Kulturë
Kadri Tarelli: Shpendi Topollaj dhe mitologjia
E marte, 15.10.2019, 06:24 PM
SHPEND TOPOLLAJ DHE MITOLOGJIA
Nga Kadri Tarelli
Në
kolanënë e librave të botuara nga shkrimtari, kritiku dhe studiuesi i njohur
Shpendi Hulësi Topollaj, shtohet e dhe studimi: “Esse. Rreth shprehjeve
mitologjike”. Libër, që pak kohë më parë
doli nga shtypi dhe që hapet me poezinë, “Në Akropol”. Vetë titulli dhe figura
e bukuroshes Athina luftëtare, na çon shumë larg në kohë, në mitologjinë e
popujve të Mesdheut. Pikërisht aty ku janë burimet e shprehjeve letrare,
artistike, filozofike, politike, shkencore dhe shoqërore. Citime të përdorura
aq shpesh nëpër kumtesa e studime të ndryshme, më së shumti si figura letrare
krahasuese të poetëve, shkrimtarëve, oratorëve dhe dramaturgëve, pse jo edhe nëpër
fjalime politikanësh e demagogësh. Ligjërata, që në mënyrë lakonike, edhe kjo
fjalë e ardhur nga lashtësia, shprehin thelbin e problemit, shpesh edhe të
gjithë librit, shkrimit apo fjalimit.
E
pranoj, besoj se edhe të tjerët janë në një mendje, se disa i përdorin këto copëza
fjalish, si pjesë të kulturës së tyre, duke i vendosur në shkrim, disa më të
zellshëm në oratori, për t’i dhënë më shumë bukuri e forcë artistike fjalës dhe
më shumë hapësirë e frymëmarrje mendimit. E gjitha në shërbim të autorit dhe mesazhit
që përcjell, për të menduar, se asgjë në botë nuk ka mbetur pa u thënë që në
lashtësi, për të na kujtuar, se ne nuk bëjmë gjë tjetër, veçse i përsërisim ato
në kohë të ndryshme, në vende të ndryshme dhe nga njerëz të ndryshëm.
Të
gjithë lexuesit dhe dashamirët e rreth pesëdhjetë librave të autorit Topollaj, përfshi
edhe dëgjuesit e shumtë nëpër takime, tubime e kuvende letrare, artistike dhe
shkencore, pa shumë vështirësi kanë dalluar, se çdo shkrim, apo fjalim, dhe
këto nuk janë pak, që ai të përdorë aq shumë shprehje, thënie, apo mesazhe nga
të mençurit e botës, përfshi këtu edhe nga mitologjia.
Duke
pretenduar se deri-diku e njoh krijimtarinë e Shpendit, kam përshtypjen se ky stili
i tij i rrëfimit të shtruar, me gjuhë të pastër shqipe dhe frazeologji të
zgjedhur, por të ndërfutur aq bukur, është një shkollë e veçantë krijimtarie, për
t’u studiuar, pse jo edhe për t’u marrë si model i përkryer, i lidhjes së të
tashmes me të shkuarën. Jam i bindur, se Shpendi me modestinë e tij të tepruar,
nuk e pranon këtë gjykim dhe përfundimin tim. Unë ia le lexuesit të gjykojë e të
vendosë, nëse kam të drejtë.
Lexuesit
e shumtë, të nxitur nga bukuria e fjalës, aq sa edhe nga kënaqësia e gërshetit
letrar, ngjyer e ushqyer me frymën filozofie, shpesh pyesin, madje ka nga ata,
që ia thonë në sy këto mendime: Shpendi, ku e gjen kaq shumë material, aq sa edhe
kompjuteri do futej në vështirësi?
- I kam lexuar herët, që në rini, por i kam
rrënjosur në kujtesë dhe më pëlqen t’i ve nëpër krijimet e mia. Mendoj se bëj
mirë, sepse edhe shkrimi bëhet më i plotë dhe më interesant, - shprehet
qetësisht Shpendi.
Kam
përshtypjen se janë këto të shumta pyetje, përfshi edhe një shkrim (Esse),
kushtuar thënies së shkrimtarit të njohur Stefan Cvajg: “O pushtet me vështrim prej meduze”, që e shtyjnë autorin e këtij
libri, t’i hyjë një pune kaq të dëshiruar dhe, të na sjellë në dorë, pikërisht
burimin e shprehjeve, që aq shpesh i dëgjojmë apo lexojmë. E gjithë kjo, e
sjellë jo thjesht në formë fjalori, apo sqarimi me dy fjalë, por me histori të gjalla,
të plota, të ndërthurura imtësisht, me vende, ngjarje dhe personazhe të
mitologjisë, shpesh edhe të historisë, të cilën për hir të së vërtetës, Shpendi
e njeh aq mirë, sa e përdor, siç i thonë fjalës, në majë të gishtave. E thënë thjesht: Shpendi
me kujtesën e tij të admirueshme, na sjell një pjesë të mirë të mitologjisë e
lashtësisë, e cila ka ndikuar në të gjithë zhvillimin e kulturës së popujve dhe
të mbarë botës. Qetësisht edhe vetë autori, shkruan në hyrje të librit: “E megjithatë na duket sikur ata kanë qenë
mes nesh. Kanë qenë të tillë jo
fizikisht, por me virtytet dhe veset e tyre, me anët e mira dhe të këqija, me
vlerat e larta morale dhe me pabesitë që kishin, me mirënjohjen dhe intrigat
nga më të çuditshmet, me dashuritë dhe tradhtitë, me bukuritë dhe shëmtitë e
tyre. Pra edhe ata ishin si ne”.
Pa
qenë nevoja të tregoj të gjithë përmbajtjen e librit dhe, pa dashur të kujtoj
shprehjen: “Mjafton një gotë, për të provuar të gjithë butin me verë”, po
përpiqem të kujtoj disa tituj të shkrimeve: “Shpata e Damokleut”, “Nyja
gordiane”, “I dashuruar me veten, si Narcisi”, “Pyetja e Sfinksit”, “Molla e
sherrit”, “Shtrati i Prokrustit”, “Kutia e Pandorës”, etj, etj, që bëhen rreth
51 thënie e shprehje në 150 faqe libër. Të gjitha rrëfimet, tërheqin jo vetëm kërshërinë
e bëmave të hershme, të kryera nga perëndi e krye perëndi, që nuk ngopen me
prapësi, ose nga mbretër e pushtetarë ziliqarë e hileqarë, më tej edhe nga gra
të fisme, krenare për mençuri e bukuri, por edhe nga të tjera të ngarkuara me
ligësi e tradhti, që fusin në sherr familje, fise, shtete dhe popuj, aq sa
vetëm lufta i ndan. Të gjitha së bashku, me tepri ushqejnë kënaqësinë e leximit
të tregimeve të rrëfyera aq bukur, letrarisht dhe artistikisht.
Ky
libër, i pari i këtij lloji në letrat shqipe, veç vlerave letrare dhe njohëse,
ka dobi të shumanshme në përdorimin vetjak, si mjet për plotësim kulture të
shkollarëve, sidomos për të rinjtë dhe studentët. Libri është një prurje e dobishme,
pse jo edhe një pasuri në thesarin e veprave shqipe, sepse plotëson një
boshllëk, jo formalisht të bibliotekave tona, por një mangësi në formimin tonë
kulturor. Çdo faqe është një mundësi më shumë, për të lëçitur sa herë kemi
nevojë, t’i drejtohemi lashtësisë.
Urime autorit Shpendi Hulësi Topollaj,
për këtë vepër me vlera universale, por edhe për të tjerat që do të krijojë në
të ardhmen!
Kadri Tarelli
Durrës më: 26, vjeshta e parë, 2019