Kulturë
Irena Gjoni: Ekzistenca e rrënjëve te poezitë e Dashamir Malos
E hene, 21.10.2019, 08:27 PM
EKZISTENCA E RRËNJËVE TE POEZITË E DASHAMIR MALOS
“Verë dhe poezi” ishte mbrëmja poetike me
vargjet e poetit Dashamir Malo në një rikthim emocional në vendlindjen e tij,
Përmetin, në Tetorin e Letërsisë. Ky shkrim është bërë enkas për këtë takim.
Nga Dr. Irena Gjoni
Poeti dhe vendlindja
Mes poetit e vendlindjes janë mijëra fije të dukshme e të
padukshme, të ndërgjegjshme e të pandërgjegjshme, në afërsi apo në distanca
mijëra kilometrash drite, që i mbajnë të lidhura fort e kurrë të pazgjidhshme,
pavarësisht kohës që ikën. Pikërisht, këtë lidhje të pazhbëshme poet –
vendlindje, tregon edhe ky takim i sotëm për poezitë e mikut tonë të mirë, i
hijeshuar me ndjeshmërinë e tharmin
poetik, kontravers e rrebel Dashamir Malo, këtu në Përmetin e tij.
Prania jonë sonte këtu nuk është vetëm për të treguar
prezencën e miqve në jetën e tij këtej e përtej Vjosës (çka nuk ka nevojë për
konfirmim), por një mënyrë e mirë për të dëshmuar se poezia e Malos në vite, ka
rrugëtuar me hapa të sigurt në ngjitje, ka krijuar lexuesin e saj, një lexues
potencial i cili e çmon, e shijon dhe e vlerëson në gjithë përmasën e saj
përmes botimeve të vëllimeve: Midis vetmisë dhe heshtjes (1996), Precedent
(2001), Fshehja e lotit (2007), Ndoshta (2012), Vagëllimthi (2014). Apo
sensin e tij artistik në përkthimin e dy librave: Poezi të zgjedhura (2005) dhe
Vallja e çmendur e Merlin Monrosë (2006).
Ndaj mendoj se Atdheu i vërtetë i një poeti si Dashamir
Malo, është poezia. Për këtë arsye dhe unë do të përpiqem të ravijëzoj disa
tipare thelbësore të poezisë së tij në këtë shkrim.
Ekzistenca e rrënjëve te poezitë e
Dashamir Malos
Brenda poezisë së tij gjendet si vendlindja që i dha
duhmën, frymën e saj shpirtërore si një forcë për t’u ndjerë i sigurt në çdo
portë vargu; si thellësitë jonike të detit që gjeti në vitet e mëvonshme duke
reflektuar misterin e thellë e të pazbuluar të së ardhmes; ashtu edhe
ndjeshmëria e tij individuale, çka na bën përmes vargjeve për të parë aty ku
nuk shihet, për të ndier aty ku nuk ndihet, për të krijuar asociacione idesh,
aromash, ndjesish, aty ku nuk mund ta rrokë dot logjika njerëzore. Sepse siç thotë Borhesi, të
gjitha vargjet janë fragmente të një poeme të madhe. Çka tregon për një
unitet të brendshëm mes të gjitha poezive të Dashamir Malos dhe atë fillin e
unit lirik që lëviz lirshëm në secilën prej tyre.
Ekzistenca e rrënjëve te poezitë e Dashamir Malos,
shfaqet te figurat personale të tij, të cilat bartin shenjat e jetës. Secili
titull e përcakton këtë duke vënë në spikamë dhe duke u shndërruar në
referenciale. Tataja, një emërtim dialektor, intim për gjyshen. Po kaq intime shfaqet
edhe brenga e ikjes për të apo raportet me vdekjen: Tataja vendosi të ikte
një mëngjes shtatori/ pa bujë/ në heshtje- shprehet poeti. Ajo përfaqëson
jetën dhe fundin e rrëfimit për jetën, kujtesën dhe heshtjen, ajo që vendos
edhe kur do të ikij. Në varrin e tim eti është një tjetër poezi e
figurave personale, ku dashuria shpërfaqet përmes mallit te vargjet: Kohë që
nuk kam shkuar,/ veç ja,/ stinët e mallëngjyera,/ çdo mëngjes shtrojnë/ atyre
bregoreve, brymën e bardhë të mallit tim. Për të vijuar me poezinë Nënës:
Iku,/ iku pa kthim/ që mua mos të më mungojnë kurrë këngët e dhimbjes. Apo:
Iku beftësisht./ Në pikun e lulëzimit të pranverës iku!/ Në çast,/
gjelbëruan bisqet e brishta të dhimbjes sime. Një ikje, por me prezencë
tronditëse brenda shpirtit të poetit, gati baladeske përmes ekzistencës së
gjërave më të qenësishme, çka përbëjnë esencën e mospranimit përfundimtar të
ikjes.
Fëmijëria e mallëngjyer duke vrapuar bashkë me vëllain
vjen te poezia Helmeta e vjetër, të cilën e tërhiqnin zvarrë mes rrapullimave
në rrugët pa emër. Një gjetje poetike e jashtëzakonshme për të ndërtuar
subjektin lirik te kjo poezi, ku gjyshja në helmetën e vjetër të kthyer
kokëposhtë mbolli farat e karafilave të bardhë.dhe shumë vonë, ai fëmija i
dikurshëm do të kuptonte domethënien e këtij gjesti.
Poeti i bart me vete rrënjët e tij, përmes çdo
frymëmarrjeje, ndaj vargjet e tij shndërrohen si kumte të kujtesës, me
madhështinë e thjeshtësisë së tyre. Dhe pjesë të vazhdimësisë së figurave personale, si degë e
harlisur e ushqyer prej rrënjëve të tij të Amave të Jetës, poeti konsideron
edhe veten: Për Kërshëndella/ te kjo kishëzë këtu në këtë kodër do të vij./
Do të vij, jo për t’u falur, as për t’u lutur./ Do të vij atëherë,/ Kur të më
ketë mbetur edhe aq rrugë drejt fundit/ sa të mos kem më mundësi të kthehem
prapa.
Disa veçori të gjetjeve poetike, të
figurës e strukturës te poezia e Dashamir Malos
Studiuesi Minella Gjoni në një shkrim studimor për
poezinë e Dashamir Malos, të përfshirë në librin Fjalë zemre, shkruan: Ndër
prurjet kryesore të Dashamir Malos përmendim modernizimin e figurës letrare,
kontrastin e tonaliteteve, i cili sjell kalimin e beftë nga njëri regjistër i
gjuhës në tjetrin, thyerjet sintaksore, plasticitetin e vargut. Sistemi poetik
i Dashamir Malos, është i ndërtuar mbi bazën e metaforave të goditura që vijnë
përmes gjetjeve poetike dhe përpunimit mjeshtëror të saj, - përfundon Gjoni
Tek poezitë e Malos shfaqen në mënyrë të mrekullueshme mprehtësia e një
vëzhguesi deri në imtësi, me fantazinë dhe intuitën e poetit. Ka një tendencë
për t’i përsosur këto dhunti dhe ato shërbejnë si themele të përtëritjes së
vazhdueshme të krijimit të tij.
Shpesh duket se poezitë e Dashamir Malos reflektojnë që
janë produkt dhe e gjejnë frymëzimin tek emocioni i çastit që lind vetiu, ndaj
poezitë e tij dallohen për konkretësi, natyrshmëri, për imazhe të gjalla, për
prezencën e subjekteve poetike që lëvrijnë nëpër personazhe e mjedise të
njohura, por që verbi poetik i Malos i identifikon e i shndërron në universalë.
Disa tituj poezish në këtë konteks përmendim: Saranda, Ti dhe Kitara,
Shtegëtimi i fundit i peshkatarit plak, Se si i ikim kështu njëri – tjetrit,
sesi i ikim, apo Fare thjesht etj.. Bashkë me këto elemente thellohet edhe
karakteri meditues, duke përftuar gjerësi në mendim dhe kthjelltësi. Në shumë
poezi poeti mbetet eliptik dhe është sa një gjetje e tij, sa një element që e
karakterizon.
Kur figura është e mbështetur në mit, atëherë ka karakter
identifikimi. Synon të identifikohet me subjektin lirik, ose me objektin
poetik. Këtu përmend Araknenë dhe Shumë burra kaluan prej shtratit të
Penelopës. Të dyja të ndërtuara mbi simbolikën e gatshme të dy figurave
mitike të Antikitetit, Araknesë dhe Penelopës. E megjithatë, ato, falë gjetjeve
të veçanta poetike të poetit, nuk u kanë qëndruar besnike deri në fund mitit
tradicional, por i shohim të devijuara, madje dhe të përmbysura. Penelopën
besnike që thur e shthur pëlhurën, këtu poeti na e shfaq si një femër që për
çdo natë (në pesëdhjetë netë), provon nga një mëtonjës në shtrat, e fshehur nën lëkurën e skllaves së vet
Myrto, e cila i kishte joshur ditën. Penelopa provonte secilin burrë në
dashuri, për të zgjedhur atë të duhurin, sepse burrat provohen si të tillë,
në luftë e dashuri, - shprehet poeti.
Dashamir Malo merr e gërsheton elemente prej çdo gjinie
letrare të cilat mnd të funksionojnë pa sforcime, në mënyrë të natyrshme brenda
strukturës së poezisë. Nga veprat narrative merr rrëfimin, por edhe figurën.
Nga drama merr personazhet, dramacitetin. Dhe këto i mvesh me lirizmin e
theksuar dhe verbin e përzgjedhur poetik. Mjafton të lexojmë poezinë Fare
thjesht, ku gjithçka më sipër gërshetohet më së miri: Si një i ftuari
ynë i veçantë/ nga Athina e largët vinte Jorgo poeti/ ishte pragdimri i vitit
2005/ dhe si për ters qëlloi/ energji elektrike mos të kishte atë natë në
qytet. Dhoma përballë detit, ndriçohej nga një qiri dhe nga hëna. Sikletin
dhe stepjen e poetit mikpritës e thyen bujtësi me fjalët e tij: E ç’duhet më
tepër për poetin/ kur ka qiririn/ hënën dhe detin!
Çdo send ka fshehtësinë e vet.
Poezia është fshehtësia e çdo sendi – thotë Lorka. Dhe
pikërisht këtë fshehtësi dhe këtë befasi, sidomos në këto poezi ku i hasim të
gjitha format letrare, poeti Dashamir
Malo na i shfaq kryesisht me vargjet e fundit, duke e lënë edhe lexuesin
të befasuar e si në një shook të shijimit të asaj që nuk e priste, por që e
adhuron në çast.
Pra poezia e Dashamir Malos, vjen pa bujë e zhurmë, por
me sharmin, finesën, ndjeshmërinë, bukurinë e përkorë të vargut që le gjurmë te
çdo lexues që di ta shijojë poezinë, ashtu si shijuesit e vërtetë të verës së
mirë dinë ta ndiejnë aromën dehëse të saj deri në pikën e fundit, në kërkim të
imagjinatës për vargun tjetër që ende nuk ka ardhur, por e ndjen se do të jetë
akoma më dehës shpirtëror...
Përmet,
12 tetor 2019