E shtune, 27.04.2024, 07:20 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

BB: Urime Shqipërisë ka një hov të mrekullueshëm

E premte, 19.09.2008, 10:11 PM


Drejtues të BB-së përgëzojnë qeverinë për klasifikimin në vendin e dytë në botë për reformat

Drejtues të lartë të Bankës Botërore përgëzuan dje, qeverinë shqiptare për rezultatet e arritura në performancën ekonomike. Drejtoresha Rajonale për Europën Juglindore dhe Azinë Qendrore në Bankën Botërore, Jane Armitage, i cilësoi të mrekullueshme rezultatet e Shqipërisë në zbatimin e reformave ekonomike, duke e vënë theksin në faktin se, Shqipëria renditet e dyta në botë për hovin reformator. "Është kënaqësi të jem sot këtu për t'i dhënë urimet Shqipërisë për rezultatet e mrekullueshme, për faktin që jeni një nga 10 performuesit më të mirë në ekonomi, në fakt jeni numri 2 që keni arritur këtë hov të mrekullueshëm. Besoj, se të gjithë ndiheni krenar dhe të kënaqur kur mësoni se Shqipëria ka kaluar nga vendi i 135 në vendin e 86, një hov i mrekullueshëm brenda një viti. Kjo do të thotë se, Shqipëria është në rrugën e mbarë së bashku me vendet e tjera të Europës Juglindore, çka është e rëndësishme në botën e sotme globale dhe konkurruese, ku të gjitha vendet përpiqen të tërheqin sa më shumë investitorë si të huaj ashtu edhe vendas", u shpreh znj. Armitage gjatë prezantimit të raportit vjetor "Të bësh biznes 2009" në Tiranë. I pranishëm në këtë prezantim kryeministri Berisha vlerësoi raportin si një dëshmi e arritjeve reale të ekonomisë shqiptare. Duke nënvizuar se mbetet ende punë për t'i çuar përpara këto arritje, kryeministri shprehu bindjen se, vitin e ardhshëm Shqipëria do të bëjë një tjetër kapërcim të madh në renditjen e vendeve në raportin e Bankës Botërore. "Dua t'ju siguroj se, asgjë nuk do më shmangë dhe nuk do të më bëjë të largohem nga ky objektiv madhor. Ai do të jetë, sikundër ka qenë, një prioritet i lartë në axhendën time qeveritare. Na u deshën me qindra mbledhje, të formulonim me qindra ligje dhe vendime, por do të na duhet shumë punë për t'i zbatuar ato", theksoi kreu i qeverisë. Kryeministri shprehu mirënjohjen për Bankën Botërore, USAID, FMN, BERZH, KFË dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare, për ndihmën dhe mbështetjen e tyre. Kreu i qeverisë u shpreh se, klasifikimi i Shqipërisë në një nivel të lartë të performacës përsa u përket reformave ekonomike, i jep asaj më shumë shpresë drejt një të ardhmeje më të ndritur. "Beteja për lirinë e tregut është një betejë për begati për kombet, të cilët ende nuk janë të begatë, por tashmë përfundimisht liria e tregut është një e drejtë themelore e njeriut", u shpreh ai. Kreu i ekzekutivit tha se, asgjë nuk është e lidhur më shumë se sa liria e tregut me parimet e një sistemi demokratik. Berisha u tha të pranishmëve se, Task-Forcë për reformën rregullatore e kryesuar prej tij vendosi të bëjë të pamundurën për të marrë çdo vendim, për të përshtatur çdo praktikë, e cila zgjeron lirinë e tregut në vend. "Shqipëria është e privilegjuar nga ekspertiza dhe vlerësimet e larta të Bankës Botërore, USAID dhe agjencive të tjera ndërkombëtare", tha Berisha, duke iu referuar raporteve pozitive të institucioneve ndërkombëtare për Shquipërinë. Ai e cilësoi raportin, tepër realist dhe garantoi se ai reflekton atë që Shqipëria ka arritur si vend. "Mbetet ende shumë për të bërë, por fakti që kemi kapërcyer 50 vende brenda një viti, të jep shpresë se do të vazhdojmë me sukses, do të kapërcejmë edhe më shumë vende". Banka Botërore e vlerësoi Shqipërinë ndër vendet e para, tha kryeministri, dhe premtoi se do të bëj të pamundurën që ky vend të ecë me shpejtësi drejt të ardhmes.

Kryeministri garantoi se si mbështetës i tregut do të ndihmoj çdo investitor për të patur sukses

Qeveria do të bëjë të pamundurën për rritjen ekonomike

Kryeministri Berisha deklaroi dje se, Shqipëria ka nevojë për një rritje ekonomike dhe siguroi se qeveria do të bëjë të pamundurën për ta mbajtur të qëndrueshëm nivelin e arritur. Ai garantoi çdo investitor se pasioni i tij kryesor është që të jetë një politikan i tregut, dhe do të ndihmojë investitorët në projektet dhe suksesin e tyre.

"Shqipëria ka nevojë për këtë rritje ekonomike dhe qeveria do të bëjë të pamundurën për ta mbajtur të qëndrueshëm këtë nivel. Ne ndamë të njëjtin mendim sot me zonjën Kamile Nuamah për të punuar së bashku, për të hapur një kapitull të ri në këtë bashkëpunim.

Unë, dua të siguroj çdo investitor se pasioni im kryesor është që të jem një politikan i tregut, pra, si politikan më mbetet t'i ndihmoj investitorët në projektet dhe suksesin e tyre", u shpreh kreu i qeverisë. Ai theksoi se, pikërisht për këtë arsye, zhvilloi gjatë paradites së djeshme një takim me përfaqësues të Bankës Botërore, ku u diskutua më shumë për të ardhmen sesa për të kaluarën. "Ne folëm më tepër për mënyrën se si do veprojmë tregues pas treguesi, indeks pas indeksi, për të gjithë kuadrin ligjor, për të instaluar në vend praktikat më të mira për biznesin", tha Berisha, duke garantuar se viti elektoral nuk do ta shmangë dhe nuk do ta largojë nga ky objektiv madhor. "Ai do të jetë, sikundër ka qenë, një prioritet i lartë në axhendën time qeveritare. Na u deshën me qindra mbledhje të formulonim me qindra ligje dhe vendime, por do të na duhet shumë punë për të zbatuar këto ligje", tha kreu i ekzekutivit, ndërsa shprehu falenderimet për të gjithë bashkëpunëtorët, ministrat, Parlamentin dhe të gjitha agjencitë për mbështetjen e fortë të reformave.

Të ardhurat u rritën 3.2 miliard dollarë krahasuar me 3 vite më parë

"Duke zgjeruar liritë fiskale dhe duke arritur një ulje dramatike të taksave, ne rritëm në mënyrë të ndjeshme të ardhurat. Brenda tre viteve, të ardhurat nga tatimet janë 190 miliard lekë ose 3.2 miliard USD, krahasuar me tre vjet më parë. Ne mund t'i tregojmë gjithkujt se si funksionon filozofia jonë dhe liria fiskale, dhe se si ato do të ecin në të ardhmen. Gjithashtu, një indeks tjetër që më jep kënaqësi dhe shpresë janë eksportet në rritje. Këtë vit, eksportet shqiptare janë rritur 42 për qind, krahasuar me një vit më parë. Së treti, lajmin më të bukur në ekonomi e solli gjashtëmujori i parë i këtij viti, ku Shqipëria ka një rritje rreth 11 për qind. Të dhënat e fundit tregojnë se, kjo rritje filloi në tremujorin e parë me 10.4 - 10.5 për qind dhe këtë tremujor është afërsisht 11 për qind", u shpreh më tej kryeministri Berisha. Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe USAID-in, me të cilën Shqipëria ka tre projekte të rëndësishme, në kuadrin e Pragut të Sfidës së Mijëvjeçarit. "Drejtuesve të USAID-it u kam shprehur mirënjohjen time për asistencën dhe projektet shumë të rëndësishme të tyre që e kanë ndryshuar Shqipërinë, si projekti për regjistrin e biznesit që reduktoi kohën e regjistrimit të një biznesi nga 42 ditë në 1 orë, taksat elektronike, prokurimet elektronike, etj", tha Berisha, duke nënvizuar se është tepër mirënjohës, ndërsa theksoi se e konsideron këtë vetëm një fazë, për të vazhduar punën e tij të përditshme për ta çuar gjithnjë e më përpara vendin.

Elis KUÇI



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora