Mendime
Adil Fetahu: Përçarje dramatike të kishës ortodokse
E merkure, 06.11.2019, 09:44 PM
PËRÇARJE DRAMATIKE TË KISHËS ORTODOKSE
Nga
Adil Fetahu
Se Kisha Ortodokse është
organizatë puro social-politike
shtetërore dhe pushtuese, “spiritus movens” e ideve rusomadhe,
serbomadhe e grekomadhe, kjo është dëshmuar gjatë gjithë historisë së
funksionimit dhe veprimit të saj. Ajo
ka frymëzuar, nxitë, bekuar,
përkrahur e ndihmuar luftërat agresive e pushtuese dhe krimet kundër popujve dhe vendeve tjera, për të përhapë
ortodoksinë me dhunë. Ne, shqiptarët e
kemi provuar “me lëkurën tonë” politikën kriminale të kishës ortodokse serbe,
greke, bullgare dhe ruse.
Pas pavarësimit të shtetit
të Ukrainës nga shteti i Rusisë (1991),
shumica e qytetarëve të Ukrainës ishin të pakënaqur me qëndrimet e Kishës
Ortodokse Ruse, prandaj kërkohej edhe pavarësia e kishës ukrainase nga ajo
ruse. Kjo kërkesë u bë aq më aktuale dhe
intensive pas aneksimit të Krimesë nga forcat ruse. Në këtë drejtim u angazhuan
disa klerikë po edhe vet kryetari i shtetit, Peter Poroshenko. Ata kërkuan nga
selia e ortoksizmit, Patrikana Vaselene e Stambollit, që t’i jep pavarësinë e
Kishës Ortodokse të Ukrainës nga ajo e Rusisë. Kreu i Patrikanës Vaselene të
Sambollit, Vartolomej, në janar të këtij viti (5 janar 2019) nënshkroi aktin
zyrtar (“Tomos”-in), me të cilin e njeh pavarësinë e Kishës Ortodokse të
Ukrainës, nga KO e Rusisë. Kisha ruse menjëherë e kundërshtoi këtë akt të
Patrikanës së Stambollit, duke e quajtur si letër të pa vlerë, tejkalim të autorizimeve kanonike dhe si akt
përçarje mes kishave ortodokse, dhe i ndërpreu marrëdhëniet me selinë kryesore
të kishës ortodokse të botës, Patrikanën e Stambollit. Tash në Ukrainë, sidomos
pas pushtimit dhe aneksimit të Krimesë dhe Sevastopolit, të aneksuara nga
Rusia, disa klerikë janë me kishën ruse,
po edhe brenda pjesëve tjera të Ukrainës vepron “kolona e pestë” lojale Moskës,
e cila nuk e do as pranon shkëputjen “separatiste”, prandaj shumë klerikë janë
ithtarë të KO ruse, e jo të kishës autoqefale të Ukrainës. Se kisha ortodokse
është e politizuar, dëshmon edhe fakti se klerikët e krahut të Patrikanës së
Moskës, nuk i kryenin shërbimet e vorrimit të ushtarëve ukrainas të rënë në
luftën kundër forcave ruse me rastin e pushtimit të Krimesë.
Sipas vlerësimit të qarqeve
kishtare ortodokse, kjo është përçarja më e madhe që ka ndodhur në Kishën
Ortodokse, prejse kjo është ndarë nga Kisha Katolike (në vitin 1054). Përçarjet janë të hershme, por janë mbajtur
si prushi nën hi. Sepse, Kisha Ortodokse Ruse qëmoti mbante një rivalitet ndaj
Patrikanës së Stambollit, duke pretenduarse Rusia është nëna dhe shpëtimtarja e
të gjithë popujve ortodoks në botë. U gjet momenti i shpërthimit vrullshëm të përçarjes, me rastin e pavarësimit të KO të Ukrainës. Kreu
i KO ruse i ka ndërprerë marrëdhëniet edhe me Kishën Ortodokse Greke, për shkak
se kjo e fundit i ka njohur Patrikanës së Stambollit të drejtën dhe autorizimet
për t’i dhënë pavarësi KO të Ukrainës, dhe më 12 tetor 2019 Sinodi i Arkierejve
të KO Greke e njohu pavarësinë e KO të Ukrainës. Në komunikatën e KO ruse,
thuhet se i ndërpret marrëdhëniet me patriarkun grek, por do të mbajë kontakte
me klerikët e kishës greke, të cilët nuk e njohin pavarësinë e Kishës së
Ukrainës.
Të prirur me idetë e
konspiracionit, që për çdogjë të pakëndshme që iu ndodhë, ta fajsojnë Amerikën
dhe Perëndimin, edhe për këtë përçarje
brenda kishës ortodokse, fajin ia mveshin Amerikës. Lidhur me këto ngjarje
brenda Kishës Ortodokse, kryetari i Rusisë thirri dhe mbajti mbledhjen e
Këshillit të Sigurimittë shtetit, me të vetmën temë: Situata në Kishën
Ortodokse pas vendimit të Patrikanës ekumenike të Stambollit. Ndërkaq, ministri
i jashtëm rus, Lavrov thotë se shkëputja e KO të Ukraninës nga Patrikana e
Moskës po bëhet me përkrahjen e haptë të Vashingtonit. Ky reagim i kreut të shtetit për ngjarjet
brenda kishës nuk i çuditë njohësit e politikës së shteteve ortodokse, sepse
ato përpiqen që përmes kishës të mbajnë në orbitën e vet politike edhe popujt e
tjerë.
Aktualisht, Kisha Ortodokse
Serbe përpiqet të mbajë njëfar balance, por gjithësesi e kundërshton
separatizmin, përçarjet dhe shkëputjet në strukturat e kishave ortodokse,
ndërsa “mizën nën kapuç” e ka te Kisha Ortodokse Maqedone dhe ajo Malazeze,
pavarësimin e të cilave kjo nuk e njeh as nuk e pranon.
Po
Shqiptarët e Ukrainës ku janë në këto ngjarje?
Në Odesë të Ukrainës ekziston një diasporë shqiptare, të
emigruar në kohën e pushtimit otoman të
Shqipërisë. Ata pas qëndrimit një kohë në Bullgari e Rumani, para më se 200 vjetëve
janë vendosur në Ukrainë. Ishin kryesisht toskë ortodoksë nga rrethi i Korçës
dhe Pogradecit. Konsiderohet se janë nja 5000 banorë ukrainas, të cilët e
identifikojnë vetën me prejadhje shqiptare, të cilët ruajnë veshjet, zakonet,
gjuhën dhe tiparet dalluese shqiptare. Por, duke marrë parasysh se ka kaluar
kohë e gjatë prej ngulitjes së tyre atje, llogritet se mund të jenë nja 50.000
banorë me prejardhje shqiptare. Në nja tri-katër fshatra, kah bregdeti i
Azurit: Karakurt, Devneskaja, Gjeorgjevka dhe Gomovra, në të cilat ishin më të koncentruar, akoma i
ruajnë doket e zakonet shqiptare,
festojnë Shëngjergjin, që e lidhin me emrin e Gjergj Kastriotit. Akoma e flasin
toskërishtën e vjetër, të përzier me fjalë ruse. Fshati Karakurt (në vitin 2011) kishte 1269
shqiptarë, 462 bullgarë, 387 gagauzë, 182 ukainas dhe78 të tjerë. Aty flitet
toskërishtja e vjetër, ruhën zakonet, veshja, tradita. Në qendër të fshatit
është vu busti i Skënderbeut. Fshati ka muzeun, shtëpinë e kulturës,
bibliotekën dhe një shkollë në të cilën mësohet shqipja.
Në të kaluarën atë diasporë
e kanë vizituar Fan Noli (1911), At Artur Lioneli (1979), të cilët kanë mbajtur
meshë në kishën lokale dhe janë takuar më minoritarët shqiptarë. Në vitin 2006
“Lidhja Shqiptare në Botë” vizitoi Odesën dhe organizoi manifestime kulturore
me diasporen shqiptare, ndërsa në vitin e kaluar (2018), atë disasporë
shqiptare e vizitoi ministri i diasporaës, Pandeli Majko. Natyrisht, është e
nevojshme një lidhje më e fortë, vizita më të shpeshta dhe ndihma me tekste dhe
eventualisht me ndonjë mësues të gjuhës dhe kulturës shqiptare, në mënyrë që të
mund ta ruajnë identitetin e tyre të prejardhjes shqiptare. Sepse koha e bënë
të vetën në asimilimin e plotë të tyre. Ata mund të jenë tash edhe viktimë e
përçarjeve të kishës ortodokse ruso-ukrainase.