E diele, 28.04.2024, 03:38 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Historia, kultura dhe zonat historike në Shkodër

E hene, 25.08.2008, 02:27 PM


Në rrjedhë të shekujve, djepi i kulturws shqiptare veç etjes së saj për liri e pavarësi, ka afirmuar vlera të patjetërsueshme në rrafshin e kulturës e të artit, tradita të cilat kanë ardhur me bukurinë e tyre deri në ditët tona

Shkodra, ky qytet i lashtë 2500-vjeçar, është një nga qendrat më të shquara qytetare të Shqipërisë e të Ballkanit, i njohur si kryeqendër tradicionale e kulturës shqiptare. Duke ndjerë në këmbët e saj përplasjen e dallgëve të Liqenit të Shkodrës dhe duke në gjoks gurgullimën e lumenjve të Bunës, Drinit e Kirit, me një dorë të mbështetur në bedenat e kështjellës legjendare të Rozafës dhe tjetrën në Alpet shqiptare, Shkodra të ofron bukuri të virgjëra natyrore që rrallë i has në një vend tjetër të globit. Në rrjedhë të shekujve, Shkodra, veç etjes së saj për liri e pavarësi, ka afirmuar vlera të patjetërsueshme në rrafshin e kulturës e të artit, tradita të cilat kanë ardhur me bukurinë e tyre deri në ditët tona. Shkodra ka një sipërfaqe 2558 km 2 dhe është i vendosur 90 km larg Alpeve e njëkohësisht fare pranë detit (vetëm 32 km), as 40 km larg Portit të Shëngjinit. Ky kompleks natyror harmonizon turizmin bregliqenor, malor, detar e tranzit tregtar. Kjo pasuri natyrore ka tërhequr vëmendjen e mjaft shkencëtarëve vendës e të huaj, të cilët i kanë kushtuar mjaft studime. Në Shkodër mund t’i gëzohesh, jo vetëm natyrës së bukur, por edhe historisë, kulturës, zakoneve e rrugës së jetës. Gjurmët më të hershme të veprimtarisë njerëzore të zbuluara në pellgun e Shkodrës i përkasin periudhës së paleolitit të mesëm, por duke filluar nga periudha e bronxit, ato kanë një prezencë intensive e të pandërprerë. Ky territor ka qenë i banuar nga fisi ilir i Labeatëve, lundërtarë e tregtarë të zotë. Ishin shkëmbimet tregtare me zonat e tjera që u bënë shkak për themelimin e qytetit të Shkodrës, si një treg e vendbanim ilir. Kështu, që në shekullin e IV p.k. e fillon jetën ky qytet ilir, i cili njihej në histori me emrin Scodra, Scobre, Skodrai, Skodre, Skydreonopolis-sot Shkodra. Pushtimet e ndryshme ia kanë ndërprerë zhvillimin, e kanë shkatërruar shpesh dhe nga themelet, por Shkodra është ngritur edhe nga hiri. Në afro pesë shekuj të pushtimit osman, shkëlqimi i qytetit u venit, por në shek. XVII do të jetë përsëri një qendër e rëndësishme, jo vetëm administrative, por edhe ekonomike e Shqipërisë. Në këtë periudhë kishte 1800 shtëpi dhe 25.000 banorë dhe gradualisht bëhet një qendër e rëndësishme kulturore. Në Shkodër lindën institucionet e para kulturore në vendin tonë. Më 1858 nisi punën familja e fotografëve Marubi, më pas ngrihen shtypshkronjat e para, krijohet banda e parë muzikore dhe më 1879 jepet shfaqja e parë teatrale në gjuhën shqipe, themelohen shoqëritë e para letrare, kulturore e sportive. Më 1913 u hap shkolla laike popullore dhe më 1922 Gjimnazi i Shtetit, mjaft shoqëri kulturore e sportive, dëshmi të qytetërimit në Shqipëri. Në vitet e kryengritjeve të mëdha, 1910-1912, shkodranët e malësorët i dhanë tonin lëvizjes kombëtare. Shkodranët kanë marrë pjesë aktive në luftën për çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazifashtë. Shekulli XX pat edhe për Shkodrën një pamje bardh e zi. Liri prej pushtuesve e kushtëzuar nga diktatutura e proletariatit, ngritja e një ekonomie të centralizuar që afroi pamje të ndryshme: zhvillim, stanjacion e rënie dhe një varfërim ekonomik e shpirtëror të popullsisë që diktohej nga ideologjia e importuar marksist-leniniste. Prandaj Shkodra, që gjithnjë ka parë nga Perëndimi, qe e para që tronditi vendin me lëvizjet demokratike të saj dhe e para që i dha ditëve tona gjakun e bijve të saj më të mirë. Sot ajo me kurajo ka mundur të përballojë sfidat e periudhës së tranzicionit dhe të ofrojë ndryshim, që çdo ditë e më shumë bëhet prezent në jetën e shkodranëve. Resurset e saj historike, natyrore e kulturore tani do të kenë bashkëudhtarë edhe zhvillimet ekonomike e turistike, që duhen njohur e zhvilluar më tej.

Kalaja Rozafa dhe Liqeni i Shkodres
Kështjella e Shkodrës

Ndodhet në hyrjen jugore të qytetit, në një pozicion dominues, rrethuar nga lumenjtë Buna, Drini, Kiri. Legjenda thotë se kjo kala është ndërtuar nga tre vëllezër. Që ngrehina të qëndronte në këmbë, ata u detyruan ta murosnin gjallë gruan e vëllait më të vogël, e cila pranoi të sakrifikohet duke kërkuar që t’i liheshin pa u murosur gjiri i djathtë, për të ushqyer vogëlushin e saj, dora për ta përkëdhelur e përkundur djepin. Gërmimet arkeologjike tregojnë se kalaja është një nga vendbanimet e hershme të pellgut të Shkodrës, i banuar rreth 4000 vjet më parë. Brenda mureve rrethues, ajo ka një sipërfaqe 4 ha. Në sistemin fortifikues një rol të rëndësishëm luan sistemi i kalimeve të fshehta, të nëndheshme. Në të gjitha kohët “Rozafa” ka qëndruar si një roje e fuqishme e qytetit. Kështjella mijëvjeçare në vitet ’80 i është nënshtruar restaurimit. Ajo është 2 km larg qendrës së qytetit. Deri te porta e saj mund të udhëtosh me makinë, nëpër një rrugë të mirë, pjesërisht e asfaltuar e pjesërisht me kalldrem.

Muzeu historik

Muzeu është vendosur në një banesë karakteristike, e ndërtuar rreth çerekut të fundit të shekullit XIX, që ruan edhe vlera arkitektonike e historike, pasi është shtëpia e Heroit Popullor, Oso Kuka. Muzeu është ngritur me koleksionet e Muzeut të Jezuitëve dhe të Françeskanëve (të viteve 1850 dhe 1890), duke u pasuruar vazhdimisht me koleksionet e ndryshme, blerjet e herëpashershme dhe sidomos nga familjet shkodrane, që kanë ruajtur me xhelozi dhe me një vlerësim të posaçëm objekte, dokumente e vepra arti. Kjo pasuri e konsiderueshme numëron rreth 2700 objekte e relike origjinale, 5000 dokumente në më të shumtën origjinale, 40.000 dokumente me vlerë për zhvillimin e arsimit etj. Këtu ruhen dëshmi për të zbuluar e njohur qytetërimin e djeshëm e të sotëm.

Foto nga Studio "MARUBI"
Fototeka “Marubi”

Qyteti i Shkodrës është vendlindja e artit fotografik në Shqipëri. Në vitin 1858 këtu u stampua fotografia e parë, e cila lidhet me emrin Marubi. Ajo u zhvillua pothuajse në të njëjtën kohë me fotografinë botërore, duke i dhënë artit shqiptar një koherencë me fytyrën e një qytetërimi modern. Në vitin 1971, me fondet e pasura të dhuruara nga familjet e fotografëve të traditës Marubi, Pici, Jakova, Rraboshta e Nenshati u krijua arkivi monumental e befasues i fototekës “Marubi”. Në fokusin e tyre është Shkodra, me vlerat historike që mbart. Aty gjënden mijëra portrete, kompozime, peizazhe, reportazhe etj., ku fokusohen njerëz të thjeshtë, politikanë, kryengritës popullorë, piktorë, pjesë të urbanistikës, arkitekturës, monumenteve të kulturës etj.

Galeria e arteve

Një vizitë në Galerinë e Arteve të afron me kulturën e këtij qyteti. Ajo, në fondet e saj, përfshin vepra të autorëve shkodranë dhe të atyre të mirënjohur shqiptarë, që nga periudha e Rilindjes Kombëtare e deri në ditët tona. Që nga viti 1970 galeria ruan, mbron e ekspozon 700 piktura të autorëve të traditës dhe të ditëve tona.

Popullsia

Popullsia e qytetit të Shkodrës është homogjene. Numërohen mbi 100.000 banorë. Rritjen më të ndjeshme ajo e ka arritur pas vitit 1960, rrjedhim i rritjes natyrale, 18/00 të popullsisë dhe i lëvizjes nga fshati në qytet. Dendësia mesatare e popullsisë arrin 135 banor/km 2 . Mosha mesatare e vdekjes shkon deri në 70 vjeç. Popullsia qytetare arrin 44 %. Nga ana administrative, Shkodra është qendër e prefekturës, e cila përfshin edhe rrethet e Pukës e të Malësisë së Madhe. Rrethi i Shkodrës ka në administrim dy bashki dhe 16 komuna; zona rurale përbëhet nga 130 mijë banorë.

Universiteti “Luigj Gurakuqi”

U themelua më 25 maj 1991 mbi bazën e Insititutit të Lartë Pedagogjik të hapur më 2 shtator 1957. Gjatë këtyre viteve Universiteti “Luigj Gurakuqi” u shndrrua në një monument të gjallë kulture, një monument përherë në veprim, në jetën arsimore shkencore, kulturore, jo vetëm për qytetin e Shkodrës, por për mbarë vendin. Gjatë viteve të fundit, Universiteti, me synime të reja drejt Evropës, bashkëpunon me shumë universitete austriake, italiane e amerikane, që kanë bërë të mundur njohjen e shumë pedagogëve me përvojat perëndimore të mësimdhënies e të kërkimeve shkencore. Vetëm në periudhën 1993-2005 shumë pedagogë janë specializuar, kanë marrë titullin “master” e mbrojtje diplome në rreth 30 shtete të Evropës e Amerikës.

Ura e Mesit

Ngrihet mbi lumin Kir, pranë fshatit Mes, rreth 6 km larg qytetit të Shkodrës. u ndërtua nga Mehmet Pashë Bushati në gjysmën e dytë të shekullit XVIII. Ura është e gjatë 108 m, e gjërë 3.4 m dhe përbëhet nga 13 harqe guri. Harku më i madh ka hapësiren 21.5 m dhe lartësi 12 m. Ajo deri vonë ka shërbyer për të lidhur qytetin e Shkodrës me Drishtin.

Rruga karakteristike

Është ndërtuar në fillim të shekullit të XX. Bën pjesë në zonën muze të qytetit. Ajo ruan vlera të rëndësishme të veprimtarisë ndërtimore të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX dhe është dëshmi e zhvillimit ekonomik të qytetit për atë periudhë. Nga ana urbanistike, ajo ndjek skemën klasike, duke krijuar në të dy krahët e saj vargje paralele të ndërtesave me blloqe të ngjeshura ndërtimi. Plastika me të cilën zbukurohen, është realizuar përmes kombinimit të punimeve të suvasë, daltimit të gurit dhe përdorimit të tullës me funksion dekorativ.

Shtëpi karakteristike

Në mesin e shekullit XIX në qytetin e Shkodrës fillojnë të ndërtohen banesa me çardak me disa variante (me çardak në të gjithë ballin e me çardak në një krah). Ato janë të thjeshta, dykatëshe, me katin përdhes të pabanuar. Planimetria e të dy kateve është e njëjtë, kati i sipërm ka tre ose katër mjedise banimi (kuzhina, dhoma e fjetjes dhe dhoma e miqve). Me interes të veçantë trajtohet oda e miqve. Në këtë shtëpi, si tek ajo e Luigj Gurakuqit, Oso Kukës, Pashko Vasës etj., janë të punuara me mjeshtëri tavanet, rozetat, oxhaku, trapazani, dollapet, dera e oborrit etj. Një begati të pasur motivesh paraqesin edhe aplikimet e drurit si element dekorativ. Këto shtëpi kanë oborre të rrethuara me mure të larta.Banesa të tilla, në të gjitha variantet, që ende ruhen në qytetin tonë, janë dëshmi me vlerë.  

Sporti

Shkodra është qyteti më me tradita në fushën e sportit. Këtu, që më 1918, u zhvillua ndeshja e parë e futbollit (si veprimtari zyrtare) midis “Juventusit” vendës me një skuadër austrohungareze. Në po këtë vit u formua klubi “Vllaznia”. Më 1920 për herë të parë, në vendin tonë, zhvillohen në Shkodër garat çiklistike dhe ato të atletikës. Si inisiator i lëvizjes sportive shquhet Palokë Nika. Janë me dhjetra sportistë shkodranë që duke përfaqësuar me dinjitet e shpirt të lartë gare ngjyrat e sportklubit të tyre janë shquar jo vetëm në kamionate brënda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare. Midis tyre spikat emri i Loro Boriçit, që arriti të luajë edhe në ligën e parë të kampionatit italian të futbollit, kapiteni i madh i Ballkaniadës së fituar nga Shqipëria më 1946-të, ish-tranieri i ekipit kombëtar në futbollin e viteve 70-të. Sot, stadiumi i qytetit me kapacitet afro 30.000 vende, mban emrin “Loro Boriçi”. Klubi “Vllaznia”, si klub shumësportesh, ka fituar disa kampionate si në futboll, basketboll, atletikë për femra, çiklizëm, not, boks, mundje e lirë, mundje klasike, etj.

Kultura

Shqiptarët me të drejtë e quajnë Shkodrën djepin e kulturës së tyre. Në Shkodër u rritën e u formuan shkrimtarët e parë shqiptarë, si Marin Barleti, Marin Biçikemi, Dhimitër Frangu. Libri i parë i historisë së letërsisë shqiptare “Rrethimi i Shkodrës” është botuar nga humanisti shkodran, Marin Barleti, më 1504. Pas errësirës pesëshekullore turke, ndër të parët do të jetë Pashko Vasa që me këngën hymn “O moj Shqypni”, do të sjellë mesazhet e Rilindjes sonë Kombëtare e kushtrimin e lirisë. Në vitet 20-30 të shekullit XX, letërsia njeh figura madhore të tilla si Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Migjeni e Ernest Koliqi, të cilët me veprat e tyre arritën nivele bashkëkohore në letërsinë ballkanike e atë evropiane. Prandaj nuk janë të rastit as fenomenet letrare të mëvonshme të një kalibri të tillë si Arshi Pipa e Martin Camaj, që formimin e frymëzimin e parë e patën në këtë qytet, edhe pse krijimtarinë letrare e zhvilluan larg vatrës, në diasporë, në Itali, Amerikë e Gjermani. Letërsia e zhvilluar në Shkodër, si pjesë e letërsisë bashkëkohëse shqiptare, po pasqyron me dinjitet artistik jetën në lëvizjet e saj. Shkodra njihet edhe si qendra kryesore e muzikës shqiptare. Krahas orkestrinave popullore u zhvilluan edhe formacionet e mëdha, orkestra sinfonike e filarmonia e qytetit, që sollën në skenat tona me profesionalizëm muzikën e lehtë dhe atë klasike, nga repertori i kompozitorëve vendës dhe nga fondi i muzikës botërore. Në fillim të shekullit XX Shkodra kishte 26 piano. Madje koncerti i parë sinfonik, ka qenë “Sinfonia e pambaruar” e Shubertit. Pikërisht në Shkodër, më 1958, u vu në skenë opera e parë shqiptare “Mrika” e kompozitorit Prenkë Jakova. Edhe piktura ka një traditë të pasur. Më i shquari nga plejada e piktorëve të hershëm është Kolë Idromeno që, me penelin e tij, sjell momente nga jeta e popullit, portrete të njerëzve të thjeshtë e peizazhe. Ndoc Martini prezantohet si piktor me një frymë të modeluar plastike. Edhe tek piktorët e tjerë të kësaj periudhe shfaqet me interes jeta aktuale, etnografike e folklorike. Piktorët e skulptorët e pasçlirimit i referohen kryesisht tematikës aktuale. Portretet e tabllotë e Vladimir Janit, Jakup Kerajt, Ismail Lulanit, Danish Jukniut, Edi Hilës, karikaturat e Shtjefën Palushit etj. kanë krijuar individualitete të spikatura në fushën e pikturës së re shqiptare, duke fituar çmime kombëtare e vlerësime ndërkombëtare.

Teatri “Migjeni”

Godina e Teatrit "MIGJENI"
Ka tradita. Shfaqja e parë është dhënë në vitin 1879. Që në vitet ‘20 të shekullit të kaluar u krijuan shoqëritë teatrale pranë Gjimnazit të Shtetit, ndërsa në vitet ‘80, Shkodra u bë qendra e skenës amatore. Teatri profesionist u krijua më 1949 mbi bazën e teatrit amator. Trupa teatrore ka vënë në skenë shumë vepra të repertorit kombëtar dhe të huaj, autorë klasikë e bashkëkohorë. Ajo është pëlqyer jo vetëm në Shkodër e Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, ku ka bërë turne të suksesshme për shqiptarët e atjeshëm. Shpesh, në festivalet kombëtare teatrore, është nderuar me çmime nderi. Veç trupës së teatrit funksionon edhe ajo e estradës, e cila me humorin e hollë, është bërë e dashur për vendësit. Ajo qëndron pranë humorit tradicional të tavolinave shkodrane, të bejtave, karnavaleve që i kanë dhënë emrin “Qyteti i humorit”. Aktorë e regjisorë të shquar kanë shkrirë talentin e tyre në skenën e teatrit “Migjeni” dhe janë përjetësuar, si Zef Jubani që i dha jetë si askush tjetër në Shqipëri Harpagonit të Molierit, Tinka Kurti, Tano Banushi, Adem Kastrati, Paulin Sekuj, Serafin Fanko, Zyliha Miloti, Zef Deda, etj., këngëtarë të trupës së estradës si Bik Ndoja, Ibrahim Tukiqi, Shyqyri Alushi, Bujar Qamili etj. Qendra turistike Mjedisi gjeografik bregdetar, liqenor e malësor, pasuria kulturore, historike, zakonet, traditat e këtij qytetërimi të lashtë, janë ofertë me plot interesa njohëse në fushën e turizmit. Velipoja Në JP të qytetit të Shkodrës, 30 km larg, shtrihet plazhi i bukur i Velipojës, me gjatësi 14 km e me gjërësi rreth 300 m, që krijon mundësi të shumta për shfrytëzimin turistik. Ky bregdet është një perlë e natyrës shqiptare, ku gërshetohen aq harmonishëm deti, lumi, plazhi, pylli, laguna e mali, me një rërë të pasur e të pashfrytëzuar, ujë të kulluar, me një rezervat gjuetie. Velipoja është plazh i ri me vlera kurative dhe me kushte klimatike të favorshme, ku vërehen rreth 100 ditë me temperaturë mbi 25° C. Nëse ju preferoni të pushoni në plazhin e Velipojës, ai të afron mundësi të shumta argëtimi, aty mund të laheni, të bëni shetitje me varkë, të gjuani lepuj e derra të egër, fazana e rosa të egra etj. Për amatorët e peshkimit, deti e lumi i Vilunit pranë plazhit, të afrojnë mundësi peshkimi për qefull e levrek. Në shërbim të turizmit vitet e fundit janë ngritur disa hotele, kabina e mjaft shtëpi luksoze me komoditetet e nevojshme. Rrjeti tregtar është në nivelet e kërkuara. Restorantet të afrojnë meny të kuzhinës evropiane, tradicionale shkodrane e sipas kërkesave. Është organizuar edhe shërbimi komunal, shëndetësor e ai i Postë-Telekomunikacionit. Ky plazh shfrytëzohet edhe si plazh ditor nga banorët e qytetit e të zonave pranë saj.

Rezervati i Velipojës

Ky rezervat ka sipërfaqe 694.5 km 2. Aty gjënden katër këneta të mëdha. Ky rezervat ka 182 ha pishë e plep kënete. Rosat e shumëllojta, e sidomos kryekuqet, janë objekt gjuetie. Në pyll takon kafshë të ndryshme si turtuj, gugashë, lepuj, çakej, dhelpra etj. Këneta, bimësia e shpendët përbëjnë një nga vlerat e rralla në Shqipëri. Aty ruhen të qetë, në gjendje spontane, natyrore. Shiroka Fshati turistik Shirokë shtrihet buzë Liqenit të Shkodrës, poshtë malit të Taraboshit, vetëm 7 km larg qytetit. Ky fshat i vjetër përmendet në burimet e shkruara qysh në shekullin XV. Ka kushte të shkëlqyera klimaterike dhe është qendër pushimi. Ajri i freskët, që vjen nga thellësitë e Alpeve, filtrohet në ujërat e liqenit dhe vjen i shëndetshëm këtu, rrëzë malit të Taraboshit. Nëse do të dëshironi të qëndroni disa ditë, në dispozicion do të keni një hotel me komoditetet e nevojshme, disa shtëpi të vëna në dispozicion nga vendësit dhe restorante e pika tregtie. Shiroka të afron variacione, mund të bëni plazh, të merreni me peshkim, të bëni shëtitje me barkë e të ngjiteni në mal. Shërbimi komunal, shëndetësor e tregtar është i pranishëm edhe këtu. Razma Në rrëzë të malit të Veleçikut, rreth 41 km larg qytetit të Shkodrës, ndodhet një nga vendet më të bukura dhe me klimë të shëndetshme të Alpeve, Razma. Këtu, në mes të pishave, lëndinave, kullotave alpine e peizazheve malore, është ndërtuar një kompleks banesash të tipit alpin. Në këto mjedise, vizitorët gjejnë vend të përshtatshëm për ekskursione alpinistike, për ndeshje sportive, gjuetie etj. Në Razëm prania e vizitorëve është gjithëvjetore, pasi, përveç verës, ajo është tepër e lakmueshme edhe në dimër kur çdo gjë e mbulon dëbora. Rruga automobilistike, rrjeti i nevojshëm tregtar e restorantet janë të një niveli të mirë.

Thethi

Në VL të qytetit të Shkodrës, rreth 80 km larg, në zemër të Alpeve, ndodhet fshati piktoresk i Thethit. Rruga për atje gjarpëron mes pyjesh e peizazhesh mahnitëse. Gjithandej të sheh syri veç kreshta dhe maja që ngrihen mbi luginat e ngushta, plot me pragje e ujëvara. Pasuria shpirtërore e veçantë, për çka flasin dhe gojëdhanat, legjendat e mitet, janë disa nga pasuritë etnokulturore të veçanta, që ruhen e përcillen brez pas brezi, në këto lugina e shpate malesh. Në qiellin e pastër të Thethit shihen të fluturojnë shqiponjat e malit, ku kanë edhe foletë, në lumin e Shalës lëvizin troftat (peshk aq i veçantë me shije të rrallë), kurse shpatet e maleve janë të veshura me pyje shekullore, ku strehohen dhjetëra kafshë të egra, si: arinjtë, kaprojtë, zardafët, ujqit, dhelprat, dhitë e egra dhe shpend nga më të bukurit. Thethi ka pamjen e një pellgu 800 m mbi nivelin e detit. Është vendosur midis një kurore majash të thepisura si, Radohima, Maja e Arapit, Maja e Alisë, të cilat spikasin për bukuritë e rralla në gjithë Alpet. Përmes fshatit rrjedh lumi i Shalës, i rrëmbyeshëm, me ujë të bollshëm, i pastër si kristali e i ftohtë si akulli. Nga malet me furi e zhurmë zbresin katarakte e ujëvara. Thethi është vendi i kontrasteve të relievit, ujëvarave, bimësisë së dendur, livadheve e sidomos ngjyrave. Është me vlerë të bësh shetitje në këmbë, ku do të afrohen pamje të pazakonta. Aty mund të shikosh se si në mes të pyllit ndodhesh para livadheve ku rrezet e diellit kanë bërë të lulëzojnë lule, që nuk i gjen në asnjë vend tjetër. Thethi karakterizohet nga pyje, kullota e livadhe alpine e subalpine. Parku Pyjor Kombëtar ka sipërfaqe prej 2300 ha. Natyra i ka falur privilegje këtij fshati alpin. Nëse je amator i alpinizmit, i gjuetisë së kafshëve të egra apo i peshkimit, këtu do të gjesh një fushë të gjërë veprimi e argëtimi. Veç të tjerash, të huajt këtu befasohen nga kostumet tradicionale, mijëravjeçare të vendësve. Ato janë të pranishme sidomos në ditë festash. Po kaq interesante janë zakonet e rruga e jetës së kësaj krahine. Thethi është një pikë turistike e virgjër. Frekuentimi i tij nuk ka probleme mjedisore, ka një qetësi absolute. Aty banon një popullsi e vogël, e shquar për mikpritjen tradicionale. Në shërbim të vizitorëve janë hotelet dhe shtëpitë që venë në dispozicion vendësit. Rrjeti tregtar, telekomunikacioni e qendra shëndetësore janë të pranishme në çdo kohë.

Liqeni i Komanit

Nëse dëshironi të bëni një shetitje të paharrueshme përmes luginave, kanioneve e peizazheve të pazakonta, lundroni në Liqenin e Komanit, i cili ndodhet 30 km larg qytetit. Liqeni është formuar nga ujëmbledhësi i lumit Drin, ku është ngritur Hidrocentrali i Komanit me 600 mijë kë/orë. Liqeni ka sipërfaqe 12 km 2 , gjatësi 34.5 km, gjërësi 50-60 m. Rreth liqenit lartësohen male të pyllëzuara me lartësi 1000-1200 m mbi nivelin e detit. Ky rajon, veç vlerës turistike, ruan edhe vlera historike. Aty pranë ndodhet fshati Koman, ku është zbuluar një varrezë e shekullit 6-8 e.j., e cila lidhet me kulturën e shoqërisë së hershme shqiptare. Për t’i ardhur në ndihmë turistëve e vendasve, janë vënë në funksionim mjete lundrimi për pasagjerë, makina e mallra.

Liqeni i Vaut të Dejës

Ai ndodhet vetëm 23 km larg Shkodrës. Ka një sipërfaqe prej 24.7 km, me thellësi maksimale 52 m, formuar nga ujëmbledhësi i lumit Drin më 1971, ku është ngritur hidrocentrali i Vaut të Dejës me 250 kë/orë. Liqeni është magjepës për nga bukuria. Kur kalon nëpër gryka të ngushta malesh, brigje pyjesh ose dukurish interesante karsti, ndjehesh i gëzuar. Liqeni shërben edhe për transport, peshkim e turizëm.

Kelmendi

Është një sipërfaqe natyrore mjaft e madhe, e thyer, me diversitet të lartë gjeomorfologjik e biologjik. Pyjet e ahut dhe të haloreve, janë ndër më të bukurit e vendit tonë. Kelmendin e përshkon Cemi, ndër lumenjtë më të bukur të vendit tonë. Troftat e tij janë me nam. Pyjet popullohen nga dhitë e egra, kapronjtë, arinjtë e gjithnjë lart, në qiellin e kulluar, futurojnë shqipet, që personifikojnë më së miri këtë zonë interesante. Veçanërisht Lëpusha dhe Vermoshi ruajnë vlera e bukuri të papërsëritshme; ato janë zona piktoreske me vlera të mëdha klimatiko- turistike. Lugina e Vermoshit është me origjinë akullnajore, ku është vendosur edhe fshati alpin me të njëjtin emër. Ky rajon, me pyje madhështore, me livadhe të gjelbra e plot lule, është një alternativë tjetër, që përbën një faktor tërheqës turistik.

Gastronomia

Një imazh të mirë për Shkodrën jep dhe gastronomia. Një numër i madh restorantesh, picerish, bufesh e hotelesh janë ngritur në qytetin tonë, ku kultura e shërbimit tradicionalisht është prezente. Arti i shijes është i ndjeshëm, por sot ekonomia private është e aftë të mbështesë e të sigurojë garanci për ushqime të freskëta natyrore e për të rritur nivelin e turizmit. Thuhet se gastronomia e qytetit të Shkodrës e ka prejardhjen nga ajo turke, por, tradita mijëvjeçare ka adaptuar ushqimin me të cilin prezantohet në tryezë, pra ka preferencat e traditën e vet të gatimit e të shijes. Vera “Kallmet” (fituese e disa çmimeve ndërkombëtare), rakia e rrushit (dhuratë e rrushit me cilësi të kultivuar në zonat për rreth) si dhe menyja tradicionale, përgjithësisht është e pëlqyeshme për të huajt, që provojnë shijen tonë. Por në tryezat tona nuk mungojnë specialitetet e ndryshme dhe nga kuzhinat mund të plotësohen edhe porosi sipas shijeve. Të huajt, që kanë provuar ushqimet karakteristike të qytetit, dhe, ato sipas kërkesave, kanë mbetur të kënaqur për gatimin dhe servirjen e tyre. Edhe ju mund të jepni shpejt një opinion për to.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora