E shtune, 27.04.2024, 03:22 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Fshati i 90-vjeçarëve të hashashit

E diele, 24.08.2008, 12:55 PM


Qendra e fshatit Gjorm
Lindita Çela

REPORTAZH

Lufta e policisë shqiptare ndaj kultivuesve të hashashit është përqendruar tek këto plaka të moshuara që kanë mbetur të vetme në këtë botë. Një fshat ku gratë e moshuara janë në kërkim nga policia

VLORË- Të duhet të trokasësh disa herë që pas derës së hekurt të përgjigjet një zë i mekur gruaje. Dyert hapen vetëm kur e zonja e shtëpisë sigurohet fort mirë që miku i paftuar nuk i përket uniformave blu. Vetëm atëherë zëri i saj qetësohet e fytyra nis dalë nga dalë t’i çelet ndërsa të birit, 10 vjeçar i duhet gjysmë orë të marrë veten. Pasi ecën 20 minuta në këmbë, në majë të kodrës në një rrugë të shtruar me çakëll, gjendet shtëpia e Liri Halilit, një prej 10 grave që janë shpallur në kërkim për kultivimin e lëndëve narkotike në fshatin Gjormë të komunës së Bratajt në Vlorë.

Shtëpia është ende e pa shtruar dhe e vetmja gjë e bukur që sheh janë lulet,të cilave duket se Liria u kushton tërë ditën. Në shtëpi ajo është fillikat me djalin 10 vjeçar. Djemtë e tjerë i ka të martuar, ndërsa i shoqi ka mbyllur sytë një vit më parë. Pikërisht në këtë kohë kanë nisur edhe procedurat penale në ngarkim të saj. Liriathotë se fillimisht procedimi penal për disa rrënjë kanabis sativa ka nisur në emrin e të shoqit.

Por kur ai mbylli sytë të gjitha procedurat kaluan në emrin e saj. Tashmë Liri Lali rezulton të jetë person në kërkim, dhe duket se nga ky fakt nuk i dridhet qerpiku. Fundja nuk është gruaja e vetme në këtë fshat që ka kusure të tilla. Pak më tutje mund të takosh Drita Likajn. Ndërsa Sofi Totaj është një tjetër plakë 80- vjeçare, e cila ditën merr arratinë nga frika e policisë. Plaka e ngratë mbrëmjen e ngrys në Bregun e Lumit dhe vetëm natën kockat i gjejnë qetësinë. Sofia është e vetme dhe për shëndetin e saj kujdeset fqinja, ndërkohë që me sa duket nuk ka ndërmend të lajë ndonjëherë hesapet me drejtësinë.

Në fakt çdo grua që është e shpallur në kërkim në këto anë duket se nuk ka ndërmend të dorëzohet. Për burrat, gratë e tyre janë të pafajshme dhe duket se bëjnë gjithçka për t’i mbrojtur. Në fakt Liria është gruaja e vetme që nuk braktisë përkohësisht shtëpinë e saj. I vetmi kufizim i saj është që nuk bredh lirisht nëpër fshat, ndërsa derën ta hap vetëm kur përtej derës së hekurt shfaqen miqtë e saj.

Në fakt shpallja në kërkim e grave të fshatit duket se është bërë problem edhe për pushtetin vendor. Kryeplaku Çuman Shenajthotë se shteti duhet të vërë dorë. Sipas tij, shumica e personave të shpallur në kërkim janë si të tillë për shkak të bindjeve politike. Kryeplakuthotë se asnjë trafikant nuk është dënuar apo dhe i shpallur në kërkim ndërkohë që personat që tashmë kërkohen janënë pikë të hallit.

Kryesisht janë familje të varfra, që në kohën e korrjes u ra lapsi të procedohen penalisht. “Që pas vitin 1993 kultivimi i cannabis sativa ishte masiv jo vetëm në fshatin tonë por në të gjithë zonën. Gjatë kësaj kohe askush nuk vinte këtejpër të kontrolluar . Por gjërat ndryshuan nga vitit 2005. Krahas aksioneve të korrjes ka filluar ekzekutimi i vendimeve të gjykatës. Të paktën gratë nuk duhet të ishin përfshirë në këtë histori se kanë lënë fëmijët rrugëve pse kishin mbjellë 3-4 rrënjë, dhe të gjithë janë dënuar nga tre vjet burg”,- të thotë kryeplaku.


PAZARI I HASHASHIT

Sekserët e shumtë “shëtisin” në të gjithë Shqipërinë për të gjetur blerësit potencialë

Një kile hashash kushton 30 mijë lekë

Të mjafton të kesh një të njohur me vete dhe nuk është vështirë që në fshatin Gjormë të sigurosh sasi të konsiderueshme hashashi. Sigurisht që në treg qarkullon ajo sasi e konsiderueshme canabis sativa që fshatrave të lumit të Vlorës është kultivuar viteve të shkuara pa hesap. Madje shoqëruesi ynë të rrëfen se edhe përgjatë rrugës nacionale që lidh fshatrat e lumit Vranisht me Vlorën në vend të pemëve lulëzonte bima që vendasit ia kanë parë më shumë leverdinë. Ndërsa dy vitet e fundit, vendasit u janë qepur maleve për të kultivuar cannabis ku në zonë është i preferuar ai “bisht dhelpre”. Bima nuk rritet fort dhe ka shumë gjasa t’i shpëtojë aksioneve të policisë.

Në fakt fshati Gjormë nuk është i varfër. Burrat e fshatit i gjen nëpër kafene ndërkohë që në rrugë qarkullojnë makina të tipit të fundit. Rruga e shtruar i ka lehtësuar qarkullimin makinave të shtrenjta që duket se bredhin këtyre anëve pa asnjë vështirësi. Por të udhëtosh dy orë nga Vlora për të vajtur në këtë fshat duket duhet të kesh një arsye tepër të fortë. Vendasit duket se dinë mirë pse “vizitorët” e huaj bredhin këtyre anëve. Ndaj mjafton që të kesh si shoqërues një vendas dhe nuk është aspak e vështirë të gjesh njerëzit e duhur që të ofrojnë mallin e kërkuar.

Shoqëria e një vendasi është një pasaportë e mirë për të shkelur tregun e hashashit të këtyre anëve. Madje në fshat duket se ka sekserë të shumtë që punojnë për to sepse kushdo i ka ka dëgjuar zërin këtyre burrave të maleve. “Tek askush tjetër mos u drejtoni. Po të rrini sonte këtu do t’ju çoj unë tek A. B. Ka sasi të konsiderueshme. Ja rri tek ai mali atje, (bën me dorë nga mali përballë fshatit) por ju duhet të ecni në këmbë për të shkuar, ose do të gjejmë një kalë sepse dhe duhet ta shihni mallin apo jo”-të thotë një prej vendasve në fshat. E rëndësishme është që kesh paratë me vetë dhe se të merrnim të gjitha risqet e kalimit të drogës. Në fshat të merret përsipër vetëm furnizimi dhe jo transporti. Në djalë tregon se vitin e fundit është vështirësuar ca puna por krejt e pa mundur nuk është. Madje falë aksioneve të policisë është rritur dhe çmimi i mallit. Çmimi i parë që iu ofrohet atyre që nuk janë fort të zanatit është 300 mijë lekë, por ka vend edhe për pazar.


----------------------------------------------------

Zubidja di që mbolli “lule” në bahçe por më pas ato i sollën dënimin me 3 vjet. Plaka firmos me gisht se nuk di të shkruajë

92- vjeç, e dënuar për kultivim bimësh narkotike

VLORË- I ka kapërcyer të 90-at ndaj dhe dëshirë të vetme ka rrugëtimin në anën tjetër të jetës. Të paktën këtë të thotë kur i uron jetë të gjatë, Zubide Alias. Mbahet ende e fortë ndaj dhe kandili i jetës nuk është shuar. Por as kusuret nuk i janë sosur plakës 92- vjeçare që është ditën rrëzë malit të Tragjasit. Madje në ditët e fundit të jetës duhet t’i kalojë në “turp”. Zyrtarisht Zybideja rezulton person i dënuar me tre vjet heqje liri. Madje për këtë vendim të gjykatës ka firmosur edhe me gisht (sepse nuk di të shkruajë), pa ditur se pikërisht ajo njolla e zezë e gishtit të saj do t’i nxinte dhe jetën në ditët e fundit.

Por plaka që jeton fillikat e vetme, duket se deri më tani ia ka dalë që të paktën të jetojë në liri. Vërtet nuk e ka kapërcyer pragun e derës, por edhe sikur të mundte tashmë fuqitë e kanë lënë. Ndaj dhe “liria” e fituar brenda katër mureve të shtëpisë, është gjithçka për të. Të paktën do të mbyll sytë në pragun e shtëpisë ku ka ardhur nuse pa mbushur të 15-ta. Zybide Aliaj tregon për “Shekullin” se si u shndërrua në kultivuese të lëndëve narkotike.

Nënë Zybide çfarë keni bërë që jeni dënuar me tre vjet heqje lirie dhe cila është akuza që ju është ngritur?

Sipas letrave jam e dënuar me tre vjet dhe më kanë akuzuar për kultivimin e lëndëve narkotike. Por ia kam dalë që të mos shkoj të paktën në burg. Më kanë thënë nëse do e përsëris prapë nuk do të më fusin në burg.

Po ju a keni kultivuar bimë narkotike?

Në fakt unë as që e dija se çfarë ishin. E vërteta është që kur erdhi policia gjeti bimë të tilla, por unë nuk e dija çfarë bime ishte.

Po ju më kë jetoni?

Kam vite që jetoj vetëm sepse djemtë i kam në Greqi ndërsa një vajzë të vetmee kam martuar në Vlorë.

Po si ndodhi që ju mbollët lëndë narkotike?

Erdhën fëmija e lagjes dhe më thanë se ishte farë luleje dhe unë e hodha në bahçe. Më pas vjen policia, nuk e mbaj mënd se kur por ata erdhën dhe më thanë o nëne paske mbjellë domate shumë. Po ça të bëj duhet edhe ato të shkreta, ju thashë. Pastaj më thanë se do t’i prisnin. Po prijeni se ju me urdhër keni ardhur. I prenë dhe më pas më thanë që të hidhja një firmë. Ju thashë se nuk dija të hidhja firmë sepse nuk kisha bërë shkollë. Ata më thanë se edhe me gisht bënte kjo punë dhe unë pranova. Unë mendova se më keq e kishte kjo punë, u prishën lulet dhe kaq.

Po pastaj çfarë ndodhi?

Kaloi ca kohë dhe erdhën prapë. Me gjetën të shtrirë në krevat se isha e sëmurë. Erdhën për të më thënës se duhet të vija sërish gishtin nëpër dokumente. U thashë se një gjë të tillë e kisha bërë një herë, po kështu është rregulli më thanë. Pastaj më thanë se kishin urdhër të shkoja më ta në Vlorë. Hipa në furgonin e policisë dhe vajta në Vlorë. Me vete më erdhi një nusja e nipit se këtu nuk kisha asnjë njeri tjetër.

Kush ju mori në pyetje?

Di që ishte më i madhi i tyre dhe e kisha pak metra larg, më tutje ishte prokurori, ishte aty edhe polici i zonës.

Pastaj çfarë ndodhi?

Ai i madhi pyeti atë të zonës sonë. Çfarë është kjo? E kërkove ta prura i tha ai . Më pyetën sa vjeç isha dhe kur i thashë gati 92 vjeç ai i ra kokës me grushte. Më pyetën nëse kisha mbjellë drogë. U tregova të vërtetën që më sollën fëmija për lule dhe unë e mbolla. Pastaj ai tha nëse e kisha kuptuar gabimin. E kam kuptuar po u bë ajopunë,- iu thashë, Më vonë mësoj se isha e dënuar me tre vjet burg.

A keni shkuar në gjyq dhe a keni marrë avokat për akuzat që janë ngritur ndaj jush?

Jo. Kjo ishte hera e vetme që kam qenë në Vlorë. Po kështu as avokat nuk kemi marrë se nuk i dinim ligjet. Por di që prej asaj dite unë nuk kam dalë më nga shtëpia dhe se më kanë dënuar me 3 vjet heqje lirie. Ja rri në shtëpi dhe pres të më vijë fundi se boll kam jetuar. Nuk e kam më vendin këtu unë, e kam atje tek të shumtit.

----------------------------------------------

Lala Ajazi është një ndër gratë e shumta të zonës që kërkohet nga policia për kultivim bimësh narkotike

“Ditën e dasmës së vajzës morëm mandatën e burgut”

Merr arratinë sapo një person me uniformë duket në fshat. Prej dy muajsh më shumë ka gdhirë ditët në qiell të hapur dhe këmba i shkel pragun e shtëpisë vetëm kur është tejet e sigurt. Lala Ajazi është ndër gratë e shumta e cila është shpallur në kërkim me akuzën e lëndëve narkotike. Në ditën më të bukur të jetës, nënë Lala Ajazi mëson akuzat që rëndojnë mbi të.

Pikërisht në ditën e dasmës së vajzës së saj, bashkë me krushqit kanë mbërritur dhe forcat e shumta të policisë. Kompromisi për të gëzuar dasmën e së bijës e ka kthyer gruan 46-vjeçare në personin më të kërkuar në fshat. Prej fundit të gushtit asnjë polic nuk e ka parë me sy Lalanë. Ndaj dhe nuk pranon të dalë në fotografi. Në emër të saj flet Sadiku, bashkëshorti i cili tashmë i duhet të jetë në shtëpi edhe grua për tu kujdesur për fëmijët e tjerë. Në fakt familja Ajazi është në pikë të hallit. Sadikut i duhet të mos pushojë asnjë sekondë për të mbajtur frymën gjallë, dhe sipas tij dosja e kultivimit të lëndëve narkotike është bërë e qëllimshme në emër të familjes së tij.

Z. Sadik kur e keni mësuar që gruaja juaj është person i shpallur në kërkim?

Ka qenë data 20 apo 23 korrik. Kishim dasmën e vajzëskur erdhën ata të policisë për të arrestuar gruan. Aty mësojmë se ajo ishte e dënuar me 3 vjet heqje lirie me akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike.

Por në fakt ju jeni marrë me kultivimin e kësaj bime?

Kjo ka ndodhur në verën e 2005. Ato kohë unë bashkë më familjen nuk kam qenë këtu. Gjatë verës shkoj në Korçë me bagëtinë dhe në shtëpi asnjë nuk ka qenë. Ka ardhur policia dhe thotë se ka gjetur rrënjë në bahçen time. Pastaj shumë kohë më vonë ne jemi thirrur në policinë e Vlorës. Duke qenë se unë nuk kam qenë në shtëpi ka shkuar gruaja për të pyetur si ishte puna. Atje i kanë dhënë të firmoste dokumente dhe ajo nuk ka ditur se çfarë ka firmosur. Pastaj ka ardhur në shtëpi dhe ne kemi bërë jetën normalisht deri në ditën e dasmës.

Po ju nuk keni marrë pjesë në asnjë seancë gjyqësore?

Jo, askush nuk na ka thirrur. Pastaj ne nuk e dimë se janë këto punë. Flija i qetë se pse në shtëpinë time nuk jam marrë kurrë me këtë punë. Pastaj që nga dita që ka ardhur policia gruaja ka marrë arratinë. Nuk dimë se di do të vejë halli. Na thonë se është dënuar në mungesë dhe se duhet të vuaj tre vjet burg. Nuk e dimë por kërkoj që shteti të ndërhyjë sepse nuk jemi ne ato që kemi kultivuar apo marrë me tregtinë e drogës. Këtu kjo punë është bërë kujt i bie lapsi ndërsa ata që janë marrë sot e kësaj dite janë të lirë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora