E diele, 28.04.2024, 07:17 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Jusuf Osmani: Kolonizimi serb i Kosovës (IX)

E diele, 05.10.2008, 05:34 PM


Jusuf Osmani
KOLONIZIMI SERB I KOSOVËS (IX)

Nga Dr. Jusuf Osmani

Rikolonizimi - kthimi i kolonëve në Kosovë

Çështjen e rikolonizimit dhe kinse të reformës agrare në Kosovë në muajt e parë të vitit 1945, Serbia nuk e aktualizoi, përkundrazi Drejtoria e Punëve të Brendshme të Jugosllavisë Fedrative Demokratike me vendimin e datës 5 mars 1945, përkohësisht ua ndalonte kthyerjen e kolonëve në vendet e vendosura gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave botërore.[128] Kjo e bëri atë, jo pse ajo nga ky synim kishte hequr dorë, por nga se në këtë kohë në Kosovë zhvilloheshin luftëra të rrepta, sepse shqiptarët nuk pajtoheshin me ripushtimin dhe ngase pozita e Kosovës ende nuk ishte e qartë. Mirëpo, edhe përkundër kësaj ishte marrë Direktiva e Politbyros së KQ PKJ e datës 1 prill 1945 për kthyerjen e të gjithë kolonëve në Kosovë (përkundër qëndrimit të 5 marsit 1945). Pasi kundërvënia e shqiptarëve u shua me gjak dhe deri diku u ndriçua pozita e Kosovës, çështja e kolonizimit të Kosovës në mbledhjen prej 6-8 shtatorit 1945 të Këshillit agrar u fut në procedurë të shpejtuar, duke sqaruar se Kosova futet në kuotën e Serbisë dhe se në këtë krahinë me kolonizim e reformë agrare do të përfshihen 28.750 hektarë ose 50.000 jutë.[129] Po në këtë mbledhje u miratua Ligji për revizionin e reformës agrare për Maqedoni dhe Kosovë e Metohi.[130]

Në kohën kur në qarqet jugosllave heshtej çështja e reformës agrare dhe e kolonizimit,  në Kosovë dhe në Serbi zhvillohej veprimtaria e madhe e përgatitjeve për kolonizimin e serishëm të Kosovës. Këtë konstatim e vërtetojnë depeshat e shumta të kolonëve dhe autoriteteve serbe, që ua dërguan Këshillit Agrar me kërkesa që edhe në këtë krahinë të fillojë kolonizimi dhe reforma agrare, të cilat u shqyrtuan në mbledhjen e 5 tetorit të vitit 1945. Po të kësaj fryme ishin vendimet e Këshillit Agrar të mbedhjes së tij më 16 tetor 1945. Në këtë mbledhje, veç të tjerash, u vendos që kolonët serbo-malazezë të vendosur në Vojvodinë të kthehen në Kosovë,  ndërsa  “kolonët”  e  Shqipërisë  sa  më parë të shpërngulën nga Kosova. Veprimtaria e organizuar mirë në Kosovë për kolonizimin e saj u hetua edhe në Këshillin Agrar të Ministrisë së Kolonizimit. Në mbledhjen e këtij këshilli me 7 dhjetor 1945, veç të tjerash, u trajtua çështja e zbatimit të Ligjit të revizionit dhe të ndarjes së tokave në Kosovë dhe për referim sa më të shpejtë u autorizua njëri nga ministrat e kësaj ministrie. Veç kësaj për sendërtimin e këtij qëllimi ky këshill, në mbledhjen e njëjtë, kolonëve të Kosovës ua ndau 5.000.000 dinarë, që për atë kohë paraqiste një shumë të madhe të hollash.[131]

Veprimet e organizuara në të gjitha shkallët për kolonizimin e Kosovës gjatë vitit 1946, veçanërisht pas angazhimit të madh të Serbisë, nuk mbetën shterpë. Qysh në fillim të vitit 1946 u përgatitën të dhënat për kolonët e interesuar të rretheve të ndryshme të Kosovës, të cilët kërkesat e tyre ua kishin dërguar “Komisionit agrar të Kosmetit”, Komisionit të revizionit agrar dhe Ministrisë për kolonizim. Kërkesat e tyre ishin shqyrtuar dhe pothuajse për të gjithë ishin miratuar vendimet përkatëse nga organet kompetente. Ndërkohë në terren vepronin komisionet kolonizuese agrare në punën e të cilëve pati shumë vërejtje dhe ankime në organet e shkallëve të ndryshme. Punë të vështirë patën veçanërisht organet të cilat duhej të vendosnin për pasurinë e patundshme, tokës dhe shtëpive për banim. Një punë e tillë “bëhej më e vështirë”, veçanërisht kur kontestet ishin serbo-malazeze - shqiptare. Në të vërtetë në kohën e kolonizimit pas Luftës së Parë Botërore ndaj shqiptarëve u bënë aq lëshime sa asnjë komision në çfarëdo përbërjeje qoftë në rrethana të reja nuk mund t’i kapërcente këto padrejtësi. Mirëpo, në këtë kohë kishte kundërshtime të mëdha rreth korrigjimeve të këtyre padrejtësive. Veç kësaj, për një veprim të tillë nuk u treguan të interesuara as organet e atëhershme krahinore e republikane dhe as organet fedrative. Për këtë arsye shumica absolute e pasurive të patundshme gjatë punës së komisioneve nuk preken fare (të 1.515 familjeve), apo u preken vetëm pjesërisht (1.253), ndërsa vetëm disa kolonëve iu mor toka e tërë (445), që kurrsesi nuk mund t’u takonte as me këto ligje diskriminuese. Shumë më lehtë e kishin organet e angazhuara për rikthimin e kolonëve dhe vendosjen e kolonëve të rinj. Për rikthim të kolonëve duhej vetëm angazhim i veçantë në aspektin organizativ-administrativ për grumbullimin e të dhënave dhe popullarizimin e krijimit të gjendjes së re në Kosovë. Këto organe u angazhuan mjaft, madje, edhe në bindjen e kolonistëve që të ktheheshin në Kosovë, që ishin vendosur në Vojvodinën e pasur e të cilët ishin të sigurt për ardhmërinë e tyre. Mirëpo, kolonizimi i Kosovës me të interesuar të rinj bëhej shumë më lehtë. Ata vendoseshin kryesisht në pronat shoqërore e të interesuarit për kolonizim ishin thuajse të gjithë nëpunës e punëtorë.[132]

Duke u bazuar në shënimet statistikore, gjatë Luftës së Dytë Botërore në Kosovë kishin mbetur 3.150 familje të cilat ishin kolonizua në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore. Ishte e dukshme edhe dukuria e kthimit të kolonëve para fundit të kësaj lufte (5.545 familje), përkrah numrit të madh të kolonëve që u shpërngulën nga Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore (7.397 familje). Mjaft kolonë, edhe pse nga Komisioni revizor fituan vendimet e rikolonizimit, nuk u kthyen në Kosovë deri me 11 korrik 1947 (2.471 familje të kolonizuara). Kolonët e tillë, kishin vendosur të jetonin në Vojvodinë apo gjetkë, ku perspektiva e jetës së tyre ishte më e dukshme. Duhet shtuar se në katër rrethet e Kosovës (Pejë, Vushtrri, Llap dhe Gjilan) deri në kohën e  përmendur  u  kthyen më shumë kolonë sesa ishin shpërngulur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Marrë në përgjithësi nga të gjithë kolonët e shpërngulur gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk u kthyen sërish në Kosovë më tepër se 1.500 familje apo afër 7.500 veta, nëse supozohet se çdo familje në këtë kohë kishte nga pesë anëtarë.[133]

Në Arkivin e Kosovës ka ekzistuar fondi i Revizionit të reformës agrare, mirëpo pushteteti serb gjatë kohës së masave të dhunëshme në Arkivin e Kosovës edhe këtë fond dhe shumë dokumentet rreth konfisikimit, eksproprijimeve etj. të pronave i ka marrë dhe dërguar në Serbi me qëllim që të humbën gjurmët e pronësisë, të bëhen falsifikime dhe që pronarët e vërtetë mos të mund t’i realizonin të drejtat e tyre pronësoro-juridike.

Siç po shihet, pushteti i ri vazhdoi reformën agrare në këtë periudhë. Ai, përveç dispozitave ligjore për reformën agrare dhe kolonizimin,  nxorri dispozita të shumta ligjore e nënligjore, në bazë të të cilave prona private u bart në pronë të ashtuqujtur gjithëpopullore – shtetërore, e cila më vonë u shndërrua në pronë shoqëore, si p.sh. nëpërmjet të sekuestrimit, konfiskimit, nacionalizimit, eksproprijimit, arondimit, marrjesë së pronave kinse si tepricë dhe shumë forma të tjera.

Në këtë kontest përkitazi me reformën agrare dhe kolonizimin duhet përmendur Ligjin mbi revidimin e ndarjes e tokës kolonistëve dhe interesentëve agrarë në Maqedoni dhe në Krahinën e Kosovës e Metohisë,[134] Ligji mbi reformën agrare dhe kolonizimin,[135] Ligjin mbi ndarjen e tokave të braktisur të kolonistëve në KAKM,[136] Ligji mbi reformën agrare dhe kolonizimin e brendshëm,[137] etj.

Në këtë kohë filloi edhe konfiskimi i pronave të ashtuqujtur armiqëve të popullit, sidomos të atij shqiptarë. Përkitazi me këtë  duhet përmendur – Vendimin e AVNOJ-it mbi kalimin në pronësi shtetërore të pasurisë së armiqëve, mbi administrimin e shtetit me pasurinë e personave që mungojnë,  dhe sekuestrimin e pasurisë të cilën pushteti okupues e ka tëhuajsuar me dhunë,[138] Ligji mbi sekuestimin e profilit të luftës të arritur gjatë kohës së okupimit të armikut,[139] Ligji mbi kalimin në pronësi të shtetit të pasurisë së armiqëve dhe sekuestrimin e pasurisë së personave të arratisur.[140] Ligji mbi konfiskimin e pasurisë dhe ekzekutimin e konfiskimit;[141] Ligji mbi vërtetimin dhe ndryshimet e plotësimit e Ligjit mbi konfiskimin dhe ekzekutimin e konfiskimit,[142] Ligji themelor mbi veprimin me posedimet pyjore të eksproprijuara dhe të  konfiskuara,[143] Ligji mbi veprat penale kundër popullit dhe shtetit.[144] Pra, Konfiskimi ishte instrument juridik me të cilin pasuria private merret në favor të shtetit, pa kurrfarë kompensimi. Zakonisht konfiskimi vjen si dënim aksesor ndaj personave të cilët janë dënuar për vepra penale të caktuara, dhë atë dënin e shqiptonte gjykata. Në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore shumë persona ishin shpallë armiq të popullit dhe gjykatat e formuara për këtë qëllim ua kishte konfisuar tërë pasurinë. Fshatarëve iu ishte konfiskuar pasuria edhe në raste kur ata nuk ishin në gjendje të përmbushnin detyrimet, dorëzimit të “tepricave të prodhimeve bujqësore”. Deri në vitin 1965, iu konfiskua pasuria të gjithë qytetarëve të nacionalitetit “turk” ose jevrej, të cilët ishin shpërngulur nga Jugosllavia dhe kishin marrë shtetësi tjetër. Në këtë kategori bien shumë familje shqiptare nga Kosova dhe viset e tjera, por edhe boshnjakë, të cilat kishin marrë shtetësi turke, me qëllim për t’u shpërngulur në Turqi ose në vende tjera.[145]

Me rëndësi është të përmendet se në këtë kohë shumë fshatarëve shqiptarë iu kshin konfiskuar edhe pronat me arsyetim se nuk paguanin të ashtuqujturën “tepricat” e prodhimeve bujqësore të cilat nuk ishin në gjendje t’I siguronin, si p.sh. të prodhimeve bujqësore, blegtorale etj.

Në këtë kohë filloi edhe nacionalizimi i pronave. Duhet përmendur Ligjin mbi nacionalizimin e ndërmarrjeve ekonomike dhe private.[146] Nacionalizimi (ose shtetëzimi) në kuptimin juridik ishte akt i njëanshëm i pushtetit shtetëror, sipas të cilit në mënyrë të dhunshme merret nga pronari privat dhe kalon në pronësi të shtetit pasuria e një dege të ekonomisë së caktuar, me ose pa pagesë. Në vitin 1958 bihet edhe Ligji mbi nacionalizimin e ndërtesave dhë dhëna me qira dhe të tokës ndërtimore.[147]

Për nevoja të ndryshme bëhej edhe eksproprijimi i pronave private të bazuar në Ligjin themelor mbi eksproprijimin.[148]

Sa i përket ardacionin e pronave është pruar Dekretligji mbi arondacionin e tokës ekonomike bujqësore.[149] Ky ndërrim i pronave është bërë në formë jo reale. Shpesh merrej prona e cilësisë së lartë dhe ipej prona e cilësisë shumë më të ultë.

Duhet theksar se banorët e vendbanimeve fshatare në këtë periudhë i kishte goditur mjaftë edhe i ashtuqujturi kooperativizmi. Me ligjin mbi Kooperativat,[150] ishin paraparë tri modele të kooperativizimit dhe tri lloje të kooperativave: kooperativat e përgjithshme  bujqësore ; kooperativat e specializuara dhe kooperativat punëtore-fshatare. Këto të fundit ishin ato të cila e goditën një pjesë të banorëve shqiptarë. Koperativat punëtore-fshatare ishin kooperaiva tipike socialiste, sipas modelit të sovhozeve dhe kolhozeve sovjetke. Ato kooperativa ndër të tjera kishin për qëllim të thyenin mentalitetin patriarkal të familjeve, dhe të unifikonin interesat individuale me ato kolektive. Me bashkimin e tokës, të kafshëve, të punës dhe të mjeteve në kooperativa, tentoej të formoheshin ekonomi të mëdha bujqësore e të tjetërsohej prona private. Për këtë qëllim zhvillohej propagandë politike, sikur kooperativat të ishin parajsë. Propagohej se aty punon kush sa mundet, ndersa merr kujt sa i nevoitet. Jo vetëm këso fjalë joshëse, por propaganda përmbante edhe kërcënime, se po të mos pranonin hyrjen në kooperativë – kolektivizim, do të burgoseshin dhe do t’iu konfiskohej pasuria. Natyrisht se kërcënimi i tillë ishte në kundërshtim me proklamimin ligjor, se kolektivizimi është në bazë të vullnetit të lirë. Edhe përkundër propagandës që zhvillohej për kolektivizimin, familjet shqiptare nuk dëshironin të bashkoheshin në kooperativa të tilla. Ndonëse popullsia shqiptare e Kosovë ishte më se trefish më e madh se popullsia tjetër, vetëm 29% e anëtarëve të kooperativave ishin të nacionalitetit shqiptarë. Ata nuk kishin besim në pushtetin dhe fikoheshin se do t’i humbnin tokat e tyre të mbajtura gjeneratë pas gjenerate. Ndërkaq, serbo-malazezët që tokat i kishin marrë falas nga reforma agrare, dhe ndiheshin të sigurt nga shteti i tyre, nuk hezitonin të hynin në kolektivizim të tillë.[151]

Ndërsa sa i përket marrjës së pronave dhe ndarjes së atyre organizatave bujqësore ishin pruar dispozita të shumta. Duhet përmendur Ligjin mbi fondin e tokave bujqësore të pasurisë së përgjithshme popullore dhe ndarjen e tokave organizatave bujqësore.[152] Këtyre organizatave iu kishte dhënë edhe prona që konfiskohej kinse si tepricë toke mbi 10 ha, kryesisht të banorëve shqiptarë, të cilët ishin në numër të madh të anëtarëve. Ata jetonin në familje patriarkale, ndërsa serbët e malazezët ndaheshin dhe kishin numër të vogël të anëtarëve me qëllim të përfitimeve të pronave. Këto prona pushteti serb prej vitit 1990 e deri në vitin 1999 ua kishte pronësuar në masë të madhe pronarëve serbë e malazezë. Këta të fundit pas vitit 1999 filluan në masë të madhe që pronat e ish kooperativave t’ua shesin banorëve shqiptarë me çmime të larta, siç është rasti me fshatrat Çagllavicë, Llapllasellë e shumë të tjerë në Kosovë.

Presionet për shpërngulje të shqiptarëve

Duke mos pasur mundësi realizimi të plotë të projektit të Çubrilloviqit dhe të projekteve të tjera, pas Luftës së Dytë Botërore, pushteti serb e vijoi zbatimin e fazave të mëtejshme të dhunës e të terrorit ndaj shqiptarëve, të shpërnguljes së tyre nga atdheu dhe kolonizimin me elementin serb në Kosovë.

Edhe pse Jugosllavia në mënyrë publike pas vitit 1944 ishte deklaruar për “barazi të përgjithshme dhe lirinë e të gjithë qytetarëve”, politika serbomadhe ka shkuar disa hapa më tutje në aspektin e programimit të shfarosjes së popullit shqiptarë.

Pas mbarimit të luftës dhe formimit të organeve të reja të pushtetit siç quhej popullor, në emër të vëllazërim-bashkimit, rindërtimit të vendit, të drejtave “të barabarta”, filluan aksione të shumta në punë vullnetare, në rindërtimin e vendit. Edhe në Kosovë, në krahasim me periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, filloi në zhvillim i ngadalshëm ekonomik, pastaj kulturor, arsimor, shëndetësor etj. Filluan të hapën shkollat në gjuhën shqipe me ideologji të caktuar komuniste, të organizohen kurse kundër analfabetizmit, kurse shëndetësore, kurse të amvisnisë, të bujqësisë dhe të tjera. Filloi një zhvillim dhe rindërtim i ngadalshëm, me moton ta shkatërrojmë të vjetrën dhe të ndërtojmë të renë.  Vazhdoi periudha e ndjekjeve, burgosjeve, vrasjeve, internimeve. etj. Më pastaj filloi presioni ekonomik për grumbullimin kinse të “tepricave”,  propaganda për deklarim të dhunshëm si kombësi turke, me qëllim të shpërnguljes në Turqi, aksioni i mbledhjes së armëve të cilat shqiptarët nuk i kishin, në dimrin e viteve 1955/56, me arsyetim se shqiptarët po përgaditëshin për kryengritje të armatosur dhe bashkimin me Shqipërinë. E tërë kjo u përcoll edhe me gjykime masive e dënime drastike të shqiptarëve përsëri për gjoja “koloaboracion me okupatorin” për të vazhduar më vonë, pas Rezolucionit të Inforbyrosë (1948), por gjoja krijimin e Shqipërisë së Madhe dhe bashkëpunimin me Bashkimin sovjetik e shtetet e tjera të Bllokut të Lindjes. Shqiptarët arrestoheshin, vriteshin, masakroheshin dhe internohesin në burgjet e kampet e ndryshme të Jugosllavisë (Goli-Otok, Bileçë, Nish, Gradishkë etj.).

Si presione më të drejtëpërdrejta për ndjekjen dhe për shpërnguljen e shqiptarëve, përveç maltretimit të personave të pafajshëm dhe veçanërisht të intelegjencës së pakët dhe punëtorëve të arsimit, që u shpallën armiq të rendit socialist dhe u burgosën, u internuan e, madje, një pjesë edhe u pushkatuan pa gjyq - ishin deklarimi i dhunshëm për kombësi turke, aksionet e mbledhjes së drithit, aksioni i mbledhjes së armëve me arsyetim se shqiptarët kinse po përgatiten për kryengritje të armatosur dhe bashkim me Shqipërinë, inskenimi i organizatave të fshehta politike “irredentiste”, redukimi i të drejtave sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare, mbyllja e disa shkollave në gjuhën shqipte, nxjerrja e flamurit shqiptar në ditën e festës kombëtare nga ana e organeve të sigurimit si provokacion për t’i burgosur njerëzit e pafajshëm etj.  E gjithë kjo strategjemë mizore u sajua për të gjetur shkak për shpërnguljen masive të shqiptarëve jashtë Jugosllavisë. Në këtë periudhë “u zbuluan” kinse gjithato “organizata irredentiste e diversioniste”, “shqiptaromëdha”, të cilat, në fakt, nuk ekzistonin.

Siç po shihet, presionet për shpërngulje ndaj shqiptarëve ishin aq të shumta e të shumëllojshme, sa jeta e tyre në Kosovë e në viset e tjera të Jugosllavisë u bë e padurueshme. Prandaj, një numër jo i vogël u detyruan të regjistroheshin si turq që të shkonin në Turqi për të shpëtuar sa më parë nga ferri i pushetit serb. Shpërgulja e shqiptarëve nga Kosova mori përmasa të gjera me intensitet të lartë, sidomos gjatë viteve ‘50 e ‘60 të shekullit XX. Gjatë këtyre viteve u shpërngulën në Turqi 283.000 shqiptarë, do të thotë afër një e treta e popullsisë së atëhershme.[153] Maqedonia ishte etapa përfundimtare e shpërnguljeve pa kthim të shqiptarëve në Turqi. Të gjithë lumenjtë e popullsive të dyndura nga Jugosllavia vërshonin në Maqedoni dhe pastaj i drejtoheshin Turqisë. Procesi u realizua “fshehtazi”, ndërsa motivet e shpërnguljes ishin sikurse të paraluftës, kryesisht të natyrës politike, vetëm që u modifikuan dhe iu përshtatën kushteve të reja të sistemit socialist.[154]

Në anën tjetër në Kosovë vinin një numër i madh i serbëve dhe malazezëve si nga territoret e afërta, ashtu edhe nga ato të largëta të Sërbisë dhe të Malit të Zi, si kuadro dhe me familje. Punësohen kryesisht në organizatat dhe institucionet shtetërore, shoqërore, kulturore etj. Vlerësohet se në  Kosovë prej vitit 1945 deri me 1965 janë vendosur 12.300 familje sllave, ose rreth 64.000 persona me prejardhje sllave.[155]

Ky proces u ndërpre në vitin 1966 (pas Plenumit të IV të Brioneve), kur u kritikua ashpër shërbimi i Sigurimit Shtetëror të Jugosllavisë së asaj kohe, që kishte goditur rëndë të gjithë të tjerët pikërisht shqiptarët e Kosovës, por edhe të viseve të tjera të ish-Jugosllavisë.  

Ndërpreja e përkohshme e kolonizimit dhe kthimi i disa kolonëve në vendlindje

Pas vitit 1966, e posaçërisht pas nxjerrjes së Kushtetutës të vitit 1974, serbët e malazezët, duke i humbur privilegjet dhe duke mos e  duruar barazinë e shqiptarëve me ta, një numër i tyre, sidomos ai me origjinë  kolonizuese kthehen në vatrat e para të saj si dhe në viset më të zhvilluara të ish Jugosllavisë. Ata pasurinë, tokën, banesën e tjerë të marrë falas në Kosovë e shiste me çmime të larta dhe me ato mjete blenin tokë, shtëpi, objekte ekonomike dhe gjëra të tjera në viset e Serbisë, në krahasim me Kosovën me çmime shumë më të ulta, kështu që i mbeteshin mjete të bollshme edhe për kursim. Shpërnguljen e këtillë ekonomike të serbëve e malazezëve, qarqet politike shtetërore të Serbisë dhe disa edhe të Jugosllavisë e shfrytëzonin si presion të mëtejmë ndaj shqiptarëve. “Presioni” mbi serbët dhe malazezët ishte floskulë politike dhe shpifje. Gjendja faktike nuk përkon me kualifikimet se serbët dhe malazezët po shpërngulën nga Kosova për shkak të “presioneve”, “diskriminimit”, “terrorit”, “gjenocidit” etj. nga ana e shqiptarëve. “Presioni” i shqiptarëve mbi serbët dhe malazezët ishte një shpifije e rëndë dhe mbi këtë konstruksion u krijua një klimë dhe një strategji antikosovare dhe antishqiptare pothuajse në tërë Jugosllavinë.  Sipas burimeve serbe prej vitit 1967-1980 nga Kosova u shpërngulën 57.118 serbë e malazezë.[156]

Duhet theksuar se popullata shqiptare e Kosovës që nga vitit 1968 e deri në vitin 1981 përjetoi deridiku një transformim në aspektin arsimor, kulturor, shkencor, ekonomik etj. Ajo ishte njëfarë pauze në valën e shpërnguljeve dhe u bë për të evituar ndonjë situatë shpërthyese në Jugosllavi dhe për të vendosur njëfarë ekuilibri politiko-etnik në federatë, me shpresën që ajo të mos shpërbëhej në të ardhmen.

______________

[128] “Sl. List DFJ”, nr. 56/1945.
[129] Dr. I. Hoti, “Fjala”, 5 korrik 1993.
[130] “Sl. List DFJ”, nr. 56/1945.
[131] Dr. I. Hoti, “Fjala”, 5 korrik 1993.
[132] E njëjtë.
[133] Milovan Obradovic, Revizija agrarne reforme na Kosovu, “Kosova”, nr.3/1974, Prishtinë, fq. 411; Dr. I. Hoti, “Fjala”, 5 korrik 1993.
[134] Sl. List DFJ, nr. 58/45, nr. 89/46 dhe Sl. List NRFJ, nr. 101/47.
[135] Sl. List DFJ, nr. 64/45, nr. NRFJ br, 24/46; nr. 101/47; Sl. Glasnik Srbije, nr. 39/45 dhe nr. 4/46.
[136] Sl. List FNRJ, nr. 9/47.
[137] Sl. Glasnik NRS, nr. 5/48, 1/49 dhe 34/56.
[138] Sl. List DFJ, nr. 26/45.
[139] Sl. List DFJ, nr. 36/45.
[140] Sl. List NFRJ, nr. 63/46 dhe 74/46.
[141] Sl. List DFJ, nr. 40/45 dhe 70/45.
[142] Sl. List FNRJ, nr. 61/46.
[143] Sl. List FNRJ, nr. 61/46.
[144] Sl. List DFJ nr. 66/45 dhe FNRJ nr. 86/46.
[145] Përkitazi me këtë në gazetën “Kosova sot”, fejton, dhjetor 2005 ka shkruar Adil Fetahu.
[146] Sl. List FNRJ nr. 98/46 dhe 35/48.
[147] Sl. List FNRJ, nr. 52/58.
[148] Sl. List FNRJ, nr. 28/47.
[149] Sl. Glasnik NRS, nr. 99/46.
[150] Sl. List FNRJ br. 59/1946.
[151] Adil Fetahu, Frika nga Kooperativat, fejton (V), “Kosova Sot”, 24-25 dhjetor 2005.
[152] Sl. List FNRJ, nr. 22 dhe 27 të vitit 1953, nr. 4/57, 46/62, nr. 10/65 (Sl. List SFRJ).
[153] KMDLJN, Prishtinë, BULETINI, nr. 14, janar-mars 2000, fq. 21.
[154] Dr. Hivzi Islami, Kosova dhe shqiptarët. Çështje demografike. Prishtinë, 1990, fq. 164.
[155] KOSMET ili KOSOVA, v. e c., Punim i dr. H. Bajramit, fq. 170.
[156] E njëjtë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora