E shtune, 27.04.2024, 06:09 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Ne, komandot shqiptare që shërbejmë në Çad

E premte, 19.09.2008, 05:44 PM


Është tridhjetë vjeç dhe gjatë karrierës ushtarake dhjetë-vjeçare ka marrë pjesë tre herë në misionet paqeruajtëse. Në fillim në Bosnjë, pastaj në Mosul të Irakut e së fundi në Çadin e largët.

Afrim IMAJ

Në kontinentin e Afrikës kapitenit Bekim Fisniku, i është besuar detyra e komandantit të kotigjnetit shqiptar që prej 60 ditësh vazhdon të shërbejë për paqen dhe sigurinë në përbërje të misionit "Eufor Tchad-RCA". Gjatë një bisede telefonike ai pohoi për gazetën "Panorama", se trupa që komandon në Çad ka tetë oficerë, njëzet e katër nënoficerë dhe tridhjetë ushtarë profesionistë të cilët janë inkuadruar me kontingjentin me francezë dhe komandohen nga gjenerali irlandez Patrick Nash. "Qysh ditën e parë, u shpreh kreu i misionit tonë në Çad, komandot shqiptare kanë marrë detyrën e ruajtjes së bazës ushtarake të Komandës Evropiane në N'Djamena, ndërkohë që janë duke kryer shërbime të tjera si patrullim, shpërndarje ndihmash humanitare etj". Kapiten Fisniku ndjehet mirë që deri tani gjithçka ka rrjedhur normalisht dhe shërbimi i vartësve të tij është vlerësuar shumë mirë nga eprorët e lartë të "Eufor Tchad-RCA". Teksa përshkruan situatën e rënduar nga kriza në Çad, ai thotë se është e njëjta me atë të vëndit tonë në vitin '97. Pjesa më kritike për të mbetet zona verilindore në kufij me Sudanin, ku operojnë trupat polake e irlandeze, por rastet e përballjeve me rebelë e banda plaçkitese ka në gjithë teritorin...

Zoti kapiten! Fillimisht diçka për gjendjen e kontingjentit shqiptar në Çad...

Çdo gjë ecën normalisht. Të gjithë janë mirë me shëndet. Deri tani nuk kemi pasur asnjë shqetësim...

Cilat janë detyrat e paqeruajtësve tanë në misionin evropian EUFOR Tchad & RCA?
 
U bënë rreth 60 ditë që shërbejmë në përbërje të misionit të Bashkimit Evropian EUFOR Tchad & RCA në mbështetje të ndihmës humanitare për zgjidhjen e krizës në këtë zonë të largët. Jemi vendosur në N'Djamena, në pjesën verilindore të kryeqytetit të Çadit. Na është dashur fillimisht të përballonim vështirësitë e mjedisit të panjohur me temperatura shumë të larta dhe praninë e jashtëzakonshme të mushkonjave. Po kjo vetëm ditët e para. Shumë shpejt u integruam në rrjedhën e detyrat e caktuara.

Me se ka të bëjë detyra juaj në Çad?
 
Detyra jonë kryesore ka të bëjë me sigurimin dhe ruajtjen e bazës "Europa". Na i komunikoi atë që ditën e parë vetë komandanti i forcës se misionit Eufor Çad & RCA, Gjeneral Jean Philippe GANASCIA...

Çfarë përfaqëson kampi "Europa" në Çad?

Kampi "Europa-N'Djamena" është një qytezë e tërë, në të cilin është vendosur komanda dhe Shtabi i Mbështetjes, një batalion logjistik dhe elementet e mbështetjes kombëtare të shteteve pjesëmarrëse në mision. Ndërkaq, ai shërben si pikë përshtatje dhe transiti për efektivat pjesëmarrëse. Është i ndërtuar në mënyrë të tillë për të siguruar kushte normale për 600 persona dhe një mjedis të rezervuar për personelin e misionit MINURCAT të OKB-së. E tërë infrastruktura e kampit është vendosur në çadra me ajër të kondicionuar. Komandot dhe strukturat speciale janë sistemuar në kontejnerë të veçantë. Vendi ku është ndërtuar kampi është në një zonë pak më të lartë dhe i ekspozuar plotësisht nga dielli. Trupa jonë që zëvendësoi në detyrën e ruajtjes dhe sigurisë së kampit "Europa" kontingjentin suedez, deri tani ka marrë vlerësime të mira nga komanda dhe eprorët e lartë të misionit. Për gjatë 24 orëve efektivi kryen shërbim me roje të palëvizshme dhe patrulla vëzhgimi jashtë dhe brenda kampit. Po ashtu trupa jonë garanton ruajtjen e bazës logjistike "SOTEC"  dhe sigurimin e shtabit dhe komandës së Mbështetjes. 

Po në qytet patrullojnë komandot shqiptare?
 
Detyra jonë parësore është ruajtja dhe siguria e bazës në N'Djamena Camp Europa dhe sigurimi i bazës logjistike SOTEC 300 metra në perëndim të saj. Në të njëjtën kohë vazhdojmë shërbimet në vendroje sipas grafikëve, patrullimin me automjete në perimetrin e jashtëm të bazës, shoqërim konvoi dhe shoqërim personalitetesh që vijnë për vizitë në bazë. Ndërkaq efektivi i koalicionit vazhdon identifikimin dhe pastrimin e zonave të minuara nga rebelët, të cilët vazhdojnë rigrupimin  në pjesën lindore dhe verilindore të Çadit...

Cila është situata në Çad dhe me çfarë rreziqesh jeni duke u përballur?

Në sytë tanë, Çadi ku shërbejmë për paqen, ka pamjen e Shqipërisë së pranverës së '97-ës. Është gati e njëjta situatë si ajo që përjetuam në atë vit të mbrapsht. Destabilizim total, kolaps shtetëror, banditizëm kriminal, maska, plaçkitje, terrorizëm, përplasje rivalësh etj. Më e rëndë paraqitet gjendja në kufirin me Sudanin, në verilindje të Çadit, ku grupet rebele dita-ditës përshkallëzojnë goditjet ndaj përkrahësve të presidentit dhe ushtrisë vendase. Janë banda të armatosura dhe të mirë stërvitura të pajisura me një infrastrukturë të sofistikuar. E veçanta në përballjen me to është vështirësia e identifikimit, pasi siç na thonë kolegët polakë e irlandezë që shërbejnë aty, këto grupe lëvizin me të njëjtat makina si ato të ushtrisë zyrtare, mbajnë të njëjtën uniformë dhe godasin me të njëjtat armatime. Sidoqoftë, rrethi i veprimtarisë së tyre sa vjen e ngushtohet, ndërkohë që çdo ditë trupat paqeruajtëse janë duke prangosur me dhjetëra terroristë...

Nëse nuk është sekret, cila është përbërja e kontingjentit shqiptar në Çad?
 
Në të bëjnë pjesë tetë oficerë, njëzet e katër nënoficerë dhe tridhjetë ushtarë profesionistë, që kanë gati 60 ditë që shërbejnë si pjesë e Operacionit Eufor Tchad-RCA, në përbërje të trupave franceze, të komanduara nga gjenerali irlandez Patrick Nash. Të gjithë deri tani u janë përgjigjur detyrave me përkushtim e profesionalizëm. Fakti që pjesa më e madhe e tyre kanë qenë në disa misione jashtë shtetit si në Mosul e Afganistan, ka qenë një avantazh i mirë në përpjekjet për përballimin e vështirësive me të cilat ne ballafaqohemi përditë. Sidoqoftë, vlen të veçoj për një shërbim shembullor kuadrot e ushtarët Isuf Bami, Xhevat Maloku, Fatos Sulejmani, Xhelil Meta, Ilir Rapdishti, Artur Kullojka, Sajmir Kanani, Erlin Hysa, Vasil Tafa etj.

Diçka për marrëdhëniet me ushtarakët e shteteve të tjera që janë në këtë mision...

Trupat tona janë integruar në mënyrë të shkëlqyer në komunitetin shumëkombësh të pjesëmarrësve në operacion. Jo vetëm gjatë shërbimit të përbashkët, por edhe në kohën e lirë, ata kanë ditur të ofrojnë miqësinë e sinqertë dhe shpesh herë të ndajnë  kënaqësinë e tavolinës  me kolegët e tyre spanjollë, francezë, belgë, austriakë e suedezë. Në bashkë-bisedimet e përditshme shkëmbehen mendime e përvoja të ndryshme, por edhe informacione të shumta për historinë, kulturën dhe traditat e vendeve respektive.

"EUFOR TCHAD" misioni i BE në Afrikë

EUFOR Tchad/RCA është mision ndërlidhës, i cili koordinon prezencën multidimensionale të OKB-së në Çadin Lindor dhe verilindje të RCA për të rritur sigurinë në këto rajone. Objekt i tij është mbrojtja e civilëve nga rreziku, veçanërisht e refugjatëve dhe personave të shpërngulur; shpërndarja e ndihmave humanitare dhe sigurimi i lëvizjes së lirë të personelit humanitar, ruajtja e personelit të OKB-së, ambienteve, instalimeve pajisjeve dhe sigurimi i lëvizjes së lirë të stafit të personelit që ka lidhje me OKB-në EUFOR Tchad/RCA është një operacion në të cilin marrin pjesë 3,700 trupa, të 14 vendeve, 18 shtete në teatrin e operacionit dhe 22 të tjerë pjesëmarrës në komandën operacionale. Është ky operacioni ushtarak më shumë kombësh i kryer deri tani në Afrikë nga Bashkimi Evropian. Komanda e Operacionit i është besuar Gjeneral Leitnant Patrick Nash, nga Irlanda me vendkomandë në Mont Valerin, Francë. Komandant i Forcës në Terren është Gjen.Brig.
Jean-Philippe GANASCIA nga Franca, me vendkomandë të dislokuar në Abeche, në lindje të Çadit. Misioni përveç vendkomandës së përparuar në Abeche dhe vendkomandës së prapavijës të vendosur në kamp "Europa" ka dhe tre batalione shumëkombëshe të dislokuara në pjesën lindore të Çadit, të cilat janë batalioni i veriut i dislokuar në Iriba dhe i komanduar nga Polonia, batalioni i qendrës i vendosur në Farchana me komandë franceze dhe batalioni i jugut në Goz Beida me komandë irlandeze.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora