Kerko: a
Mehmetali Rexhepi: Kulti i lirisë
E marte, 05.11.2019, 09:29 PM
Kumtesë
KULTI I LIRISË
Nexhat
Rexha: DUKE KËRKUAR HIJEN TËNDE
SHB
BEQIR MUSLIU; Gjilan, 2019
Nga
Mehmetali Rexhepi
Autori veprues dhe
i frytshëm, Nexhat Rexha vijon t`i sjellë letërsisë shqipe një mori vëllimesh
poetike e diskursesh letrare kritike. Poezia e tij u përfaqësua edhe me
publikime në gjuhë të huaja, si në gjuhën rumune, në atë angleze, u përfshi në
antologji poetike të kulturave të tjera, si në suedisht, në rumanisht dhe
vazhdon të komunikojë me lexuesit e hapësirës shqiptare.
Titulli i librit,
të cilit meriton t`i qasemi, “Duke kërkuar hijen tënde”, sugjeron poetikën
vepruese të kërkimit në të djeshmen e të sotmen e qenies etnike dhe njerëzore.
Çfarë kërkon poeti me vargun e tij? Vargu nuk mund të jetë histori, as kronikë
ndodhish e ngjarjesh, mirëpo, gjithnjë bëmave të historisë u sprovua shpirti
njerëzor, drama kombëtare e poetit. Poeti shkëputi diçka nga galopi i të
djeshmes dhe nga kodet mashtruese e lakmuese të së sotmes, që i hasim të
trajtuara në vargjet e tij, si ndjeshmëri artistike, si reflektime poetike e
manifestime jetësore, (j)etike dhe estetike.
Vëllimin poetik
“Duke kërkuar hijen tënde”, autori e strukturoi brenda tre ciklesh: “Si t`ia
kthej atdheut buzëqeshjen”, “Mbi qepalla të atdheut” dhe “Në gërshetin e kësaj
vjeshte.”
Dy ciklet
zotëruese të librit “Si t`ia kthej
atdheut buzëqeshjen” dhe “Mbi qepalla të atdheut”, poeti shpërfaq
tematikën, rrjedhimisht motivet e motivimin mbi konceptin gjithëpërfshirës
atdhe; si dhe trajta ndjeshmërie e urtësie, të cilat burojnë e rrjedhin herë si
fije kujtese, herë si ortekë shqetësimi,
si dhimbje e përhershme, si vetëdije e urtësisë për të papriturat dhe të
priturat e kanosjeve etnisë, për trajtat e përsëritura të tragjedisë mbi
kurrizin plagë-shumë të etnisë dhe të qytetërimit. Siç shihet e ndjehet gjatë
leximit të kujdesshëm, dy përbërës thelbësorë i përshkojnë brengat poetike të
kësaj varg-thurjeje: brenga e qenies etnike dhe kahet e fatit gjithënjerëzor.
Tiparet etnike dhe estetike të kësaj poezie nuk mund të shkëputeshin nga
ngjizja dhe ndërtimi i vlerave të përbashkëta të paqes universale. Etnia e
sprovave të zhbërjes prore mëtoi të jetë me frymën dhe ngjyrën e vet, një nga
përbërësit e mozaikut botëror të etnive. Andaj, shenja identifikuese e këtyre
varg-shkrimesh është njerëzorja. Vorbullat e njerëzores do ta tërheqin edhe
poetin. Një identitet poetik i tillë parandjeu dhe nuhati përballjen përkitazi
gjëmës, përderisa shkujdesur i shtrihemi ëmbëlsisë së hidhur të gjumit:
“Letër pergamenë
Në thellësi
mbijeton
Kodi i Akilit
Edhe sot shiton” *
E pa parashikuara
mund të vijë në trajtën e vet të panjohur, por pse nuk mësuam ende lojërat
trishtuese të sprovimit historik?! Si duket, edhe kur lexuam harruam se
dialektika e historisë përsëritet në trajtat më të pa parashikuara të saj...
Sipas kësaj rrjedhe logjike, goditja mund të pasojë pikërisht aty ku mungon
mburoja.
* * *
Në vëllimin
artistik “Duke kërkuar hijen tënde”,
përvoja e shtegtimit të pareshtur pas vargut, e shpuri poetin shtigjeve
të njohura e të panjohura për gjetjen dhe përafrimin e të kundërtave në një
ledh shpirtëror, që të jetë shenja e pikëtakimit për përmbushje të dy anshme të
subjektit të dashurisë. Poeti nuk heq dorë nga dashuria ngase ajo është qenia
jetike e përmbushjes tij poetike e jetësore.
*Nexhat Rexha “Duke kërkuar hijen tënde”; SHB “Beqir Musliu”, Gjilan, më
2019, f. 16
Dashuria në
mjegullën e zilisë e të xhelozisë, duhej ta kishte ledhin dritë-dhënës të
shpirtit, si një referencë, si një gardh
për kthimin në udhën e shtruar nga ndjesia e sinqertë, që është pikë- mësymja e
parë dhe e fundit për shmangie caqesh
gjembore dhe, bredhje udhëve pa burimin e besnikërisë...
Semantika e
kërkimit për qëmtime të përbërësve poetikë në këtë vëllim, gjithsesi poetin e
çon tek ato caqe të atdheut të ngërthyera në kode që nga lashtësia. Çka
ngërthejnë ato kode enigmatike për fatin e etnisë pas zbërthimit të tyre?
Gjithsesi, kodet e kancelarive të vendosjes janë përplasur mbi kurrizin tonë,
duke shkëputur padhembshëm gjymtyrë të trupit tonë etnik! Plagët tona ende
kullojnë... Frymëzimet (po)etike të këtij poeti nuk e përzgjodhën luksin që
t`ia kthenin shpinën dhimbjes etnike. Intuita e poetit ndonëse ishte përcëlluar
në serinë e mashtrimeve në shekuj, e thërret shpresën që të mos ligështohet, të
mos i tëhollojë fijet premtuese:
“Lidha kujtimet
Në udhë të gjata
Me ëndrrën e
përhershme
Mos të vijë
shtrëngata” *
Në kërkimet e tija
poetike, Nexhat Rexha poezisë ia përcaktoi rolin e bartëses së kujtesës.
Çfarësia e kujtesës ishte e atillë, meqë:
“Kujtesën mbuluan
në ftohtësi
Në çantën e zezë
Koduan verbëri”*
Padyshim në
udhë-kërkimin për vargun, për figurën, për pamjen, për jetën, për idenë dhe
reflektimet figurative, poeti Nexhat Rexha has e ndeshet me anët e errëta të
intelektit djallëzor. Në sferën e të bukurës estetike për njeriun ai
apostrofoi, me bardhësinë e ngjyrës tij,
shtresimin e ambicies së errët... Apostrofa e një shtresimi të tillë nuk kishte
si të intonohej ndryshe, pos përmes ironisë rrëqethëse, ngaqë teknologjia
kishte arritur ta përjashtojë atmosferën autentike të natyrës, duke i imponuar
tjetër klimë, tjetër atmosferë, atmosferën e
përjashtimit të gjësendeve e të dukurive të realitetit, përmbysjen e
dialektikës:
“ Teknologjia e re
sjell vranësirë
Nëpër fushat e
harbuara
Stoliset pas
mjegullës
Vjeshta jonë”
(Teknologji moderne)
Kërkimi dhe shija
qëmtuese e vazhdueshme, kësaj poezie i solli tema, motive e fragmente motivesh,
ritme e dinamikë përcaktuese, madje dhe faturën ekzistenciale tronditëse.
Kështu, poezia e kësaj tipologjie hap perden e uverturës për kahet e
shtjellimit dramatik, që ambiciet e personazheve tekanjozë të mos i zhbëjnë
mirësitë e kësaj bote?! Poezisë së këtillë nuk i pushojnë pulsimet dhe
frymëmarrjet me ndjeshmëri thellësisht urtuake, me vizion të pastër njerëzor.
Andaj,shpirt-bardhi poet i thërret kultit të ndërgjegjes, që të mos ndodh
epilogu i dramës atomike e hidrogjenike!
“Teknologji
moderne” është një titull vjershe, që nuk përkon me shprehjen e stilit të
mirëfilltë figurativ. Shprehja si një togfjalësh i tillë, është krejtësisht e
zhveshur, por ngërthesën e saj kuptimore e vesh intonacioni ironik.
Togfjalëshin e thjesht e fut në funksion
ideja e rrezikut potencial për mbetjen e botës pa njeri?!
*Po aty, f. 9
*Po aty, f. 10
* * *
Në tërësinë
poetike të librit “Duke kërkuar hijen tënde”, trajta nismëtare e përcjellores
arrin
të ngre
antiteza e kontraste idesh mes kumtimesh
e kuptimesh kundërthënëse, ndonjë herë kaotike në paraqitjet e tyre. Ndoshta në
këtë mënyrë autori i jep shkas lexuesit, që t`i gjejë rebuset e pamjeve e t`i
zbërthejë ose t`i zgjerojë e shkurtojë, sipas dioptrisë e shijes së vet
identifikuese.
Konceptimit të
shtruar për lirinë, poeti i shtron pyetjen jetike për qenësinë e lirisë. Liria
me të gjithë përbërësit e saj ishte shtytja jetëdhënëse e jetë-marrëse e
brezave; krye-përmasa dhe peshorja e karaktereve... Ajo, madhështia e saj,
prore u çmua si një kult i shenjtë, i paprekshëm, i admirueshëm, i
patjetërsueshëm... Por:
“Pse shteruan
krojet
Në burimet tona
Kur ideali ynë
Ç`lodhej aty
dikur”*
A deshëm, ose a ditëm ta çmojmë lirinë si cak i
pashmangshëm flijuesish nëpër breza? Lirisë ia vodhëm veshjet, e cullakuam, e
shndërruam në një lavire flirtesh!!! Nuk
është e çuditshme që të na e kthejë shpinën?! Përse? Ia tjetërsuam ndërgjegjen e besën, i grabitëm testamentin,
ia nëpërkëmbëm dinjitetin, ngrehëm karrierën si cakun e saj parësor... Lirinë e
lamë asisoj, që të bëjë “gjumë ariu”.
Indiferencën për
lirinë poeti e nënvizoi në vetën e parë
të shumësit:
“Ne bëjmë sehir
Pamjen e atdheut
në kafshim
Mëkatet shtresohen
ndër ne”*
Variacione për
lirinë në pamjet e këndshme e të padëshirueshme, mandej motivet e përdhosjes së
lirisë, i hasim dendur në ciklin e parë dhe më të gjerin e librit “Duke kërkuar
hijen tënde” të autorit Nexhat Rexha. Brenda ciklit të dytë “Mbi qepalla të
atdheut”, relievit të tij parakalojnë personazhet me sedra të paepura, të cilët më parë
kishin vrarë frikën në shpirtrat e tyre, për të mësyrë okupatorët, si:
Isë Buletini, Idriz Seferi, Azem Galica, deri te brezi i çlirimtarëve të
emblemës së UÇK-së... Mes karakteresh të epikës çlirimtare, poeti futi dhe
hallkën e lidhjes së epikës me lirikën, me eksplorues lirikë të mendësisë
shqiptare, si penë-shkruesit: Qerim Ujkani e Qerim Arifi...
* * *
Te cikli i tretë
“Në gërshetin e kësaj vjeshte”, nëntëmbëdhjetë poezi shtjellojnë variantet e
një freskie lirike, që nga intimja e unit shpirtëror, zjarrmia e zemrës së
dashuruar... Koncepti i zgjeruar i dashurisë përmes dromcash poetike prekë
ngazëllimin e mallëngjimin, qenësoren e vullnetit e të vrullit rinor, gjakimin
e etur të jetës... Këtu vargu i togfjalëshave
metaforikë e simbolikë paraqitet me dendësi të konsiderueshme, si:
qerpiku ngazëllues, sytë depërtues në thellësi dashurie, pafundësia e dehjes,
mëngjeset e përmalluara; simbolika e kodit anonim të lules, arka e ëndrrës,
nata e gërshetit të vjeshtës, zgjimi i Euridikës me fyellin e Orfeut, “tuneli i ëndrrave...”
Figurat e kapjes së drithërimave hidhen gjithandej gjendjeve ngazëlluese,
depërtojnë ose presin hyrjen në botën joshëse të subjektit të adhuruar me
mëdyshjet: a do t`iu hapen portat e lumturisë?
Këtij kapitulli
dashuria i jep ngjyra të ndezura shprehjes dhe jeta ngadhënjen si kujtesë,
*Po aty, f. 17; *Po aty, f. 19
si vullnet, si
dehje , si ëndërr e prekur në zhgjëndrrën e amullisë; si impuls gjallërie, si
imagjinatë, si mallëngjim moshe, si
iluzion njerëzor, si prehje e ëmbël e pashuar...
Autorit dhe
krijimtarisë së tij, së bashku me lexuesin, i dëshirojmë shëndet, pjekuri
dhe mbarësi!
Gjilan, më 2 nëntor 2019