E diele, 28.04.2024, 07:40 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Komplot Braunit, kosovari në pranga

E shtune, 30.08.2008, 02:27 PM


Londer -  Një kosovar përfundon në pranga në Britani, për shkak të dyshimeve për komplot ndaj kryeministrit britanik, Gordon Braun. Lajmi është bërë i ditur dje nga gazeta britanike, "Evening Telegraph", që citon burimet e policisë në Derbi. Gazeta njofton se 29-vjeçari nga Kosova është arrestuar të martën në More Street, Normanton, për akuza që përmblidhen në Aktin e Terrorizmit, të miratuar në vitin 2000. Tashmë ai do të përballet me një sërë seancash të marrjes në pyetje që mund të zgjasin deri në 28 ditë, para se policia të ngrejë akuza kundër tij. Emri i tij nuk është bërë i ditur për arsye hetimi, ndërsa policia ka njoftuar vetëm se ai është nga Europa Lindore. Ndërkohë, burime të mirinformuara të gazetës kanë konfirmuar se 29-vjeçari ishte me origjinë nga Kosova. Nuk dihen ende shumë fakte në lidhje me jetën e tij, që pritet të zbardhen në ditët në vazhdim. Katër arrestime të tjera janë kryer gjatë ditëve të fundit në një operacion anti-terror në Britani. Policia ka bërë të ditur se po hetonte në lidhje me kërcënimet për vrasjen e kryeministrit Gordon Braun dhe ish-kryeministrit britanik, Toni Bler. Është njoftuar tashmë se nuk bëhej fjalë për një atentat të planifikuar konkretisht, por një kërcënim të postuar në një faqe interneti që ishte në duart e ekstremistëve islamikë.

Arrestimi

Media britanike njofton se kosovari është arrestuar pasi oficerët e maskuar kontrolluan shtëpinë e tij në Normanton, të martën. Dy makinat që ndodheshin jashtë shtëpisë tij janë marrë nga policia për ekzaminim të mëtejshëm. Lajmi për arrestimi ka tronditur komunitetin lokal. Por banorët e zonës, liderët e komunitetit dhe pronarët e bizneseve të vogla aty pranë thanë se nuk e kishin idenë kush ishte ky person. Këshilltari Fareed Hussain, anëtar i Forumit Mysliman në Derbi dhe Këshillit Bashkiak, tha se i gjithë komuniteti është i habitur dhe se ata nuk dinin detaje lidhur me këtë person. Por ai mund të konfirmonte se personi i arrestuar nuk është i komunitetit mysliman në Derbi. "Nuk e dimë emrin e tij dhe nuk dimë asgjë tjetër, veç që ai është një kosovar", - tha ai. "Qyteti ka një komunitet që përfshin njerëz nga ish-Jugosllavia, Serbia, Kroacia dhe Kosova si dhe emigrantë nga Shqipëria. Emigrantët nga Kosova kanë ardhur kryesisht në vitin 2000", - shton një tjetër lider i komunitetit. Sipas tij, personi i arrestuar ishte një njeri që jetonte vetëm dhe nuk fliste me askënd. Margaret Beckett, deputete e Derbit, që mbulon edhe Normantonit, dhe është kryetare e Dhomës së Komuneve për Sigurinë dhe Shërbimin Sekret, thotë se "nëse arrestimet do të zbulojnë fakte domethënëse, atëherë hetime të hollësishme do të nisin lidhur me dyshimet për komplot". Arrestimet në Derbi erdhën pas një operacioni në 14 gusht, kur tre islamikë të moshës 21, 22 dhe 23 vjeç, u arrestuan. Dy prej tyre u ndaluan në aeroportin e Mançesterit, ndërsa po prisnin të niseshin drejt Finlandës. Një i tretë u arrestua në Accrington të Lancashire, ndërsa personi i katërt, një 24-vjeçar, u arrestua në Blackburn, të martën dhe mendohet të jetë një person i konvertuar në mysliman.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora