Shtesë » Lajme
Kur pagëzohen me Hans e Albert në vend të Jasin e Shaip
E diele, 28.09.2008, 07:28 AM
Tendenca e shqiptarëve të Maqedonisë për t’iu shkëputur emrave me prejardhje fetare
Pagëzimi me emra aksidentalë dhe puro shqiptare dhe gjithnjë e më pak fetarë, është tendenca e prindërve të rinj shqiptarë. Sado tingëllojnë çuditshëm, Hans apo Albert, nuk janë të rrallë. Edhe emrat shqiptarë, si Korab, Kreshnik, Jetmirë e Jetgjatë, Hënëplotë e Gëzimjetë, apo Etnik kanë filluar të pushtojnë preferencat shqiptare. Dikur të lidhur ngushtë me përkatësinë fetare, sot me identitetin kombëtar, emrat më të preferuar kanë ndryshuar në kahje ekstreme, jo vetëm sipas viteve, por edhe modës. Ndonëse statistikat zyrtare japin të dhëna të tjera, arsimtarë nga shkolla të ndryshme në vend, pohojnë se karakteristike për grupmoshat 6 deri në 11 vjet, janë emrat shqiptarë kuptimlptë, por edhe ata të huaj, kryesisht gjermanë. Edhe pse tingëllon paradoksale, një mësues thotë se të rastis që në një shkollë fillore në Kumanovë gjashtë prej 26 nxënësve të mbajnë emra të tillë. "Ka shumë Hansa e Alberta, kjo lidhet më shumë me preferencat muzikore dhe idhujt kinematografikë që prindërit e tyre kanë patur, do të ish mirë që të kishim sa më shumë emra shqip", thotë Etem Xheladini, arsimtar në "Naim Frashëri" në Kumanovë. Shumë emra, ata më të vjetrit, pohon arsimtari Nuhi Dardhishta, kanë dalë jashtë përdorimit pas zëvendësimit të tyre me emra shqiptarë. Pagëzimi dhe moda e emrave janë kushtëzuar jo vetëm nga botëkuptimi dhe niveli intelektual, por edhe persekutimi politik. Nëse dikur, pohon Dardhishta ka pasur preferenca për vendosjen e emrave të personaliteteve kombëtarë shqiptarë është reduktuar nga regjimi politik, tani emrat shqiptarë, kanë pushtuar regjistrat e gjendjes civile.
"Emrat shqiptarë dominojnë në nxënësit e ciklit fillor, ata fetarë janë gjithnjë e më të rrallë", thotë Dardhishta. Ai shton se kjo lidhet me kahjen bashkëkohore të familjeve, nivelin e tyre intelektual. Por e kundërta ndodh me zona më periferike. Emrat fetarë, janë sidomos tipike për shkollat e zonave rurale në Shkup, ku vazhdojnë të jenë në modë, për shkak të mënyrës tradicionale dhe botëkuptimit fetar të prindërve. Duke iu referuar statistikave zyrtare emrat fetarë, sa më shumë vite të kalojnë aq më shumë janë të preferuar mes shqiptarëve. Në listën e 100 emrave më të përdorur gjatë 14 viteve të fundit, vërehet rritje e numrit të personave që vazhdojnë të quhen ashtu si edhe paraardhësit e tyre, si për shembull numri i personave që quhen Muhamed është dyfishuar nga 576 persona tani numërohen rreth 1042 të tillë, të ndjekur nga Berat Arben e Egzon. Ndërsa për gjininë femërore preferohen Fatime, Ajshe, Bukurije dhe më pak Shpresa, Gëzime, Hajrie. Po sipas të dhënave, emrat e rinj të cilët janë shfaqur pas viteve 1991 janë - Adelisa, Ilirida, Bleona, apo Erjon, Bleon Vullnet. Emirhan. Tradita e vendosjes pasivisht së një emrave shqiptarë daton që prej vitit 1960, Agim është emri më i preferuar i asaj periudhe. Një dekadë më pas, renditen Bekim, Arben e Teuta.