E shtune, 27.04.2024, 05:34 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Na jepni varrezat, t’ju japim Europën

E diele, 31.08.2008, 10:23 AM


Theodoros Kasimis
Shkruan: Revista Mapo

Mesa duket rruga plot peripeci e Shqiperisë për në Europë u dashka të kalojë edhe përmes varrezave. Kjo nuk është as metaforë dhe as ironi e rastit, por një kërkesë e qartë e bërë ashtu siç po e botojmë në titullin e shkrimit. Revista MAPO ka botuar disa numra më parë një material që fliste për negociatat diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë, lidhur me një marrëveshjes për varrezat e ushtarëve grekë të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore në luftën kundër ushtrisë italiane, në truallin shqiptar. Rreth asaj lufte është shkruar dhe folur shumë, por mesa duket sot, rreth 65 vjet më pas, kjo ngjarje historike ka marrë dimensione diplomatike që mund të kërcënojnë jo vetëm marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës, por shumë më tepër se kaq.
Në shkrimin e botuar nga MAPO lidhur me varrezat, thuhej se në projekt-marrëveshjen e propozuar kohë më parë nga pala greke, tre varrezave fillestare të propozuara në Dropull, Korçë dhe Përmet, u shtohej edhe një tjetër e tillë në Ersekë. Burime diplomatike nga Athina deklaruan atëhere për MAPO-n se çeshtja do të diskutohej në dhjetëditëshin e parë të korrikut, në një takim të rradhës mes delegacioneve përkatëse. Njoftimet e mëvonshme thonë se ai takim u shty për shkak të kërkesës së palës shqiptare, e cila u deklarua e papërgatitur për raundin e bisedimeve. Në fakt, thonë të njëjtat burime, problemi nuk është logjistik, por thellësisht politik. Qeveria shqiptare po ndodhet nën një trysni në rritje të palës greke, për të miratuar pa i hequr asnjë presje projektin e saj për katër varrezat. Nga ana tjetër, ajo ka gjithashtu frikën se mos kjo lëvizje do të shkaktonte një reagim të brendshëm politik dhe mediatik që do ta dëmtonte imazhin e saj publik.
Kjo dilemë “egzistenciale” po bren prej kohësh marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, të cilat, siç dihet, kanë shumë më tepër probleme sesa ky i memorialeve të ushtarëve grekë. Njëri ndër to, ai i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duket se është mjaft i mprehtë dhe akut. E këtu del në skenë pjesa tjetër e problemit që lidhet po me varrezat greke. MAPO ka mësuar së fundi për një detaj mjaft shqetësues diplomatik, që zbulon shumëçka në këtë histori ku e shkuara duket se ka marrë peng të ardhmen. Në prill të këtij viti, zv.ministri i jashtëm grek Theodoros Kasimis ka vizituar Tiranën. Një vizitë rutinë, nga ato që dy vendet kanë shkëmbyer shpesh në dy dekadat e fundit. Megjithatë, gjatë kësaj vizite ka ndodhur diçka që mund të klasifikohet shumë mirë si një akt i pastër presioni e shantazhi diplomatik i palës greke mbi atë shqiptare. Burimet diplomatike në Tiranë na thonë se gjatë takimit që zv.ministri grek Kasimis ka pasur me kolegen e tij shqiptare Edit Harxhi, ka folur edhe për problemin e projektit të varrezave greke në Jug të Shqipërisë.
Toni i ministrit lidhur me këtë çeshtje ka lënë pak vend për fantazi dhe lexim mes rreshtash. Ai ka qenë sa i qartë, aq edhe cinik në qëndrimin e tij. Qeveria greke po ndodhet në një pozitë të vështirë në parlament, për shkak të mos-aprovimit nga ana shqiptare të projektit të varrezave, mësohet të ketë thënë Kasimis. Në parlamentin tonë, ka vazhduar ai, ka qarqe të caktuara jo vetëm të djathta, por edhe të majta, të cilat e shohin si mjaft prioritare krijimin e memorialeve të luftës italo-greke në tokën shqiptare. Për këtë qëllim, nëse pala shqiptare nuk do të japë një përgjigje të shpejtë aprovuese për projektin që kemi paraqitur, ne do ta kemi shumë të vështirë ta paraqesim dhe ta kalojmë Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit të Shqipërisë me BE, parlamentin grek.
Më qartë se kaq nuk mund të ketë. Gjuhë e drejtpërdrejtë, pa kthesa dhe nënkuptime, që jep një mesazh të vetëm: na jepni katër varrezat, t’ju japim ratifikimin e MSA!
Mësohet se Kasimis ka marrë një përgjigje evazive dhe të paqartë nga delegacioni shqiptar. Qëndrimi i tij ka lënë të topitur palën tonë, e cila, siç u pa në muajt në vijim, vazhdoi të kërkojë të fitojë kohë sa të mundet. Aq e vërtetë është kjo, saqë nëse shohim se vizita e Kasimis është zhvilluar në prill dhe ende sot, në gusht, palët nuk arritur një marrëveshjes për çeshtjen e varrezave greke, do të kuptojmë sesa në pozitë të vështirë ndodhet qeveria shqiptare në lidhje me këtë problem.
Nga ana tjetër, kjo nyje e habitshme e një projekti varrezash, me një votim marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe BE në parlamentin grek, përbën një rrethanë mjaft shqetësuese për vetë natyrën e marrëdhënieve që ka ndërtuar ndër vite vendi ynë me fqinjin jugor. Të kushtëzosh një akt formal, si ai i ratifikimit të MSA (të cilën tashmë e kanë ratifikuar edhe vendet balltike), me krijimin e disa memorialeve që për shumëkënd që e sheh me sy kritik këtë proces, nuk janë veçse “gurë kilometrikë” që përvijojnë hartën e Vorio-Epirit në Jug të Shqipërisë, kjo do të thotë të jesh më së paku i pasinqertë me palën tjetër. Aq më shumë forcohet kjo bindje kur sheh deklaratat e përsëritura të të gjitha qeverive greke të dhjetë vjetëve të fundit, të cilat e kanë përcaktuar Shqipërinë si një partner strategjik në politikën e tyre të jashtme, ashtu siç vendi ynë e ka bërë një përcaktim të tillë prej kohësh. Nga ana tjetër, kjo politikë zyrtare greke devijon dukshëm nga angazhimet e përsëritura që pala greke ka marrë para zyrtarëve më të lartë të Shqipërisë në më shumë se një rast, për të qenë “akovati ynë në Bruksel”.
Edhe qeveria shqiptare nuk del e palagur nga kjo mesele e dyshimtë diplomatike. Nëse qeveria greke ngulmon për të marrë firmën mbi marrëveshjen e memorialeve greke, kjo do të thotë që ajo e ka marrë tashmë prej kohësh angazhimin verbal të Tiranës. Fakti që qeveria jonë vazhdon të lëkundet mes presionit grek dhe frikës për reagimin e opinionit publik në Shqipëri, nuk e shfajëson aspak atë. Një vendim i qartë politik duhet marrë: të kundërshtohet kërkesa greke, apo të aprovohet ajo, megjithë pluset dhe minuset e çdo varianti.
Ky incident i panjohur diplomatik vjen e rreshtohet në një sfond marrëdhëniesh që kanë njohur mjaft probleme në vitet e fundit, megjithë gatishmërinë e lexueshme të kryeministrit Berisha për të mbajtur marrëdhënie preferenciale me “mikun” Karamanlis.
Dosja e marrëdhënieve shqiptaro-greke vijon të jetë e “infektuar” me problemet e Himarës, ato të shkollave, dyshtetësisë së refugjatëve tanë dhe natyrisht të memorialeve të Luftës së Dytë Botërore. Në momentin që kësaj liste i shtohet edhe një kërcënim për të bllokuar MSA tonë në parlamentin grek, situata bëhet edhe më delikate. Për sot dhe për nesër.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora