Kulturë
Sejdi Berisha: Lulzim Logu - Ethet e lutjes
E enjte, 24.10.2019, 09:35 PM
Edhe një libër me haik-u, “Ethet e lutjes”, i autorit Lulzim Logu
Analizë libri
Sejdi BERISHA:
PESHA E HAIK-ut, THESAR I FILOZOFISË
SË MENDJES DHE VLERË E PATJETËRSUESHME LETRARE
(Lulzim Logu: “Ethet e
lutjes”, haik-u, botoi: Akademski peçat, Shkup – 2019)
Poezia i ngjanë rrugës të cilën shumë gjëra e rëndojnë, e lëndojnë, e
lumturojnë, e bëjnë shenjtëri, dhe pas vetes lënë atë zërin e përjetësisë, i
cili, nganjëherë është si ylberi me ato ngjyrat e veta përrallore, por edhe
shpesh janë si drita e rrufesë, e cila përfton dhe ikën e nuk e di saktë mbi kë
shkrepi, apo ku e zbrazi tërë atë zjarr, e që menjëherë vjen shiu dhe shpejt e
shpejt e shuan. Për të gjitha këto, në vargëzim, krijuesi është i kujdesshëm që
ndijimin shpirtëror ta shtrojë duke e shndërruar vargun në dritë e llambë
shprese, cila ndritë kudo. Andaj, këndimi poetik është vetë jeta, vetë historia
që shtrohet e shpjegohet në mënyra e forma të ndryshme. Ai prekë atë thelbin e
ndijimit shpirtëror, labirintin e jetës e bën aritmetikë, brenda të cilës
zhvillohen veprime për ta gjetur derën dhe rrugën e së mirës. Të gjitha këto,
ku më shumë e ku më pak, i hasim në krijimtarinë e Lulzim Logut, i cili deri me
tash, lexuesit dhe opinionit të gjerë ia ka dhuruar shumë vepra të zhanreve të
ndryshme.
Krijimtaria e tij, nuk është vetëm sa për ta kënaqur vetveten. Ai vargun
e vetë e bën themel jete, duke pasqyruar dhe duke i vënë në spikamë të gjitha
veçoritë nëpër periudhat kohore e historike, të cilat, krejt e natyrshme, herë
i ngjajnë kopshtit me lule, e shpesh edhe dhembjeve e mallit që përlajnë
njeriun apo që edhe njeriu të gjitha këto ia shkakton vetvetes por edhe më
gjerë. Kësaj radhe, Lulzim Logu, opinionit i prezantohet me poezitë
trevargëshe-haik-un, në librin, “Ethet e lutjes”.
Fuqia e vargut i cili shndërrohet në lumturi dhe në dritë shprese...
Nëse i referohemi titullit me ngarkesën e njerëzores dhe
të mendimit filozofik, atëherë, para nesh kemi një gamë formulash dhe të
larushive të jetës, të cilat, domosdoshëm duhet analizuar kujdesshëm, dhe
gjithsesi edhe më përgjegjshëm, në mënyrë që vargjeve t’ua shprushim metaforën
por edhe peshën e mesazhit. Dikush do të thoshte se është lehtë të shkruash
poezi me tri vargje(haik-un), por nuk qëndron një mendim i tillë. Nëse haik-u
do të konsiderohej i tillë, atëherë vargut, poezisë por edhe mendimit të thellë
filozofik të jetës, e gjithsesi edhe autorit, përgjithmonë do t’i hynim në hak.
Kjo ngase, për t’u përballur me haik-un, do të thotë të hymë brendapërbrenda të
gjitha rrjedhave dhe poreve të jetës, gjithnjë, duke e konsideruar mendjen,
ndërgjegjen dhe mesazhin, që tek kjo formë e vargëzimit të gjitha këto elemente
janë shumë delikatë, kuptohet, duke bartur në vete edhe përgjegjësinë e
krijuesit dhe të vetë lexuesit.
Haik-u, në të vërtetë, nëse kuptohet e studiohet mirë,
atëherë, ai i ngjanë kështjellës, përbrenda së cilës janë të shtresuara e të
palosura periudha e ngjarje historie dhe të jetës më të saktë, por edhe më
kontraverze, e që mund të jetë e shpjeguar edhe jashtë mureve të saj. Pra,
haik-u e ka dhe duhet të ketë këtë peshë e përgjegjësi, ashtu siç duhet ta ketë
edhe lexuesi dhe opinioni i gjerë, për të kërkuar dhe ngritur drejtë e
shëndetshëm në piedestal mesazhin, ku metafora ka rol më qenësor si çdo kund
tjetër. Kjo, ngase, ndoshta përbrenda tre vargjeve, autori sjellë një roman të
tërë historie, por në formë tjetër nga romani apo proza e shkruar.
Është kështu, sepse, kur mendimi filozofik përmblidhet në
tre vargje, aty hasim atë tharmin e thelbin, të cilët, nëse i zbërthejmë, aty
ka vend për t’u trishtuar, për të qarë, për të kënduar, për t’u përmalluar.
Ndërsa, dhembja dhe lumturia, brenda haik-ut ngelin si gjerdan jete që
rregullojnë çdo gjë, që ngritin tension por edhe urtësojnë gjithçka! Të gjitha
këto begati i hasim tek libri i Lulzim Logut, “Ethet e lutjes” në
282 haik-u.
Pra, filozofia e jetës mbyllet aty, në tre vargje, ku çdo
gjë merr formën e kureshtjes se çfarë ka brenda, çfarë na sjellë ai rreth
vicioz, që ndonjëherë, lexuesin e rëndomtë mund ta mashtrojë apo ta sjellë në
lajthim, kurse lexuesit të pasionuar mund t’i “nxjerrë” telashe për ta kuptuar
dhe perceptuar drejt e mirë porosinë aq të dendur e të begatuar me mendimin e
thellë, i cili, thuaj se menjëherë bëhet pronë e patjetërsueshme e lexuesit,
sepse: “Loti s’mumërohet/Kur rrenkehet/Prej zemre...”!
Tek haik-u, prej shumë të mirave, është edhe një e mirë
tjetër, sepse, aty prekën shumë gjëra nga më të ndryshmet, kështu që kjo begati
e kënaq secilin lexues të çfarëdo niveli
qoftë apo të çfarëdo pasioni. Ja, një prej tyre, që ndoshta provokon edhe çdo
qelizë trupi, çdo ndjenjë me të cilat njeriu përqafohet: “Foto të
vjetra/Riga shiu mbi to/Gri kujtimi...”.
Është thjeshtë ky një provokim shpirti, i cili sikur i
këput hallkat e arsyes dhe ikën në thellësitë e ëndrrave dhe të ditarit të
jetës mbase edhe të historisë! Ose, forma tjetër e rebelimit krijues haik-ian e
autorit: “Ik o shi/Koha tash për lule/Mbi vjetërsira...”!
Nëse i analizojmë mirë vargëzimet, atëherë në secilin
haik-u sikur e ndjejmë dhe e përjetojmë nga një histori, dhe kështu, secila
fjalë është kronikë, apo edhe pikturë e madhështisë së jetës. Nëse kështu ia
arrijmë t’i kuptojmë thellësinë e tre-vargshëve, atëherë, përjetimi por edhe
analizimi ynë do të vërtetojë dhe dëshmojë madhështinë e kësaj forme të
poezisë. Them kështu, ngase nuk është lehtë ta përmbledhësh një “sermie” të
tërë mendimesh me mesazhe edhe subtile edhe provokuese por edhe shumë të
qëlluara, ngase: “Vendi i dashnisë/Një shpellë e vjetër/E zinte diellin
tonë...”.
“Tensionimi” vargëzues i cili provokon mendimet për jetën
por edhe për historinë, i ngjanë kujtimeve të pashlyeshme për dhembjen dhe
krenarinë e atdheut. Në këtë segment, padyshim se qojnë peshë edhe këta tre
vargje thuaja si dritë stralli: “Bujana/Si lumë/Ndarë në dy sy...”!
Është kjo, pra, ajo pesha e zjarrtë që qëndron prapa, apo
brenda “formulës” së haik-ut, për të cilën gjë, kohën mund ta qortojmë me ditë
të tëra në vepra po ashtu të tëra e fondamentale. Ndërkaq, në shumë haik-u,
hasim edhe gjëra që prekin që prekin edhe temat, të cilat autori dot nuk i lë
anash, siç është dashuria, por e cila, matet dhe përjetohet në shumë rrafshe,
ndonjëherë edhe pa ditur se ku do zë vend ajo, por që kështu vargu është më i
ngrohtë dhe shumë më i fuqishëm: “Gjinjtë e kërcyer/Shqyejnë
pëlhurën/Pisket liria...”!Mesazhi poetik si amanet i veçantë, i
cili i tremb edhe kohërat...
Ndërsa, natyra, bukuritë e stinëve, ato të tokës
arbërore, vargun e bëjnë histori me faqe të veçanta, të cilat, gjithashtu
fuqishëm rrëfejnë, çdo gjë e shndërrojnë në lumturi e krenari, por njëherësh,
edhe për gjithçka sikur edhe qortojnë. Ndërsa, diçka që nuk arrihet dot, e lë
diku varë në mur, në shkrepa, në lisa e lëndina, mbase edhe mbi varre, si
amanet të veçantë e të përjetshëm, i cili padyshim se i tremb kohërat dhe
njeriun, që, padyshim janë të stolisura me krenarinë por edhe më shumë pasqyra
të dhembshme të periudhave kohore dhe historike: “Hija e babës/Frymon
mureve/Të shtëpisë...”, ose, : “Në vallen e shiut/Prek lotët/E së djeshmes...”!
Përditshmëria, natyra, lisi, shkëmbi, flutura, zogu,
gjethet, gështenja etj., të gjithat autori i shndërron në kopsht me bukuri të
rralla, dhe se vargjet në këtë rast u ngjajnë rrapëllimave jetësore dhe
shfletimit të librit me kujtime jete, të cilat vargje, shpesh u ngjajnë
koloritit të jetës, edhe dritës e cila përqafohet me rrezet të cilat u jap
forma të ndryshme, të cilat, njeriu, si në fëmijëri, si në rini, por edhe si në
moshë, lakmon t’i “kapë”, t’i shijojë
dhe t’i shndërrojë në rrëfim dashurie, gjithnjë, pa e zvetënuar mesazhin dhe
metaforën e haik-ut: “Nëna ime/Vallëzon/N’peshojën e jetës”, ose: “Në
vallen e shiut/Prek lotët/E së djeshmes...”!
Pra, vargëzimi i tillë nuk do shumë koment, bile as mund
për t’u shndërruar në pelegrinazh të veçantë edhe të autorit, i cili nuk harron
për të na provokuar me mesazhin, i cili shfletohet dhe mund të komentohet si
pjesë edhe e historisë, por edhe si pjesë e dhembjes dhe e tronditjeve, që
njeriu i përjeton gjatë jetës: “Trishtimi grryen/Si tëja derën/E pakthimit...”.
Te “Ethet e lutjes”, autori, e lartëson
madhështinë e natyrës, e cila në vargëzimin e përgjithshëm në këtë libër, i
ngjanë një globi të madh të stolisur me pikturat e jetës, në të cilat mirë i
kompozon dhe sikur u jep shpirt, si idilikes, lumturisë, trishtimit, mallit,
pastaj edhe cicërimës së zogjve dhe të bilbilave, shkrepave mbi të cilët
fluturojnë shqiponjat, e poshtë shpatijeve reshin dredhëzat e boronicat... Që
të gjitha këto vargëzime, duken të thjeshta, por, nuk janë të kënduara pa shkas,
sepse, ato bashkë, përbëjnë atë madhështinë e vendit mbase edhe të vendlindjes
së autorit, gjëra këto që ndoshta pak kush i përjeton ndjeshëm dhe arsyeshëm si
autori: “Mjedrat e thara/Mbi buzët e tua/Ngrirë buzëkuqi...”, ose:
“Mbi Jezercë/Feneri i hënës/Xixëllonja e fundit”; “Larat e borës/Lotët e
patharë/Të bjeshkës...”!Secili haik-u kronikë në vete, apo edhe
pikturë madhështore e kohërave
Por, nga e tërë kjo, duke përjetësuar të kaluarën dhe jo
vetëm atë, dhe duke i vënë dritë të së ardhmes, autori, shpeshherë nuk na lë
për të harruar, se rrugëtimi i ngjanë trakullimave, ose fenomenit të përplasjes
i cili dot nuk shpjegohet. Prandaj, ai. sikur diçka me kuptimin gjithnjë të
njerëzores dhe të vetëdijesimit, na e sjellë ndërmend, se: “Në
lavjerrësin e orës/Kujtimet e stinëve/Dridhen...”. Ky haik, në
vete sjellë një provokim shpirtëror shumëdimensional, sepse, në mes tjerash, në
gjirin e atdheut dhe të kombit ka pasur por edhe tani ka shumë probleme, të
cilat, padyshim se lëndojnë qenien dhe mëvetësinë e njeriut, lëndojnë shpirtin,
gjëra që me shekuj na mundojnë e rëndojnë si një prej ligatinave më të
kamotshme dhe sëmundje e pashëruar: “Loti i lypsarit/Këtë natë acari/Ma
kthyen zemërimin...”!
“Ethet e lutjes”, nuk
janë të thjeshta. Bile, janë të ndërlikuara dhe godasin rëndë, sepse, jeta e
njeriut, nuk ishte dhe as tash nuk është e lehtë. Dhe, nganjëherë na bëhet se
nuk ka histori që e përthekon rrugën e rëndë dhe plot tragjedi e shtypje të
popullit tonë! Pra, e dhembshme është kjo, e cila kumbon krejt afër veshit e
zemrës, dhe atë në shumë forma e tingëllima: “Ati im/Vuaj mungesën
tënde/Si ajrin e rralluar...”. Kjo formulë rrugëtimi nëpër faqe
të trishta të shekujve, shkrihet
fuqishëm në haik-u: “Dje të dashur/Sot udhëtarë/Mbi binarë të thyer...”!
Ç’është kjo “mbi binarë të thyer”?! Këtë mund të analizojë dhe ta zbërthejë
secili, dhe ta vërejë se sa i dhembshëm, sa krenar është ky “detyrim” jetësor!
Kjo i japë “myhyr” e vulë ecjeve nëpër shekuj, por me dritë kurrë të pashuar:
“Fletorja e fëminisë/Zverdhur fletësh/Prag dimri...”!
Autori, përmes vargut kalon nëpër të gjitha katrahurat e
mundshme, të cilave, padyshim se u jep kuptim qëndrese, por edhe kuptim
qortimi. Andaj, në vargëzimin te “Ethet e lutjes”, e hasim
atë almanakun brenda të cilit qëndron fati dhe lumturia, qëndresa dhe vuajtjet
të mbështjella me këngën e shpresë. Dhe në këtë libër, më pak vëmendje, janë
gjëra që mund t’i hasim si libra të shkruar, e ndonjëherë shumë pak të hapura.
E kur i analizojmë gjërat e tilla, sikur vetë e lejojmë pluhurin e shekujve të
na bie syve. Por, nuk mund të mos thuhet se edhe ky “fenomen” sikur na
kthjellon shikimin dhe mendjen, se jeta është vetë ai strumbullari rreth të
cilit asgjë nuk mbetet pa u hetuar, e ndoshta edhe për t’u kthyer mbrapa e për
të ecur atyre rrugëve me gjemba, me baltë, por edhe me lule, të cilat, jo
rrallë i dëmton dhe i asgjëson vetë njeriu!
Prandaj, në forma të ndryshme, autori, pothuaj se në
secilin fjalë, në secilin varg, jetën e kthen në një lloj analize, në mos
harresë, por gjithsesi edhe në qortim të pashmangshëm, duke i ndezur dritat e
rrugëdaljes dhe të lumturisë, e cila, shumë herë i ngjanë vetëm etjes, vetëm
ëndrrës së paarritshme: “Ai nuk ka shtëpi/Por një kasolle të vjetër/Ku
pikon dashuria...”.
Pra, nëse e puthitim mendjen me kohën dhe me trakullimat
e saj, shpesh na bëhet se të gjitha këto konstatime janë të nevojshme dhe të
domosdoshme për ditarin e njeriut, atëherë, në “Ethet e lutjes” të
Lulzim Logut, del se pesha e haik-ut është thesar i veçantë i filozofisë së
mendjes, që formën e këtillë të vargëzimit e bënë të rëndësisë thelbësore, ku
ndijimi shpirtëror e ka edhe folenë e gjërave që kuptohen ndryshe, por
qëndrueshëm. Dhe, si të tilla, duhet të radhiten diku lartë në vlerat krijuese
letrare, edhe pse, haik-u tek ne, ende nuk e ka gjetur vendin meritor, por
sikur i ngjanë një shpendi i cili duke fluturuar në gjithësi, gjithnjë
shpërndanë shikimin për ta pikatur dikur çerdhen e përhershme në vlerat
krijuese dhe kulturore e letrare shqiptare.
Pikërisht për këtë arsye, kësaj radhe, autori, me haik-un
e vetë thua se na imponon, apo edhe na përgjërohet, që vargëzimin e tillë ta
përqafojmë mirë, drejtë e sinqerisht, sepse, është e vërtet se kënga e gjatë
tregon e përshkruan histori, dashuri, apo edhe mall e dhembje. Por, ama, kënga
e shkurtër ngrit në piedestal përjetimin dhe ndijimin shpirtëror, dhe tërë atë
interesim na sjellë vetëm e vetëm për të mësuar gjithçka dhe deri në fund.
Këndimi i shkurtër, e lë atë “thumbimin” e kureshtjes, se në jetë gjithmonë
kemi nevojë ta lëmë mendjen kujdestare edhe për të kaluarën, por, edhe për
zbërthimin e formulave të pashkruara jetësore, të cilat, shpesh e shumë herë,
ndër shekuj kanë ngelur “enigmë” por e paharruar dhe e domosdoshme për t’i
zbardhur gjërat, sepse, siç vargëzon autori: “Në varrin e babës gjej/Të
njëjtin zog/Që nuk bëzan...”! Andaj, edhe kjo është një prej
formulave jetike, e cila kërkon zbërthim e zbardhje të drejtë dhe adekuate,
por, gjithnjë pa zjarrmi të tepruar!
Sepse, përveç kësaj, edhe shumë gjëra të tjera jetën e
bëjnë si “thes” të lypësit, nëse kemi të drejtë të themi kështu, ku brenda ka
gjithçka të mirë e shumë bereqete, ka gjëra të dashura, të hidhura, të çartura
e të mykura, të cilat, pastaj vështirë ndahen nga njëra-tjetra, por kështu, si
në pikturë, i lënë gjurmët e njeriut, i cili, zorshëm apo edhe me dëshirë e
përqafon dhe shumë e çmon tërë rrugëtimin e vetë. Por, kuptohet. Nganjëherë
gjithçka dhemb, si: “Kurbeti si vjeshtë/Varur në murin e jetës/Ngujuar
shqip...”! Por, përkundër këndimit të tillë dhe shëtitjes nëpër
hartën e shpirtit, autori, asnjëherë nuk kënaqet me vargun e vetë. Dëshiron që
edhe tutje të thotë shumëçka e gjithçka, sepse, etja është shoqërues i
përhershëm i njeriut. Duke qenë kështu, ai, me metaforën dhe me mesazhin e
shumëfishtë dhe të fuqishëm, thotë: “Prekmë/Ta zgjoj jetën/Sërisht...”!
Prandaj, kujtoj se ky vargëzim le të jetë si porosi me kuptim
shumëdimensional i librit “Ethet e lutjes”, të Lulzim Logurt.
E kam theksuar diku në një nga librat e mi këtë mendim:
“Libri të mëson të hapësh faqen tjetër dhe kështu pastaj të bëhesh skllav i së
mirës! Autorit, Lulzim Logu, i cili deri me tash ka botuar dymbëdhjetë libra,
që aktualisht është edhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe
Artistëve-Tropojë, i uroj edhe shumë suksese të tjera.