Kulturë
Fran Gjoka: Suksesshëm në gegnisht
E enjte, 17.10.2019, 07:57 PM
Suksesshëm në gegnisht
-Profil
i shkrimtarit Ndue Gaspri-
Nga
Fran Gjoka
Kohët e fundit shkrimtari Ndue Gaspri botoi dhe
librin e 9-të, romanin “Fmini e humun”, në dialektin e bukur të shqipes, në
gegnisht. Pas leximit kushdo e kupton se ky roman është një udhëtim në fëmininë
e autorit, që përkon me periudhën më të vështirë të jetës së popullsisë rurale
të vendit tonë, me kolektivizimin ekstrem të ekonomive bujqësore. Autori u flet
lexuesve me gjuhën e fëminisë, një gjuhë mjaft e bukur, shprehëse, e ëmbël, por
dhe një kundërshti ndaj atyre që i vodhën ëndrrat, lodrat, dinjitetin dhe të
drejtën për të jetuar i lumtur si fëmijët e tjerë të botës.
Protesta e
një fëmijë 12 vjeçar
Libri fillon me dashurinë
për vendin ku kishte lindur, me shpinë, bagëtitë, arat, livadhet, pyjet e
mbyllet me një mllef ndaj atyre që ia hoqën, ia vranë këtë dashuri, ia përdhosën
duke e dëmtuar në gjithçka që ka jeta. E
humbi mundësitë ekonomike të jetesës, humbi ëndrrat, shpresat dhe fëmijërinë. E
çfarë mbet? Një fëmijë i veshur me lecka, që zbathur shkonte në shkollë. Kush e
shkaktoi këtë mjerim ekstrem? Del e qartë se shkaktare janë reformat ekonomike
të shtetit të dalë nga lufta e fundit.
I kërkohet heroi të librit
që, si nxënës i klasës pestë, të bëjë një hartim ku të pranojë e lavdërojë këtë
varfërim legjendar në pak vite, por jo. Ai e përshkruan siç është gjendjen
ekonomike të familjes së tij e në mënyrën e tij proteston. Kaq ka mundësi të
bëjë një fëmijë 12 vjeçar. A mjafton? A e meriton ai një trajtim të tillë në
fillim të viteve 60-të?
Personazhe
e ndodhi artistike frymëzuese
Krijimtaria e autorit, me
temë nga Zadrima (Sapa), duke filluar me ngjarjet që vijnë në vitin 1640 tek
romani “Hanin e Marshallit” në vitin 1850 me “Udhëtim i mundimshëm me vdekjen”
e 1950 me “Qyteti pa Orë” dhe mbyllet me vitet 1968-2000 me romanet “Jerina në
dashuri të pa –mëkat”, “Eva në jetën e
Kelit”, “Kohë me Djallin” e “Njerëz të tepërt”. Secili një tematikë më vete, me
veçoritë e trazimin e tij të mbledhur në kohë me kujdes e një kulturë të gjerë,
që ia ofron zona ku ka lindur e rritur. Në gjithë këtë shkrimtarî flitet për
historinë e zonës, besimin, reformat e kundërreformat, kulturën materiale e
shpirtërore (paja e këngët), familjen e zakonet, ritet e dashurinë për vajzën,
punën, shkollën, vendlindjen e atdheun, jetën e Zotin. Përgjithësisht të gjithë
romanet e tij nisen nga ngjarje, ndodhi e fate njerëzore të ditura, por që nga
autori bëhen personazhe e ndodhi artistike frymëzuese e përçojnë tek lexuesi
kënaqësi estetike e mesazhe të bukura. Autori ia ka arritë që në heshtje, pa
bujë e pa vëmendjen e duhur të shtypit letrar, të arrijë tek lexuesi i tij me
modesti e kurajë. Personazhet e tij janë: Jerina, Pater Zenishi, Gjon Galani,
Zef Kotrri, Mark Fishta, Kastriot Vokaj, Kel Martini, Teufik Trebershina, Liza
Krrabi, Arsen Dakova dhe një mori personazhesh dytësorë, që mbesin gjatë në
memorien e lexuesit.
Kush është
Ndue Gaspri ?
Ka lindur
në vitin 1950 në fshatin Piraj të Zadrimës, në vitin 1968 mbaron gjimnazin në
Lezhë e në vitin1973 arsimin e lartë në ILB, dega Agronomi. Deri në vitin 2015,
kohë kur doli në pension, ka punuar si specialist, mësues në arsimin e mesëm
dhe nëpunës në administratën shtetërore. Duke u përpjekur të mbledh të veçantën
nga jeta krijuese e autorit, mësova se ai që në bankat e shkollës ka pasur një
vëmendje të drejtuar tek prodhimi letrar. Sprovat e para krijuese i ka lëvruar
që në hartimet, vjershat e tregimet në bankat e shkollës, nën kujdesin e
vëmendjen e mësuesit të pasionuar të gjimnazit, të nderuarit Col Dizdari.
Ka qenë
një lexues i vëmendshëm e i palodhur i librit e këtë e tregon sot biblioteka
personale që e ka e që është për t’ia patur zili. Me mbarimin e shkollës njohu
më mirë historinë, legjendat, këngët, prrallat e rrëfenjat, por dhe dëshmitë e
mbetura si gjurmë të shpërndara e me to krijoi sinopset e veprave të ardhëshme
artistike. Njohu dhe letërsinë e krijuar që herët në këtë trevë e mori prej saj
tharmin e një krijimtarie që duhet të vazhdonte si e tillë. Që herët, disa nga këto sinopse i zhvilloi si
vepra të vogla, por nuk i publikoi. I ruajti si dashuri personale, si relike.
Pse? A mund të pranoheshin në vitet 80-të romanet “Jerina në dashuri të
pa-mëkat” e morali i saj? Po Pater Zenishi, doktor i shkencave në filozofi e
teologji në romanin “Udhëtim i mundimshëm me vdekjen”? Po dashuria e Gjon
Galanit me Veronika Mirukun tek romani “Hani i Marshallit”? Po dështimet e
projekteve ekonomike në favor të projektit politik të partisë-shtet tek romani
“Qyteti pa Orë”? Po dashuria e vrarë e Luçies me Lorencin tek romani “Lulet e
Kainit”? Mbeten ashtu gjysëm të zhvilluara, si dashuri platonike, në pritje për
një kohë tjetër. E kjo kohë erdhi, por fatkeqësisht pjesërisht.
Kërkohen
para për të botuar
- I zhvillova në liri e pa
frikë sinopset e mia, njërin pas tjetrit, si desha unë, për qejfin tim e u
drejtova shpive botuese. Ata donin lekë, po ku t`i merrja unë ato të shkreta?
Me rrogën e mësuesit? I jam drejtuar me projekte Ministrisë së Kulturës,
bashkisë e bisnesit. Kudo e gjeta derën të mbyllur, madje dhe një fond që m’u
miratua në letra në vitin 2012 nga bordi i botimeve, kur ishte minister Aldo
Bumçi, për romanin “Qyteti pa orë”, nuk u bë asnjëherë aktiv derisa ministrja
antikulturë e radhës, Kumbaro, e eleminoi krejtësisht.
- Pse kështu?- vazhdova
pyetjen në drejtim të mikut tim.
- Kemi patur vazhdimisht
shtet antikulturë. Dhe ato para që jepen përdoren keq nga kryeministrat, për
qoka miqsh e të afërm. Çuditem, në Kumanovë, Shpia Botuese “Idriz Seferi”, me
fonde shtetërore e riboton romanin tim “Udhëtim i mundimshëm me vdekjen”,
ndërsa komuna e Gjakovës vetëm për kulturën thonë se ka 200 000 euro, ndërsa në
Tiranë e Lezhë një hiç.
- Pse kështu, si mendoni
ju?- pyes krijuesin.
- Krahas sa thashë, unë
mendoj se nuk financohet një krijimtari që denoncon e stigmatizon sistemin
diktatorial dhe vazhdimin e tij në pasdiktaturë, madje është eleminuar dhe
kritika e duhet të paguash që dikush të shkruajë një shkrim për një roman.
- Më konkretisht.
- Dy kritikë e analistë të
njohur, ish deputetë, operatorë mediumesh me rroga shumë të mira më premtuan të
më bënin shkrime, njëri për romanin “Kohë me djallin” e tjetri për “Jerinën” e
“Hani i Marshallit”, por jo, prisnin t`u jepja para për artikujt. Po ku t’i
merrja unë pensionisti?
- Problem i madh është dhe
shitja e librit, librarët vetëm që t’i mbajnë aty duan 30-35 % të çmimit, duke
llogaritur se po aq do dhe shb, del qartë se atij që e shkruan dhe e financon i
mbetet vetëm një thelë. E kjo se
drejtuesit e sotëm të shtetit janë vazhdim i segmenteve të diktaturës,
në mos të indoktrinuar nga ajo. Atëherë?
- Si atëherë?
- Tek ne bëhet politikë
antikulturore, kundër prodhimit të saj. Më hapur se kaq nuk ka si thuhet.
- Po ti ke botuar 9 romane,
bile 2 prej tyre i ke ribotuar. Si ia ke dalë financiarisht?
- Tre romanet e parë me pak
para që kisha i botova në tirazh të vogël e në shetitoren e plazhit të
Shengjinit ku banoj fillova t’i shes si ambulant për turistët gjatë 2-3 muajve
të verës. Dhe kjo në përplasje me policinë bashkiake, dikush donte para nën
dorë për të më dhënë të drejtën e shitjes librave ku kam derdhë mund e para
pensioni për t’i realizuar. O Zot! O
Shqipëri… asnjëherë nuk të kuptova!!!
- Po tashti?
- Mbledh para për botimin e
librit të radhës.
Tema reale
dhe të vërteta
- Dhe dy pyetje të fundit:
-Cili është qëllimi i botimit të librave nga ti?
- Siç doli, pjesa më e madhe
e librave e marrin temën në Sapë, ku unë kam rrënjët. Si i tillë, temat e
lëvruara i kam sjellë në libra, siç janë në fakt apo fliten. Një autor jo
vendas mund t’i shtrembërojë, t’i denigrojë me keqdashje e më vonë zyrtarizohen
po keq. Kështu kanë ndodhur rëndom tek ne. Ndërsa unë, krahas vërtetësisë, luaj
dhe me dashurinë për to që nuk më mungon. Kështu kam shkruar për familjen
Blinishti, Gazullorët, Pjetër Zarishin, Jerina Dushmanin, Frang Bardhin, Gjergj
Fishtën, Ndre Mjedën, Imzot Bumçin, avokat Benedikt Blinishtin, Shan Picin,
Mark Fishtën, për Sapën, Nënshatin, Hajmelin, Blinishtin, Troshanin, Piraj e
lagjen time Verracakë. Kam respektuar e vënë në vendin e duhur kishat e shumta
e punën baritore të priftërinjëve katolikë. Në këto mori historishë personazhet dytësorë qëndrojnë si gurët në
një mozaik e nuk harrohen, si: Pal Kallmetin, një figurë mitike zonës, Zef
Mirukun, Shtjefen Sallakun e stërgjyshin tim Gaspër Tuku, por dhe shumë të
tjerë që zbukurojnë librat e mi.
- Po planet e së ardhmes?
- Disa nga librat këto 6-7
vite janë dhe shitur krejtësisht. Duhen përmirësuar e ribotruar, siç ka ndodhë
me “Jerinën” e “Udhëtim i mundimshëm me vdekjen”. Kam 3-4 projekte librash të
ri, por ende në sirtar.
Personazhe dhe ngjarje që mohoheshin në diktaturë
E reja është ajo që në
letërsi sjell atë model personazhi e ngjarje që ndalohej në diktaturë. Për
këtë, që herët, që në vitin 1975, jam marrë me romanin “Jerina në dashuri të
pa-mëkat”, me një pikësynim, të krijoj një personazh krejt ndryshe, që ka në
performancë femërore himnin e jetës, njerëzores e dashurisë. E kam strukturuar
me kujdes dhe vetëm pas viteve 90-të e përfundova së shkruari siç desha unë.
Jerina, personazhi kryesor i
romanit, një intelektuale klasi, në një moment vihet në dilemën e lindjes apo
jo të një pasardhësi, të trashëgimtarit në një familje ku kjo linjë po soset. I
kërkohet të tejkalojë moralin e kohës, të tejkalojë dhe veten e të sillet
ndryshe për hir të një qëllimi të madh. Një personazh që formohet ndryshe, pa
paragjykime, pa ndikime opinioni, pa frikë e me një dashuri sublime për jetën e
vazhdimin e saj...
Pas viteve 90-të kam shkruar
romanin “Kohë me djallin”, në qendër të cilit është Arsen Dakova, një i ri
24-vjeçar, që del nga burgu politik pas amnistisë, por në shpi ka vetën,
gjyshen, prindërit në rrethana të panjohura janë dënuar e vdekur. Synim i tij
është: të mbarojë shkollën e lartë e të zbardhë arsyet e dënimit e vdekjes së
familjes së tij. Realizimi i kësaj ëndrre bëhet me shumë vështirësi, mbaron
shkollën e lartë, por trajtohet keq, zbulon arsyet e dënimit e vdekjes së
prindërve e gjyshit, por nuk rehabilitohen se pasdiktatura është në ideologji e
në qeverisje zgjatim i segmenteve të komunizmit. Arseni e rrethi i tij shoqëror
luftojnë, ndeshen e gjakosen me këto struktura shtetërore, por më në fund e
kuptojnë se janë të humbur në qëllimin e tyre. Kush do drejtësi, rregull e
siguri në këtë vend është i humbur? Çfarë i mbetet të bëjë Arsenit me shokë? Të
braktisin atdheun. E kështu ndodhi e vazhdon me dhimbje kjo hemoragji sociale e
dhimbshme.
Cilat janë
planet tuaja krijuese?
- Të shkruash libra në
Shqipëri je si jashtë kohe, por siç thamë më lart, më shtyn pasioni e dëshira.
Unë në fakt kam pak projekte, njërin po e përmbyll, por të tjerët që nuk e di
se çfarë e kur do arrij. Mosha e mundësitë financiare nuk janë me mua…
Megjithatë nuk thyhem. Do të shkruaj pa u lodhur. Frymëzimin dhe pasionin tim
nuk do t`i lë në mes të udhës, ndryshe, pse do ta quaja veten shkrimtar?
Romane të
autorit
1. “Jerina në dashuri të
pamëkat”
2. “Lulet e Kainit”
3.”Udhëtim i mundimshëm me
vdekjen”
4. ”Hani i Marshallit”
5. ”Kohë me djallin”
6. ”Eva në jetën e Kelit”
7. ”Qyteti pa orë”
8. ”Njerëz të tepërt”