E merkure, 04.12.2024, 06:12 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Durim Hatibi: Emigrantët shqiptarë në Itali, më të fortë se paragjykimet

E diele, 21.09.2008, 06:39 PM


Emigrantët shqiptarë në Itali, më të fortë se paragjykimet

Nga Durim Hatibi

Studimi i "Caritas"-it provon atë që kemi vite që ia themi vetes dhe të tjerëve: ata kanë fituar me meritë vlerësimin e italianëve dhe nuk janë më "të liqtë" dhe "të padëshiruarit".

Paçka se kujtesa kolektive emigratore italiane nuk duhet t‘i pranonte, cilësorët e kombësisë rumun, shqiptar, maroken, si domosdoshmërisht të lidhur me shtetësinë, apo kombësinë sa i takon të keqes, apo të padëshirueshmes, pikërisht në vendin e poetëve dhe artistëve shpesh janë veshur me domethënie, që në vend të individit përcaktojnë vetëm shtetësi-kombësinë e tij. Siç thonë vetë italianët "tutto il mondo e paese", por fatkeqësisht kësisoj paragjykimesh i has rëndom edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Greqi etj., dhe fatmirësisht gjithnjë dhe më të paktë ata që i mbartin paragjykimet, sa kohë që rrjedha e së përditshmes e njeh popullsinë vendase me kontakte të drejtpërdrejta me bashkësinë emigratore shqiptare. Kam shkruar edhe më parë për një shtetas të huaj, që nuk reshte së "mallkuari", "stigmatizuari" emigrantët shqiptarë. Paksa me "inat" i thashë se të gjithë emigrantët italianë, që shumë kohë më parë emigruan në SHBA, ishin "mafiozë" që zbarkuan në "Tokën e Premtuar" me valixhe druri dhe me mendjen e "pushtimit" të këtij vendi të madh (sigurisht jam dhe mbetem i bindur se e vërteta është kryekëput e ndryshme). Por ky njeri më bëri një leksion të gjatë për paragjykimet, duke më akuzuar, po, po... për "racizëm", "mendje të mbyllur". I solla në mendje veprën artistike "Kur shqiptarët ishin ne" të autorëve italianë. Në të mirën time, bashkëbiseduesi ynë ishte po italian, që kishte punësuar në vite dhjetëra shqiptarë dhe kishte bindje krejtësisht të ndryshme. Ai shtroi një pyetje të drejtpërdrejtë: "Sa shqiptarë dhe përkatësisht italianë kishim njohur në jetën tonë?" "Mos vallë shqiptarët janë të ndryshëm nga frymorët e tjerë, spanjollë, suedezë, apo çfarëdo shtetësie? Ai zotëri i nderuar më dha një ndihmë të paçmuar, çka e kam edhe sot dhe kësaj dite si armën time. Doli se unë në atë kohë isha shqiptari, le të themi i katërt, apo i pestë që kish njohur nga afër, kjo në tavolina bisedash shumë komode për të dhënë gjykime të përcipta, ndërsa bashkështetasi i tij kishte njohur me dhjetëra, aq sa kishte bërë edhe garanci turistike për të afërmit e të punësuarve të tij shqiptarë. Për t‘u rikthyer te pyetja e mësipërme, përgjigjja ime ishte, mes tjerash, se kam njohur si qindra mijëra shqiptarë një pjesë të madhe të Italisë dhe italianëve, ende para se të njiheshim nga kaq afër, madje duke kaluar në afeksione perceptive. Ne shqiptarët i kemi provuar në kurriz se sa lehtë të veshin me etiketa, apo të bëjnë pjesë e klisheve, që sot më shumë se të gjithë po e provojnë shtetasit rumunë dhe se sa e vështirë është t‘i rrëzosh nga kurrizi. E pra, të paktën në Itali bashkësia jonë emigratore ia ka arritur. Këtë ndjesi më përcolli tek lexoja materiale nga kuvendi i mbajtur, më 1-2 shtator në selinë e "Cnel" nga redaktorët e "Dossier Statistico Immigrazione", në bashkëpunim me Departamentin e Ekonomisë të Universitetit të Barit dhe selitë qendrore të "Caritas" dhe "Migrantes". Me mendje rrugëtoj ecurinë e gjatë tonë, atje të mundimshme, siç kujtoj se "në shënjestër" para rumunëve ishin shqiptarët... Në vitet ‘90 ne perceptoheshim si një prani "e ligë", "e padëshirueshme". Sidoqoftë, duke nisur para pak vitesh, ne u dukemi të tillë italianëve, siç arsyeshëm jemi "një bashkësi normale". Mes të tjerash më mirë kështu "normalë" dhe jo si me kulturën e dikurshme të "më të mirëve në botë". Sot emigrantët shqiptarë në Itali, sipas vlerësimeve të "Dossier Caritas"-it, kanë kapërcyer kuotën e 400 mijëve. Analiza e mësipërme, që meriton të thellohet, sapo të njihemi me materialet e paraqitura bëhet thuajse 20 vjet pas ardhjeve të para që përtej Adriatikut. Ajo ka marrë në konsideratë aspekte të ndryshme, probleme të mundshme që u hasën në kohë lidhur me përfshirjen dhe integrimin socio-kulturor dhe në botën e punës, si dhe vlerësimin që gëzojnë emigrantët shqiptarë qoftë edhe në vendet e punës, apo në lagjet ku banojnë. Për koordinatorin e "Dossier Caritas-Migrantes", Franko Pitau, suaza e përvijuar përfaqëson një "fytyrë të re, çka e bën atë shqiptare një prani pozitive". "Bashkësia, shpjegoi ai, në të shkuarën e bashkëshoqëruar si shembulli më domethënës i sjellje-qëndrimit deviant të shoqërisë pritëse, po ia del me impenjimin e saj të arrijë një vlerësim normal nga ana e italianëve". Mes të tjerash, kjo është një dëshmi se si mund të ndryshojë gjykimi dhe vlerësimi dhe po ajo bashkësi, e quajtur "e ligë", "e keqe" mundet që me kohë dhe me përpjekje të bëhet një prani "mike". Po sipas Pitaut, faktet duhet të bëjnë që të lexohen në një optikë të ndryshme edhe pranitë rumune, apo të etnive të tjera. Më në fund, ishte tamam koha, do të shtonim!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora