Kulturë
Mehmetali Rexhepi: Filozofia poetike e heshtjes
E shtune, 12.10.2019, 05:54 PM
FILOZOFIA POETIKE E HESHTJES
Anton
Nikë Berisha, Sytë e heshtjes. Përsiatje poetike; Argeta LMG, Tiranë 2018
Nga
Mehmetali Rexhepi
Vëllimi “Sytë e
heshtjes” brenda tridhjetë e tre kapitujve, aq sa thuhet se kishte zgjatur jeta
tokësore, e shndërruar në hyjni, e Jezus Krishtit, ngërthen përsiatje poetike
për filozofinë e heshtjes.
Koncepti i zgjeruar i
heshtjes i poetit, romansierit, studiuesit dhe dijetarit, i profesorit
universitar Anton Nikë Berishës, pikënisjen e valëve koncentrike të figurave
dhe ideve në këtë libër, e ka shtrirë në dy përmasa paraprijëse jetësore e
hyjnore: Nëna Tereze si model dhe variacionet e pambarimta të heshtjes. Qasja
për t`i shpaluar ngërthesat, pamjet, zbërthimin e librit “Sytë e heshtjes”, të
vë në mëdyshje të mëdha. Shtytja për një ndërmarrje të tillë e ka modelin e
gjallë në zemër e mendje... Frymëzimi i pashuar buron nga një qenie tokësore, e
cila me veprimet e përkushtuara për skamnorët, të sëmurët, të uriturit, të
përbuzurit, të gërbulurit, të pashpresët, ngjalli dashuri dhe i vuri lidhjet
mes globit lëndor dhe Hyjit. Nëna Tereze themeloi dhe përuroi rendin e
njëmendët të njeriut për njeriun, antitezën e denjë kundruall asaj të Tomas
Hobsit: Njeriu për njeriun është ujk! (Homo homini lupus est!)
Sytë dhe heshtja janë
përqendruar fort për t`i zbërthyer pjesët e tyre të pashkruara, të shtresuara
mijëra vjet, jo si mënyrë e diskurseve, por me arsenalin e begatshëm të gjuhës
e të stilit figurativ. Si duket, duke lexuar e rilexuar tridhjetë e tre
kapitujt e këtyre përsiatjeve, këtij autori shumëplanesh nuk do t`i mjaftonte
depërtimi në sfera të ndjeshmërisë etike dhe estetike gjuha e diskurseve të
prozës.
Secilit kapitull a
poezi e formës mono-kolone të poemës “Sytë e heshtjes” e Anton Nikë Berishës, i
prin që në krye të herës heshtja, konceptimi në trajtën e shquar, pos në
kapitujt njëmbëdhjetë, shtatëmbëdhjetë dhe njëzetetetë e hasim në trajtën
nismëtare të pashquar.
Heshtja është
koncepti themelor shumështresor i përsiatjeve, që e lidhin tekstin me nëntekstin
me fije të dukshme e të padukshme variacionesh prodhimtare, për kapje pamjesh
dritë-hijesh, fjalëzash, kontrastesh, gjendjesh shpirtërore, përfytyrimesh,
faqesh gjysmë të ndritura e gjysmë të errëta, kredhjesh në trajta misteresh
ontologjike të vetë-njohjes dhe Hyjit, grishje e përhershme dhe gjakim i
pashuar pas shkëlqimesh të ngërthyera në konceptin fillestar të heshtjes.
Padyshim për ta
përmbushur konceptin prijatar të heshtjes, duke mos iu shmangur formulës së
përcaktuar, poetit i është dashur përvojë e disiplinë prej kërkimtari për
depërtime në shtresimet e fjalës, gjithnjë duke e zgjeruar dhe dendësuar
kornizën e konceptit për heshtjen, si kategori gjithëpërfshirëse, përcaktuese e
pohimeve poetike... Përcaktimet këtu nuk u shtruan thjesht si diçka e radhitur
për efekte retorike, por si frymë e shpirtërores, kredhje në universin e
heshtjes, njëkohësisht për të pathënat e gjakimin e pengut të saj të
madhërishëm.
Në këtë poemë heshtja
nuk konceptohet si kategori e ngurtë, si një zjarr i shuar pa prushin që djeg
ashtin e shkrin lëkurën. Pa u habitur, cikli i shndërrimit vijon: hiri i
heshtjes kthehet përsëri në flakë e prush, sepse brendia e saj ka dallgëzime e
drithërima të shpirtit... Poezia shfaqet pikërisht në paradoksin e saj poetik.
Përsiatjet për
heshtjen, e konceptuar si poetikë e filozofi e saj, në poemën “Sytë e heshtjes”
të poetit inventiv Anton Nikë Berisha, mëtojnë pleksjen e trinisë: poetikë,
ontologji, imagjinatë. Gjithsesi sfondi i kësaj trinie është imagjinata.
Trajtat e shprehjes artistike prore lëvizin në suazat e të së mundshmes
relative. Universi i të pathënave është e pakufi. Pra, kurdoherë mbeten të
pathënat, të cilave priren t`iu rreken dijetarë e poetë, secili me
individualitet e veta të kundrimit të ndjeshmërisë, manifestimeve pararendëse
në intuitën vijuese të akëcilit dashnor të shprehjes poetike. Poetët duke
përplotësuar njëri-tjetrin në hapësira, kohë, mjedise e tradita të ndryshme të
përmbushjes shpirtërore, matin pulset e ndjeshmërisë shoqërore...
Zgjerimin e konceptit
poetik për heshtjen Anton Nikë Berishës ia mundësoi kultura dhe intuita e hollë
poetike, e sprovuar qoftë në planin e gjerësisë ideore, qoftë për shkathtësinë
e shtrirjes, lakimit e të tëhollimit depërtues të fijeve refleksive, të lidhjes
tyre me përmasat universale të dukurive. Fjalori i kësaj poeme dendësohet me
përbërës të shumtë kontrastesh, ritmesh, ngjyrash, me stilin e gjuhës
figurative e të imagjinatës për t`i kapur dukuritë, shqetësimet, trazimet,
ëndjet e ngazëllimin, dilemat, mallëngjimin e dëshpërimin e njeriut, zgripet e
shpirtit e të qenies përherë të pangopura me dhuntinë e dritës, të trajtave të
ujërave që rrjedhin stinëve... Era si çelës i sythave të blerimit dhe si
shtrëngatë tmerruese, dhimbja si dëshmi gjallërie...
Leximi sipërfaqësor na
shpie në mbresa të lajthitura, ngase anashkalohen kodet e ideve të pleksura në
figura. Shumësia e ideve nuk mund të vishej vetëm me figurat e fjalës, qoftë
personifikimi, krahasimi, simboli, hiperbola, metafora, epiteti, litota, ose me
figurat e intonacionit e të përsëritjes, as me ato të diksionit e të eufonisë,
si: pyetja retorike, apostrofa, asonanca dhe aliteracioni... Po ashtu, kësaj
bote të ndërliqshme poetike i duheshin dhe figura të konstruksionit, si:
inversioni, elipsi, shkallëzimi, e tjera. Posaçërisht i duhej arkitektura e një
sintakse poetike të pa pushtuar.
Ideja pllenohet në
kundërshti antitezash dhe nëpërmjet njohjes së vetvetes, të vërtetës,
eksplorimit të jetës e të universit; si dhe në kërkime shkaqesh e zhvendosjesh
paradoksale, lidhjesh të pashkëputura, fijesh të holla e të trasha, enigmash të
cilave u sillemi vërdallë... Poeti ndjeshmërinë e subjektit poetik e pleks me
përkufizimin mendor, prandaj, mbi përmasën e ndjenjave dhe të mendimit
strukturohet poema “Sytë e heshtjes.”
Çka është heshtja në
përsiatjet poetike dhe ontologjike të Anton Nikë Berishës?
Po t`iu qasemi
mençurive të thënieve për heshtjen, në kontekste të rëndomta dhe në konteste
vëlimesh e kundërshtish, madje për heshtjen si sublimë e urtisë; mund të
silleshim në një qark të rrahur tematik, që nuk do të na shpinte as në
thellësi, as në lartësi, as në shumësinë e ngërthyer të filozofisë, të poetikës
e të estetikës... E duhura e kësaj urtie është trajtimi i qasjes nëpër
kataraktet emocionale, të ideve rrafshit të tyre përcaktues, simbolikës kahes
vizionare drejt begatimit të konceptit poetik, për sytë si e shohin botën dhe
ekspresivitetin e hyrjes në brendi të heshtjes. Të përkufizosh variacione dhe
konotacione, të cilat burojnë nga heshtja, në mënyrë dhe me mjete poetike,
doemos duhej të kishe përafruar dy anë të botës: relievin e botës së ndjenjave
dhe yllin rreze-artë të mendjes, për të hedhë shkëlqimin e dritës në skutat e
errëta të universit të ndërdymes... Kështu ndërdyja e poetit shfaqet e
komunikon si trajtë modeluese e dukurive, si një miniaturë universale.
Sikurse vëmë re gjatë
leximit identifikues, përpjekjen për t’u identifikuar në këtë sferë vargimi të
ndjeshmërisë, nuk e hasim si përpjekje për t`i mbi-ndërtuar thëniet e urtisë si
përditshmëri e tipit: heshtja është kapak i argjendit; heshtja është varr;
mandej konceptimet e heshtjes në konotacionet shoqërore: heshtja është
miratim...; Heshtja është kapitullim; heshtja është kompromis; heshtja është
tërheqje nga beteja; heshtje, do të thotë, fshehje e fajit; heshtja është
mençuri; heshtja është ligësi; heshtja është padituri; heshtja është trajtë e
injorimit; heshtja mungesë gatishmërie e përballjes; heshtja fsheh koruben e
arkitekturës...
Në kapitullin e tretë
vargëzues, poeti ngre pikëvështrimet e tij për variantet konceptuale të
heshtjes. Ç`është heshtja?
Heshtja
është të folurit pa zë,
pa
tingull, pa zhurmë, pa lëvizje,
mbushullim
fjalësh që të flasin
me
gjuhën e shenjave, me pamje, me simbole...
Çfarë hasim kësaj
udhe të kërkimit poetik? Gjithsesi vërejmë mësymjen e pandalshme të poetit për
t`ia gjetur veshjen e përshtatshme poezisë së heshtjes, që joshet nga teoria
për heshtjen. Përkufizimi i variacioneve të heshtjes përmes vargjesh herë-herë
merr tipare teorike. Qëmtimi i figurave ngjyhet në lëngun e preferencave të
diskursit teorik me mjetet e stilit figurativ. Mendimtari me dorën e tij finoke
e tërheq poetin. Megjithatë, në vazhdën e shtjellimit poetik të Anton Nikë
Berishës, libri “Sytë e heshtjes” nuk i nënshtrohet eseistikes, ngase do ta
ruajë mëvetësinë, duke qëndruar prore në tabanin e natyrës letrare-artistike.
Natyrisht poezia e
një kategorie dhe niveli të tillë artistik, nuk mund të ishte tërësisht e
pastër, pa përvojën e sprovat filozofike, pa reflektimet e tej-përshpirtjes, të
hyjnores, pa trysnitë e realitetit jetësor, të cilin poezia mëton ta
fisnikërojë, ta humanizojë dhe t`ia japë në dorë librin e të urtëve të
njerëzimit. Vijimit përkufizues për heshtjen poetike do t`i jepnin shtytje
moria e konotacioneve, e pamjeve të bukurisë. Përmasës të së bukurës
shkrim-kërkimtari do t`ia zbërthejë hiret, duke i dhënë ngrohtësi ujëvarës që e
“mbroth shpirtin”, ndesh dallgëzimeve të liga të shëmtisë, mëdyshjeve e
rreziqeve... Poeti përherë është në ballë të misionit të pashuar, herë si
mister i lëbyrur, pa e ndier kumtin ngadhënjimtar në kohëra të zymta jetese,
herë si mësymje për ta shpaluar bardhësinë e praruar mbi mua, mbi ty dhe në të
tjerë. Heshtja si kategori estetike e të madhërishmes, ngërthen brenda vetës
“lumin e dashurisë” dhe “liqenin e përdëllimit.”
Paqja e brendshme
është njëra nga rrethanat fatlume për kundrime gjakftohta të kundërthënieve e
të vlimeve ndër-njerëzore. Trajtimin e heshtjes si paqe “që duhet mbëltuar”, e
përtrollit heshtja si trajtë e urtisë. Lakmia hyri mes njerëzve dhe, meqë u bë
e pashmangshme pasoi trazimi i paqes e, njeriu përmbushet në bashkësi me paqen
në shpirt e në shtëpi. Duke qenë premisë themelore kundruall trazimit, ajo me
paqen e vet i zbut marrëdhëniet mes njerëzish dhe merr kuptimin e mirëfilltë
sidomos kur i takon edhe tjetrit.
Diskursi për heshtjen
si përmasë e shtrirjes zotëruese, sjell ëmbëlsinë e kontrastit të gjumit dhe të
ëndrrave, kur vjen befas “e na i mbyllë sytë si erësim lulesh...” Metafora e
heshtjes zbërthen kënaqësinë dhe shëmtinë, këputjen e ëndrrës së bukur nga
vrazhdësia e zhgjëndrrës së jetës.
Kapitull pas
kapitulli të veprës “Sytë e heshtjes”, poeti Anton Nikë Berisha i rreket cakut
poetik, për t`i parë të gjitha anët e heshtjes. Në optikën e shkrim-qëmtuesit,
heshtja e ka shtresuar gjakimin e pashuar për të madhërishmen, për të gjitha
kategoritë e të bukurës, ndaj nuk ngurron për ta merituar bekimin e tokës e të
qiellit edhe me aktin sublim të flijimit dhe, me brishtësinë e natyrës së cilës
i përket:
është
flijim i brishtë i frymësisë së fjalës
me
dhjetëra ngjyrime tingëllimash pa zë
Duke ngërthyer
gjakimin e etur, lumi i heshtjes rrëmbimthi përplaset në shkëmbinj, derisa të
arrijë rrafshin e qetë të rrjedhës. Kështu heshtja merr konotacionin e
durimit... Heshtja përplasjen nuk e shmang, por e hesht në përmasën e vet. Dy
kuptimet: rrjedha dhe shkëmbi i përkasin heshtjes si simbolikë e gjallërisë
ekzistenciale, si rrjedh dhe qëndresë.
Ç`është dashuria e
konotacioneve të heshtjes e Anton Nikë Berishës? Në qoftë se thënia e diskursit
shqyrtues artikulohet pasi të kalojë nëpër filtrat e logjikës, thënia poetike e
zhvendos logjikën, për t`ua lënë mundësinë situatave paradoksale dhe antitezave
të sendeve e dukurive. Aty ku nuk mund të qëndrojë rendi logjik i gjërave, kur
situatën logjika e sheh të patejkalueshme, e tejkalon në mënyrën më radikale
poetika e figurës ose figuracioni poetik. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se
poetika figurative është rezultuese afektive e trazimit shpirtëror. Dëshmi për
përtrollitje të këtij konstatimi janë vargjet e poemës “Sytë e heshtjes.” Sytë
dhe heshtja një togfjalësh i thjesht, por brendia e tij vë në funksion shumësi
pamjesh, ndodhish, dëshmi ndjeshmërie, konceptesh mendore, dhimbjesh,
absurdesh, trajtash tragjike të ekzistencës, ngazëllimesh dhe udhë-rrëfimesh
njerëzore. Te “Sytë e heshtjes” veshët, gjymtyrë për kapjen e ndijimeve të
jashtme, nuk duken, por lihen për t’u kuptuar. Koncepti heshtje, po aq sa
shikimeve, i ka lënë hapësirë dhe ndijimit, por sytë e poetit njëkohësisht janë
shqisa ndjeshmërie, dyfish funksionale. Kjo ndjeshmëri në librin e saj të
heshtur nënvizon pëshpërimat më zë-humbura, meqë nga egoja e vet ka përjashtuar
kakofoninë, krismat, britmat, sharjen, mallkimin e zëshëm dhe gjëmën.
Kjo tipologji
figurative është ngjizur me çiltërsi në krojet e kristalta të çiltërsisë...
Boshti i togfjalëshit “Sytë e heshtjes” i kësaj poeme, është identifikuar në
Modelin e syve përdëllimtarë të Nënës Tereze, përkatësisht të Shën Terezes.
Autori i përsiatjeve
poetike vazhdon zgjerimin e konotacioneve për pamjet e heshtura, vazhda e të
cilave pashmangshëm derdhet në detin e dashurisë:
Heshtja
është thelbi i dashurisë...
Dashuria nuk i ka
rrënjët vetëm në ndjenja, në mungesën e saj, në dhimbje, në gjakimin e kërkimet
për të... Dashurinë e përshkojnë drithërima e përcëllimë flakësh, maja
shigjetash të harkëtarëve; harkëtarë shënjestrash të ëmbla. Si e tillë, e dalë
prej shpirti, e mbjellë hullive të zemrës:
është
rruga më e shkurtër të mbërrihet te Hyji
Esenë e tij artistike
poeti e drejtoi drejt lidhjesh të tokësores me Hyjin, me botën hyjnore si
ndjeshmëri e përshpirtshme biblike, si sferë e të madhërishmes që na vëzhgon,
qorton e përdëllen. Tokësorja dhe hyjnorja e dashurisë, e penës dhe mendjes të
shkrim-qëmtuesit Anton Nikë Berisha, kushtëzohen pashkëputshëm me orbitën e
syve gjithë-pamës,“Syve të heshtjes.” Është formulë e rëndomtë si për poetin,
ashtu dhe për lexuesin se “dashuria nga dashuria rritet.” Antiteza e kësaj
natyrshmërie do të ishte: dashuria pa dashuri venitet.
Cilësimi i heshtjes
si dhunti, si thesar gjësendesh të çmuara, si vetëdije e pjekur, e fërguar për
shije, e flijuar për të tjerët, e zbret autorin nga lartësia poetike e hyjnores
në një shtjellim eseistik të udhërrëfyesit, të ligjëruesit për kahet e
ecejakeve etike të njeriut, për ndërtimin e standardit qytetërues të vlerave
njerëzore.
Cilit njeri i
drejtohet ky poet?
Gjithsesi njeriu i
këtij poeti ka tipare të këtij mjedisi, por komunikon edhe me mjediset e tjera,
me brengat e përbashkëta të çdo ambienti. Tiparet e veçanta të personazhit
ngërthehen në të përgjithshmet e personazheve, relievit të mjediseve, racave,
feve dhe të etnive të ndryshme.
Kërkimi poetik përmes
kësaj poeme merr kahen e ligjërimit të një udhërrëfyesi të sprovuar. Tashmë
duket se ai udhërrëfyes është duke zbritur tatëpjetës relievit në fushën e
parimësisë etike të Nënës Tereze. Këtu e hasim urtinë si diskurs që e tejkalon
sferën e vet dhe merr rolin e një dizajnuesi të përzgjedhjes së veshjes, të
asaj veshjeje që t`i ketë hije sedrës njerëzore, kulturore, etike e mençuruake;
tejkalimit të ngushticave vetjake, shpirtërore, ngadhënjimit të së mirës.
Apostrofa urtuake e shtyllës të filozofisë së Biblës bie mbi vatrën e durimit;
pikërisht aty ku e ka burimin forca ngadhënjimtare e paqes të Homo sapiens-it.
Variacionet e
heshtjes në morinë e përfytyrimeve të tyre, ashtu si nuk i kemi hasur në letrat
e shqip-shkrimit, shfletojnë gamën e gjerë të poezisë me segmente mendore.
Gjithsesi këso ndërtimesh të poezisë, me tekst e figura të dendura, ofrojnë
qasje të hapura dhe depërtuese, oksimoron kuptimesh e zbërthimesh ontologjike.
Autori shkruan mbi faqet e librit të vetë-njohjes e, na shpie në relievin e
mendimit. (S)fondi i përsiatjeve poetike i poemës “Sytë e heshtjes” janë
figurat e veshura me mendim.
“Heshtja është puhizë
e brishtë”, domethënë lëmon lehtas gjethet e frytet, flokët e kallinjve të
grurit, të lulediellit, të vashës e të djalit. Shtresa kuptimore ose semantike
e heshtjes është termometri i ngrohtësisë shpirtërore, si impulse gjallërie
dhimbjesh e gëzimesh, që hyjnë e dalin shpirtit dhe lënë vragë, plagë e
mbresa... Atëbotë, do t`i bartim si barrë të rënda e të lehta, si këngë vaji e
ngazëllimi, të cilave u fiket e ndizet drita, përderisa qetësia nuk ua ka
hedhur dheun e amshuar për bimën e re...
Konceptimi i heshtjes
si At Dhe Dashuri, si Mëmë Dheu, e shtyn unin e poetit t`i mësyjë
testamentet e ngërthesave: rrënjët, trungun, degët, frymëmarrjen, gjethimet e
ripërtërishme për formësimin e kurorave, drejtpeshimin e identifikimit, vijimit
të qenësisë etike, rrokullisjen e gurit dhe lirimin e gjarprit nën gur, si
ruajtës i kultit të shtëpisë. Pashmangshëm: heshtja si dashuri Mëmë Dheu është:
“vargëzim që s`këputet asnjëherë...”
Dialektika e
vazhdimit të identitetit dhe trashëgimia e të parëve, rishkrimi tri herë i
togfjalëshit me shkronjë të madhe: “ të Parëve, të Parëve të të Parëve”, në
kontekstin e poezisë e forcon dhe shtrin përtej mundësisë kohore theksin logjik
dhe apostrofën e zgjeruar. Kësisoj, poeti duket se i ka kapërcyer klishetë e
arealit gojor të vargut dhe, nëse shfaqet diku ndonjë nuancë e atillë është
krejtësisht e asimiluar.
Çka është qenësia e
lëngshme e heshtjes? Është intimja e shtresimit si mallëngjim, si gjendje e
flashkët e përcëlluese, si eshkë bjeshke që nis djegien e subjektit jetësor e
poetik.
Sytë “e lodhur nga
pritja” e presin lamtumirën e një përfundimi, që dukej se nuk do të kishte
fund:
por
çdo fillim është nisma e një fundi
dhe
çdo fund është fillimi i një nisme
Fillimi dhe fundi,
fundi dhe fillimi janë brenda kornizave të heshtjes, të cilat i përligj
dialektika e shndërrimeve të jetës nga trajta e gjallë në të vdekshme. Nisma e
një vaji fëmije, pranvera e vrullit rinor, pjekja dhe tharja e lëngut prej
pleqërie, janë hallka skajesh të njëjtit zinxhir...
Shkëlqimi i të
bukurës josh dhe ushqen sinonimin e kobit të vet, si ëndje, gjakim, etje, epsh
i pareshtur deri në përmbushjen e lakmisë, që autori e përmbyllë me hepy end.
Ndoshta Ai mund t`i shmangej kësaj skeme, skemës së përfundimit të lumtur e, ta
linte pezull retiçencën e vargut?
Orbita e heshtjes me
fijet e saja i mbështjell ëndërrimet si realitet i papërmbushur, ose si
zhgjëndërr e dëshirueshme, do të thoshim, gjakim e shkathtësi e tmerrshme për
mbijetesë.
Poeti vazhdon
shfletimin e faqeve të librit të heshtjes, të cilin e shkruajnë sytë dhe ia
lexojnë heshtjes, si dëshmitare e paluajtshme. Shikimet e përqendruara të syve
shënojnë lëvizjet ritmike të atmosferës së shpirtit dhe të natyrës.
Shkathtësia dhe
kultura e poetit i dhanë dorë përzgjedhjes së hollë figurave e semantikës së
tyre: heshtja dhe guaca ndërthurin gjerdanin e ndërvarjes sinonimike... Çfarë
fshehin këto dy sinonime? E para: heshtjen e brendisë, e dyta: kureshtjen për
brendinë e heshtur nën zhguallin e guaskës. Njëra ngërthen subjektin poetik,
ontologjik, tjetra sublimen e natyrës, xhevahiret e detit. Që të dyja: heshtja
si kategori e sferës abstrakte dhe, guaca si sublimë konkrete e qenies ujore,
zbërthejnë bukurinë e filozofisë së heshtjes.
Dhimbjen në poezinë
shqipe e vështruan një varg poetësh bashkëkohorë. Anton Nikë Berisha atë e
trajtoi si përmasë e përhershme konkrete – jetësore dhe shpirtërore të njeriut.
Si do ta trajtonte ndryshe këtë koncept themelor për njeriun? Doemos dhimbja
është fondi jetësor i pashmangshëm, shenjë ndjeshmërie e gjallërie; prodhimtare
e dendur tendosjesh dramatike, shtypje e shtysë vullnetesh e mësymjesh, antipod
pandjeshmërie... Dhimbja është kategoria strumbullar e shumësisë shtresore
poetike-estetike e shtresuar në kohë në durimin a ligështinë e karakterit; masë
e burrërisë kur rënkimet, përgjërimet, lutjet, çartja i lihen në dorë një
madhështie frenuese, sinonimit të durimit. Në këtë kontekst spikatet cilësia e
burrërisë, ndërsa heshtja me jorganin e vet ia mbulon dhimbjes gjymtyrët e
molisura.
Sprovimet
ekzistenciale, ku zotëron heshtja, ngjiten e zbresin në peshoren e ndërgjegjes,
ngjashëm dilemave të artit hamletian: të jesh a mos të jesh ai i vërteti, të
jesh ai i ëndrrës ose t`ia mundësosh asaj zhgjëndrrën e përgjumjes?... Kësaj
hapësire të papërcaktuar të gjallimit rritet e majmet krimbi i dyshimit dhe
mëdyshjet gërryese të trurit. Vijueshëm kontrasteve të ashpra të ekzistencës,
huazohet përvoja e artit të madhërishëm të William Shakespeare, në vargun e
parafrazuar, të shkëputur nga “Ëndrra e një nate vere.”
Anton Nikë Berisha
gjithnjë ka parasysh modelin parashikues të fenomeneve njerëzore, sipas
tipologjisë së Nënës Tereze, të kësaj Mësueseje të devotshme për njerëzimin,
prandaj, shkrim-kërkimtari eksploroi vargun e konotacioneve të drejtpërdrejta:
çfarë janë dhe si e panë jetën në rrjedhat e saj sytë metaforikë të
togfjalëshit të ngërthyer në “Sytë e heshtjes”?
Heshtja në
variacionet e saj paraqitet si qenësi e rrojtjes me virtyte, a sikurse e
modeloi poeti:
as
në ëndërr nuk duhet të pish
ujin
e turpit që e nxit shprishjen, shembjen...
Kjo frymë e përshkon
në tërësi poemën, sintetizon virtytet më të pastra të karakterit njerëzor:
mirësinë, urtësinë, çiltërsinë, burrërinë, shpirtgjerësinë, marrëdhënie
cilësore mes njerëzish. Mirëpo, kujdes: udhës së gjatë e përkohshmja e
cilësive, të mos digjet sikur zjarri me kashtë!
Në rrjedhën e
heshtjes për të madhërishmen, për trajtat e të mirës, për të bukurën, për
dhimbjen, për flijimin dhe tragjiken plekset heshtja si estetikë e ligësisë, si
e keqe e përmasave nga më të ndryshme. Smira në brendinë e saj “rrit nepërkën”,
e cila kërcënon përmes strofkës, që ngre në shpirt e i jep zjarr urrejtjes,
shpërfilljes dhe nxjerr në sipërfaqe të dheut urithin “shpërfillës”, merimangën
“tinëzare”, që i shtrin rrjetat skutave e këndeve për ta kapur gjahun e vet.
Heshtja, si sprovë e
sprovimit të rëndë, për ta ruajtur të fshehtën e shtyn idealistin në zgripe të
honit... Karakteri i fortë dhe sadizmi i skajshëm e thyejnë qenien fizike të
heroit. Atij i kushtëzohet domosdoja: të mos kesh gjuhë, të mos kesh gojë dhe
të jesh si guri. Të lidhësh gjuhën, të mos çelësh gojën... T`ia falësh trupin
torturës të sadistit, pa iu lutur, pa iu përgjëruar për falje dhe mëshirë se
ke:
dy
gisht fytyrë e bëhet fushë e pa skaj,
ku
dhe djalli i dehur zellshëm do t`vallëzojë
Kush mund të jetë i
tillë, që trupit, i cili mban jetë, t`i thotë: lamtumirë, shpirtit: ndizmi ato
hire?! Është Ai të cilit i përulemi dhe në pllakën prej guri i vëmë lule...
Në ligjërimin vijues
poetik të librit “Sytë e heshtjes”, heshtja merr trajtën e foshnjës së njomë,
me hiret e buzëqeshjes e të gëzimit. Ajo hyn në botën time, në tendën, në të
atyre për t`i zmbrapsur, qoftë përkohësisht, brengat, shqetësimet dhe jetesën
mes sosh. Foshnja e heshtjes t`i jep doçkat e buta pikërisht kur të kaplon shiu
i pikëllimit, acari i dëshpërimit, agimi i zbardhjes së territ, bukuria e
rrezeve, ngjyrat, ritmet e ditës e të frymëmarrjes së lirë, erë-dehja...
Ngërthesat e së
kaluarës i grish dhe i mbart heshtja. Arkivimet e kujtesës në thellësi të
kohës, në thellësi të heshtjes, ku më shumë e ku më pak, nxjerrin krye në
morinë e ngjarjeve, bëmave e flijimeve, që patën forcë t`i ruajnë shenjat në
gurë, pergamena, pllaka, në arealin kolektiv, mandej të shkruar në mendjen libër.
Madhështia e tronditja, absurdi dhe qartësia u sintetizuan në korpuse vëllimesh
të heshtjes...
Kureshtja e
udhërrëfyesit Anton Nikë Berisha shpie te heshtja brenda botës sonë të vogël.
Ajo heshtje shtreson dritën e pafund dhe, atë dritë e kishte huazuar nga
shkëlqime yjesh, duke ia shtuar shkëlqimit edhe ngrohtësinë. Ngrohtësia, pos
dhuntisë së dritës, do t`ia falë syrit vaktësinë e lotëve, pikëllimi i të
cilëve ujit lulet erëmira.
“Sytë e heshtjes”
ligjërojnë të përhershmen që mbetet pas ndodhjes... Ata sy mëtuan të prekin e
kapin anët e dukshme edhe në të errëtën e heshtjes. Çfarë heshtje është kjo?
Një si shkretëtirë e pafund, kur nuk mund të lëvrosh të vërtetën, kur pranë
ujit ke të pashuar etjen...
Si mund të qetësohet
trazimi i shpirtit më mirë se në heshtje? Këngës në heshtje i laget dhe thahet
fytyra, ndaj përmes figurës së krahasimit “si shi i muzgët mbërthyer nga terri”,
ushtima, shkreptimat, bubullimat, gurrat e plagëve të hapura rrjedhin, por
i mbërthen, i fashit jetëgjatësia në kufijtë e heshtur të heshtjes.
Gjithë-kohës së njeriut i mbetet tharmi i dashurisë; zanafilla dhe përmbyllja,
pastaj sërishmi dashuria...
Heshtja dhe vdekja
janë “hije gurëzuese”, diçka tinëzare që të kapin, të nguliten si shigjeta të
helmatisura, të mbërthejnë, të shprishin mendjen, t`i shtangojnë gjymtyrët, e
zhbëjnë buzëqeshjen me shpatën e një kalorësi; është një “rrjetë e mynxyrtë,
gjyq i fundit i ndërgjegjes...”.
Këto përsiatje
poetike me shtjellime hapjesh tematike e motivesh të shumta, sjellin përballjen
e njerëzimit me ligësi të ndryshme. Përballja me ligësinë tënde, të këqijat të
cilat nuk të falen, nuk të anashkalojnë... Kështu ndodh kur ndërgjegjja jote e
zgjuar nuk të falë. Është një ëndërr e trishtuar, që nuk e ka pas zhgjëndrrën;
është një akt i kapërcimit tej kësaj bote sa ” një fluturim zogu prej degës në
degë”
Konotacionit
përmbyllës të heshtjes i shkurtohet udhëtimi meditativ. Përmbyllja të shpie në
amshimin e përhershëm... Fiken shikimet, ngadhënjen heshtja...
Akti i përmbylljes
Shqyrtimi i poemës “Sytë
e heshtjes” i poetit e romansietit Anton Nikë Berisha të ofron mundësi të
shumta qasjesh, këndvështrimesh e reflektimesh figurative, tematike, estetike,
stilistike e filozofike. Ana figurative e gjuhës së këtij poeti karakterizohet
nga dy anët e medaljes...
Përvoja stilistike
dhe kërkimet e pareshtura, qëmtimi me shije, kulturë dhe intuitë depërtuese në
thelbin e dukurive e të çështjeve, këtij poeti i mundësuan ta pasurojë
shprehjen artistike, duke sjellë margaritarë ndërtimesh figurative në letrat e
shkrimit shqip. Vargu i këtij shkrim-qëmtuesi dendësohet me ngërthesa figurash
të bukura e reflektuese; të tilla sikurse kjo tipologji e vargut:
kur
sythojnë gemat si buzëqeshje fëmije
Filozofia jetësore,
etike dhe estetike e kësaj poezie dëshmohet përmes tekstit; e ndërtuar asisoj,
që lyp përqendrimin dhe kulturën e një lexuesi të formuar: për tekstin,
nëntekstin dhe tërësinë e ngërthesave në artin poetik.
Përshkallëzimi i
tekstit të poezisë së Anton Nikë Berishës, për kaq sa u tha e sa do të thuhet,
arrin majat e artit elitar.
Gjilan,
korrik-tetor 2019