Kulturë
Albert Zholi: Libri me poezi ''Studentët protestojnë'' dhe realiteti i sotëm
E merkure, 16.10.2019, 06:30 PM
Libri me poezi “STUDENTËT PROTESTOJNË” dhe realiteti i sotëm
Nga
Albert Z. ZHOLI, Shkrimtar-publicist
Studentët
përfaqësojnë pjesën më vitale të shoqërisë shqiptare, pjesën më të bukur, më
rinore, më ëndërrimtare, më të guximshme, më vizionare. Studentët janë e
ardhmja e vendit të shqipeve, janë krenaria e kombit tonë. Studentët e duan
atdheun sepse kërkojnë të ndryshojë gjendja dhe jo të ikin nga atdheu pasi ata
duan dije dhe kulturë të zhvilluar. Për të realizuar ëndrrat e tyre, për tu
ballafaquar me arsimin dhe kushtet studentore evropiane, studentët shqiptarë
organizuan vjet, protesta kundër mjerimit të këtij arsimi. Studentët ishin të
qartë dhe të drejtpërdrejt në protestat e tyre, ndaj treguan civilizim dhe
kulturë, treguan se janë e vërteta, dhe
se kombi shqiptar nuk ka vdekur dhe ka të ardhme, Studentët në të gjithë
Shqipërinë u mblodhën kundër lëvizjeve të qeverisë shqiptare për të bërë
arsimin universitar edhe më të shtrenjtë, duke futur tarifa të reja për
provime. Tarifa vjen në krye të tarifave universitare të rritura në mënyrë
dramatike, të cilat nuk kanë arritur të sjellin ndonjë përmirësim në arsimin
publik. Protestat filluan më 5 dhjetor nga studentët e Fakultetit të
Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit të Tiranës dhe shumë të tjerë u
bashkuan gjatë ditës së dytë të protestës. Mijëra studentë në Tiranë bojkotuan
mësimet dhe marshuan nga fakultetet e tyre drejt ndërtesës së ministrisë duke i
kërkuar Ministrisë të shkurtojë tarifat e shkollimit dhe anulimin e vendimit të
qeverisë për pagesat e provimit, së bashku me kërkesat e tjera si kushtet më të
mira të jetesës në konvikte dhe një më të madh përfshirjen e studentëve në
procesin e vendimmarrjes. Ishte protesta më e madhe që vendi kishte parë në
vite pas atyre të vitit 1990. Studentët nga universitetet publike në qytete të
tjera si Durrësi, Shkodra, Elbasan dhe Korça u bashkuan me protesta të studentëve
që filluan në Tiranë duke bojkotuar leksionet dhe duke tubuar në rrugë. Nëse
nuk do merren parasysh kërkesat, studentët bënë thirrje për revolucion
studentor: “Revolucion studentor. Jo negociata me ministren arrogante dhe
injorante”, -janë dëgjuar të thërrasin studentët të cilët kundërshtuan tarifat
e provimeve. Pra ishte kjo situatë, ishte kjo lëvizje studentore që nxiti shumë
studentë të ngjyejnë penën dhe të përcjellin në poezi ëndrrat e tyre, dëshirat
e tyre, kërkesat e tyre për një jetë normale dhe dëshirë për progres. Vargjet e
këtij libri e pasqyrojnë më së miri atë periudhë kohore që nxori lakuriq
reformat pa ide dhe realitetin e arsimit universitar shqiptar. Në poezitë e
studentëve të këtij libri modest gjen mendime, ide, dëshira, kërkesa, meditime
që tregojnë nivelin, karakterin, patriotizmin dhe seriozitetin e studentëve
tanë. Me vargje zemre, me figura të
larmishme, me ide të qarta dhe portretizim realist, studentët poetë përballen
me kohën edhe si intelektualë edhe si patriotë por edhe si krijues të denjë. Ky
libër është një thirrje që rinia studentore i bën nëpërmjet vargut politikës
shqiptare, që të luftojë nepotizmin, sharlatanizmin, arrogancën, servilizmin,
vese që e kanë bërë arsimin shqiptar të kalojë në ngërçe serioze. Si udhërrëfyes
i këtij libri, Profesor Lush Susaj ka treguar një dimension tjetër të tij
intelektual, atë të poetit realist, ku me situata fine, me varg të ndërtuar
bukur artistikisht, varg elegant të lëmuar estetikisht, ai me kurajë qëndron
pranë studentëve, I përkrah i udhëzon dhe bëhet pjesë e kësaj lëvizjeje
nëpërmjet shkrimeve dhe vargjeve poetike kaq shprehëse. Vetëm një pedagog i
pastër moralisht, i afirmuar në rrethet
intelektualë, serioz dhe kërkues, jashtë allishverisheve mund të shkruaj bukur,
pastër dhe me kurajë. Ky libër modest është si një testament studentor, që i
bën thirrje politikës shqiptare, të jetë e kujdesshme, të mos luaj me fatet e
atdheut, të mos luaj me arsimim, pasi studentët, arsimi i nivelit bashkëkohor
do ta nxjerrë Shqipërinë në dritë.