E marte, 10.12.2024, 06:02 AM (GMT)

Kulturë

Cikël poetik nga Bardhyl Maliqi

E merkure, 23.10.2019, 05:42 PM


Bardhyl Maliqi

VEGIM DRITE

Vegim drite kjo bukuri e bardhë,

etyd pranveror në mëngjes prilli

apo udhë buzë lumit ku vjeshta

si det ka fryrë  erërat  përsëri

dhe fustanella bëhet kambanë,

që thërrat lutjet e Krishtit

të mbushin mbase enën e shpirtit.

Por unë jam bërë si gjithçka tretësirë,

erërat e kohrave më bënë mik me një gur

përsëri për Rean, për Leonine, por jemi në prill.

Moj bejka nga Konispoli, ti peshë e shpirtit tim,

portretin e dhimbjes u bëj poetëve martirë,

në peisazhet dimërorë ku nuk ka më tela telefoni.

Nën një qiell të grisur, det të kam zili,

që dallgëzon për dashurinë në një cast dyzimi.

Në një trendafil ere desh më mbyte tek shëtisja dashurinë

dhe bëhesha si  i  vogël në gëzimet e mëdha.

Mëkat që gjithë fjalëve të bukura

qurkun e shenjtë u hodhi vjeshta me thellësi nazike.

Post Shen Valentin , ti je dashuria,

me diell, me shi, me enigma vijash?!

Apo ngrohtësi e vendlindjes doli

si etyd shpirti për të ringjallur peizazhet e vrarë,

se Maraz më ka mbetur Femijëria!

Tek bodrumi i gjyshe Ballkos, te koshi i plehrave

në agsholin e mëngjesit, në muzgun e një dite

ne dhe lisat me duar të shtrira presim shirat e para

e pllumbat mplaken për merakun e fundit

tek më pyesin sikur më luten për Taip Madanin.

Koha më flet me zëra si klithma çafkash

dhe jashtë ravijëzohet si portret mëngjesor

Era. Apo unë e bej Erën të nxjerrë nga vetja?!

Sa herë ja kam ndjerë psherëtimën vjeshtës së artë

në agimin e kësaj jete, nëmëngjesin e një dite

dhe i jam lutur erës të më shpjerë te fëmijëria,

te shtëpia jonë në Pargë, në Paramithi.

të mundja Zeusin nga Dodona në shesh të Konispolit

do ta zbrisja me mall, me dashuri.

se kam një ëndërr të bukur baba,

dua të të takoj patjetër ty.

U ndamë në një stinë shtegtimesh

heshtëm kur mund të flisnim,

por tani s’ka kush na pret

udha që bëra në ravgimet e vjeshtës

më sjell si vegim fëmijërinë time

atje në Konispol, ku shkruaja poemën e gurit,

mes vizatimesh të një matematike të thjeshtë

sikur të gdhendja para kohe karakterin e burrit

tek mblidhja si boçe pishe lajme plot helm...

TI MËRGON BASHKË ME DIELLIN

Ti mërgon me diellin Lediona, me yjet me natën,

me lekurën qumështore dritën konkuron

dhe me sytë e kaltër qiejt dhe ujrat.

Ti je mendjehapur si gji oqeani,

ti erdhe nga uji, por linde buzë dritës,

i ngjan pulëbardhës dhe pemës së qershisë,

këldhet në valë e në dallgë, se kërkon të vish,

shkon si zog i detit mbi dallgë e mbi shkumë,

bën flirt me natën kur “gardianët” bien në  gjumë.

Dhe kërkon të rrish me të si këngë vere,

me trupin si  kishë ku falja dëshiron të hyjë.

Je si do të doja të isha, si vegim drite, si iluzion optik,

dhe ti porsi unë edhe i duam marrëzitë,

se erdhëm nga uji, a erdhëm nga yjet,

se edhëm nga qiejt, kjo s’ka rendësi,

si diell në perëndim bie ky shi, pos mortem,

si vaj  qelqesh në dritare, si zjarr, si agoni….

Pkëla uji, pikëla drite, pikëla nate, pikëla dite,

prej ëndërrës dalin, drejt ëndërrës shkojnë,

ngushëllimi këmbëshpejt mbaroi, tani është në ikje,

si antiharresë do të kujtojë plagët kozmike.

Bëj kujdes vajzë, mos u fshih pas maskës,

botës një llambë a një dritë i mjafton,

i njejti mur, ai peng malli, e njejta dhomë,

ku kemi harruar Konispolin, qytetin tonë.

A ka dalje nga profetësia? Rekuem për letrat,

kjo nuk është prozë, esse as një poezi,

atje jemi ne, që erdhëm nga uji, nga yjet,

nga lundrimet e largëta, nga brigjet e joshjes,

nga shkulmet e dallgëve të kaltra të mallit,

te brigjet e këngës që klith si poezi.

Pas një shtegu drite si prindër orvatemi,

te shuajmë urinë e ethshme të djalit.

Jemi në udhëtimin e parë drjet botës,

ndaj rritu vogëlushja ime, nesër do të përjetosh

të gjitha gjërat që nuk ndodhën sot.

Kjo shtëpi nuk më përket mua,

do të ikim, rruga për në tempull është e gjelbër,

dhe Krishti na pret i përgjakur, me syrin si lot.

Ka brigje, ka shpresë - thoshte nëna. Babai,

vëllai im i palindur, motra, përse duhet,

ky kthim në bankën e parë? O ba, do të dish,

a mund të kthehemi? “Rruga për në shtëpi

është abatarja e mallit”, thotë babai.

Për një djalë të vogël që erdhi nga yjet,

për mua si ozonin, për yllin e bardhë,

ky është një varg me 5 këngë të detit ,

të oqeanit. Është kjo dorë që më përkund,

një pikë uji, që bëhet burim jete

dhe udhëtimeve të shpirtit ravëgon pa fund.

Dhe ndodh zbutja e zemrës nga malli,

nga ikja e Evës, nga ndarja nga Adami,

për të zbuluar një galaktikë të re,

ku varrmihësit janë të panevojshëm,

se pluhur i bardhë yjesh do të jemi ne,

ndaj mos mërgo me diellin, se ti s’je si ne!

NJERËZ, DUAJENI NJERINË!

Njerëz, duajeni njerinë!-është zëri juaj,

është thirrja juaj Për Krisht dhe apostuj,

trëndafila dhe dafinë. Jam unë dhe deti,

perëndia juaj, këshilla e nënës e tillë ka qenë,

e bukura dhe dhimbja, shenjtëria juaj!

Tri strofat për nënat i kam qarë me lotë mbuluar,

me foton e Melina Mërkurit në duar,

të qindra Melinave atdhemohuar.

Nëna, shenjtërimin tuaj e lus me sy detari,

për mustaqet e burrit betohem, me besë shqiptari,

unë Sotir Jani, lukovijoti, Sotir Bregdetari!

Njerëz, duajeni njerinë!-dhe në gaz të varrosur

fjalëmbla - të dua, jemi bij të perëndisë,

guri i atdheut na u bë patkua, na shenjtëroi

balta e tij, Saranda, ajo më ngacmoi e para,

ajo më mësoji që njeriun ta dua njeri!

Shëtis Athinës, por jam përjetë lukovjot,

më dëgjon ti Akropol dhe ju politikanë,

mos u bëni xhelozë së mua balta e mëmëdheut

më rëndon, do të vdes aty ku linda, në Shqipëri!

do të vdes duke mbledhur portokalle,

pas do të lë dashurinë time të madhe!

Kujtoni ku ishim, ku jemi dhe ku do vemi,

mos u bëni xhelozë, ne me bukë e ju me gurë,

neve lule, ju xhandarë, për cilët trima ne u vramë?!

Gjithnjë ndezur rri pranvera, në qerpikë lulëzoi,

Himara taksa s’pagoi, në daçi mbesni pa gojë!

Dimë se ç’duam ne shqiptarët, kush do sharë

e kush do vrarë, kush do shkulur me rrënjë e farë...

Dashuria  s’harron kurrë, dashuron kush është burrë,

puthja buron dashuri. E do nderin, o Njeri?

Trembet djalli nga thimjana, jemi të gjithë Kapedana.

Kiçua vërtet këndoi, iso i bëri dhe përroji,

iso bre, i bëjmë dhe ne, rrotull rrapit degëgjerë,

ku mblidhet Nivicë e tërë. Vemi ku na shpie prilli,

te kënga e te bilbili, ku çel bari e tërfili.

Oh ç’më zuri dashuria, e gjeta ku ra shamia,

trimi mbetet i mrekulluar, puthjen ka për të fituar.

Një shaka në valle bërë, tronditet bregu i tërë.

Qemë akoma të parritur, aguridhë e të padirsur,

po zemra pluskon mbi valë, do ta marrë kush ta marrë,

me një puthje ne u dehëm, pa unaza, por u deshëm,

do jemi gjithë jetën bashkë, do jetojmë dhe në Mars!

NË TË GJITHA KUPTIMET ERBAIN

Në të gjitha kuptimet e fjalës ‘erbain’,
brenda poezive të dyzetë vjetëve
aty ku psherëtin prej thellësisë së shpirtit Ismet Ozel,
përmes simbolizmit dhe hermetizmit të tij
do t’iu përcjell kambanat e një zëri krejt të artë,
të një zeri që shpirtra drithëron në preludin e vet,
apo në çdo kandjellje të vacantë.
Aty ku paraqitetsi statujë e bardhë dimërore,
i lodhur, nën vellon e gjetheve cipëbakërta,
Krezus, humbja që të ka ty në të,
qoftë edhe pa krisma dyfeku që ndjelllin vdekjen e një zogu,
në pllajat e mjegullta të maleve të pavarura,
aty ku dyert e shiut në errësirë thurrin lavdërime,
lavdërime për hënën dhe për largësinë e yjeve.

Ne e dimë se një mace në Vaterlo nuk ka asnjë rëndësi,
pasi ndiçimi i hënës nuk i tremb zogjtë e natës,
është ndriçimi i flakes së barutit që ndjell viktimat
dhe të bën t’u vesh supet dhimbjeve në vrapimin
e natës e të ligjërosh këngën e parë për ushtarin e vdekur.
Nga shikimet e vagulluara nën pushtetin e frikës së natës
shpesh vijnë përkufizime makthesh dhe fobish.
Por kur ndizet një dhimbje duhet ndjerë gëzimi,
se organizmi reagon në përshtatje mëngjesi.

Ishte me vlerë dje fjala ‘partizan’, që sot ndjell pështjellim,
ankkthin e rikthimit dhe frikën bashkëkohore,
se mos harmonika e një revolucionari na bëhet qefin,
qefin për të dashurën në një mëngjes lirie.
Kalaja e gjakut na thërret me dhe pa revoltë
se e duam jetën dhe pa sembim ja themi:
“e dashura ime jetë”, jam i njejti njeri,
që thur prelude në një vjeshtë në musht,
ndaj kurrësesi mos u shemb, ajo çka të mban gjallë,
është sensi i së ardhmes, ndaj ngrihu të shkojmë në dasmë!

Oh ç’mazut vjershash të këqija mbushur me shpifje,
plot me shpifje për të dashurën time,
shpesh në shtresa të fëlliqura me gjak, ku na thërrasim
të zgjojmë mikun në një natë me borë
me thirrje propogande, provokime,
me dëshpërimin e një enigme të zgjidhur
në një deklaratë paqje, harmonie e bashkëpunimi.
Amentu, besoj te tezat kundër mendjes
në blunë e Mesdheut që thellohet drjt horizontit.
Hiqma nga brenda këtë dyshim mizor, ose eja ti,
ose merrmë mua atje, Ismet Ozel,
se vdekja allafrënga në tri kohë vjen:
“ils sont eux”, ata janë ata që janë,
ujë i kripur në matarenë time,
kufoma mes dhëmbëve tanë,
radhët pas fotografisë sime të fundit
duke i buzëqeshur xhelatit tim...

FJALA GJITHNJË  NDRIT...

Llambi, dje u shove, nuk bën me dritë,

por fjala tënde,  gjithnjë do  ‘ llamburitë...

Ti u shove poet, por na le një testament,

si fjalë ari, shkruar mbi argjend!

Na  le tokën, ne të gjithëve,

jo vetëm Gentit, djalit tënd
Na  le plugun dhe farën,
na le ujin dhe burimin,
që etjen plisit ti t’ia shuajmë.
Me shkrim të gjitha na i le,
me një tapi prej noterie.
Po lot nuk na le, as heshtje e vaj.
Na le këngën dhe ison të mos kemi  vetmi,
zërin tënd na le, të zgjohemi herët.
Kur jeta të shterojë, pak tokë na le

për vdekjen tënde, te vendi yt,
pak dhe hi e ca zaje deti e shkulmë dallge.

të mbollëm në krah të varrit një bli të bardhë
që një fole ta ngremë si mbi ballë,
të çlodhen zogjtë në fluturim,

që të këndojnë një këngë vaji,

për ty or Llambi, or miku im!

DRITËHIJE TUNDUESE

Dritëhije tunduese ka në psherëtimat e fjalëve,

në oborrin e festës ku shfaqen pantera dhe

shenja abstrakte fshehin horizonte, ndërsa

perënditë nuk na pranojnë lutje të shtirura,

ndërkohë që në shkëlqime verbuese shfaqen

vetëm pikëllime gjysmështize flamurësh të vrerosur.

Alfabete të zhdukur në algjebrat e udhës dhe

pranë varrit të vdekjes së parë doli

një këshillë e urtësisë sime praj të marri,

ndërsa kurioziteti vret duke qeshur

relievet në kohën që nuk soset.

Kur zonjës hijerëndë i ranë pendët

dhe flatrat e iluzioneve në shpejtësinë e lodhur

në qytetet e mbyllur nga brenda nën gërmadhat e harrimit

fathënës të këqinj dolën të veshur si të ishin nuse.

Ishin shtatë në një të vetëm, të verbër në gjykime,

pasqyra të liga të vetvetes që me kutin e tyre

matnin hapësirën  që u dilte gjithnjë mangët.

Ndaj nganjëherë pyes kohën nën degën e thyer

teksa kundroj lumin e së bardhës,

kur dikush si vetja ime e dytë hap dritaren.

Që ta dini unë s’jam kurrë vetëm,

i kam të gjitha trajtat e emrit tim,

por dhe jetët e tyre të ngjizura brenda një jete.

Fjalë  e orgji, por jo rastësisht si bleta

gumëzhijnë kur  braktis kosheren

në fluturimet e saj në trajtë të një tete.

Everest i padukshëm jam unë,

por ende s’kam arritur në Kiimanxharo.

Një çast duket Evropa nën krahë avioni,

pastaj kontinenti im më fshihet nën mjegulla.

Dal  nga ëndërra nën zjarr xixëllonjash.

Zot apo rob zoti jam unë në këtë sarkofag,

ku përplasen zhurma në Luginën e Pasvarrit?

Në absurd, pa busull, pa hijen e malit nën një diell pezull

mendoj se shpella jeton te fjala,

aty ku është mbërthyer një trëndafil si rob lufte.

Pa dëshmitarë në çastin e mëparshëm,

teksa në zgrip u thurr krimi i fjalës

në kushtin e munguar, në kohën e munguar.

Qytetit i tregoj një fjalë me lojrat e mendjes

në labirinte, pa as një lloj komoditeti,

ku nuk kam as lutjen e natyrës as fillin e Arianës,

po si do të kthehem vallë nga gjeometria e absurdit?

Gruaja më pret në breg të pikëllimit

në pakohësi,  në Apokalips ajo mbiu

aty si fik deti dhe qan me pafajësi.

Po kujt i bëhet vonë veç meje,

që për dijen e ardhjes këmbëprerë e pres,

duke lënë gjurmët e mia te rruga.

Maja në zbritje, në bregun tjetër vetmi,

ah sikur prej të shkuarës të zbulohej

një ekuilibër i ri. në testamentin e turmës

skeleti i frikshëm i gjuhëve të vdekura

pa mëdyshje të turrej para furtunës!

Unë do të isha i pari që nën krimin e së qeshurës

të vihesha në kërkim të rrënjëve në ajër,

ndërsa fjalë të pathëna me shpejtësi skëterre

të dilnin nga mitra bashkë me të porsalindurit.

në garë me kohën misteri i fjalës mbase vendoste

si në kubizëm, bashkë me njeriun, me shpirt,

e të qeshur pa faj një Fat të ri,

ku gjysmat e së vërtetës të dilnin në dritë

si dëshmi pas vdekjes, jo në spiritizëm,

por në tempullin e dijes dhe dritës,

pa pablo eskobarët dhe pa ndërvarësi.

Qyteti bregdetar plus një i çmendur

kultivon ëndrra si serra ku trekëndëshi

pitagorian çvirgjërohet nën hirin e fjalëve...

U NGJALL MANXURANA

Udhëtoj pa fund ndër librat e tu Spiro Thomari,

pi ujë dashurish të vonuara në prozë e poezi,

duke dallgëzuar detin e përlotur midis dy puthjeve

apo më mirë midis dy dashurive të trazuara prej dhimbjesh.

Hedh hapa mbi rrjetën e merimangës, kur kapet bukuria

dhe me sytë e zemrës kundroj dritëhijet e një jete,

mbi një varr, i humbur, ngre një memorial,

kur përplasen botët si intrigë e bardhë planetesh.

Mbi krahët e shpresës si gjethe të lodhura

përzihen dëshirat nëpër erën vjeshtake,

ngjiten edhe zbresin nëpër maja malesh

me frikën se malli si retë s’ngrihet prapë,

pa kërkuar të zbresë si shi laraman

në tokën e huaj, dhimbjen e çmontoj

si minë në gjoksin e zbrazur të detit,

si pranverë pa lule nuk mund të pres prapë!

Ndaj rimbush mushkritë dhe ndjej se jetoj,

ndaj çdo çast i bukur duhet shijuar sërish,

le t’i mprehi dhimbja dhëmbët porsi bishë,

mbi plagët e lodhjes zemra ndizet pishë!

Mbi dallgëzat jelebardha unë zhytem prapë,

lot në shtegëtim apo zog i bardhë,

me shpirtin e mbushur me isot e vendit tim!

U ngjall manxurana si djali motak

mbi zemrën e dridhur shtrihet e ngrihet prapë,

ndërsa hëna e bukur më troket në xham…

Peisazh I trishtuar me shishet e birrës bosh,

me diellin dhe botën që dridhet nga ethet,

në livadhet e gjoksit ku dallgët flenë e zgjohen

dhe pres pelerinën e shiut mbi flokët e natës,

që ja vodha yjet për t’i mbjellë brenda vetes,

por heshtja mik i rrallë në zemër bën fole.

ndërkohë pres pranverën, stinën e vonuar,

duke u rrokullisur në tatpjetën e ditëve.

Vargjet e mi si laureshat nëpër gjethe,

pa këngë në rrugën e harruar të buzëqeshjes!

Gjokszbrazur qëndroj si oxhak i boshatisur,

si  malli pa vashat, detin, hënën dhe retë,

fushave djerrë të mbjella dikur nga ëndrrat e mia,

i zbardhur, shpirtrazuar thellë nga dashuria,

tani veç përvidhem si rreze e këputur.

Deri kur? Dallgë e rrudhur mbi shkëbenj të trishtuar

do të jetë horizont i pamjes sime? Deri kur?

Është koha të çohem, të rend drejt zgjimit,

pak qiell duhet, rrugë ajrore veç për fluturimet!

Është koha të shuhet lemza e nënës, të marrë rrugë

shpresa e bardhë nën vezullimin e dritës së hënës

me puthjen e parë dhe puthjen e fundit.

S’e kuptoj pse rend nëpër erë, kërkoj bardhësi

kur fati si erozioni shpirtin ma thërroi,

tek kërkoj këngëzogun në syrin e prillit,

por lodhem dhe në djepin e detit u shtriva

të përgjuem dhe lodhjen ta fshij.

Por ti erdhe me thonjtë e ndezur të barotit

të thithje nektarin e zemrës së djegur,

mpakur në dhimbje në pikëzën e lotit!

Ku ta çoj mallin si bulëz mureve të pritjes,

kujtimet vërshojnë si lumë i dalë shtartit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora