Shtesë » Lajme
Mendimet e disa ekspertëve të shquar lidhur me Moskën për perspektivat politike, sociale dhe ekonomike të saj në dhjetë vitet e ardhshme
E diele, 14.09.2008, 05:52 PM
Rusët po vijnë
Autoritarizëm tregu
Ringjallja e luftës në Kaukaz erdhi si një shokim për amerikanët për shkak të vetëzhgënjimeve të thella rreth rendit ndërkombëtar të pas-Luftës së Ftohtë. Gjatë rritjes së vazhdueshme të Kinës dhe ringritjes së Rusisë, studiues, ekspertë dhe zyrtarë qeveritarë llomotisnin rreth një ere "unipolare", por Rusia e sotme, me një GDP prej më shumë se 1.3 triliard dollarësh në vitin 2008 (krahasuar me një 200 miliardësh të ulët nën Boris N. Yeltsin) është ngjitur në 10 ekonomitë më të mëdha të botës; në fuqi blerëse, ajo është afër Britanisë në vendin e 6-të. Pjesa më e madhe e analistëve, me shpërfillje ia atribuojnë rritjes së çmimeve të naftës, por Rusia e filloi ngritjen e saj vite përpara se të ngjiteshin me shpejtësi, në vitin 2004 dhe pak petroshtete të tjera mund të barazojnë kërkesën konsumatore të klasës së mesme të fuqishme 35 milionëshe të re të Rusisë.
Megjithatë, ndërsa çmimet e naftës dhe të gazit shpjegojnë vetëm 20 përqind të GDP-së ruse, ato përbëjnë deri në 60 përqind të fitimeve të eksportit të saj. Kur nafta kontribuon me një të tretën apo më shumë e të ardhurave të eksportit, asnjë vend në histori nuk ka bërë asnjëherë një tranzicion jetëgjatë drejt demokracisë së vërtetë. (Norvegjia qe demokraci përpara se të zbulonte rezervat hidrokarburore të saj). Deri kur alternativat ndaj lëndëve djegëse, me bazë fosile, të mos jenë futur në shkallë të gjerë globalisht, Rusia do të vazhdojë kryesisht të jetë ajo që është: një autokraci.
Një shtet shumë i centralizuar, besojnë shumë rusë, i përshtatet traditës së vendit dhe i mundëson atij jo vetëm që t'i rezistojë ndërhyrjes së huaj - përvoja poshtëruese e viteve '90-të - por edhe për të zgjeruar influencën ruse jashtë vendit. Analistët që pretendojnë se, elitat ruse janë vetëm për para, e kanë gabim. Autokracia, jo më pak se demokracia, mund të jetë fitimprurëse për të lidhurit mirë, por ajo gjithashtu është një sistem i fuqishëm besimi, i lidhur me fuqinë dhe prestigjin ndërkombëtar. Megjithatë, këtu nuk kemi sistemin e vjetër sovjetik. Ashtu si Kina, Rusia kombinon një sistem sundues autoritar me një ekonomi tregu të lirë, relativisht të hapur, të integruar në ekonominë globale. Harrojeni një aks të frikshëm regjimesh autoritare - Rusia dhe Kina janë rivalë, me shumë interesa që u përplasen - por vëreni se tregtia e lirë dhe globalizimi po i bëjnë autokratët më të pasur dhe më të fuqishëm, ashtu siç ndodhi gjatë periudhës së fundit të globalizimit, në fundin e shekullit të XIX-të dhe fillimit të shekullit të XX-të.
Akoma globalizimi nuk do ta lejojë Rusinë të vazhdojë të rrahë gjoksin pa më shumë reforma strukturore të ekonomisë së saj, për shkak se vende të tjera, përfshi Kinën, nuk po qëndrojnë duarkryq. Njëlloj e rëndësishme, vetë suksesi i Rusisë - 10 vjet me rreth 7 përqind rritje ekonomike vjetore - e ka rritur presionin ndaj Kremlinit për të dalë akoma më mirë. Ndryshe nga Putini, Dmitri A. Medvedev nuk mund ta kundërvërë lidershipin e tij kundër viteve '90-të. Në fakt, as Putini nuk mundet më gjatë: saktësisht për shkak të dekadës së rritjes ekonomike të Rusisë, Moska përballon tani ambicje në ngritje dhe shpresa popullore, por për ta riorientuar modernizmin e saj nga rritja totale e lartë në rrugën e të ardhurave të larta të përgjithshme për frymë - të cilën historikisht vetëm pak vende e kanë arritur - Rusia ka nevojë për atë element që i dallon të gjitha vendet më prodhuese dhe të shtyrë nga novatorizmi: qeverisjen e mirë. Por këtu është vështirësia qendrore: demokracia dhe qeverisja e përmirësuar janë të lidhura, por larg nga të qenit identike.
Autoritarizmi ekziston në shumë variante, disa më pak dhe disa më shumë efikase, në përballimin e miliarda sfidave të qeverisjes së përditshme; disa më pak, disa më shumë elastike dhe të zbatueshme. Peripecitë afatgjata të versionit rus të tregut autoritar, ashtu si ai i Kinës, mbeten për t'u parë, megjithëse të dyja vendet kanë shpresa sfiduese për mjaft kohë. Në të ardhmen, Rusia mund ta gjejë veten të shtrënguar që ta rishikojë autokracinë e saj për të ruajtur ose përmirësuar influencën e saj, por tashmë Amerika e gjen veten të detyruar që të përshtatet me fuqi me ekonomi tregu autoritare. Në këtë aspekt, lufta e pështirë midis Rusisë dhe Gjeorgjisë, dukshëm për enklavën shkëputëse të Osecisë së Jugut, ka ndryshuar pak, por ka demostruar shumë. Në të njëjtën kohë, disa ndryshime domethënëse të vërteta kanë kaluar goxha pa u vënë re: domethënë, blerjet e mëdha që kompanitë me bazë ruse po bëjnë globalisht, përfshi ato në Shtetet e Bashkuara.
Rusët po vijnë dhe kësaj radhe me të vërtetë. Ndërsa kapitali rus po vazhdon të rrëmbejë asete amerikane, a do të arrijnë rusët, bile Kremlini, të ndjejnë se kanë një pjesë në suksesin e përgjithshëm ekonomik të Amerikës? A do të arrijnë asetet e zotëruara nga rusët në truallin amerikan më së fundi t'i japin Uashingtonit një levë të fuqishme ndaj sjelljes së Moskës? Apo një kthim i tillë i ngjarjeve do të shkaktojë një përçarje në globalizimin në të cilin të dyja vendet varen?
Stephen Kotkin është Drejtor i Programit të Studime Ruse dhe Euraziatike në Princeton University. Ai është autor i librit "Armageddon Averted: The Soviet Collapse, 1970-2000" (Oxford University Press, 2001), i cili do të jetë sërish i vlefshëm në muajin dhjetor në një version të rishikuar.
Supremaci kalimtare nafte
Ringritja e Rusisë është, në pjesën më të madhe, rezultat i kushteve ekonomike ndërkombëtare, në veçanti i krizës energjetike botërore. Për aq kohë sa çmimi i naftës mbetet i lartë, Putini do të jetë i aftë të promovojë një imazh të Rusisë - një prej furnizuesve kryesorë energjetikë të botës - si një vend i konsakruar në mënyrë hyjnore, i destinuar që t'i rezistojë kalbjes dhe shkatërrimit të Perëndimit. Duke gjykuar nga inkursioni i fundit i Rusisë në Gjeorgji, kjo është më shumë se thjesht një slogan. Putin është totalisht i çinteresuar ndaj kriticizmit perëndimor, i cili i ka siguruar atij mbështetje të gjerë popullore në vend. Ai beson se shou i shpejtë i forcës së Rusisë i ka dhënë një mësim Shteteve të Bashkuara, Gjeorgjisë dhe të gjithë ish-satelitëve sovjetikë që po kërkojnë lidhje më të ngushta me Perëndimin. Popullariteti i tij do ta lejojë atë që të vazhdojë dhe të ngrejë çështjen se Tbilisi, Sevastopoli dhe Talini i përkasin Rusisë dhe - po të jetë e nevojshme - duhet të merren me forcë. Në një gjendje të tillë të gjërave, Putini mund të qëndrojë si kryeministër për shumë vite të tjera, i ndihmuar nga një seri presidentësh - si puna e Medvedevit - të cilët nominalisht janë të zgjedhur, por që kanë pak ose aspak pushtet. Megjithatë, ky skenar është i pamundur. Kushtet e paqëndrueshme që po ushqejnë bumin aktual ekonomik të Rusisë shpejt mund të sjellin një krizë të ngjashme me tretjen financiare të vitit 1998, kur si rezultat i rënies në çmimet e mallrave botërore Rusia, e cila është e varur shumë në eksportin e lëndëve të para, humbi pjesën më të madhe të të ardhurave të saj. Korrupsioni i përhapur shumë në çdo nivel të burokracisë private dhe shtetërore, bashkuar me faktin që qeveria investon pak nga paratë e naftës të saj në zona premtuese si novatorizmi teknologjik, përgjegjësia korporative dhe reforma sociale e politike, mund ta nxjerrin jashtë kontrollit balancën ekonomike. Inflacioni i lartë mund ta gjunjëzojë Kremlinin e Putin-Medvedevit. Edhe sikur Rusia i reziston këtij skenari, forcat globale në fund të fundit do ta plasin flluskën ekonomike të saj. Lëshimi i përkohshëm i rezervave amerikane të naftës dhe sanksionet e fuqishme ekonomike dhe ligjore kundër spekulatorëve anembanë botës, do t'i jepnin fund supremacisë së naftës të Rusisë dhe shpejtojnë kolapsin ekonomik të saj. Herët a vonë, zgjidhjet alternative ndaj varësisë së botës tek nafta dhe gazi do të gjenden. Atëherë, një Rusi e dobësuar do të fillojë të punojë fuqishëm në përballimin e paradigmës së saj të vjetër, të lodhur, të madhështisë, e cila tradicionalisht është mbajtur gjallë në resurset natyrore apo kapacitetet ushtarako-industriale. Deri më tani, zhvillimi ekonomik i Rusisë nuk e ka përmirësuar jetën e rusit të thjeshtë po aq shumë sa ka ndihmuar vendin ta përmirësojë imazhin e tij. Industrializimi i Josif Stalinit vrau miliona dhe u bë demode brenda 30 vitesh. Bumi ekonomik i bazuar tek nafta dhe gazi i Putinit do të rezultonte njëlloj i pambështetshëm. Zgjidhja e vetme jetëgjatë për Rusinë është që të fillojë të investojë në kapitalin njerëzor të saj, i cili do të çojë në zhvillimin e një ekonomie mallrash e shërbimesh - themeli mbi të cilin çdo vend i përgjegjshëm kapitalist ka ndërtuar begatinë e tij.
Nina L. Khrushcheva është Profesore e Asociiuar e Çështjeve Ndërkombëtare në New School dhe autore e librit "Imagining Nabokov: Russia Between Art and Politics" (Yale University Press, 2007).
Rusia do të jetë më e dobët pas 10 vjetësh. Popullsia e saj po bie me 1 milion njerëz në vit
Një kleptokraci fashiste
Rusia do të jetë më e dobët pas 10 vjetësh. Popullsia e saj po bie me 1 milion njerëz në vit. Nga një këndvështrim shoviniste sllavo-ruse (domethënë, ajo e ruajtur nga shumë zyrtarë të lartë), edhe kjo statistikë e trishtueshme është tepër optimiste. Pakica muslimane e Rusisë, aktualisht rreth një e pesta e popullsisë, po rritet me shpejtësi, po aq sa "rusët etnikë" po zvogëlohen në numër. Rusia do të jetë më e dobët ushtarakisht, pjesërisht sepse do t'i mungojnë numrat e të rinjve të nevojshëm për të mbështetur një ushtri rekrutësh, por njëkohësisht edhe prej korrupsionit.
Si të gjithë të tjerët të angazhuar në prokurime publike, ushtarakët e gjejnë pothuajse të pamundur të shpenzojnë shumë të mëdha parash në mënyrë të ndershme dhe efektive. Kjo është një simptomë e një problemi më të gjerë: dështimit të eksperimentit Putit për të modernizuar sistemin arkaik të administratës publike të Rusisë. Pasuesi i Putinit, Medvedev, flet shumë rreth përpjekjeve antikorrupsion, por është e vështirë t'i shikosh ato të fillojnë atje ku duhet të fillojnë: në majën më të lartë. Është atje ku dhjetëra miliarda dollarë devijohen në "kompanitë xhepa" të elitës, të tilla si RosUkrEnergo, Gunvor dhe të tjera si këto.
Pa një shtyp të lirë apo një opozitë reale që bën pyetje jokomode, rregullime të tilla të mbuluara kriminale do të vazhdojnë. Rrëshqitja në një kleptokraci fashiste është korrozive për shanset e Rusisë që t'i bashkohet pjesës tjetër të botës së zhvilluar, ku për shkak të nivelit arsimor dhe aspiratave të saj, sigurisht që ka vendin. Kjo rënie rrezikon bile mbijetesën e Rusisë si një vend i unifikuar. Një çështje kyçe është ideologjia. Sa shumë propagandë rreth një "Bizanti të ri" realisht besojnë ata në pushtet? Është kjo ndjenjë e sajuar vetëm për të mashtruar popullin rus? Apo po bëhet parimi drejtues për vendimet politike? E dyta, a do të transformohet butësisht klasa e biznesit dhe profesioniste që është rritur qysh nga rënia financiare e vitit 1998 në një klasë të mesme të vërtetë? Kjo mund t'i ndryshonte perspektivat e Rusisë. Një klasë e mesme kërkon një shtet të sunduar nga ligji dhe vlera morale në shoqëri, por shenjat nuk janë premtuese. Mundësitë e mëdha për të bërë para me mjete korruptive në Rusi po krijojnë një burokraci shtetërore që shikon interesat e saj, që nuk do ta ndryshojë sistemin nga i cili ushqehet. Të ardhurat e klasës së mesme nuk janë njëlloj si vlerat e klasës së mesme. Kremlinit i pëlqen të argumentojë se Rusia është ndryshe, se demokracia nuk i përshtatet historisë dhe gjeografisë së Rusisë, se demokracia është provuar dhe ka dështuar. Kjo është një propagandë efikase për një popullsi të dëmtuar nga kaosi dhe imoraliteti i viteve '90-të, por nuk është e vërtetë. Historia e Rusisë është jo vetëm rreth autoritarizmit dhe imperializmit. Ajo është gjithashtu historia e burrave dhe grave jashtëzakonisht kurajoze që luftuan për liri, si tetë protestuesit që dolën në Sheshin e Kuq në vitin 1968 për të denoncuar pushtimin sovjetik të Çekosllovakisë. Si shumë të tjerë në dekadat e kaluara, slogani i tyre ishte: "Për lirinë tuaj dhe tonën". Mënyra më e mirë që bota e jashtme mund ta ndihmojë tani Rusinë është nëpërmjet shembullit. Perëndimi e ka konsumuar autoritetin moral që kishte në mbarimin e Luftës së Ftohtë. Të paktën kur shikohen nga Moska, Amerika e Dik Çeneit dhe Italia e Silvio Berluskonit nuk duken shumë të ndryshme nga Rusia e Putinit. Na duhet të praktikojmë atë që predikojmë përpara se të presim që ndonjë njeri tjetër ta besojë atë.
Edward Lucas është korrespondent për Evropën Qendrore dhe Lindore për The Economist dhe autor i librit "The New Cold War: The Future of Russia and the Threat to the West" (Palgrave Macmillan, 2008).
Duket se ka pak të ngjarë që rusët e thjeshtë të mund të shikojnë përpara për një qeveri më demokratike në të ardhmen e afërt
Pak shpresë për demokraci
Frytet e përpjekjeve të Putinit për të minuar demokracinë në Rusi mund të shikoheshin qartë gjatë zgjedhjeve presidenciale në mars të vitit 2008. Nëpërmjet zbatimit jo të ndershëm të ligjeve elektorale, qeveria parandaloi kandidatët më të mundshëm demokratë nga garimi. Stacionet televizive u dhanë pak kohë transmetimi kandidatëve të opozitës që qenë lejuar të garonin. Mbështetja financiare për grupet opozitare avulluan në vijim të përndjekjes ligjore të oligarkëve ambiciozë politikisht dhe kufizimeve në organizatat joqeveritare të huaja.
Si rezultat i kësaj, Putini mundi të zgjedhë pasuesin e tij, Medvedev, me besimin që votimi "popullor" do ta afirmonte zgjedhjen e tij. Duke qenë se shumica e qytetarëve rusë ju përgjigjën këtyre zgjedhjeve, dukshëm të manovruara, nëpërmjet votimit të nënshtruar për zgjedhjen e Putinit ose qëndrimit në shtëpi, një vëzhgues nuk mund të shfajësohet për mrekullimin ndaj faktit nëse rusët e thjeshtë e vrasin shumë mendjen për demokracinë. Në të vërtetë, rusët mund të kujdesen më shumë rreth rregullit relativ sesa qeverisjes së Putinit, të siguruar nëpërmjet rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe kontrollit të fortë rreth një larmie aktorësh politikë, por do të ishte e pasaktë të thuhet se qytetarët rusë nuk e vlerësojnë thelbin e demokracisë. Pjesa më e madhe e rusëve i kanë për zemër liritë personale që kanë gëzuar qysh nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Ata i njohin beneficet e një qeverie reaguese ndaj nevojave të qytetarëve dhe të matur nga veprimet kapriçoze.
Megjithatë, duket se ka pak të ngjarë që rusët e thjeshtë të mund të shikojnë përpara për një qeveri më demokratike në të ardhmen e afërt. Qeveritë bëhen më demokratike kur liderët politikë zgjedhin kështu, kur presionet e jashtme rezultojnë të padurueshme apo kur qytetarët praktikisht luftojnë për të fituar të drejta dhe mundësi më të mëdha. Asnjë prej këtyre faktorëve nuk duket i mundur në Rusi. Liderët aktualë të Rusisë kanë ndërtuar një kështjellë të mrekullueshme për të ruajtur fuqinë e tyre. Përveç shfaqjes së përçarjeve brenda elitës sunduese, ata as nuk kanë ndonjë stimulues për të lëvizur përtej dukjes së demokracisë, as nuk ju duhet të frikësohen nga presionet e jashtme.
Një ulje e çmimeve të naftës, e cila mund të minojë sufiçitet e buxhetit dhe ta lërë regjimin më pak të aftë për të kënaqur komponentët kryesorë, ka pak të ngjarë. Me evropiano-perëndimorët që i ngrohin shtëpitë e tyre me gaz natyror rus dhe me bindjen morale amerikane të minuar nga lufta në Irak, liderët rusë kanë pak arsye që të reagojnë ndaj thirrjeve për demokraci më të madhe nga qeveritë e tjera. Pushtimi rus i Gjeorgjisë nxori në dritën e diellit si neglizhencën e qeverisë për kritikat nga jashtë, ashtu dhe efektivitetin e kufizuar e "kulaçit dhe kërbaçit" që qeveritë perëndimore mund të zgjedhin për të përdorur. Ndryshimi nga brenda, nëpërmjet rezistencës popullore, has sfida të mëdha logjistike.
Sistemi presidencial "fituesi i merr të gjitha" i jep pushtet të pakufizuar Presidentit dhe punon kundër partive politike të vogla. Kundërshtarët vokalë të statukuosë shpesh e gjejnë veten në burg, duke i lënë qytetarët më pak kurajozë dyshues dhe të paqartë rreth asaj çka ata mund të arrijnë. Më shpresëdhënëse është shfaqja e grupeve të qytetarëve të fokusuar lokalisht. Veprimet e grupeve të tilla - për të përmirësuar banimin dhe për të pastruar lagjet - nuk e sfidojnë në mënyrë të menjëhershme pushtetin shtetëror, kështu që ata janë subjekt i një presioni më të pakët. Grupe të tilla mund t'u shërbejnë nevojave reale të njerëzve të vërtetë, duke i ndihmuar qytetarët jo të praktikuar që të shikojnë lidhjet midis aktivitetit politik dhe jetëve të përditshme të tyre. Në një periudhë të gjatë kohore, veprimi politik i fokusuar mund t'u mësojë rusëve sesi të sigurojnë qeverinë që duan, por hëpërhë qytetarët rusë ka gjasa se do të ngecin me qeverinë që kanë.
Ellen Carnaghan është Profesore e Shkencave Politike në Saint Louis University dhe autore e librit "Out of Order: Russian Political Values in an Imperfect World" (Penn State University Press, 2007).
Kapadaillëku i ri i Moskës
Të parashikosh se ku do të jetë Rusia katër apo pesë vjet nga tani, është e rrezikshme. Të parashikosh se ku do të jetë pas 10 vjetësh, aktualisht mund të jetë më pak e rrezikshme. Në vitin 1987, kur i thashë sime shoqeje se isha pyetur në një seancë dëgjimore kongresuale që të parashikoja se çfarë do të ndodhte me Mihail Gorbaçovin dhe perestrojkën në katër vjet, ajo u zemërua dukshëm: "Ah, budalla! Nëqoftëse të duhet të parashikosh, bëje atë për 10 vjet, jo për 4. Pas 10 vjetësh, çdo njeri do ta ketë harruar atë çka keni thënë". (Fatmirësisht, kisha thënë se në vitin 1991 nuk do të ishte më President i Bashkimit Sovjetik). Por të parashikosh se ku do të jetë Rusia pas 10 vjetësh, për pasojë, nuk është dhe aq pa rrezik sa mund të duket. Ndryshe nga historitë e pjesës më të madhe të Evropës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara, historia ruse është e shënuar nga ndryshime të papritura, në të vërtet revolucionare - jo evolucionare. Ngjarjet e viteve 1905 dhe 1917, për të mos përmendur 1991, janë shembuj, por edhe ndryshimi linear në Rusi është i vështirë për t'u paraparë. Pas gjakderdhjes dhe pothuajse humbjes së Rusisë në Çeçeni dhe 17 gushtin 1998 katastrofik, asnjë njeri që njihja nuk besonte se në më pak se 10 vjet Rusia do të ishte e aftë të rimëkëmbej dhe jo vetëm që të paguante borxhet e saj, por edhe të rimbushte thesarin bosh të saj. Sot Rusia ka afërsisht 500 miliard dollarë në rezerva dhe një sufiçit tregtar vjetor prej 120 miliard dollarësh, ashtu si dhe një rubël, vlera e së cilës vazhdon t'i rritet respektivisht dollarit. Kontrasti ekonomik me Shtetet e Bashkuara është veçanërisht i dukshëm. Ndërsa Rusia në vitin 2006 kishte një sufiçit në tregtinë e jashtme prej rreth 130 miliard dollarësh, Shtetet e Bashkuara kishin një defiçit prej rreth 880 miliardësh. Shumica e defiçitit amerikan vinte nga importimi i rreth 13.6 milion fuçive naftë në ditë, me një kosto prej rreth 450 miliardësh, përfshi një vlerë 10 miliardëshe nafte të importuar nga Rusia. Në kontrast, Rusia qe në gjendje të eksportonte 5.7 milion fuçi në ditë. Duke supozuar se Rusia mbetet e fortë ekonomikisht për të paktën një dhjetëvjeçar - se rezervat e saj të naftës dhe gazit, arsyeja për këtë përmbysje tendence, zgjasin aq gjatë - ajo do të vazhdojë ta riafirmojë veten ndërkombëtarisht si një superfuqi politike. Sjellja e saj prej të forti në Gjeorgji është një shfaqje e parakohshme e përsosur e kapadaillëkut të ri të Rusisë. Sigurisht që Rusia ka problemet e saj. Popullsia e saj zvogëlohet me të paktën 700000 banorë në vit, gjë që e bën të vështirë që të sigurojë një forcë punëtore dhe një ushtri. Më tej akoma, Rusia duhet t'i ketë frikën Kinës, e cila ka një popullsi në rritje dhe një forcë ekonomike e ushtarake që vazhdon të zgjerohet. Gjithashtu, disa rusë janë të preokupuar se rezervat e hidrokarbureve të vendit të tyre nuk do të jenë në gjendje të mbështesin prodhimin në nivelin aktual dhe se rendimenti i naftës i tij mund të jetë tashmë në rënie. Rusia ka pak ku të mbështetet. Eksportet e naftës gjenerojnë dy të tretat e të ardhurave të eksportit të vendit. Nëqoftëse kjo e ardhur zvogëlohet, po kështu do ta pësojë influenca dhe begatia e Rusisë. Putini dhe Medvedevi kanë shumë gjëra për të cilat të frikësohen. Nganjëherë edhe ata në terren në Rusi janë të paaftë të parashikojnë të ardhmen. Një moskovit, i quajtur Ivan, u pyet: "Pse nuk qetë në mbledhjen e fundit të Partisë Komuniste?" I shqetësuar, ai u përgjigj: "Sikur ta kisha ditur se do të ishte mbledhja e fundit, sigurisht që do të kisha qenë".
Marshall I. Goldman është një Profesor i Merituar Ekonomie në Wellesley College dhe një bashkëpunëtor i vjetër në Qendrën Dejvis për Studime Ruse në Harvard University. Libri i tij më i fundit është Petrostate: Putin, Power, and the New Russia (Oxford University Press, 2008).
Reagimi i Rusisë ndaj NATO-s
Politika e jashtme e Rusisë shtyhet nga kërkimi i Moskës për të dominuar vendet në periferinë e saj, e cila përfshin Gjeorgjinë, Ukrainën, Poloninë dhe tri shtetet balltike - demokraci në lulëzim, që ose janë anëtare të NATO-s e të Bashkimit Evropian, ose po kërkojnë aktivisht anëtarësimin në to - si pika kritike. Muajin e kaluar Shtetet e Bashkuara dhe Polonia nënshkruan një marrëveshje për të ngritur një bazë mbrojtjeje raketore 115 milje nga kufiri rus. Reagimi i Moskës? "Rusia do të detyrohet të reagojë dhe jo vetëm nëpërmjet mjeteve diplomatike", paralajmëroi Ministria e Jashtme. Një gjeneral i lartë i ushtrisë ruse qe edhe më i drejtpërdrejtë: "Polonia … po e ekspozon veten ndaj një goditjeje - 100 përqind". Shpërthime të tilla të furishme mënjanë, ushtarakët rusë, që kanë modernizuar elementë të forcave të armatosura të tyre, mbesin të dobët dhe megjithëse pushtimi arrogant i Gjeorgjisë demonstroi një vullnet dhe një aftësi për t'i përdorur forcat e armatosura për përfitime taktike dhe për të dërguar mesazhe strategjikë, Moska rrezikon të shtyhet shumë përtej. Fitimet ekonomike të Rusisë varen ndjeshëm në konsumatorët energjetikë evropianë. Ky fakt i jep asaj karta me Evropën, por gjithashtu i kërkon asaj që ta moderojë sjelljen ndaj fqinjëve të saj, në mënyrë që të mos rrezikojë ta shtyjë Perëndimin drejt një përgjigjeje më agresive. Në fund të fundit, Gjermania, për shembull, kohët e fundit e përsëriti besimin e saj se Gjeorgjia dhe Ukraina do të bëhen anëtarë të NATO-s, gjë për të cilën u ra dakord në samitin e fundit të NATO-s në Bukuresht në muajin prill. NATO dhe Rusia do të ecin me butësi. NATO-ja ka gjasa që do të vazhdojë të përpiqet për ta zgjeruar anëtarësinë e saj, por Shtetet e Bashkuara ka gjasa se do ta bëjnë të qartë se prania e organizatës në ish-bllokun sovjetik ka ndërmend të bashkojë Evropën, jo të armiqësojë Moskën. Për shkak se rregullat dhe procedurat e NATO-s nuk e lejojnë anëtarësimin e një vendi pa plotësuar një kriter të caktuar - përfshi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve territoriale - Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre të NATO-s kanë karta të mjaftueshme për t'u marrë me konfliktin midis Rusisë dhe Gjeorgjisë. Nëqoftëse Rusia shkon shumë përtej, ato rregulla mund të rishikohen. Nëqoftëse Gjeorgjia nuk punon në mënyrë të efektshme dhe në mirëbesim me Rusinë për ta zgjidhur situatën në Osecinë e Jugut dhe Abkhazi, atëherë NATO mund ta rikonsiderojë kërkesën për anëtarësim të Gjeorgjisë.
Pres që Shtetet e Bashkuara do të fillojnë të punojnë me aleatët e tyre për të ndërtuar një kapacitet institucional në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE) për t'u angazhuar efektivisht në operacione paqeruajtjeje në Kaukaz. Veç kësaj, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ka gjasa se do të fillojnë një fushatë diplomatike të koncertuar për të ulur tensionet në rritje modus Ukrainës e Rusisë rreth rajonit krimeas të Ukrainës. Së fundi, shpresoj që Shtetet e Bashkuara e braktisin politikën e tyre "Putini i pari" dhe në vend të saj ndërtojnë lidhje me bazë që u japin rusëve të thjeshtë më shumë zë në të ardhmen e tyre. Nëqoftëse zgjedh të bashkëpunojë, Rusia mund të luajë një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e sfidave të sigurisë të shekullit të XXI-të. Megjithatë, Moska humbi goxha besim dhe prestigj javët e fundit - barra e provës tani i takon Rusisë.
Sean Kay është Profesor i Politikës dhe i Qeverisjes dhe Drejtor i Programit të Studimeve Ndërkombëtare në Ohio Wesleyan University. Ai është autor i librit" NATO and the Future of European Security" (Rowman & Littlefield, 1998).
Denis MacShane (deputet laburist dhe ish-ministër i Tony Blair)
Miti Nr.1: Putini është fituesi i madh
Padyshim, Vladimir Putin na ka demostruar se kush komandon në shtëpi: jo Presidenti rus, Dmitri Medvedev. Putini ka siguruar nga të dyja dhomat e Parlamentit rus konsensusin unanim ndaj pushtimit të Gjeorgjisë dhe pushtimit të pjesëve të vendit, ama me këtë ka arritur ta bashkojë sërish Evropën pas vitesh mosmarrëveshjeje të mbjellë nga Xhorxh U. Bushi. Putini nuk ka arritur të tërheqë nga ana e tij as Kinën, aleaten e dikurshme.
Miti Nr.2: Rikthimi i Luftës së Ftohtë
Pas vitit 1945 qëndronin përballë njëri tjetrit, në një përplasje të re, dy sisteme, nga pikëpamja ideologjike rigorozisht të ndarë. Kurse konflikti gjeorgjian është një luftë në gjirin e të njëjtit sistem, atij kapitalist. Rusia ndjek një lloj kapitalizmi nacionalist, të kontrolluar nga shteti, të bërë me masë për brezin e ish-funksionarëve të KGB-së, të cilit Putini i përket.
Miti Nr.3: Rusia është poshtëruar
Përkundrazi: nuk ka pasur asnjë ish-kundërshtar tjetër, asnjë ish-tirani, të cilës i është rezervuar një mikpritje po aq e nxehtë. Rusia është pranuar në G7, gjeneralët e saj kanë vend në selinë qendrore të NATO-s. Edhe Këshilli i Evropës ia ka çelur dyert. Xh. U. Bush, Toni Bler e Gerhard Shrëder kanë bërë garë në thurjen e elozheve për Putinin.
Miti Nr.4: Perëndimi nuk e trajton Rusinë si partner me të drejta të barabarta
Vështirë të imagjinosh se çfarë mund të bëhet akoma për t'i dhënë Rusisë një status me prestigj më të madh. Për të thënë të vërtetën, është Rusia vendi i cili nuk i trajton të tjerët me të drejta të barabarta, sidomos ato në veri, në lindje dhe në territorin e Detit të Zi, të cilat në epokën cariste apo sovjetike kishin jetuar nën egjidën ruse. Deri më tani Rusia nuk e ka kuptuar kredon themelore të Bashkimit Evropian, sipas së cilës të gjitha shtetet duhen trajtuar me respekt.
Miti Nr.5: Perëndimi kërkon të rrethojë Rusinë
A mund të rrethohet një kontinent? Rusia është i vetmi vend, të cilit i është lejuar të vendosë raketa antibalistike përreth kryeqytetit të saj. Polonia dhe shtetet balltike mund edhe të mos e çmojnë shumë Rusinë, ama një gjë është e qartë: nuk do ta pushtojnë. Por pavarësisht nga kjo: me çfarë të drejte nuk mund t'u lejohet shteteve sovrane të vendosin në mënyrë të pavarur se në çfarë organizate të bëjnë pjesë? Larg nga zmbrapsja e NATO-s me aventurën e tij gjeorgjiane, Putini e ka bërë më të mundshëm zgjerimin e saj.
Miti Nr.6: "Neokonët" në Uashington vendosin politikën perëndimore kundrejt Rusisë
Presidenti Xh. U. Bush e filloi raportin e tij me Putinin, duke përdorur terma që do të kishin skuqur edhe një adoleshent. Lidhur me çështjen iraniane, Amerika kërkoi deri bashkëpunimin rus. Ndërsa Rusia i kundërvinte refuzimin e saj mbështetjes së planit Ahtisari, të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian, i cili parashikonte që Kosova mund të bëhej e pavarur. Jo tamam "neokonët", qe Bashkimi Evropian ai që mori inisiativën për të zgjidhur nyjen Kosovë dhe Serbia sot ka një qeveri proevropiane. Asnjë vëzhgues i Kaukazit jugor nuk e merr seriozisht idenë se Rusia në Gjeorgji nuk është zhbalancuar, se pavarësia e Kosovës është shtyrë më përtej.
Miti Nr.7: Presidenti i ardhshëm amerikan do të jetë më miqësor me Rusinë
Senatori Xhon MekKein ka thënë se kur shikon në sytë e Presidentit Putin, lexon tri shkronja: "KGB". Nga ana e tij, Senatori Xhoe Bajden është mik i ngushtë i Presidentit gjeorgjian Mikhail Saakashvili dhe në çështjet politike konsiderohet një intransigjent. Si të zgjidhet Obama, si të zgjidhet MekKein, politika amerikane kundrejt Rusisë nuk do të ndryshojë.
Miti Nr.8: Evropa është e përçarë
Në samitin e Bashkimit Evropian të fillimit të shtatorit ka qenë i habitshëm vendimi unanim për të ndërprerë bisedimet me Rusinë lidhur me një marrëveshje të re partneriteti. Ka qenë e habitshme që pikërisht Silvio Berluskoni, dikur "i përkëdheluri" i së djathtës amerikane, ka luajtur rolin e pamundur të avokatit të Putinit. Por Berluskoni në këtë kuptim nuk hedh në Bashkimin Evropian asnjë peshë të veçantë në balancë. Ka qenë me rëndësi më të madhe që Finlanda dhe Suedia kanë manifestuar preokupimet e tyre dhe që Dejvid Miliband është bërë zëri i bashkimit të Evropës kundrejt Moskës.
Miti Nr.9: Evropa është e flashkët dhe e nënshtruar
Pikërisht nuk duhet nënvlerësuar asnjë hap i vetëm. Qysh tani parlamentarë në Këshillin e Evropës kanë bërë apele që të hiqet dorë nga partneriteti me Rusisë.
Miti Nr. 10: Rusia kontrollon energjinë e Evropës
Deri në një nivel të caktuar. Rusia ka provokuar valë paniku në Perëndim, me rezultatin që tani kudo rishikohet mënyra vetjake e të menduarit. Për shembull, Britania e Madhe kish kryer gabime në masat e saj për energjinë, duke shmangur që të ndërtonte hapësira për depozitimin e gazit të lëngshëm, por kjo tani po riparohet. Gjermanët bëjnë llogaritë me armiqësinë e tyre ndaj energjisë atomike, nga e cila Franca fqinje siguron 85 përqind të furnizimeve me energji elektrike. Kushedi, ndoshta i detyrohemi Rusisë jo vetëm stimuluesin për një unitet evropian në rritje në politikën e jashtme, por edhe në çështjen e energjisë.
Përgatiti: ARMIN TIRANA