Mendime
Fahri Dahri: Dëshmi e egërsisë së ortodoksisë bizantine greke
E shtune, 26.10.2019, 12:48 PM
KLLOGJER
DËSHMI E EGËRSISË SË
ORTODKSISË BIZANTINE GREKE
Nga
Fahri Dahri
Në Kllogjer më
6 TETOR 2019.
Sigurisht më
kujtohet ky vend, ose të jem më i qartë, më kujtohet se në fëmijërinë time
kisha kaluar në këtë pllajë, por nuk e dija që quhesh edhe Kllogjer, deri vonë
e njihja me emrin Xarrë.
Në parantesë:
Kllogjeri është një pllajë ose më saktë një kullotë e gjërë në Bashkinë e
Konispolit. Nga biseda me djalin tim, i cili na e bëri “dhuratë” këtë rrugëtim
aq të dëshiruar, nga që unë e përmendja shpesh, sidomos kohët e fundit, u
përqëndruam edhe në kuptimin e emrit “Kllogjer”, nga ku djali bëri një zbërthim
gjuhësisht të pranueshëm. Ky diskutim lindi mbasi në takimin tonë me një
konispolat, i cili në bisedë e sipër kur ne i treguam se kaluam andej nga
Kllogjeri, tha se nuk e dinte kuptimin e emrit- Kllogjer. Ne qeshëm dhe në mes
shakave i thamë se emri Kllogjer, nënkupton “kullotë e gjerë”: Spjeguam
gjithashtu se në dialektin thesprot-çam, fjala kullotë, shqiptohet kllotë, pa
zanoren “u”, pjesa tjetër është fjala gjer, pra: Kllo-gjer= kullotë e gjerë.
Këtë të shprehur e ndeshim edhe në rastet kur themi: kullon gjak = “kllon
gjak”; apo kullon djersë = “kllon djersë”, etj.
Afro 75 vite
më parë, të gjithë banorët e Çamërisë së sipërme, gjatë 15 - 25 gushtit 1944,
të ligështuar, të uritur, të sëmurë me plagët e pleqërisë dhe plagët e
shkaktuara nga dhuna e ushtruar prej zervistave kanë kaluar, shumica e tyre në
këtë rrugë. Pjesë e asaj turme isha edhe unë 6 vjeç
e gjysëm bashkë me tre prinderit, katër motrat dhe vëllain. Familja jonë në
kapërcimin e kufirit përbëhej nga 9 veta. Më pas nga kalimi i kufirit, pikërisht në këtë zonë na vdiq motra e vogël 11
muajshe nga uria. Siç dihet tashmë, në këtë pllajë ishin të shumtë njerëzit që
nuk arritën të vazhdonin rrugëtimin për ti shpëtuar “kanibalëve të ortodosisë
greke”.
Ky vend është
vendi simbol, i mbi 2,770 banorëve çamë, nga të gjitha moshat, të cilët lëshuan
frymën e fundit të jetës së tyre, u mbuluan me dheun e Kllogjerit, i cili ka
mbi 10 vjet që është kthyer në pelegrinazh për të gjallët që shpëtuan dhe
vazhduan rrugëtimin, por dhe për pasardhësit e farë-fisit çam, që nderojnë me
respekt të parët e tyre dhe mban të gjallë trashëgiminë e fisit më të vjetër të
Gadishullit të Ballkanit.
Le të kthehemi
tek qëllimi i udhëtimit tonë Tiranë, Sarandë, Kllogjer, Qafë Botë, Konispol dhe
kthim.
I lindur në
Çamëri, para vitit 1944-1945, dëshmitar okular i masakrave ç’njerëzore dhe
dëbimit të dhunshëm i të gjithë banorëve myslimanë të prefekturës së sotme greke të Thesprotisë,
duke u bazuar në dy shkaqe dashakeqe të palës greke:
- të qenurit
myslimanë dhe jo ortodoksë, sipas strategjisë së “MegalloIdesë” për të bërë të
mundshme helenizimin e territorit të Çamërisë, e cila asnjë herë dhe në as një
kohë nuk ka qenë territor grek, dhe as e helenizuar deri para vitit 1913 dhe,
- qenia e
territorit të Çamërisë, vahzdimësi e territorit të Shqipërisë etnike, ishte dhe mbetet një
ankth i përhërshëm i qeverive dhe kishës Greke, fakt i cili ka trazuar dhe
trazon keqas mbarështimin e helinizmit në Epirin e kaonëve, thesprotëve dhe
mollosëve.
Ngarkesat e
ndryshme historike të cilat ndodhin në jetën e çdo njeriu, sigurisht të
ndryshme, jo të njëjta dhe as të plota (sepse jo të gjithë arrijnë të
kapërcejnë të tetëdhjetat apo të nëntëdhjetat), sepse jo gjatë gjithë jetës
kanë intensitet kujtues, por intensiteti kujtues, shpeshtohet pikërisht kur
moshat “thyhen”. Është ky fenomen që më shtyu për të kryer një rrugëtim, i cili
sillte në kujtesë udhëtimin e para 75 viteve, ku turmat e njerëzve shpresë
humbur ecnin drejt të panjohurave.
Natën e të
shtunës e kaluam tek nipi, djali i motrës në Sarandë. Në mëgjes morëm udhën për
të plotësuar qëllimin tonë. Me ne erdhi edhe nipi, por në një lokal, pa dalë nga Saranda ku
pimë kafen, na u afrua një person, ai përshëndeti italisht. E takuam dhe e
ftuam të ulej me ne. U prezantuam. Djali i tregoi për udhëtimin që do bënim si
dhe shkurtimisht arësyen. Ai u ndje i qetë dhe shfaqi dëshirën të ishte pjesë e
udhëtimit. Kështu ekipi ynë prej 4 vetash nisi rrugën e qëllimtë. Mbasi dolëm
nga Saranda, zbritëm në Gjashtë, vazhduam rrugën e drejtë dhe mbas 20 minutash
u ngjitëm kodrave në drejtim të Konispolit.
Bisedat në
makinë ishin të përqëndruara rreth ngjarjeve të viteve 1944. Djalit i duhej ta
njihte shoqëruesin italian me ngjarjet e viteve 1944-1945, për të cilat mua nuk
më “pushonte” goja. Damiano, kështu quhej italiani, jo vetëm që habitej, por
nuk arrinte të kuptonte që shteti Grek të kishte kryer një gjenocid fetar dhe
etnik, akoma më keq vazhdon të mos pranojë ta njohë, të pendohet, të kërkojë
falje duke rikuperuar sa më shumë të jetë e mundur. Ai shprehu keqardhje edhe
për BE-në e cila qendron indiferente ndaj një masakre makabre dhe që nuk
ndërhyn për zgjidhje, brenda të gjitha të drejtave ndërkombëtare.
Makina ecte në
rrugën me kthesa, sipër fshatit Xarrë dhe më pas ndaloi. Zbritëm nga
makina. Djali, i cili kishte qenë edhe herë të tjera në këtë vend bashkë me
shumë vizitorë në përkujtim të datës simbol të 27 qershorit 1944, na tha se
arritëm tek përmendorja e “Gjenocidit ortodoks grek ndaj banorëve autoktonë
të shqiptarëve të besimit mysliman të Rajonit të Çamërisë”.
Ja, erdhi kjo
ditë që unë, dikur një fëmijë i trembur, i tromaksur, i hutuar, që nuk kuptoja
se ç’farë po ndodhte, të rikthehem në këtë vend, por tashmë një i moshuar, ku
kanë kaluar 82
vite jete, me ngarkesa pozitive dhe negative, i kompletuar me ndodhira të
shumta, të ndryshme dhe me horizonte të mjaftueshme për dijet lidhur me
historinë, gjeografinë, etninë dhe identitetin tim dhe të farë e fisit thesprot-çam.
Jo vetëm i
paisur me informacion pothuaj të plotë për trevën e Thesproti-Çamërisë dhe
trashëgimisë së prejardhur nga lashtësia e hershme e deri në ditët tona, por
dhe me ndjenjën e një kënaqësie të brendshme për arritjen e të shkruajturit në disa libra gjithçka
që kam përjetuar dhe për gjithçka që kam arritur të informohem. Nëpërmjet hulumtimeve dhe gjurmimeve të shumta në shkrimet e
autorëve të ndryshëm, dhe dokumenteve të kancelarive ndëreuropiane etj, ku janë
trajtuar ngjarjet e shumta tepër agresive, të vazhdueshme dhe prej disa lloje
pushtuesit të egër, të pamëshirshëm gjatë gjithë dymijëvjeçatit të erës sonë,
sidomos dhe kryesisht ndaj” FARËS” së fisit thesprot-çam.
Mbasi zbritëm,
me hapa të ngadalta dhe me kërshërinë e ligjshme për ta parë dhe ballafaquar me
këtë vend, simbol i shëmtisë dhe marrëzisë njerëzore të etur për ekspansion pa
kufi të helenizmit, nëpërmjet shfarosjes së popujve që nuk janë të besimit
ortodoks grek dhe as që e flasin ndonjë fjalë greqisht, u përfshimë nga një
heshtje, ashtu sikur po ecnim nëpër varrezat e sapo ndërtuara, ku nën këtë dhé
të Kllogjerit dergjeshin prindër, motra, vllezër, fëmijë, lindur në dhéun
mat’anë kufirit “Shqipëri-Shqipëri” të para vitit 1913.
Pasi u futëm
brenda terriorit të simbol varrezave (po e quaj kështu) të atyre njerëzve (me
mosha dhe gjini të ndryshme) të cilëve ju shua jeta si shkak i torturave,
sëmundjeve lënguese, urisë dhe marazeve, u afrova tek faqja e “mermertë” ku
ishin shkruar emrat e disa prej atyre 2,770 frymëve, që kanë 75 vjet që prehen
në nëndhéun e kësaj zone. Zonë e cila do mbetet e përjetshme në kujtesën njerëzore si
strehë e mbi 10 % të banorëve të rajonit të Çamërisë, të cilët u viktimizuan
nga agresorët grekë të besimit ortodoks. Një nga këta, që fryma e jetës u ndal
në këtë rajon, është edhe motra ime 11 muajshe e quajtur Habibe, halla e
djalit dhe tezja e nipit që më
shoqërojnë!
Sigurisht, pa
asnjë mëdyshje, kjo permendore apo memorial është në vendin e duhur, është një
tregues tepër kuptimplotë i cili i shërben dhe do ti shërbejë si një histori
tepër e dhimshme, shoqërive njerëzore; gjithashtu si kujtesë e ligësive dhe e
egërsive të atyre popujve që shpirti i tyre është inspiruar për të vrarë,
masakruar dhe dëbuar nga shtëpitë e tyre popujt e tjerë të racave, etnive dhe
të besimeve fetare që nuk i nënështrohen dhunës për tu bërë si ata.
Të katër sa
ishim, në mënyra të ndryshme përjetuam dhimbje, keqardhje dhe habitje se si
mund të quhet e pranueshme dhe e njerëzishme një kasaphanë, një masakër e
përmasave të tilla, ku mbi 30% e banorëve autoktonë të vritet, të theret, të
vdesin nga torturat, uria dhe të ftohtit. Po ashtu dhe pjesa tjetër 70% e
këtyre banorëve autoktonë të një rajoni të tërë të dëbohet dhunshëm nga vendi i
tij, brenda një kohe të shkurtër vetëm e vetëm sepse nuk u nënështrua të
pranonte besimin ortodoks. Si rrjedhojë të këmbenin në tregun e ndërrimit, kombin e tyre shqiptar me atë të kombit ortodoks grek, për të
përbaltur identitetin dhe trashëgiminë e tyre të hershme aq sa dhe vetë të
parët e tyre pellazgjikë. Jo. Kjo nuk mund të ndodhte dhe as nuk ka për të
ndodhur!.
Të
ulur në bordurat e këtij memoriali, na tërhoqi vemendjen një element fare i
thjeshtë, i cili i mungonte këtij investimi të madh, që siç është lexuar në
shtypin e kohës, arriti vlerën e rreth 7 milionë euro. As në portën hyrëse, as në “ballin” e fasadës së
mermertë, ku janë shkruar emrat e shumë njerëzve për të cilët është ndërtuar ky
memorial, nuk është cilësuar dhe as shprehur me shkrim se për ç’farë është
ndërtuar memoriali, kujt i dedikohet, ç’farë përfaqësojnë këta emra e mbiemra
njerëzish, ku kanë lindur, pse janë “groposur” në këtë vend?!.
Po ashtu na u
duk një e gjetur jo e duhur edhe vendosja e një pllakade me mbishkrimin
“Çamëria”. Kjo pllakë ishte vendosur bashkë me disa gurë, sigurisht të
përpunuar, që mesa duket simbolizojnë varrgropat e gushtit 1944 brenda një
rrethi, në të djathtë të memorialit. Pllakada me mbishkrimin “Çamëria” nuk mund
të qendrojë e vendosur në atë pozicion, me arësyetimin dhe të vërtetën e
pamohushme se Çamëria nuk është varrosur, ajo është një rajon gjeografik me
histori më të parë se të parat dhe me banorë që vargduarlidhur ata shtrihen
deri tek
banorët më të parë të Gadishullit Ilirik (sot Gadishullit të Ballkanit).
Të habitur
vështronim njëri-tjetrin dhe bashkëbisedonim, se si është e mundur që kjo vepër
artistike, me vlera tepër të mëdha historike dhe humane, treguese e një
gjenocidi të pa shoq, të mos ketë as “emër dhe as mbiemër”?.Të jetë harresë,
nuk mund të pranohet! Të jetë pakujdesi, nuk justifikohet, sepse këtu çdo vit
vijnë të organizuar mijëra njerës, pasardhës të këtyre emrave të renditur në
këto pllaka të mermerta dhe patjetër dikush do ta kishte këkuar këtë kryefjalë,
këtë mbishkrim, sepse edhe në çdo varr, qoftë dhe i thjeshtë e ka një mbishkrim!.
Atëhere ç’të ketë ndodhur vallë?!.
Frikë?,
Trysni? Kanosje apo Kusht?. Le të mos paragjykojmë, por kryesia e SHPAÇ të
marrë masa urgjente dhe të shkruajë epitafin (mbishkrim përkushtues në ato pllaka mermeri): “Këtu
dergjen burrat, gratë, vajzat, djemtë dhe fëmijët, të cilët vdiqën si
rrjedhojë e gjenocidit grek ndjaj banorëve autoktonë të Rajonit të Çamërisë
gjatë vitit 1944-1945”. Ndërsa pllakadën me mbishkrimin “Çamëria”, ta heqë nga
“varrgropa” dhe ta vendosi në hyrjen e memorialit, atje sipër, ku shikimi e
kapërcen “Qafë-Botën” dhe pamja arrin deri në malin e Dulgës ku vazhdon që nga prehistoria derdhjen lumi
Thyamis (Kalama) në detin Jon.
Mbasi shetitëm
këtë vend përkujtimor, morëm rrugën drejt “Qafë-Botës”, sot pikë kufitare mes
shtetit Grek dhe shtetit Shqiptar. Qëllimi i shkuarjes sonë, nuk ishte pika e
kufirit, por sepse plot 75 vite me parë, konkretisht më 15 gusht të vitit 1944,
pjesa më e madhe e banorëve çamë të dëbuar dhunshëm nga vendlindja e tyre, ku
bënte pjesë dhe familja ime kanë kaluar këtu, në këtë vend dhe u shpërndanë
sipas familjeve nën hijet e ullinjëve të fushës së Vasilikoit. Të lodhur, të
raskapitur, të mërzitur deri në palcë, fuqipakët, të uritur, të etur dhe mendje
“çorap”, familjet zunë vende nëpër hijet e ullinjëve.Të gjithë më të mëdhenjtë
“vrisnin” mendjet;
ndërsa pyetja dithëruese: “Po tani ç’farë do të bëjmë?”, ndiqte ritmin e
pulsit, nervit që dukej tek tëmthtat e kokës. Hë!. Ç’farë do bënin në mes të tokës dhe qiellit, kur të
sëmurët lëngonin, fëmijët qanin për ujë e bukë. Vërtet në tokën e Shqipërisë,
jashtë rrezikut vrastar ortodoks grek, por ata, prindërit dhe të gjithë ne
ishim përpara kanosjes vdekjeprurëse.
Nejse, e lëmë
përshkrimin e asaj situate dramatike. Duke treguar gjendjen e familjeve çame të
asaj periudhe, vendosa t’ju rrëfenj treshes që më shoqëronte një të vërtetë, të
cilën për 75 vite e kam në kujtesë të plotë, por të pa kuptueshme.
Pikërisht nga ky vend që
është bërë kjo foto, u tregova se mbasi familjet çame ishin shpërndarë nëpër
hijet e ullinjve të Vasilikoit, që siç u tha ishin në pikë të hallit, nga sipër
fshatit të Konispolit, lart nga mali i Likojanit, dukej vargu i partizanëve të
cilët ecnin nga jugu drejt veriperëndimit dhe hera herës dëgjonim krisma
pushkësh. Një plumb arriti deri tek tepsia e gjyshes time, e cila e kishte vënë
për mbrojtje. Plumbi goditi tepsinë dhe ra përdhe, forca çpuese ishte e dobët; ndërsa një tjetër
plumb qëlloi festen që mbante në kokë vëllai im, e çpoi atë tej për tej, por
fatmirësisht vllai nuk pati asnjë dëmtim. Në kodrat nga perëndimi, më poshtë
nesh, rreth 4 -5 km dhe gjatë bregdetit po kalonin kollonat me ushtarë gjermanë
të cilët iknin dhe iknin.
Familjet tona, kuptohet
ishin në mes të hapësirës, larg pozicioneve të të dyja forcave, asaj partizane
dhe gjermane. Megjithatë hera-herës plumbat e ftohtë që vinin nga mali në
verilindje të Konispolit, na shoqëronin me nobete (ndërprerje) nën hijen e
ullinjëve.
Më pyetën pse ndodhte ky
veprim, por unë atëhere isha i vogël dhe nuk kuptoja asgjë, por edhe sot që po
u a tregoja atyre, përsëri nuk arrita t’ u a spjegojë këtë “pse” me
“sepse-në”?!.E lamë edhe Qafë-Botën dhe u nisëm drejt Bashkisë së Konispolit,
bashki e cila përfaqëson një pjesë të së tërës Çamëri.
Të shkuarit në Bashkinë e
Konispolit, ishte e planifikuar dhe, me atë vend përfundonte udhëtimi ynë nga
ku do të fillonte kthimi drejt nisjes. Qellimi i shkuarjes në Konispol, nuk
ishte thjeshtë i rastësishëm. Konispoli dhe 7 fshtrat (Janjari, Ninati,
Markati, Vërva, Shalësi, Pandalejmoni, Dishati) sikundër u përmend, kanë qenë dhe mbeten pjesë e
pandarë e rajonit të Çamërisë dhe dikur (para 1912 dhe edhe deri në vitin 1942)
nëpërmjet kësaj qyteze mbaheshin lidhjet vllazërore, kulturore dhe shpirtërore
mes banorëve të të dy anëve të kufirit. Kështu duke vizituar Konispolin, tashmë
i mirëfilltë si qytet, personalisht ndjeja aromën e vendlindjes time, e cila
siç thashë, vështrohej me lehtësi nga këndej.
Megjithatë e shoh të arësyeshme të jem transparent
me lexuesit. Shpesh në këto raste disa
njerëz shprehen për nostalgji, apo për “obobooo-ç’na ka gjetur”, apo “oh
kujtimet tona”, “oh të shkretat pasuri” e tjerë, etj. Jo. Nuk ishte ky qëllimi
im i vizitës në atë qytet.
Gjithë njerëzit janë të “mbërthyer” nga një shumës
vesesh, ndërgjegje në masa të ndryshme, po ashtu përgjegjshmëri të plota ose jo dhe së fundi të gjitha këto
veprojnë brenda ekzistencës së çdo njeriu, me përmasa ku më shumë e ku më pak.
Unë, le ta themi haptas përfshihem tek ata njerëz
që priren më tepër drejt përgjegjshmërisë dhe ndërgjegjshmërisë ndaj së
vërtetave, të ndërlidhura këto në vartësi të kohës dhe mundësive, pa harruar
asnjë herë kujtesën për çka ka ikur, jo për dje apo për pardje, por për ikjet
historike.
Me qënë se shkrimi erdhi në këtë
çështje, që njihet si: "Çështja Çame", personalisht më duhet të bëj
një sqarim apo spjegim, gjithmonë në konceptimin tim të kësaj Çështjeje.
Çështja e shumëdiskutuar në vazhdimësi gjatë këtyre 75 viteve, herë e ndezur,
herë e shuar, herë e ngritur si çështje dhe shumë herë e heshtur; nuk duhet
kuptuar thjeshtë si një ngjarje ku një shtet i tërë, i cili vuri në lëvizje të
gjitha strukturat apo hallkat e tij, për shkatërrimin e plotë të një komuniteti i njohur
historikisht si një etnitet unik dhe i shtrirë
në një hapsirë territoriale fort mirë të përcaktuar.
Jo. Kjo nuk ka shumë rëndësi për tu
ndalur dhe komentur, mbasi
forca ushtarake, forca e diktatit ligjor shtetëror, teknikat luftarake dhe
administrative të një shumice absolute, mbi 350 herë më e shumtë se një grup i
vogël komunitar dhe pa asnjë mbrojtje dhe miq,
nuk mund të vihen në ballancë, apo të bëhet karshillëk. Dihet fiton më i forti,
më i ligu, më çnjerëzori, më ekspansionisti i cili mbrohet dhe ndihmohet edhe
nga shtetet e tjera, kjo është e qartë dhe qenia përpara këtij fakti nuk mund
të sigurojë përballje me 'të dhe akoma më shumë për të pretenduar për fitore. Jo. Do ishte një mendim donkishotist, pra jashtë
realitetit.
Gjenocidi grek ndaj shqiptarëve
myslimanë të Çamërisë nuk ishte rrjedhojë e dy luftimit mes tyre, jo nuk ishte
e tillë. Ajo ndodhí, me masakra të pa dëgjuara, ishte e njëjtë me
rastet kur një kope ujqërish futen brenda vathës së deleve. Dihen rezultatet,
kopeja e ujqërve nuk lufton me delet, por i shqyen ato!.
Në të vërtetë shqetësimi dhe shpresa
se një ditë, ajo që sot njihet si "Çështja Çame" do të fitojë, nuk
argumentohet tek forca e çdo llojshme, por tek vetëdija e shoqërisë greke dhe
ajo ndërkombëtare, të cilët mbasi të bëhen të ndërgjegjshëm se krijimi i
"Çështjes Çame" erdhi si shkak i përndjekjeve të një populli si
rrjedhojë e një etnie dhe besimi fetar ndryshe nga ajo e shtetit ortodoks grek,
do të realizohet ndreqja nëpërmjet pendimit, faljes dhe shpagimit. Veprime këto
që do të nivelohen dhe do të pranohen në një
kohë të caktuar, në një civilizimi të një shkalle të lartë humanitare të
shoqërive njerëzore, që do detyrojnë shtetet të heqin dorë nga zinxhirët e racizmave etno-fetare.
Shënjat për mposhtjen
e antikrishtit nga shoqëria mbarë njërëzore kanë filluar të jenë të dukshme.
Rezultatet e vrasjes së antikrishtit do të arrihen nëpërmjet “VETINGUT”, ku do
të gjykohen qendrimet e çdo shteti ndaj plotësimit ose jo të zbatimit të të
Drejtave Universale të Njeriut.
Kështu e shoh ecurinë e zgjidhjes së
pengesave absurde, pra, nëpërmjet ç’prangosjes së pandërgjegjshmërisë dhe papërgjegjsjmërisë të popujve që ende vazhdojnë të jenë pré e strategjive ogurzeza të perandorive të shkuara.
Arritëm në Bashkinë e
Konispolit. Përpara u ndeshëm me sheshin e rindërtuar, i cili i jepte vërtet
një pamje të këndshme qytetit. Nuk thonë kot, nëse do të zbulosh me cilin ke të
bësh, shikoji punën dhe jo gunën.
“Mirëse
vini-Welcome”.
Kjo ishte
tabela e vendosur në mes të sheshit kryesor.
Tiranë, më 23 tetor 2019.- Fahri Dahri