E merkure, 04.12.2024, 06:15 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Xhelozia dhe rakia “kamzhiku” i 200 grave të rrahura nga burrat

E hene, 22.09.2008, 04:19 PM


Dhuna alarmante, 5 gra në ditë rrihen barbarisht edhe në sy të fëmijëve

Alma ÇUKA

Gra të dhunuara fizikisht dhe psikologjikisht. Por edhe burra në pak raste të keqtrajtuar nga gratë. Fëmijë që ndihen pa mbrojtje. Kjo është panorama e një dite në korridoret e gjykatës, konkretisht pranë zyrave të gjyqtareve që merren me çështjet familjare. Shumica e grave me fytyrë të nxirë dhe me lot në sy janë rrahur nga burrat sepse janë xhelozë dhe konsumojnë sasi të madhe alkooli. Por pavarësisht gjithë skenës që sheh dhe asaj çka përjetojnë, këto gra kanë gjetur një mbështetje. Çdokush që ka ndër mend të kryejë ndonjë vepër penale brenda familjes, duhet të marrë parasysh edhe pasojat. Kjo nuk vlen vetëm për burrat që rrahin gratë dhe dhunojnë jetën bashkëshortore duke e degjeneruar deri në ferr, por edhe për gratë. Janë në të njëjtin status, pavarësisht se raporti rëndon nga ana femërore. Që nga miratimi i ligjit për mbrojtjen e grave nga dhuna familjare dhe mbrojtjen e fëmijëve rastet e këtij lloji janë shtuar së tepërmi në gjykatë. Është për të ardhur keq kur sheh në korridoret e gjykatës gra të nxira tërësisht në fytyrë, fëmijë të braktisur dhe të rënduar nga ana psikologjike. Askush më shumë se ata që kanë në familje nuk e di se ç’do të thotë të jesh çdo ditë në terror dhe të jetosh me frikën se nga çasti në çast mund të humbasësh edhe jetën. Grave, por edhe burrave në ato pak raste që ndihen të dhunuar, u është hapur një dritare e re: gjykata tashmë ka krijuar grupin e gjyqtarëve që merren me çështjet familjare. Janë gjithsej gjashtë gjyqtarë, të cilat për çdo ditë shënojnë në procesverbalet e tyre raste të shumta të dhunimit të grave nga bashkëshortët e tyre.

Statistikat

Shifrat janë për të ardhur keq. Pothuajse çdo ditë gjykata regjistron nga një kërkesë për mbrojte të detyruar. Lëshimi i urdhrit të mbrojtjes për gratë e dhunuara bëhet nga gjykata, pasi më parë dëgjon pretendimet e gruas si dhe të bashkëshortit të saj. Por ka edhe raste kur në gjykatë paraqitet vetëm gruaja e dhunuar e jo bashkëshorti. Në këto raste i del për detyrë policisë të marr në mbrojtje bashkëshorten. Sipas të dhënave të marra në gjykatë, deri tani janë regjistruar 200 gra të dhunuara. Numri vazhdon të rritet, kur kemi parasysh faktin se për çdo ditë kemi nga 5 gra të dhunuara që paraqiten për të marrë urdhrin e mbrojtjes. Ky urdhër lëshohet deri në momentin kur gjykata të shprehet për divorcin e palëve. Në gjykatë jemi interesuar për të marrë të dhënat përkatëse dhe faktet pse ushtrohet dhunë ndaj grave dhe cili është pretendimi i secilës. Vetë gjyqtarët e kanë shumë të vështirë të shprehen për një gjë të tillë, duke deklaruar se para tyre gratë paraqiten me shenja dhune në fytyrë. Ajo që vlen për t’u përmendur është fakti se në gjykatë nuk paraqiten vetëm qytetarë të pashkolluar. Dhuna ekziston edhe tek ata persona që kanë përfunduar studimet e larta dhe kanë mbrojtur doktoraturë.

Përfshihet edhe vështirësia ekonomike

Alkooli dhe xhelozia, shkaqet e dhunës në familje

Janë nga më të ndryshmet. Mbizotëron ajo e konsumimit në sasi të mëdha të pijeve alkoolike. Shumë gra këtë arsye e renditin të parën, duke shtuar më tej edhe gjendjen e rënduar ekonomike dhe papunësinë. Sipas të dhënave të marra pranë gjykatës së Tiranës, bëhet e ditur se shkak tjetër që çon në ushtrimin e dhunës ndaj bashkëshortes dhe bashkëshortëve është edhe xhelozia. Gratë e dhunuara shprehen në gjykatë se kanë vite që ndihen nën terrorin e bashkëshortit. Ato janë të detyruara prej shumë kohësh të qëndrojnë në një strehë me ta vetëm për hatër të fëmijëve. Por edhe fëmijët nuk i kanë ndaluar burrat e dhunshëm të vazhdojnë rrugën e nisur. Ndërkohë me daljen e ligjit për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes gratë janë ndier më të lehtësuara.

Pendimi i burrave të dhunshëm para gjyqtarëve

Kur janë esëll, burrat kërkojnë ndjesë

Jo të gjitha rastet përfitojnë nga urdhri i mbrojtjes. Ka edhe raste që nuk merren parasysh pas fakteve të shtruara në gjykatë. Sipas gjykatës, ka edhe nëna të cilat, për të nxjerrë inatin e tyre me bashkëshortin dhe njerëzit e tij, u ndalojnë të shohin fëmijët dhe nuk i përgjigjen në jetën e përditshme familjare. Kjo sjell si rrjedhojë fillimin e dhunës brenda në familje. Disa prej burrave që ushtrojnë dhunë ndaj bashkëshorteve kur janë të dehur, para gjykatës kërkojnë ndjesë. Kjo e fundit e shqyrton rastin dhe në vendimin që nxjerr i vë kushte, të cilat patjetër duhet të merren parasysh dhe të mos përdhosen. Në rast se bashkëshorti do t’i shkelë kushtet, atëherë gjithçka e merr në dorë gjykata. Ndaj këtij bashkëshorti fillin edhe procedimi penal përveçse humbet të drejtën për të qenë bashkëshort dhe baba.

Urdhri i mbrojtjes lëshuar nga gjykata

Për të gjithë burrat që ushtrojnë dhunë fizike ndaj grave të tyre gjykata e ka shumë të lehtë të lëshojë urdhrin e mbrojtjes. Me vendim gjykate këta burra janë të detyruar të mos u afrohen grave të tyre për një periudhë 6-mujore ose më pak, në rast se gjykata e sheh të arsyeshme. Por ka edhe burra që dhunën e kanë sistematike dhe pengohen nga gjykata që t’i afrohen bashkëshortes apo fëmijëve. Për të mbikëqyrur këto gra të dhunuara i lihet policisë porosi nga gjykata.

Vendimi i gjyqtarëve për të mbrojtur gruan e rrahur sistematikisht

Vodollari në gjykatë: Ju lutem më mbroni nga burri

Vetëm pak ditë më parë gjykata e Tiranës lëshoi urdhrin e mbrojtjes për një grua të dhunuar nga bashkëshorti i saj. Ky është një rast mes shumë të tjerëve. Gruaja L. Vodollari u paraqit në gjykatë e tmerruar, me frikën se në rast kundërshtimi të një vendimi do të ishte sërish pre e dhunës së bashkëshortit të saj. Ajo tha se ka vite që dhunohet, por për hir të fëmijëve e ka bërë një sy qorr dhe ka duruar. Tashmë shprehet se “është mbushur kupa dhe nuk mban më”, prandaj do të kërkoj të divorcohet. Gjykata, pasi dëgjoi pretendimet e gruas së dhunuar, vendosi të pranojë kërkesën për mbrojtje. Në përfundim gjykata vendosi lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për paditësen L. Vodollari, duke caktuar masat mbrojtëse si më poshtë:

- Urdhërohet i padituri P. Vodollari të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepra dhune në familje ndaj bashkëshortes së tij L. Vodollari dhe fëmijëve të tij.

- Urdhërohet i padituri P. Vodollari të mos cenojë, ngacmojë, rrahë, kanosë ose të fyejë paditësen L.Vodollari dhe fëmijët e tij.

Masat e mësipërme fillojnë të zbatohen nga data 16.09.2008 deri më 16.12.2008. Shkelja e këtij vendimi përbën vepër penale sipas nenit 320 të Kodit Penal.

Një kopje e këtij vendimi i dërgohet komisariatit nr. 4 të policisë në Tiranë për komunikim dhe një kopje i dërgohet zyrës së shërbimeve sociale pranë komunës së Dajtit.

Kundër vendimit lejohet ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë brenda 15 ditëve duke filluar nga dita e nesërm e shpalljes.

U shpall në Tiranë m 16.09.2008, ora 11ë:25. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora