E diele, 28.04.2024, 05:30 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Pesë enigmat ende të pazgjidhura të vrasjes së Azemit

E premte, 12.09.2008, 08:11 PM


Azem Hajdari
Nga Ferdinand Dervishi

Sot vrasja më e bujshme e periudhës së postdiktaturës, ajo e deputetit Azem Hajdari, mbyll ciklin e 10 viteve. Jashtë lëvizjeve të politikës, ndjenjës e detyrës së familjarëve apo miqve e shokëve, përsa i përket drejtësisë, koha ka lënë një shije përgjithësisht të mirëvlerësuar. Pra, autorët kryesorë të vrasjes së Azem Hajdarit, ajo pjesë që arriti të mbetej gjallë, tashmë është gozhduar me dënime maksimale gjyqësore. Por mbetur po këtu, te drejtësia, ende shumëkush nuk është i bindur nëse vrasësit e vërtetë të Azem Hajdarit janë ata që u dërguan në sallën e gjyqit. Kjo sepse në opinion kanë mbetur shumë të forta pikëpyetjet lidhur me përcaktimin e urdhërdhënësve për vrasjen apo motivin e saj, duke mos i besuar as vlerësimit të sforcuar të bërë nga kryetari i trupit gjykues Arben Micko, sipas të cilit bëhej fjalë për një vrasje për hakmarrje. Dhjetë vite më pas gjithsesi ujërat janë më të qartësuara dhe enigmat, ato më të spikaturat, kanë mbijetuar edhe më të dallueshme. Enigma që për çdo rast janë vlerësuar si të tilla edhe nga pjesëtarë të grupit hetimor të kësaj vrasjeje, personazhe që treguan se ishin vërtet në lartësinë e detyrës. Po cilat ishin këto enigma që mbetën pa u zgjidhur kurrë dhe sa ndikojnë ato në dëmtimin e imazhit të krijuar të drejtësisë përballë kësaj çështjeje? Nga ana tjetër, cilët janë ata njerëz, të cilët kanë mundur t'i shpëtojnë për mrekulli në rastin më të keq drejtësisë dhe në rastin më të mirë opinionit dhe pasojave të tij?

Një vrasje që nuk u paralajmërua

Dihet se në të gjitha shtetet që e vlerësojnë veten si të qytetëruara, shërbimet sekrete, apo inteligjente, mbahen në këmbë, pra shpërblehen me paratë e taksapaguesve me qëllim që të paralajmërojnë në kohë pikësëpari cenime të rendit kushtetues. Dihet se vrasja e një deputeti në lartësinë e figurës së Azem Hajdarit do të sillte në atë situatë të pasigurt, fillimisht për rendin e sigurinë, probleme për vetë mbijetesën e shtetit, i cili nga ana e tij është garantuesi i jetës së qytetarëve të vet. Por në këtë periudhë shërbimi sekret shqiptar del se ka qenë ose jashtë loje, ose krejt i painteresuar që të sigurojë informacione për komplote të ekzekutimit të liderëve politikë. Për më tepër në rastin e Azem Hajdarit ishte më e thjeshtë, pasi të paktën një tjetër atentat i drejtpërdrejtë në Barjam Curri e kishte vërtetuar se atë e donin të vdekur. Në këtë linjë shërbimi sekret nuk arrin të gjejë asnjë të dhënë se Azemi do të vritej, apo më saktë nuk dha/përçoi asnjë të dhënë të ngjashme në drejtim të strukturave të tjera të sigurisë. Pra, SHISH (Shërbimi Informativ Kombëtar) nuk reklamoi asnjë të dhënë, se pak ditë para se Azemi të vritej atij i kishte ardhur në Tiranë një ultimatum i dhënë drejtpërdrejt nga babai i Fatmir Haklajt, të njëjtit që më 12 shtator do zbrazte kallashin mbi trupin e Azemit. Po kështu SHISH nuk kishte asnjë të dhënë të njohur se 3-4 ditë para ngjarjes, vrasësi tjetër, Jaho Salih Mulosmani ishte në Tiranë duke grumbulluar bazë materiale me qëllim për të realizuar atentatin e ardhshëm. Për më tepër vrasësit më 12 shtator u ekspozuan rrugëve të Tiranës për gati gjithë ditën dhe sërish SHISH nuk pati asnjë të dhënë.
Por le të afrohemi më pranë godinës së Partisë Demokratike. Hetuesve të vrasjes së Azem Hajdarit u ka bërë shumë përshtypje që natën e vrasjes, lokalet, apo kioskat përballë selisë kryesore të PD-së ishin të boshatisura. Pra, vetëm atë natë ishin të boshatisura, pasi në të njëjtin orar, në ditët e tjera kishin rezultuar të frekuentuara nga një klientelë e mjaftueshme. Një tjetër e dhënë për këtë moment të enigmave thotë se të njëjtët frekuentues të lokaleve atë natë, pra më 12 shtator 1998, ishin zhvendosur në të djathtë, te bar "Kalaja", sikur të kishin frikë se diçka do të ndodhte në afërsi të selisë kryesore të Partisë Demokratike. Dhe sërish SHISH nuk ka asnjë dijeni për këto zhvillime. Por nuk mbaron këtu, pasi në adresë të shërbimit sekret janë edhe dy lëvizje të pashpjegueshme të lidershipit të tij, para dhe pas ngjarjes. Kështu, rreth një javë para vrasjes, kreu i SHISH akuzohet nga Partia Demokratike se ka ndërmarrë një udhëtim të pazakontë në Gramsh, ku ka ndërmjetësuar lirimin nga qelitë e Komisariatit të këtij qyteti të Isamedin Haxhisë dhe Halil Haklajt, që të dy të implikuar në një mënyrë apo një tjetër me vrasjen e Azem Hajdarit një javë më pas. I njëjti, kreu i SHISH-it, është akuzuar po nga Partia Demokratike se menjëherë pas vrasjes së Azem Hajdarit ja ka "mbathur" për në jug të vendit, saktësisht për në Himarë. Kështu që edhe pas 10 vitesh të shkuara, të gjitha këto veprime apo mosveprime e implikojnë jo vetëm moralisht këtë strukturë të shtetit shqiptar në vrasjen më të madhe të postdiktaturës. Fundja përgjegjësia për këtë vrasje bie mbi vetë shtetin që nuk e mënjanoi. Krahasimi me përgjegjësinë e shtetit aktual për ngjarjen e Gërdecit vjen në këtë rast shumë kuptimplotë.

Enigmat e ekzekutimit dhe alibia e autorëve

Trupi i pajetë i Azemit në Spitalin Ushtarak
Azem Hajdari u vra mbrëmjen e 12 shtatorit 1998 dhe për ta penguar këtë vrasje nuk e lëvizi gishtin askush. U vra në qendër të Tiranës, pak metra përballë hyrjes kryesore të selisë së Partisë Demokratike. Një nga enigmat që shqetësoi jo vetëm mediat ishte ajo e mënyrës së lajmërimit të Azem Hajdarit, më saktë telefonata që e nxori atë nga selia e PD-së dhe e drejtoi te vrasja. U tha që ai kishte dalë pas një telefonate të realizuar në celularin e tij, i cili pas vrasjes u zhduk në rrethana të panjohura duke përforcuar enigmën. Gjithsesi në këtë pikë më të qartë kanë qenë hetuesit. Ata, falë teknologjisë me anë të verifikimit të tabulateve të kompanisë celulare vërtetuan se aparati i Azemit nuk kishte marrë asnjë telefonatë nga ora 20:15. Pra, për rreth një orë para se të vritej ai nuk e kishte përdorur celularin. Kështu që gjithçka u fokusua te një telefonatë e bërë nga një aparat fiks, apo një kabinë. Kështu edhe ishte. U gjetën dhe pyetën edhe dy punonjësit e selisë kryesore të PD-së që ja kishin kaluar mesazhin e telefonatës Azemit. Pikëpyetjet e vërteta gjithsesi nisnin pikërisht në këtë moment. Përse Azemi doli i vetëm nga selia e PD-së dhe u nis po i vetëm në drejtimin ku pak më pas e qëlluan? Pra, ai me siguri e dinte mirë se ku po shkonte dhe se kë po takonte. Po kaq enigmë mbetet në këtë moment edhe sjellja e një anëtari të PD-së, të cilit duket Azemi i kërkon që ta shoqërojë jashtë. Anëtari i PD-së është vonuar një moment duke i thënë se kishte pak punë në zyrën e nënkryetarit Genc Pollo dhe kur është bërë gati të shkojë pas Hajdarit, ka qenë shumë vonë, pasi në këtë kohë kishin nisur krismat.
Pas vrasjeve, ku viktimat ishin tri, Azem Hajdari, truproja i tij, Besim Çerja dhe një nga grupi i ekzekutorëve, Naim Çangu, njerëzit që e organizuan atentatin u larguan në drejtim të veriut. Duke pasur përparësinë se pjesa më e madhe ishin funksionarë të policisë dhe duke qenë se ishin të veshur me uniforma dhe të pajisur me makina të shtetit, vrasësit nuk u ndalën nga askush, megjithë postblloqet e pretenduara si të ngritura. Po kaq pa bukë rezultoi edhe impenjimi i Ministrisë së Rendit pas vrasjes. Nisur nga ministri, njerëzit ishin kthyer në punë dhe Komisariati i Policisë së Tropojës ishte urdhëruar të bënte një verifikim nëse Jaho Mulosmani ishte në banesën e vet në një fshat pranë qytetit. Një verifikim i kushtëzuar, pasi rreth 30 minuta pas vrasjes së Azemit, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kishte bërë publik si autor të vrasjes pikërisht Jaho Mulosmanin, një nga drejtuesit e Komisariatit të Policisë së Tropojës. Por një furgon i grupit të gatshëm të policisë, edhe pse Jaho nuk ishte në shtëpi, sjell në komisariat lajmin se ai ishte, madje i sëmurë.
Në mëngjes Jaho Mulosmani shihet nga të gjithë në qytet dhe kjo i vë kapak alibisë së tij se ai nuk kishte gisht në vrasjen e ndodhur pak orë më parë në qendër të Tiranës. Taulant Dedja, i dërguari i Kryeministrit në Tropojë për shkak të krizës kosovare, vërtetoi pikërisht këtë prezencë të Jahos mëngjesin e datës 13 shtator në qytetin e veriut.
Pra, menjëherë pas vrasjes së Azemit kemi një alibi të të akuzuarit kryesor. Një alibi që për çudi reziston për një kohë të gjatë, të matur jo me muaj. Në të njëjtën kohë në Tiranë shteti e ndiqte ngjarjen me pamjen e breshkës. Të paktën dy grupe hetimore u ndërtuan për ngjarjen, por nuk patën jetë të gjatë. Shteti dukej i avashtë dhe i painteresuar për zbardhjen e vrasjes. Në intervista televizive qoftë kryepr-okurori, qofshin njerëz të barazvlefshëm ende flisnin me paragjykim dhe mllef në adresë të Azem Hajdarit, edhe pse ai tashmë ishte një i vdekur.

Spiuni i grupit hetimor

Vetëm zhvillimet politike arrijnë të sjellin në jetë seriozitetin e duhur për hetimin e vrasjes së Azem Hajdarit. Një grup i zgjedhur hetimor i mbështetur nga një grup prokurorësh të huaj, gjen edhe stimulimin e Kryeministrit të kohës, Ilir Meta. Situata zhbllokohet, makina e krimit gjendet, ajo çon hetuesit te Jaho Mulosmani dhe vrasësit e qytetit verior. Më tej prova të forta janë konsideruar edhe sekuestrimi i ditarit të ish-ministrit të Rendit Perikli Teta, sigurimi i dëshmisë së një të penduari të quajtur Astrit Muldaka, dëshmia e vetë truprojës së plagosur, Zenel Neza e të tjera. Shpejt ngjarja konfigurohet, por sërish grupi i hetimit, ashtu si edhe ata që tentuan para tyre, kishte vështirësi. Pasi ishte krijuar një bindje se vrasësit e qytetit verior ishin të imunizuar. Kjo për shkak se një nga të akuzuarit kryesorë për vrasjen, Fatmir Haklaj, i arrestuar më 16 gusht 1999 nën akuzën e vrasjes, më 19 shtator 1999 lihet i lirë në rrethana të paqarta. U tha se la peng pasuror kullën e vet në Tropojë, por nga të gjithë u kuptua se kjo ishte një manovër e mirëmenduar e segmenteve të caktuara të pushtetit. E ndërsa Fatmir Haklaj vritet në pritë më 4 nëntor 1999, Jaho Mulosmani i plagosur dhe i ruajtur me policë sërish nuk arrestohet. Policia e Tropojës në atë kohë e drejtuar nga Komisari Gani Malushi kishte arritur të siguronte dëshminë e një gruaje të përdhunuar nga Jaho Salihi, por e mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme të Tiranës, në një sektor të saj, një padi e tillë i hidhet në fytyrë si e pavlerë oficerit që e solli.
Për të sjellë një panoramë sa më të qartë është pranuar se skandali i vërtetë i strukturave të veçanta të shtetit është realizuar në rastin e hetimit të Fatmir Metës, ish-shefit të Komisariatit të Tropojës në kohën kur ndodhi vrasja e Azem Hajdarit. Vetë Meta, por edhe personazhe të tjerë pranë grupit hetimor kanë pohuar se, të paktën gjatë hetimit të rastit të tij ka pasur rrjedhje informacioni. "Sapo merresha në pyetje nga prokurorët, më merrte Jaho Mulosmani në telefon dhe më kërcënonte me vdekje", është shprehur publikisht Meta. Madje në një rast, menjëherë pas sigurimit të një dëshmie që kishte lidhje me Fatmir Metën, rreth 30 minuta më pas, ai është qëlluar në Tiranë nga njerëz të panjohur duke shpëtuar i plagosur rëndë. Gjithë kjo shkonte për të vërtetuar një dyshim të vjetër të njerëzve të ligjit që donin të dilte në dritë e vërteta, se pranë grupit hetimor të çështjes "Hajdari" ka pasur një spiun të mirëfilltë që gjithçka e raportonte te vrasësit e Azemit, duke i vënë këta në "punë" që të merrnin masa të rregullonin sipas mënyrës së tyre ata që guxonin të "cicëronin". Një zhvillim që ka lidhje logjike me mosarrestimin e të paktën Fatmir Haklajt e Jaho Mulosmanit, në një kohë që për këta kishte vepra penale të provuara.

Motivi i vrasjes

Edhe pse tashmë familja Haklaj, të paktën në një rast, publikisht, në vitin 2003, e ka pranuar përmes Muharremit, babait të vëllezërve Haklaj, se ishin ata që e vranë Azem Hajdarin, motivi i ekzekutimit ende ka mbetur i paqartë. Ka mbetur i paqartë edhe pse 10 ditë para se të vritej po ky, Muharrem Haklaj i ka komunikuar Azemit në Tiranë një ultimatum që u respektua në afatin e vet prej 10 ditësh. Kjo sepse ende nuk thuhet me plot gojën se përse Azemi duhet të vritej nga Haklajt dhe grupi i tyre. Në një version të pohuar nga Aishe Haklaj, motra e vëllezërve Haklaj, menjëherë pas vrasjes së Azemit në Tiranë ajo ka zhbiruar me pyetje të vëllanë Fatmirin dhe sidomos mikun e familjes, Jaho Mulosmanin. "Të betohem që nuk shkuam ta vrisnim, por situata na doli nga kontrolli, u përleshëm dhe më pas e vramë. Që të më besosh, po të tregoj një provë", i kishte thënë Jaho duke i reklamuar gishtin e vogël të një dore, që e kishte të thyer. Por megjithë këtë episod, vrasja e Azemit qëndron shumë larg të qenit e rastësishme. Pra, ajo nuk ka pasur as lidhje shumë të forta me hakmarrjen edhe pse kryetari i trupit gjykues nxitoi ta quante "vrasje për hakmarrje" përkundër heshtjes totale të grupit të hetimit në këtë pikë. Por a ishte vrasja e Azemit një vrasje politike, apo e influencuar nga politika? Faktet, sidomos ato të pasngjarjes, thonë me kokëfortësi se ka të ngjarë. Sepse pas vrasjes së Azemit ka pasur një infrastrukturë të tërë të vendosur fort në mes të rrugës për të mos lejuar në asnjë rast zbardhjen e së vërtetës. Mosveprimet flagrante menjëherë pas vrasjes, shkatërrimi që në embrion i grupeve të para të hetimit, mosarrestimi flagrant i autorëve edhe pse nëpër spitale, dekonspirimi apo spiunimi i lëvizjeve kryesore të grupit hetimor, të gjitha këto me një kohëzgjatje që kapërceu vite, tregojnë të kundërtën. Tregojnë se strukturave të caktuara, të fuqishme të shtetit nuk u ka interesuar aspak zbardhja e vrasjes. Një vrasje që s'kishte asnjë arsye të mbulohej me kaq devotshmëri e sakrificë nëse do të ishte ordinere, pra për hakmarrje të rëndomtë.

Azemi u qëllua i fundit, pasi u rrëzuan Besimi e Zeneli

Sipas një versioni shumë të konsultuar, skema e vrasjes së Azem Hajdarit është e tillë: Në orën 21:15 të datës 12 shtator 1998, Azem Hajdari del i vetëm nga godina e PD-së dhe niset në të majtë të saj te një makinë e parkuar. Me t'u shfaqur në derë ai qarkohet nga truprojat, Zenel Neza në të djathtë të tij, ndërsa Besim Çerja në të majtë. Në takim afrohet Fatmir Haklaj me një automatik "Kallashnikov" në duar. Në krahun e tij të djathtë shfaqet Jaho Mulosmani, në të majtin Naim Çangu, një shok burgu i Halil Haklajt. Me t'u afruar pranë e këmbyer fjalët e para, Besimi i kap me duar dhe i bllokon armën Fatmir Haklajt. Në këtë kohë situata del jashtë kontrollit. Jaho i mbështet pistoletën në tëmth Besimit, që mbante të bllokuar armën e shokut të vet, dhe e vret. Por Besimi vazhdon ta shtrëngojë armën, edhe pse i vdekur, pasi truri i tij i goditur nuk e kthente dot mbrapsht urdhrin e fundit, atë të bllokimit të armës. Në këtë kohë, në acarim e sipër, Fatmiri tërheq këmbëzën dhe arma ende e bllokuar realizon qitje të pakontrolluara. Si rezultat tre plumba, rreth 1 cm larg njëri- tjetrit, kapin Zenel Nezën në krah, të cilin më pas ai për pak sa nuk e humb. Zeneli bie, ndërkohë që qitja e pakontrolluar e armës së Fatmir Haklajt rrëzon përtokë edhe Naim Çangun. Këtë e kapin tre plumba mbi rripin e mesit, edhe këta rreth 1 cm larg njëri-tjetrit, çka vërteton qitjen e pakontrolluar të armës së Haklajt. Vetëm pasi vritet Besim Çerja dhe bie përtokë i përgjakur Zenel Neza, i vjen radha Azem Hajdarit. Ai është qëlluar me rreth 15 plumba nga Fatmir Haklaj dhe Jaho Mulosmani. Plumbi i parë i ka përshkuar shputën e dorës, duket në momentin që e ka ngritur atë instinktivisht për t'u ruajtur. Policia gjeti në vendngjarje dy armë që nuk kishin realizuar qitje. Një pistoletë "Zastava" me silenciator që mendohet të ketë qenë ose e Azemit, ose e rojeve të tij dhe një "Kallashnikov", që mendohet të ketë qenë i Naim Çangut, që humbi jetën pasi vrasësit e Azemit e transportuan në spital.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora