Kulturë
Jahja Drançolli: Silentium est aureum / Heshtja është flori?!
E merkure, 23.10.2019, 06:31 PM
Silentium est aureum/Heshtja është flori?!
Nga
Jahja Drançolli
Pasuritë
e mëdha, diversiteti, si dhe veçoritë unikale të Trashëgimisë Kulturore në
Kosovë gjatë shekujve ka tërhqequr vëmendjën gjithëherë studiuesit e ndryshëm
për këtë pasuri unikale. Në këtë kontekst, vend të veçantë zë Trashëgimia
Arkitekturore dhe Trashëgimia Arkeologjike, trashëgimi këto që ruajnë traditë
së paku nga gjysma e dytë e shekullit XIX. Krahas afirmimit të trashëgimive në
fjalë, kjo pasuri e madhe kulturore është sfiduar edhe me grabitjet e mëdha,
sidomos në kohën e luftërave, siç ka ndodhur në Luftërat Ballkanike
(1912-1913), Luftës së Parë Botërore (1914-1918), në periudhën e Mbretërisë së
Jugosllavisë (1918-1941), dhe sidomos në Luftën e fundit të Kosovës
(1989-1999), kur Trashëgimia kulturore bëhet ndër viktimat e para të saj.
Atëherë, në territorin e Kosovës qenë shkatërruar rreth 1025 objekte të
Trashëgimisë së Kosovës.
Nga
vargu i gjatë i shkatërrimeve dhe grabitjeve sistematike të trashëgimisë
kosovare, padyshim se vend qendror në historinë tonë të trashëgimisë kulturore
do të zë hapja e kanalit nga stacioni i pompimit të ujit në Çaglavicë që
shpiente deri te akumulimi i ujit në Graçankë gjatë vitit 1995. Kanali në fjalë
duke kaluar kryq e tërthorë nëpër Ulpianë, qendër më e madhe antike jo vetëm e
Kosovës por edhe më gjerësisht në Ballkan ka shkatërruar (dhe grabitur)
trashëgimi të pasur kulturore, së bashku me një monument të rrallë të kultit
paleokristian (shek. IV), çështje kjo që është heshtur shumë kohë nga zyrtarët
serbë, por edhe nga disa “ekspertë” shqiptarë të atëhershëm të trashëgimisë
kulturore, të cilët duke heshtur këtë çështje dhe shumë çështje të tjera kanë
zënë dhe zëjnë vende kyçe në trashëgiminë tonë kulturore.
Arsyeja
pse jam duke e përseritur më se një herë, këtë njoftim profesional e shkencor
është se, kanali në fjalë, në çdo çast mund të godas punën e shkëlqyeshme
konservuese e restauruese të një pjese të Ulpianës nga Ministria Kulturës së
Kosovës, siç ndodhi rasti i “vërshimit” disa vite më parë, mu në pjesën ku
ishin kryer disa punë të rëndësishme konservuese dhe restauruese!