E diele, 28.04.2024, 12:19 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Plumbat e Lazaratit, terror ne Gjirokaster

E hene, 25.08.2008, 05:44 PM


Ismail Xhaferri

LAZARAT - Ndërsa parcelat me hashash janë në prag të korrjes në Lazarat, banorët e këtij fshati "rebel" në Gjirokastër vazhdojnë "luftën" me të gjitha llojet e armëve, madje edhe me ato të artilerisë së rëndë. Që pas aksionit antikanabis të ndërmarrë nga forcat e RENEA-s, FNSH-ja dhe policia në lagjen Kordhocë, breshëritë e kallashnikovëve dhe të mitralozave nuk pushojnë së reshturi gjatë gjithë natës. Por, mesnata e së shtunës dhe orët e para të mëngjesit të djeshëm kanë qenë vërtet të frikshme për banorët e lagjeve periferike të qytetit të Gjirokastrës; "Zinxhira" dhe "Cfaka". Ata janë detyruar të mbyllen nëpër banesat e tyre, për t'i shpëtuar rrebeshit të plumbave që vinin nga Lazarati. Banorë të qytetit muze, pohojnë se lazaratasit po i terrorizojnë me të shtënat e tyre në ajër, dhe që kanë si qëllim të detyrojnë policinë dhe strukturat e shtetit që të heqin dorë nga asgjësimi i bimëve narkotike të mbjella në territorin e fshatit të tyre. Pasojat e kësaj "lufte" i ndjejnë dhe banorët e minoritetit grek në Derviçian, i cili është fshati më i madh i Komunës së Dropullit të Poshtëm. Mjaft emigrantë nga ky fshat që kishin ardhur të kalonin pushimet në vendlindje, për shkak të plumbave që u binin mbi oborre dhe çatitë e shtëpive, u detyruan të largoheshin para kohe për në Greqi. Terrori me protagonistë lazaratasit ka krijuar situatë më të vështirë në lagjen "Zinxhira" të Gjirokastrës, ku "kënga" e kallashnikovëve dëgjohet në çdo shtëpi. Xhama dritaresh të thyera, mure të goditur nga plumbat dhe depozita të shpuara, përbëjnë realitetin e përditshëm të kësaj lagjeje. "Të shtënat nisin në orën 24:00 dhe vazhdojnë deri nga ora 05:00. Ndihemi të pasigurt dhe fati na ka shpëtuar nga plumbat. Nëse shteti nuk ndërhyn për t'i dhënë fund kësaj situate, ne jemi të detyruar të braktisim shtëpitë tona", - shprehen disa banorë të lagjes "Zinxhira". Njëri prej banorëve, i cili për arsye frike nuk pranon të identifikohet me emër, thotë se një copë predhë i ka dëmtuar makinën në pronësi të tij, të cilën sapo e kishte blerë me vlerën e 13 mijë eurove. Mësohet se banorët e lagjeve periferike të qytetit jugor, kanë bërë ankesa në polici, por kjo e fundit duket krejt e pafuqishme për të ndërhyrë dhe për të bërë "zap" lazaratasit.

Perplasja

Problemin e të shtënave e ngriti pak ditë më parë edhe prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera, i cili kërkoi ndihmën e shtetit në një takim që zhvilloi me kryeministrin Berisha. Ksera u ankua në lidhje me të shtënat e armëve që bëhen në Lazarat, plumba që sipas tij, bien si breshër në Gjirokastër dhe në Dropull, duke rrezikuar kësisoj jetën e banorëve të pafajshëm. Ksera ka kërkuar nga Berisha t'i jepet fund kësaj situate, e cila sipas tij është alarmante. I pranishëm në këtë bisedë, kreu i Komunës së Lazaratit, Aliko, ka preferuar të heshtë në prani të kryeministrit, për ta vënë nderin në një takim tet a tet me Kserën. "Tepër i irrituar pse unë kisha cenuar sipas tij nderin e komunës, Aliko, me largimin e kryeministrit më është afruar duke përdorur një fjalor banal deri dhe duke më kërcënuar", - ka pretenduar në një citim për GSH prefekti Ksera, për të shtuar mandej se "Aliko ka tentuar edhe të më godasë fizikisht". Sipas tij, reagimi i kreut të Komunës së Lazaratit ishte i panevojshëm, duke qenë se ai thjesht kishte ngritur një shqe-tësim serioz për banorët e Gjirokastrës dhe Dropullit. I kontaktuar sakaq nga GSH, vetë Aliko nuk ka preferuar të bëjë ndonjë koment të tepërt në lidhje me këtë incident, duke servirur të vërtetën sipas tij për GSH, vetëm me fjalët: "Ksera po shpif, as e di fare përse bëhet fjalë".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora