Kulturë
Blerim Rrecaj: Alarmi i orës që blemë dje
E hene, 21.10.2019, 07:33 PM
Alarmi i orës që blemë dje
Nga
Blerim Rrecaj
Ka
nisje, arritje në cak dhe rrugë kthimi. Me një autobus deri në stacion i cili
mund të jetë strehëz e xhamtë, trup e çati e rëndë metalike, kësulëverdhë e
ndryshkur dhe e lëvorisur nga koha, mund të jetë stacion pa asnjë nga këto
shenja, si çati qiellhapur. Derisa dikush nget këtë multikultivator. Sidoqoftë,
vazhdojmë udhëtimin me autobusin që mban këtë numër, për të vazhduar nëpër
vijën e vet qarkulluese, duke u ndalur vendpritjeve të njëpasnjëshme,
ndonjëherë duke marrë edhe ndokë që duke ngre e ul dorën si të ishte polic.
Zbresim duke na dhënë përparësi këta që rrijnë gatitu si ushtarët, para se të
hipin. Kalim udhe dhe tash pritje në stacion treni. Bashkime. Përshëndetje e
ndarje. Lutje për më të mirën. Dy tre hapa dhe hip në autobusin e verdhë që vije
dhe treni fytyrëkuq e kokëhirtë, me shenjën: "trainkos". Ne qëndrojmë
ulur ose në këmbë derisa mjetet bartëse vazhdojnë të ecin në të njejtin drejtim
e ballëpërballë, derisa të shkëputen nga njëri-tjetri, duke marrë me vete
pritësit tjerë që kanë zënë prita nëpër pritore. Fëshfërima zhurmëbutë e hapjes
së dyerve t'autobusit na mundëson të zbresim me këmbë në tokë. Nëpër tollovinë
e rrëmujshme të një vendi të plagosur rëndë arkitektonisht. Jemi duke u kthyer
nga njëra nga çerdhet me fëmijë përdore, një grumbull fëmijësh në hapësirën e
ca shumëkatësheve kërkojnë ndihmë pasi që topi u ka ngelur në ballkonin e parë,
në vargjet e ballkoneve varg e vijë. E mbajmë për këmbe e shputa këmbësh këtë
fëmijë të shkathët, që duke u kacavarur spajdermençe kapet për harkun mbrojtës
të alumintë, zbret në ballkon, shuton topin pas të cilit vrapojnë shokët e tij,
i zgjas duart për ta ndihmuar të zbres, e vazhdon loja e ndërprerë dhe
vazhdojnë hapat tanë. Vera është kthyer në këto ditë tetori dhe artësia e
faqeve të maleve ta tërheq shikimin dhe copa dukati që kanë marrë formë
gjethesh bien edhe përtokë. (Për)jeto çastet, thotë dikush. Ka çaste që thërret
të tjerët për të kaluar kohë së bashku, e ndodh që të tjerët janë të zënë.
Ftesa pret e i lë për t'i dërguar tjetër herë. Endemi jetës duke parë dromcat e
panumërta të saj, siç shohim çudinë në sytë e këtij fëmije që shfaqet derisa
një gjethe bije nga ky dru që ndodhet jo larg kësaj lokomotive në tampon zonën
e stacionit të trenit dhe atij të autobusit. Na vije në mend fjala: "S'ka
gjeth që bije që Zoti mos ta dije". Ja dhe një detaj, ja dhe një tjetër. I
mbledhim sikur që mblidhnim ca arashka derisa punonim në një arë. A ca bujashka
për të ndezur një zjarr derisa nga ulësja bojëkaftë e drurit shohim dikë që po
çan dru, mbase për cpirra ndihmësndezëse, ka kohë. Dhe kthehemi në vatër për të
lexuar tri a katër faqet e një tregimi që na doli e na zuri udhë, mbase pak më
vonë për të vazhduar me gjysmën e mbetur të këtij libri që morëm në paradhomën
e asaj klinike...Dikur shtrihemi shtretërve. Në mëngjes pos e pas alarmit të
telefonit, lëshon za edhe alarmi i orës së verdhë katërkëndëshe, që e blemë
dje...