpijnë caqet e
ideve poetike të Shefik Shkodrës? Para së gjithash te zgjimi i vetëdijes
mohuese e pohuese të lexuesit, jashtë suazave skematike bardhë e zi. Ngarendje
për hapërim të përhershëm për të kapur guximin krijues... Poeti i dha dorë
poezisë të skaliste, sikurse një skulptor i shkathtë, fisnikëri tek njeriu, tek
dukja dhe shpirti i njeriut. Trinomi i tij bie ndesh me “kënaqjen” e
ndërgjegjes në “paqen” e kamufluar, maninë servile, psikologjinë e
turmës të yshtur nga euforia, stereotipat
e fantazmave, klientët e dashurisë së shitur, anatemat e urtisë...
Ndërmjet lirikës me shenja onomastike bredhërish rinore, vjen mallëngjimi vjeshtor i moshës;
njëherësh dhe shartimi i çiltërisë me djallëzi e smirë... Vetëm një perde e
tejdukshme i ndanë të mirën nga e keqja, inatin nga sinqeriteti, ëndjen nga
mëkati, dhimbjen nga lumturia... Këtu është karikatura e theksuar e narcisit,
por dhe Feniksi bashkëkohës, konotacionet e Erëverës si shtrojerë e shpirtit të
trazuar, si lajtmotiv për vizionin e
lumturisë.
Urtisë poetike të
këtij autori inventiv, aty-këtu do t`i stisë edhe ndonjë trajtë e vargut
shpjegues, që nuk përkon me nivelin e stilit figurativ e të mendimit:
“Ngjashmëri e
pjellës së njeriut me dhëmbë kanibali
do pa ndjenja me
shpirt-frymë kuptoje biologjikisht!”*
Veset e ligësia e
karaktereve kur vihen në foljen e trajtës së pakryer, poenta poetike vë në pah
vazhdimësinë e tyre të pashëruar... Vijon padija dhe egoizmat, dashuria merr
trajtë të një “dashurie narcise.” Mëkatet dhe makutëria e përshkojnë mjedisin e
karaktereve të autorit, gjithnjë në trajtën e foljes të mënyrës së pakryer...
Si e tillë atmosfera zotëruese e të hirtës, edhe vargut të poetit, do t`i jepte
ngjyrë të zbehtë:
“Fryt i dobët do
të dilte kënga pa dëgjues.” Kësisoj, arti i këngës dhe i shkrimit paguajnë
tagrin e injorimit! Çka i mbeti poetit? Poetit i mbetet veçse ”shushurimë” e
gjetheve të monologut të vet! Kjo është
një vrasje e llojit të indiferencës; qenia njerëzore për dallim prej
katërkëmbëshve, ecë drejt tyre mbi dy këmbë! Vetmia edhe pa plumb vret. Kështu,
poeti i dha konotacion iluminist poezisë, ngase ndezi fanarë në bardhësinë e
ditës, sikurse Diogjeni me fenerin e tij simbolik, duke kërkuar njeriun!...
Titulli dhe
përmbajtja e poezisë “Injoranca e egoizmi”, janë në valë të njëjta me diskursin
për ndriçimin e trurit të njeriut. Pra, kjo notë i lypë urtisë një rol
reflektues, rrjedhimisht poeti bëhet mësues! Mirëpo, poezia a mund të ishte një
mësuese e moderuar me shkop në dorë për psikologjinë e mjedisit tonë?! Poeti
brengës së tij i dha trajtën e foljes të kohës së pakryer, ngase:
“Mosdija dhe
egoizmi janë nënë e bijë”*
Noli urtar do të
thoshte: Nuk i ka fajet druri po truri!
Poeti Shefik
Shkodra “Nga kambanorja”e tij poetike motivohet dhe motivon kthimin te
vetvetja, te pamjet e shëmtisë, që depërtojnë me
ngjyra të zeza në shpirtra! Shtresimi bashkëkohës i kënetës kundërmuese e
helmuese, ia zgjon të vjellat dhe i humbet oreksi për shumëçka... Vajtje-ardhjet nëpër këtë anames
janë infektuese! Arti kërkon kumbim të fortë të kambanës, për shkundje të
shëmtisë në jetën e njeriut tonë! Poeti
njeriun e mjedisit të vet e sheh, asisoj, siç nuk është duke e parë ai
ende veten e tij. Pasqyra e të parit të vetvetes është vet-mashtruese. Njeriu
ynë është katandisur keq në shëmti; pa asnjë parim të etikës njerëzore!
Zgjerimi i gangrenës së tillë do ta paralizojë ecjen drejt caqeve tona të
bardha!...
*Po aty, f. 101
* Po aty, f. 31
Duke e zbërthyer
tekstin, frazat figurative, idetë e hapura dhe kontekstet mes tyre, shfrimet e
ndjenjave autori i reduktoi në përshkrime pamjesh, në figura përfytyrimesh, në
epshe të ndezura gjakndezjesh e gjak-fikjesh... Kur të kumbojë kambana poetike,
dridhjet e kumbimit të saj shpijnë te një kumt drithërues...Me gjasë
alarmues!... Poezia e këtillë nuk është vetëm art për art. Ajo ngërthen mision,
porosi, urtësi, ndjellamira... Ajo i vete prapa
misionit udhërrëfyes, si një urtari i përballjeve me trysnitë e pamëshirshme
të epokave, të periudhave regjimesh të egra; gjithnjë duke mos e lënë të
vetmuar urtësinë kthesave marramendëse...
Para së gjithash
vokacioni i tipologjisë së këtillë
poetike është ontologjik. Ky vokacion thurë ledhe sprovash ekzistenciale me
hua-marrje pleksjesh etike, historike, filozofike dhe vizionare. Pra, barra
subjektive dhe universale që kishte poeti në shpirt, nuk ishte e lehtë të zbrazej në letër. Brusha e poezisë për
tablonë e pikturës së vet ngjyen edhe në diskurset tjera, me ndrojtje të
theksuar për humbje të fytyrës së vet
në mozaikun e ndërthurjes së
ngjyrave. Doemos duhej të mbahej baraspesha e mos rrëshqitjes as në njërën, as
në tjetrën sferë të superstrukturës shpirtërore, artistike e ndërdisiplinore.
LIRIKA E RRJEDHËS SË MALLËNGJIMIT
Motive joshëse në
librin e Shefik Shkodrës “Aureolë e përhitur”, janë e blerta e barit dhe
gjethimet rinore të pyllit e malit; kujtesa e shkapërderdhur e rinisë:
“ për ta prekë
këtë tokë të shenjtë si ëndërr
rruga s`ishte e
tepërt veç zor fund e maje
niseshe
këmbëzbathur pas fluturave nëpër bar
ato vrapime s`i
tejkalonin vendnumërimet
s`të linin të
dashuroje-vepër heretike ishte”*
Lirika e motiveve
rinore të poetit përshkohet mes dy ambientesh: a) malore dhe, b) urbane, nëse
mund të konsiderohej e tillë, për nivelin e rrethanave?... Ambienti i përthyer
malor, pos ajrit, ujit të krojeve, gurrave, përrenjve, lisave e jetës baritore;
asaj mënyre jetese i përkonte dhe mendësia patriarkale, e cila ndrydhte intimen
e të riut me disa tabu të konservuara... Frenohej panatyrshëm shfaqja e
ndjenjave të lirshme të rinisë!... Këso copëza dromcash, fragmentesh të një
bote tashmë të perënduar, kthehen te poeti si vranësira të mbarsura me shi në
stinën e thatësisë... Ato fragmente të periudhës fëmijërore e djaloshare, në
shkrimin artistik nuk vijnë drejtë për së drejti, por shfaqen të filtruara nga
mosha e lakuar e pjekurisë. Si do të pikasej ajo dhunti jete e avulluar?
E ëmbla rini e
poetit la gjurmët dhe shenjat e veta në onomastikën e një këndi të Arb-Dheut. Natyra
dhe intimja vetjake të ndrojtura dhe të ndrydhura, gjakimet e fshehura dhe të
djegura, tipare të gërvishtura nga lojërat me shtaga dhe “golfin” e malësisë,
shtigjet e mbyllura të kasolles prej burgut të borës... Çdo emërtim, çdo maje
mali, lëndinat, gurët, përrenjtë, dhiaret e lidhnin subjektin lirik me fije,
copëza ndodhish, bëmash çapkëne, patronime farefisesh dhe, të shkëputura si
ndjesi zemre e moshe, i japin trajtë
rrjedhjes të poetikës së përfytyrimit në galerinë e kujtesës, e lexuar
me syzat e mallëngjimit.
Në poezinë “Me
fyellin e vjeshtës”, arkivi i kujtesës në kokën e poetit, ruan perceptimet e
saj në hapësirë e kohë, tingujt e ngjyrave të melodisë... Melodia e fyellit,
ngjyrat e zverdhura e lidhin poetin me pamjet e maleve, me përfytyrime,
shfryrjet e shtrëngatave mbi lisa, ushtimën, terratisje e zbardhje, fëshfërima
gjethesh, aromë e barit të mugulluar, orkestrën e zogjve pa dirigjent, pëllitje
lopësh, cingërimë e kambanave të grigjës, kikiriku i orës së gjelave herakë
dhe, fatkeqësisht kthimi i shpinës tërësisht vendlindjes! Poeti, jo për fajin e
tij, ia kishte kthyer
* Pa aty, f. 40
shpinën virgjërisë
së maleve; atij relievi që e brumosi dhe
ende e josh, duke ia shpaluar ato faqe
ngjyrash pranverore e vjeshtore, me joshjen e parë të “kasolles-kështjellë
shkollore!”
Kush mund t`ia
përpinte më lehtë shtigjet, kodrat, përrenjtë, lugjet hapave të vetmisë së
poetit, pos melodisë? Melodia mallëngjyese e fyellit ia zbardhte të përhiturën
e ditës, siç ia kishte zbardhur e praruar “Fyelli” rilindësit të adhuruar, Naim
Frashërit shpresën, e cila ia shpinte shpirtin te njerëzia, tek Perëndia në
tokë e qiell! Poeti e shpie melodinë e mallëngjimit në çdo skaj, ku dëgjohen
tingujt e shqip-shqiptimit, për shtrirjen e dashurisë si shpëtim nga “deti i pambarim.”
Ta vështrosh
ndjeshmërinë poetike me nota mallëngjimi, si diçka jashtë ritmeve të modës,
është sikur t`ia shartosh njeriut një zemër me trurin artificial?! Poetit
dinamika e përditshmërisë ia thanë pakë nga pakë lirikën e mallit; mallin e
papërmbushur si qenie djaloshare, e djeshme dhe e tashme, shkëlqimet e
“përhitura” të thesarit djaloshar!
Mushkëritë e poezisë, me nota të këtilla, frymojnë dhe pulsojnë me ritmet,
ngazëllimin e hidhërimet e asaj rinie, por me urtinë e sotme të pleqërisë. Tek
poeti Shefik Shkodra njomështia e atyre tablove ende kundërmon, si kundërmim i
barit pas shkrirjes së borës fund-marsit e fillim-prillit... Ato janë thesare
të paçmuara, as shiten, as blihen!...
MAJËPENA TEJ-SHPUESE E IRONISË
Librin “Aureolë e
përhitur” e karakterizon ironia e depërtimit në karaktere të shpifur njerëzorë.
Penës së poetit i dalin para e prapa shpinës
imitues, të cilët nuk arrijnë të perceptojnë, as të kapërcejnë qarkun e
trupit të vet! Ky shtresim shoqëror tërë mjeshtërinë e mbyllë në një fletore “si kënaqësi të vetvetes.”
Intuita ftilluese e këtij poeti, nxori
në pah ironinë e llojit të mjediseve tona,
për “ mjeshtërit” mburracakë, sedër-fodull, fjalamanë e smirëzinj!
Përballja me
realitetin e elitave fodulle, është njëri nga parimet e papërkulshme, forca
ideore-estetike dhe etike e shkrimtarit Shefik Shkodra. Nuk mjafton të jesh i
papajtueshëm me “elitën”, e, të mos ia prekësh edhe majën e kupolës! E kundërta
e përballjes rezulton: ta shohësh borën në atë majë nga dhoma e ngrohtë dhe, të
pohosh: me mendje shpesh jam ngjitur atje!... Shigjetën poetike
shkrim-kërkimtari ua drejtoi “elitave” të shthurura, atyre që i trokasin
ndjeshmërisë dhe cenojnë paqen, pastaj ia shporrin gjumin njerëzimit...
Tetëdhjetë e katër
vargjet e poezisë “Shqetësime”, përshkohen nga poetika e shqetësimit, për të
ardhmen e urtisë njerëzore! Reflektimet fshikullojnë “elitën” politike, e
mbështjellë me pancirin e pushtetit në emër të shtetit?! Është i admirueshëm
portretizimi, asisoj si e kapin vargjet, anët e jashtme dhe brendinë e
“elitarëve” tartufë politikë; të shkëputur nga votë-besuesit, të cilët vetë iu
dhanë krahë të fluturonin mbi ta... Krahë
të tillë fluturues evolucioni biologjik
nuk ua kishte mundësuar!...
Poezia shtron
mëdyshje përgjithësuese për rikthimin e historisë në esencën e së keqes...
Ishte arritur që ledhi i faktorëve të jashtëm të zhbërjes, t`i lëshonte udhë faktorit të brendshëm, por ky i
brendshmi u bë po aq rrënues!... E brendshmja rrethanë shtet-ndërtuese e
ligj-zbatuese, për fajin e mallkuar të prijatarëve të pangopur, që përfituan
vetëm për veten dhe klanet; u shndërruan në tiranë të mëdhenj e të vegjël
zhvatës, duke lënë prapa heshtjen dhe
turpin ” kundër kusarëve ngadhënjimtarë!”*
Thellësia dhe
gjerësia e tillë art-jetike, me artikulime metaforike, simbolike dhe sistem
figurativ, ofrojnë mundësi të gjithanshme qasjesh, që brenda vetës ngërthejnë
gjakime për të bukurën, brengën e dhimbjen e përgjithshme, për mospërfillje
vullnetesh individuale e kolektive,
* Po aty, f.
për shmangien e së
vërtetës, për standardizimin e psikologjisë së gjysmakëve, për “vlerën” pa
kritere! Para rrethanash sikurse këto, poeti nuk dorëzohet, madje revoltohet
dhe rebelohet... Çfarë është ky rebelim? Rebelimi është artistik. Ai të fton të
bashkë-ndjesh, t`ia tumirësh cakun fisnik... Të grish ta ndjekësh kursin e tij,
të identifikohesh me të para se të hysh në botën e ndërliqshme, të një
realiteti të cilin nuk e sheh, nuk e ndjenë, nuk e ke prekur, nuk e ke
përjetuar, nuk e ke shijuar, ndaj meriton të zbërthehet... Si? Gjithnjë, sipas
ngjyrave emocionale, etikës njerëzore, filozofisë së ideve, sprovave stilistike
e jetësore të vargut.
Padyshim e ëmbla
dhe e hidhura janë të pleksura në jetën e njeriut. Shkrimtari personazhin
kameleon e pikasë edhe mes nuancave më të holla, sado të kamufluar prapa
ngjyrave të lëvizshme të mjedisit. Arti i fjalës së qëmtuar vijëzon ambientet e
helmuara, me vijëzime figurative... Akëcilit personazh ia nxjerr karikaturën,
ashtu si nuk e shihte veten e tij në pasqyrë. Autori personazhit të tij,
secilën herë deshi t`ia shmangte ecjen në kategorinë e shëmtuar të jetës.
Kështu, njeriut prore mëtoi t`i ofronte dorën e hijeshisë bleroshe, por dikush
nuk ndalej së pshurruri në trungun
e këtushëm blerosh!?...
Nëse e ndjekim
udhë-rrëfimin e autorit, kureshtja të shtyn t`i afrohesh, t`i qasesh se ke për të shtuar diçka tënden, por
nuk arrin se është flluskë e frymëzimit, iluzion, aromë dehëse, diell
përcëllues, tutje të shfaqet aureolave të biondeve në fytyra, buzë e vija të
përsosura... Më parë se ti e unë, dhuntitë i kishte vjelë autori... Nuk i voli
veçse për veten e tij... Jargët e instinktit
rrjedhin... Pra, lype: në cilën enigmë fshihet magjikja?...
GJYQI SUPREM I
NATYRËS
Kërkimet poetike e
sjellin poetin në një cak. Shpirti i tij arrin në cakun e shpalimit të fletëve,
kërcitjes së eshtrave pas rropatjeve të rrugëtimit. E madhërishmja natyrë ia
praroi dritën, gjithë atë pikturë vigane dhe ecejaket mbi të; tmerrin e
shfryrjes së tërmeteve, shpërthimin e bymimit të llavës, trazimin e paqes dhe,
gjetjen e kodeve për të madhërishmen e jetës?!... Poeti i ndodhur nga shtypje polesh të këtilla, ngarendte pas ligjëratës të shurdhërisë së fjalëve,
ndoqi kthesën e ditës, ikjen e dritës dhe kërkimin e pishës!... Mes tërbimit të
natyrës e të dykëmbëshit, diku në një skaj e priste vetmia, ligështia e lakut
dhe numërimi i kujdesshëm i hapave, ngrysja mallëngjyese, trishtimi dhe një
llambë e zbehtë...
E tëra kjo ishte
kapërcimi i verës dhe, arritja në vjeshtën e përhitur e në gjethet e flokut të
thinjur:
“Tërbimi i natyrës
së përjetshme nuk kursen dhimbje e mall!”
Ky është ligji
suprem i natyrës të cilës nuk i bën dot ballë!
ONTOLOGJIA E PËRKUFIZIMIT
Çka zbërthen ideja
e vetmisë si hije e ftohtë? Poetin e trishton hija e vetmisë dhe dëshmon:
“s`ka lezet muzika
veç për egon-
pa ia thënë askujt
atë më
intime”*
Çfarë shkrimtari
do të ishte ai që mbyllet në kullën e tij të fildishtë? Kriza e çiltërsisë dhe
indiferenca janë tejet shqetësuese për poetin, si qenie e ndërvarësisë shoqërore.
Përgjigjja është aty, nën lëkurën e
rrjedhës së damarëve të gjakut.
“Aureolë e
përhitur” begatohet me poemën “Baladë verore” e përmasave simbolike, për
qëmtuesin e të bukurës, të simbolikës kombëtare dhe universale, për poetin e
shkrimtarin Beqir Musliu. Poema ka shtrirje të gjerë dhe prekë
disa nga caqet e lakimit të fjalës, të mjeshtërisë së hyrjes e daljes
nga universi i ndërdymes...
*Po aty, f. 127
Poeti për poetin
kap lidhjet e universit njerëzor me universin poetik, urtësinë dhe dramën e një
krye-personazhi emblematik. Spikatë kodet, enigmat që i mbështjellin ato, duke
vijëzuar të madhërishmen dhe dhimbjen e krijuesit, ontologjinë dhe alkiminë e shkrimit, sferat fantastike të imagjinatës e magjiken, vizionin e tej
mesit kohorë; modernitetin e Mjeshtrit
tonë me sy qielli e gjerësi deti: robin
e letrave shqipe, Beqir Musliun.
Stili i të
shprehurit artistik i autorit Shefik Shkodra, brenda vetës pleks edhe rrëfim,
por rrëfimi nuk e përtrollit prozën... Janë për t`u theksuar veçmas kompozitat,
dy e më shumë kuptimesh, si Erëverë, hapore; togfjalëshat e
tipit: furkë e shtrigave, tis vegimor, skamja frymore...
Hasim edhe ndonjë shprehje të stilit
shkencor, si “Metaforikisht i rrisim gurrat” në poezinë “Besimi në ardhmërinë”*
Poezisë me
titullin në kllapa (Një profeci), i jep ritëm e dinamikë lidhshmëria anaforike,
karakteristike si ndërtim stilistik. Thënies poetike të vargjeve pa strofa, i
japin shtytje përsëritjet ritmike të anaforës përmes lidhëzës dhe. Çfarë
kemi këtu? Këtu kemi përshkallëzimin joshës të ritmikës poetike, dramën emocionale të ngjitjes...
Shijet dhe kultura
e leximit mund ose nuk mund të jenë të përputhshme nga lexuesi në lexues,
varësisht çfarë kërkon prej vargut njëri a tjetri; megjithëse shija ndryshon, por,
jo aq sa të jetë në skaje të kundërta.
Cikli i poezive
“Ligjëratë mallëngjimi” me shtatë njësi
poetike, sipas shijes sonë, arrin majat e rrumbullakimit artistik në relievin e
poezisë të poetit Shefik Shkodra. Këtu do ta veçonim njësinë poetike (Dyshime).
Kjo poezi ngërthen të sotmen me të gjitha mangësitë, dinakëritë, pabesinë,
mizorinë e ambicieve, manitë-fodulle, hipokrizinë, karakterin tekanjoz,
perversin, kurvarin, grabitqarin, makutin, hajninë politike, karrieristin e
sëmurë, bythë-lëpirësit, paranojën... I gjithë ky konglomerat sillet rreth
orbitës poetike te kategoria e të shëmtuarës. Fatkeqe, por e shëmtuara i
imponohet poezisë si kategori mbizotëruese estetike!
Përderisa teoria
post-moderne për artin, porositë e sforcuara ose krejtësisht të hapura të
ndonjë vepre, nuk i parapëlqen ashtu, që t`ua tumirë akëcilit poet a shkrimtar;
mirëpo, përkufizimet e qëndrueshme artistike nuk mund të përjashtohen. Përvojat
e sprovave artistike as shekujt nuk i rrëzuan. Pohimin e dëshmoi katërçipërisht
arti i teatrit të William Shakespeare!
Le t`i rendisim në
vijim disa përgjithësime përkufizuese, filozofike të cilat i pamë për gjatë
shtjellimit të këtij libri poezish,
ngase si të këtilla mbartin përvojë mençuruake:
1“Pritja
përsëritëse u shndërrua në kohë të nëmur” (Baladë për dashurinë);
2“më shumë
psherëtima ishte frymëmarrja jonë!” (Shtëpia e orëve);
3“Ruaju nga foljet
e shumta e me dymendësi!” (Dyshime);
4“E vjetër koha e
vjetër nëma e lashtë loja e gjuha detarisht” (Bukuroshja e Adriatikut);
5“ I pa kohë të
mjaftueshme sa për një këngë mallë!” (Me fyellin e vjeshtës);
6“Si të ngryset
nata kur dita duket e errët” (Margjinale);
7“ Të mos
keqësohet mendja me shqisa të mangëta!” (Shtegtarit);
8“Le t`i djegë
rreze e dritës rrënjët e hipokrizisë!” (Shtegtarit);
9“ Lehtësojani
ngarkesën në bredhëritje bote apatridit!” (Shtegtarit);
10“Si të shpëtoje
pezull në hapësirën eterike!” (E pa kryera);
11“Derri mbetet me
zanatin e vet-i zhgërryer fëlliqtë” (Shqetësime);
12“Djajtë fshehtas
prisnin rrënim njerëzor nga epidemia”
(Shqetësime);
13“Shumë
murmurisje dhe kur nuk dije asgjë të
këndoje!” (Portretizim në të pakryerën);
14“E shkurtë është
koha për ditarët me intrigantë?!” (Narracion qëndrese);
*Po aty, f. 51
15“E do ndryshimin
e botës por jo dhe shpirtin e vet!” (Narracion qëndrese);
16“Këta padronë si
gjykim i marrin fakirat për dorëzanë!”(Narracion qëndrese);
17“Festa po na kushton si Neroni i tërbuar me
Romën!”(Rubikoni);
18“Të tradhtoi
ëndrra se ishe ende në zenit të ditës!” (Nga stina e butë);
19“Gjërat e imta i
kërkoje në maje t`majës së gjilpërës pickuese!” (Baladë verore);
20“Merre hijen e
atit tënd-mos harro...!” (Porosi e thjeshtë).
Gjilan, Nëntor 2019