Kulturë
Resmi Osmani: Ndarje pa lamtumirë
E merkure, 16.10.2019, 08:00 PM
NDARJE
PA LAMTUMIRË
Tregim nga Resmi Osmani
E
quanin Mariola, por e thërrisnin Lola. Ishte motër e tre vëllezërve. Bijë e
vetme e prindërve pas tre djemve. E llastuar dhe e rritur me pekule. Lola u
rrit e hodhi shtat si selvi , u çel e u
zbukurua si tëndafil dhe kur vashat rriten, si thote ajo kënga korçare, andej -
këndej kërkojnë djemtë! Në qytetin e vogël mes maleve, djemtë që e lakmonin
bukurinë e saj, e pinin me sy. Lola e pikaste që atë e dëshironin dhe ndjente
përbrënda vetes kënaqësi e ngazëllim ,
por edhe një frikë nga e panjohura që po i shfaqej. U buzëqeshte pafajësisht,
por pa u dhënë të kuptonin që edhe ajo ndjente gjë për ta. Jo se vetëm të
vëllezërit i rrinin si skifterë mbi krye, por edhe ngaqë e kishte ndarë mendjen
: do ta kërkonte fatin gjetkë, bota ishte e madhe, të ikte nga ky qytet mes
maleve, që sado e donte , prapë ai ishte horizont mbyllur si një humbëtirë e në
të të zihej fryma.
Lola
dha provimet e maturës. Shkolla mbaroi, bëri kërkesën për në universitet.
Filluan pushimet e verës. Bashkë me pushimet, erdhi dhe “Princi i kaltër”, nga
Gjermania, djalë i këtij qyteti. E quanin Bujar. Me ta parë, iu vardis Lolës. I
vinte sa para- mbrapa. Nuk vonoi dhe i tha që e pëlqente dhe….ishte dashuruar pas saj! Se kishte qëllime serioze
, donte të martohej me të, të krijonin familje. Të dy të iknin në Gjermani ku
ai jetonte e punonte prej vitesh. Lola e zënë në befasi, u mendua gjatë. Nga
dukja, i hijshëm, nga fjalët, i mënçur, nga vështrimet dhe drita që i buronte
nga sytë, i dashuruar! Familjet e tyre njiheshin.Të dy prindërit e Bujarit
ishin mësues, me emër të mirë. Ai priste një përgjigje. Ditët i kishte të
numuruara, në vjeshtë ai do të ikte. I ati i Bujarit shkoi dhe kerkoi doren e
Lolës. U pyetën edhe të vëllezërit. Ata e njihnin Bujarin pëër djalë të mirë,
por me të do të martohej Lola. Ishte ajo që duhej të vendoste. Kështu thanë
ata. Lola, mendjeprishur,as po as jo. Sapo e kishte njohur. Le të vendoste
familja. Se donte askush më shumë se ata. Ajo do të pranonte sido që të ishte
ai vendim, në daç po e në daç jo. Familja pranoi. Vajza do të shkonte në
Gjermani.E kush nuk do ta dëshironte? Dhe fejesa u shpall. U pinë dollitë, u
këmbyen unazat, u bënë urime dhe : të na trashëgohen dhe miqësi e pa ndarë!
Shpejt e shpejt: gjëndja civile, dëshmitarët, martesa zyrtare, llokume per të
gjithë! Ja që nga një herë, gjërat e
vështira bëhen të lehta.
Përditë
bashkë. Zënë dorë për dore.Bujari i kujdesëshëm nuk e pyeti asnjëherë ”A më
dashuron? ”Njohja qe e shpejtë, ishte më së shumti shoqëri, që u kthye në
mirkuptim e miqësi. Mbetej në dorë të tyre që të kthehej në dashuri të vërtetë.
Ishte Lola që një ditë e pyeti:
-
Mes kaq vajzave të qytetit, pse të mbetën sytë tek mua?
-
Sepse shkelqimi dhe bukuria, janë gjithmonë joshëse për syrin.
-
Vetëm kjo?
-
Ka edhe të tjera, por ky është mjaftueshëm si fillim. Të tjerat zbulohen më
pas.
Bashkqytetarët
që i hasnin, buzëqeshnin dhe u uronin lumturi. Ditëve u buzëqeshte dielli,
netëve u buzëqeshte hëna dhe yjet. Për ta këndonin e cicërinin zogjtë në park,
çelnin lulet, frynte flladi që t’i freskonte…. Duheshin. O mrekulli e moshës së
artë të rinisë! Ishin të lumtur.Bisedonin dhe bisedonin, Bujari i fliste për
jetën që I priste, në vendin tjetër, në tjetër botë, ku ajo do ta ndjente veten
të lumtur.
Dasma
u la në shtatë shtator. Ishte e diel. Të dy familjet do ta festonin bashkë.
Nisën ethet e përgatitjeve. Lola kishte një dëshirë, që i shfaqej si një
ëndërr: Fustani i bardhë i nusërisë. Si do të ishte ai, që do ta vishte ditën
më të gëzueshme të jetës së saj? E përfytyronte si një re të bardhë, të
mjegullt, stolisur me yje të artë, lule portokalli e perla, brënda së cilës do t’i dukej se rrinte e
pezullt, si në një ëndërr të beftë dhe hidhte hapat drejt asaj lumturie që një
herë përjetohet në jetë. Ato që pa , në një atelje të vogël të qytetit të tyre,
që i jepnin me qera, nuk i pëlqyen. Ato i kishin veshur edhe të tjera para saj,
pastaj sesi iu dukën, të zakonshëm e të rëndomtë. Jo ajo një herë martohej,
fustani duhet të ishte i veçantë, i ndryshëm, që ajo e vishte përherë të parë
dhe do ta ruante për gjithë jetën,si kujtim të pavdirë të asaj dite të
paharruar… Lola iu lut të vëllait, Kastriotit, që të shkonin me motoçikletën e
tij të dy në Berat dhe të porositnin një fustan të ri nuserie , me përmasat e shtatit
të saj. Ai s’ja bëri dy fjalën së motrës.
Lola,
me kaskë dhe syze të errëta, në ndenjësen e prasme, e kapur pas belit të të
vëllait, shihte sesi kalonin me shpejtësi nga të dy anët pllajat e maleve të
veshura me gjelbërim dhe në midis luginën, ku rridhte lumi në kanionet e thella
e të frikshme. Kishin bërë më shumë se gjysmën e rrugës, e cila duke dredhuar
nëpër lakore, zbriste drejt ultësirës. Kastrioti kur deshi të shkelte frenat në
kthesë ndjeu se nuk ju bindën. E provoi dhe një herë, por e kotë, zbrisnin
tatëpjetën pa e kontrolluar dot shpejtësinë. I ngriu gjaku.
-Lola,
s’kemi frena, mbahu fort pas meje!
Pa
e dëgjuar mirë fjalën, Lola nuk kuptoi se ç’ndodhi. Era i vërshëlleu në vesh,
ajo bërtiti. Motoçikleta që shkau, fluturoi në humnerë, u përplas pas gurëve, u
nda më dysh. Të dy u shkëputën nga motoçikleta dhe u rrokullisën tatëpjetë.
Kastrioti u shëmb mbi ca shkurre prralli. Krahun e djathtë se ndjente, nga
fytyra e gërvishur i rridhte gjak, por e ndjeu që ishte gjallë. Po Lola? Arriti
të shkëputej nga shkurret e dendura dhe e kërkoj me sy. Trupi i saj dergjej i
shtrirë buzë lumit në një shesh të ngushtë. Zbriti posht aq shpejt sa mundi.
Lolës i kishte rënë të fikët. Mbi bar njolla gjaku. Vuri veshin. Merrte frymë.
O Zot,të qofsha falë! Ajo jetonte. Në kokë s’kishte plagë. Ia kishte mbrojtur kaska. I foli, e tundi dhe
e shkundi, por asnjë përgjigje. E zuri një frikë e madhe. Mos, po sikur…atij
s’ia tha goja…..I tronditur dhe i lemerisur ai u ngjit përpjetë dhe doli në
rrugë për të kërkuar ndihmë të parit që do të haste……
Kur
u përmënd, Lola e gjeti veten në shtratin e spitalit.Të fashuar, me serumin në venën e krahut dhe maskën e
oksigjenit. Rreth shtratit prindërit, të vëllezërit dhe Bujari. I shihte
turbull si të ishin hije. Nuk po kuptonte ku gjendej dhe pse gjendej aty, nuk i kujtohej se ç’farë kishte ndodhur.
Pastaj pak e nga pak u kthjellua, rënkoi dhe pyeti, zë shuar:
-
Ku jam dhe pse jam këtu? Ah po, motoçikleta. Po Kastrioti?
-
Mos u lodh të flasësh,Kastrioti është mirë, ka thyer krahun.Ja kanë vënë në
allçi. Është këtu, në dhomën ngjitur.- I
tha e ëma.
-
Kam ftohtë, më dhemb gjithë trupi, këmbët i kam të mpira dhe si lëviz dot
gjishtërinjtë.
-Do
të kalojë. Ke për të parë, do të bëhesh mirë. Mjekët do të kujdesen për ty.- I
tha Bujari dhe i mori dorën e ia mbajti në të tijën.
Erdhi
mjeku. U tha që vajza e kishte kaluar rrezikun për jetën, porse duhej ti
nënshtrohej një operacioni të vështirë. Lejoi të rrinte vetëm e ëma, të tjerët i largoi.
Kaloi
java.
Operacioni
ishte i vështirë. Ekipi i mjekëve kirurgë, u tha familjarëve se duhej të
dhuronin gjak. Ishte e domosdoshme. Të vëllezërit dhe Bujari shkuan në bankën e
gjakut dhe mbushën bocat me atë lëngun e magjishëm e jetdhënës që shpëtonte
jetë.
Orë
të ankthshme pritjeje. Ecejaknin të heshtur në koridorin e bardhë. E çfarë s’u
shkonte ndërmend. Në jetën e tyre ishte hapur një humnerë ku ishte vidhisur
bija, motra e fejuara. Ata luteshin, në vetëdije u regëtinte drita e shpresës,
që ndriçonte errësirën e dyshimit dhe të së keqes. Prisnin një fjalë,
shpresëdhënëse që do t’u kthente sigurinë dhe gëzimin e jetës, së zhytur në
hidhërimin e mjerimit. Pritje e gjatë , kur minutat bëhen orë dhe orët ditë,
dhe dita sa një shekull. Më në fund! Shtrati me Lolën e shtrirë në të dhe ekipi
i mjekëve dolën nga salla. Lola ende ishte nën efektin e narkozës. Mjekët
dukeshin të raskapitur, në fytyrat e tyre nuk kishte buzëqeshje. Ata u mblodhën
rreth kirurgut, por mjeku ftoi në studio të atin dhe Bujarin. Infermjerja e
ndihmoj të xhvishte veshjet e sallës së operacionit. Ata të dy prisnin
durimhumbur. Mjeku foli:
-
Bëm më të mirën e mundshme. Rasti është i rëndë. Dëmtim te disa vertebrave të
shtyllës kurrizore dhe të palcës, që i ka shkaktuar paralizimin e anësive të
poshtme. Shërimin le t’ia lëmë kohës. Më vjen vërtet shumë keq, është aq e re!
Pas disa muajsh, si të jetë përmirësuar, një trajtim në një klinikë të
specializuar jashtë vendit, besoj se do të ishte i dobishëm.
Të
dy, i ati me të ëmën dhe bujari, e kuptuan që ajo tashmë do të ishte një
invalide e paralizuar. Përkohësisht apo për gjithmonë? Tmerr ta mendosh! E
falnderuan mjekun dhe duke mbartur mjerimin që i kish gjetur, edhe pse vete të
pangushëlluar, shkuan të qetësonin familjarët e tyre.
Në
ditët që erdhën, pati vizita, nga gjith të afërmit. Ajo nuk pëlqente pamjen e
trishtuar e atë dhimbsuri të shprehur prej tyre. Ishte një keqardhje që veç i
shtonte dhe rëndonte dëshpërimisht
vuajtjet. Ndryshe ndodhi me shokët e shoqet e klasës, hynë si një rrymë
oksigjeni, të buzëqeshur e të dashur, i thanë se do të bëhej mirë dhe se e
prisnin të kthehej shëndosh e mirë. Orari vizitave mbaronte dhe ajo mbetej
vetëm me Bujarin. Fjalët kishin shterrur, mbeteshin vetëm vështrimet ,shpesh
enigmatike e të pa deshifrueshme. Me kalimin e ditëve, shikimit të saj të
vemendshëm nuk i shpëtoi, njëfar lodhjeje e mërzie të pashfaqur me fjalë, por
që zemra e femrës i ndjen dhe i përjeton. Lola vuri re se te Bujari vrehej njëfar bezdije e mosdëshire për të qëndruar
gjatë kundruall saj. Atëhere ajo I kërkonte ta linte vetëm, se ishte e lodhur
dhe i flihej gjumë. Ftohtësia e tij po e bënte përditë e më të largët. Ajo e
priste që kjo të ndodhte, por nuk e duronte dot shtirjen. Ditën që ishte lënë
të bëhej dasma e martesës, shtatë shtatori, Bujari me pamje të pikëlluar e të
keqardhur, i dha lajmin se të nesërmen do të nisej për Gjermani, përndryshe do
të humbte vendin e punës. Por ishte një ikje pa lamtumirë. I premtoj se per
Krishtlindjet dhe vitin e ri do të vinte t’i kalonin bashkë dhe se besonte të
ndodhte mrekullija, që ajo deri atëhere
do të ishte ngritur më këmbë dhe të dy bashkë, do të iknin në
Gjermani…..
Pas
një muaj qëndrimi në Spitalin e Traumës, mjekët i thanë se për ta, puna ishte
kryer dhe se mjekimet mund ti vazhdonte
në spitalin e qytetit të saj. Autoambulanca mbrriti në qytezë pasdite.
Në dije që Lola do të kthehej, e prisnin prindërit, të vëllezërit dhe të
njohurit. Edhe pse e loddhur dhe me dhimbje të plagëve, ajo u buzëqeshi dhe iu
përgjegj përshëndetjeve të tyre. Ishte si e ardhur nga një botë tjetër, mund të
kishte ndodhur edhe ndryshe. Kishte ardhur në shtëpi. Ky qytet midis maleve, me
një grusht qiell mbi vete, rrethuar prej gjelbërimit, me njerëzit që e donin dhe
i donte, prej të cilit kishte dashur të largohej, tashmë i dukej i bukur, i
afërt, ishte pjesë e qënies së saj.
Dhoma
e shtrimit në spitalin e qytetit, ku do të vijonte mjekimi dhe kujdesi
shëndetësor, shihte nga juglindja. Lola u tha ti hapnin perdet, donte të binte
drita, të shihte në largësi qiellin dhe diellin dhe më në afërsi kurorat e
pemëve të oborrit. Iu nënshtrua fatit dhe gjëndjes së re. Nisi të mendonte dhe
imagjinonte të panjohurën që e priste.Sa
ka jetë ka dhe shpresë. Ditët shtyheshin si shtyheshin, të njëtrajtshme, pa
asnjë ndryshim: infermieret në orët e caktuara, ilaçet, serumi, vizita e
përditshme e mjekut, fizioterapia, ora e vizitave e të afërmve dhe pastaj nata.
E errët, e gjatë, e pagjumë, mbushur me mister, që sillte zëra të largët,
rrokopujë mendimesh, përzjerë me shqetsime ëndërrash. Në sfondin e mjegullt,
gati të pezullt, ajgëtonte karrocën mizore, që ia shtynte rrotat me duar, pa ditur se ku, drejt së
panjohurës, që e gllabëronte mizorisht e ajo s’dinte ku e çonte. Pse, pse?
Petje pa përgjigje. Kështu qe e thënë, kështu ishte e shkruar! Përgjigje idiote
për të spjeguar rastësitë, të mirën dhe të keqen, për t’iu nënshtruar dhe
pranuar atij që e quajnë fat. Lotët rridhnin vetiu dhe nënkresa bëhej qull.
Vinte mëngjesi. O nënë! Të kesh frikë të zgjohesh dhe hapësh sytë e të shohësh
veten shtrirë në shtrat me trupin nga beli e posht, si copë dru, që s’të
përgjigjet. Dhe kështu përditë e përnatë.
Medet,
medet për jetën, rininë e humbur, lumturinë e ndërprerë.
Kishte
hyrë dhjetori. Netët më të gjata të vitit. Një pasdite, Kastrioti që vazhdonte
të ndihej me faj për atë që u ndodhi, hyri në dhomë ngadal, me pamje
enigmatike, e diçka të fshehur prapa trupit.
- Të kam sjellë një shok- dhe tregoi kafazin- e
quajnë Tomi. Zogu, një kanarinë e verdhë si ar, hidhej nga shkopi në shkop,
ciaste dhe e shihte Lolën me sytë e vegjël si rruaza të zeza. Kastrioti nguli
një gozhdë në murin përballë shtratit dhe e vendosi aty kafazin.
-
Oh, sa i bukur, këndon?
-
Ke për ta dëgjuar.Këndon për mrekulli, edhe pse i ka ndodhur një fatkeqësi.
Është me një këmbë, ka vetëm cungun. Bardhi që ma dha, më tha se si dashnor i
thekur, Tomi i vajti femrës kur ajo klloçiste mbi vezë. Ajo e sulmoi. Tomit i
ngeci këmba në tela dhe ju këput. I është shëruar dhe ai e përdor cungun për tu
mbështetur si ta kishte këmbë. Tomi
është trim.E merr jetën si t’i vijë!
Lola
e pikasi sepse ia sollën zogun. Gjithsesi u miqësua me Tomin. Pasi u përshtat
me dhomën, ai ia mori këngës. Kaq bukur, melodi me trille të zërit, herë ult e
herë më fort, me zë grykor gurgullues si ujë burimi, apo tingëllues si bori
festive, me trille e ngjyresa zanore dhe dhoma mbushej me melodi dhe aroma
pranvere.
Ata
u miqësuan shpejt. Lola nisi t’i fliste dhe të bisedonte me Tomin. Ajo besonte
se ai kishte shqisën e të kuptuarit.
-Tomi,
mirmëngjes.
-
Ciu- mirmengjes.
-
Tomi, këndo për mua.
-
Ciu, ciu- do të këndoj, do të këndoj-dhe Tomi ia niste këngës, bukur ashtu si
dinte vetëm ai. Lola, mbyllte sytë, dëgjonte dhe përfytyronte një ditë
pranvere, plot dritë, mes bukurive dhe qetsisë së pyllit, ku ajo rendëte pas
fluturave dhe mblidhte lule në lëndinë. Pastaj tomi i lodhur e ndërpriste
këngën. Lola hapte sytë. Mrekullia zhdukej. Mbetej shtrati dhe katër muret e
dhomës.
Lindën
dhe perënduan tri hëna. Fundviti. Po afronin kërshëndellat dhe viti i ri. Nga
Bujari, ca telefonata të rralla, si për të shkuar radhën, ajo nuk ndjente në to
dhimbsuri , dukeshin të shtira,të ftohta, të largëta. Bujari i kishte dhënë
fjalën se do të vinte. Lola priste. E përse? Pyeste veten. Në mëndje i
silleshin përgjigjet, të pashpresa, ishte një lidhje që e solli rasti, por fati
e shkëputi me një goditje mizore. Edhe prindërit e Bujarit i kishin rralluar
vizitat. Kjo për Lolën nuk ishte pa domethënie.
Ditët
e fundit të dhjetorit moti u ashpërsua. Dhjetori, si një shpirt i zemëruar,
para se të ikte zbrazi tërë ashpërsinë: me gjarpërinjtë e zjarrtë të rrufeve,
shkrepëtima dhe bubullima, era e tërbimit të tij, uturinte e sokëllinte,
vërshëllente ne deget e pemëve dhe mazgallat e mureve dhe qyngjeve, rënkonte
përzishëm si të kishte mbledhur e sjellë nga larg, brengat dhe rënkimet e të
gjithë të vuajturve. Pllazet e mëdha të borës përplaseshin pas xhamave të
dritares, deri sa ato u veshën me cipën e akullt. Kështu gjithë nata. Lolës i
dhembën plagët e shpinës. Edhe Tomi i trembur, ishte strukur në një cep të
kafazit.
Të
nesërmen moti ndrroi. Qielli u kthjellua,dita e qetë, ndriti dielli. Qyteti,
çatitë pemët, rrugët u gdhinë të
mbuluara nga vellua e bardhë e borës. Ishte dita e krishtlindjeve. Nga jashtë
vinin britmat e hareshme të fëmijëve që luanin me topa bore. Tomi, për të
sjellë pak gëzim, ia mori këngës.
Bujari
i dha fjalën se do të vinte atë ditë. Lola, priti e priti, por Bujari nuk
erdhi. Ishte një pritje sfilitëse. Kur e mendonte gjatë-dhe ajo kishte boll
kohë për tu menduar- i jepte të drejtë. Ai, ishte i ri, plot shpresa dhe
dëshira për të ardhmen, kishte tërë jetën përpara, nuk mund ta lidhte veten me
një të gjymtuar e të paralizuar, që do t’i bëhej gur në këmbë. Edhe ajo nuk e
donte këtë. Por atë që nuk mund t’ia falte, ishte ajo mungesë ndjeshmërie
njerëzore dhe sinqeriteti, mos mbajtja e fjalës së dhënë, për një ndarje me
lamtumirë por të sinqertë, duke marrë me vete dhe ruajtur në kujtesë ato ditë
të bukura që përjetuan të dy në atë kohë të shkurtër. Pastaj, jeta për të dy do
të ndiqte rrugën e saj.
Në
mesditën e tridhjet e një dhjetorit,,erdhën në dhomën e spitalit të tre
vëllezërit. Kishin sjellë një karrocë me rrota. I thanë se do shkonin në
shtëpi, jo vetëm për tw festuar darkën e Vitit të Ri, por për përgjithmonë. Ajo
do ta linte spitalin. E ndihmuan të vishej
e morën hopa dhe e ulën në karrocë.
-
Ai nuk erdhi,- tha ajo e brengosur- pastaj kur dëgjoi ciatjet e alarmuara të
kanarinës- merreni Tomin.
-
Motër, harroje Bujarin - i tha Luani, vëllai i madh.-Nuk është fundi i botës.
Ke gjithë jetën përpara. Vërtet mrekullitë ndodhin rrall, por ndodhin. Ke për
ta parë, ne do të ngremë në këmbë.
-Jo
për gjë tjetër, por për një ndarje me lamtumirë- tha ajo me ngashërim.
-
Kemi lajme të mira: nga universiteti një njoftim që je pranuar në degën që ke
kërkuar. I dyti, drejtuesi i “Big marketit” të ofron një punë si arkëtare në
marketin e këtushëm. Motra ime trime, e bukur dhe e mirë, siç e sheh, jeta ka
plot mundësira!
Tiranë,
tetor 2019.