E merkure, 04.12.2024, 05:59 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Shqipëria ngjit 20 vende për luftën ndaj korrupsionit

E merkure, 24.09.2008, 09:47 PM


ERALD KAPRI
 
Viti 2008 ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm të imazhit të Shqipërisë, duke bërë hapa para në luftën antikorrupsion. Organizata “Transparency International” (Transparenca Ndërkombëtare) ka publikuar dje indeksin e korrupsionit për 180 vende të botës, ku vendi ynë ka ngjitur 20 shkallë, në krahasim me vitin e kaluar. Shqipëria renditet vendi i 85-të në botë, nga vendi i 105-të që ishte vjet, në nivel të njëjtë me vende të rajonit si Mali i Zi dhe Serbia, duke lënë pas Bosnjë-Hercegovinën. Zyra e “Transparency International” në Tiranë bëri dje publike të dhënat, ku u theksua se Shqipëria arriti standardet vendeve të rajonit, duke pasur rezultatet më të larta. Sipas këtyre rezultateve, Shqipëria është vlerësuar ndër 10 vendet që ka bërë progres më shumë nga 180 vende që u është matur indeksi i korrupsionit. Drejtoresha e TIA-s, Marjana Papa, tha se “Shqipëria ka shënuar një progres të rëndësishëm në perceptimin e korrupsionit duke u vlerësuar me 3.4, rezultat ky më i larti i arritur, por që e vendos Shqipërinë në sytë e publikut dhe opinionit ndërkombëtar përballë një përgjegjësie më të madhe dhe një pritshmërie që ky progres të jetë i qëndrueshëm”. Në deklaratën për shtyp, drejtuesit e TIA-s në Tiranë u shprehën se “Shqipëria renditet në të njëjtin nivel me Serbinë dhe Malin e Zi duke lënë pas Bosnjë-Hercegovinën”. Ata përcollën edhe deklaratën e presidentes së përgjithshme të TIA-s në Berlin, Huguette Labelle, e cila deklaroni: “Reduktimi i korrupsionit kërkon mbikëqyrje të fortë përmes Parlamentit, organeve të zbatimit të ligjit, medias së pavarur si një shoqëri civile energjike. Kur institucionet janë të dobëta, korrupsioni del nga kontrolli, duke shkaktuar pasoja të tmerrshme për jetën e njerëzve të thjeshtë, por edhe më gjerë për drejtësinë dhe barazinë në shoqëri”.

Arritjet

Arritja në luftën antikorrupsion u dedikohen reformave të marra nga ana e ekzekutivit në fushat e arsimit, sistemit tatimor, prokurimeve publike, regjistrimit dhe lehtësirave për biznesin etj. Drejtoresha e TIA-s tha se për intensifikimin e luftës antikorrupsion, duhet që në këto fusha publike të investohet më shumë dhe me buxhete të pavarura. Njëkohësisht, drejtuesit e TIA-s u shprehën se reformat antikorrupsion kërkojnë transparencë të vazhdueshme dhe pjesëmarrje të institucioneve të pavarura, qytetarëve, medias etj. për monitorimin e mëtejshëm të reformave.

Drejtësia

Shqipëria mund të kishte pasur një përmirësim akoma më të ndjeshëm në luftën antikorrupsion, në rast se edhe sistemi i pavarur i drejtësisë do t’u ishte përgjigjur me të njëjtën ritëm reformave. Duket se drejtësia nuk ka arritur të kapë dot ritmin e reformave të ndërmarra nga pushteti ekzekutiv për parandalimin e korrupsionit. Drejtuesit e TIA-s u shprehën se për të zbatuar reformat në mënyrë të plotë, duhet “një drejtësi e pavarur dhe profesionale që është një komponent i rëndësishëm në betejën antikorrupsion që ka marrë ekzekutivi”. “TIA vlerëson përpjekjet që po bëhen brenda sistemit të drejtësisë në drejtim të rritjes së pavarësisë, por nënvizon se ka ende shumë rrugë për të bërë për çlirimin e vetë sistemit të drejtësisë nga korrupsioni dhe rritjes së pavarësisë së tij nga politika në respekt të ligjit. Zhvillimi i kapaciteteve administrative dhe vendosja e administratës publike mbi baza profesionale do të ndikonte në maksimizimin e rezultateve në luftën kundër korrupsionit”, - u shpreh Papa, duke përmendur edhe nevojën për përmirësimin e imazhit të administratës publike.

Indeksi I Perceptimit të Korrupsionit 2007 - 2008

Vendet Renditja e vendeve 2008 Renditja e vendeve 2007 IPK 2008 IPK 2007

Sllovenia 26 27 6,7 6.6

Greqia 57 56 4,7 4.6

Turqia 58 64 4,6 4.1

Kroacia 62 64 4,4 4.1

Rumania 70 69 3,8 3.7

Bullgaria 72 64 3,6 4.1

Maqedonia 72 84 3,6 3.3

Shqipëria 85 105 3,4 2.9

Mali I Zi 85 84 3,4 3.3

Serbia 85 79 3,4 3.4

Bosnja dhe Hercegovina 92 84 3,2 3.3

Moldavia 109 111 2,9 2.8

Tabela krahasuese për vendet e Ballkanit të Indeksit të Korrupsionit për vitet 2007-2008

Rrugëtimi, nga viti 2005, Shqipëria ka ngjitur 41 vende

Raporti mbi indeksin e korrupsionit në Shqipëri, i bërë nga “Transparency International” ka filluar të publikohet që nga viti 2003. Indeksi i parë që fitoi Shqipëria ishte 2.5. Në vitin 2005 Shqipëria mori vlerësimin më të ulët, me indeks 2.4 me një renditje 126 në botë. Vit pas viti, Shqipëria filloi të përmirësohet duke ngjitur shkallët ndjeshëm. Kështu, përmirësimi filloi të ndihet që në vitin 2006. Në këtë vit, indeksi i vlerësuar për vendin tonë ishte 2.6, në renditje botërore e 111-të, duke bërë një përmirësim prej 15 vendesh, në krahasim me vitin 2005. Viti 2007 ishte akoma më i mbarë në luftën antikorrupsion, ku indeksi i shënuar ishte 2.9, me renditje botërore 105, dhe me një përmirësim në 6 shkallë nga viti 2006. Viti 2008 mund të quhet edhe më i suksesshmi dhe kjo, falë arritjes së rezultateve nga reumat e ndërmarra nga qeveria. Shqipëria u rendit e 85-a në botë, me një indeks 3.4 duke bërë që të fitojë 20 vende. Po të krahasohemi me vendet e rajonit, vetëm gjatë këtij viti, Shqipëria mundi që të arrinte standardet e vendeve të rajonit. Kështu, në vitin 2006 ne ishim prapa Bullgarisë (4.0), Moldavisë (3.2), Rumanisë (3.1), Serbisë (3.0), Bosnjës (2.9) dhe Maqedonisë (2.7). Në vitin 2007 Shqipëria ishte prapa Bullgarisë (4.1), Rumanisë (3.7), Serbisë (3.4), Maqedonisë (3.3), Malit të Zi (3.3), Bosnjë-Hercegovinës (3.3), duke lënë prapa vetëm Moldavinë. Por gjatë këtij viti, Shqipëria është prapa Bullgarisë (3.6), Rumanisë (3.8), Kroacisë (4.4), Maqedonisë (3.6), po ka barazuar Serbinë (3.4), Malin e Zi (3.4), si dhe ka lënë prapa saj Bosnjë-Hercegovinën (3.2) dhe Moldavinë (2.9).

Indeksi i perceptimit të korrupsionit sipas TIA-s për Shqipërinë

VITI I INDEKSIT INDEKSI RENDITJA BOTERORE VENDE TE VLERESUARA DIFERENCA RENDITJE VENDE TE SHTUARA Renditja sipas Indeksit te 2005

CPI 2002 2.5 81 102

CPI 2003 2.5 92 133 -11 31

CPI 2004 2.5 108 146 -16 12

CPI 2005 2.4 126 158 -18 12

CPI 2006 2.6 111 163 +20 5 130

CPI 2007 2.9 105 179 +22 16 138

CPI 2008 3.4 85 180 +21 1 138


Patozi: Reformat shembën murin e kleptokracisë

Duke iu referuar rezultateve të publikuara nga raporti i “Transparencës Ndërkombëtare” për vitin 2008, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, vlerësoi dje progresin e bërë nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, raporti i “Transparencës Ndërkombëtare” për vitin 2008 e vlerëson Shqipërinë me një progres të rëndësishëm në perceptimin e korrupsionit, duke bërë që ajo të lërë pas rreth 100 vende dhe të renditet e 85-anë botë, ndërkohë që 3 vjet më parë ne ishim në bishtin e klasifikimit botëror, në vendin e 126-të, nga 158 shtete të testuara nga kjo organizatë. Patozi argumentoi se "raporti konfirmon faktin që në këto vite reformash ne shembëm me guxim murin e kleptokracisë, duke i dhënë goditje të forta korrupsionit të ngritur në sistem nga paraardhësit tanë. Gjithashtu, ai është një konfirmim i madh se deviza e 'duarve të pastra' dhe e tolerancës zero ndaj krimit dhe korrupsionit, me të cilën ne erdhëm në pushtet në vitin 2005, jo vetëm nuk është shuar, por ajo është në fokusin e qeverisë së koalicionit të djathtë". Nga ana tjetër, kryetari i grupit parlamentar të PD-së nënvizoi se "ky raport entuziast, që pason atë të Bankës Botërore të pak ditëve më parë, është një përgjigje e merituar e politikës së mohimit dhe shpifjes, e cila është adoptuar prej shumë kohësh pa asnjë sukses nga opozita". 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora