Shtesë » Lajme
Bedri Blloshmi: "Ti jepet fund zvarritjeve të qëllimshme të këtij gjyqi"
E shtune, 04.10.2008, 02:37 PM
Nëpërmjet kësaj rubrike të nderuar i drejtohem Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Ministrit të Drejtësisë, Presidentit të Republikës.
Nga Bedri Blloshmi
Nëpërmjet kësaj rubrike të nderuar i drejtohem Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Ministrit të Drejtësisë, Presidentit të Republikës. Ka më shumë se një vit që me materiale të mbledhura deri në Arkivin e Sigurimit për "Poetët Martirë" Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, bëmë një vepër e cila u botua. Kjo vepër ishte pajisur me disa materiale të inskenuara nga Komiteti i Partisë Librazhd. Po ashtu ka qenë pajisur edhe me tre Akt-Ekspertiza të lëshuara nga Diana Çuli, Myzafer Xhaxhiu, Koçi Petriti, të cilat kanë qenë vendimtare dhe si provë kryesore ku u mbështet akuza për dënimin e poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Gjithashtu vepra e titulluar "Vilsoni dhe Genci" e autorit z.Sadik Bejko, me parathënie të shkrimtarit z.Ismaili Kadare. Kjo vepër bëri jehonë të madhe në shtyp, po ashtu dhe në promovim. Mbas shumë kohësh na del një libër tjetër i titulluar "Poetët e Bërzeshtës" dhe sponsorizimin e bën Instituti i të Përndjekurve. E kërkoj dhe e blej. Aty ishte bërë një krim i vërtet. Në atë libër "Poetët e Bërzeshtës" ishin hequr: parathënia e z.Ismail Kadare, 3 Akt-Ekspertizat e Diana Çulit, Myzafer Xhaxhiut dhe Koçi Petritit. Për Protokollin Sekret të Komitetit të Partisë Librazhd i jam drejtuar Gjykatës, por kanë kaluar 3 muaj dhe gjyqtarja nuk ka dëshirë ta fillojë çështjen. Ata që vranë Vilsonin dhe Gencin vazhdojnë dhe sot me format e tyre, siç bënë me sakatosjen e veprës. Por dhe një gjë duhet ta dinë të gjithë ata që mendojnë se mund ta mbyllin këtë çështje: këtë herë nuk e kanë menduar mirë. Përfundimisht, unë kërkoj nga Ju të gjithë: T'i jepet fund zvarritjes së gjyqit dhe sigurimsat që vranë poetët, të mos i shqetësojnë më atje ku i çuan.