Mendime
Lekë Mrijaj: Intervistë me z. Gjergj Marku, publicist dhe drejtor i kulturës në Mirditë
E enjte, 27.06.2019, 07:44 PM
Intervistë ekskluzive me z. Gjergj Marku, publicist dhe drejtor i kulturës në Mirditë
Intervistoi
Lekë Mrijaj
Z. Gjergj Marku, është një ndër emrat e
dalluar të botës së gazetarisë sonë kombëtare, më konkret po e themi, se është
edhe një mik e koleg i yni shumë i mirë dhe çmuar, pasi shumë herë me moderimet
e prezantimet e tija gazetareske, jashtëzakonisht na ka mahnitur e frymëzuar
duke e përfaqësuar në mënyrë kronologjike dhe të shkelqyer, artin dhe kulturën
tonë mbarëkombëtare në zonën Mirditore, Shqipëri e Diasporë. Ai është edhe një
intelektual, kësaj radhe në bashkëbisedim e sipër me të, na tregon për
biografinë, rrugëtimin e tij të pergjithshëm, përgjegjësitë si dhe përkushtimin
e tij ndaj gazetarisë e kulturës sonë mbarëshqiptare.Për ta nderuar, respektuar
dhe shpërblyer në mënyrë modeste, mikun tim e doajenin e gazetarisë shqiptare
dhe drejtorin e kulturës së Mirditës, ditë më parë me të zhvilluam një
intervistë ekskluzive për gazetën prestigjioze ditore e kombëtare "BOTA
SOT".
Andaj pa humbur kohë intervistën në
fjalë të realizuar me z. Marku, mund ta ndiqni siç vijon:
-Pyetje: Z. Marku,
konsideroj që është me interes të veçantë për lexuesit e admiruesit mirditorë e
mbarëshqiptarë. Ju lutem a mund të na jepni një biografi tuajën personale?
-Përgjigje:
Biografia ime! Një mirditas i lindur në “zemrën historike” të Mirditës, fshatin
me emër shenjti, Shmri e Oroshit. Dhe ajo që është më e rëndësishme, i lindur
nga fundi i shtatorit, tash këtu e 60 vite pothuaj, si përshtatje e asaj që të
shënon horoskopi, një “peshore”, që në jetë është kujdesur fort ta peshojë
fjalën para se ta hedhë në publik.
Shkollimin e mora me shumë vështirësi
në një familje të varfër ku duhej të ushqeheshin shumë gojë fëmijësh, me plot
mungesa e andralla, por me dëshirën e mirë për t’u zhvilluar si ai vocrraku me
plot andrra, që një ditë do të zbriste nga Malet e Oroshit për në metropol aty
nga viti 1974. Nëse e keni parë filmin “Vajzat me Kordele të kuqe”, bash në atë
shkollë, në atë konvikt, në ato rrugica të “Tiranës antike”, jam shkolluar dhe
edukuar për katër vite për mësues të ciklit të ulët. Por aty mësova shumë nga
jeta kulturore, m’u hapën sytë për librin, për filmin, për teatrin, sportin,
operan apo baletin.Pak a shumë, sendërtim i një arketipi multifunksionsh, tipologji
kjo e kultivuar më pas gjatë viteve të jetës. E më pas për të vazhduar për
mësues fizike në Shkodër, krejt pa dëshirë, pasi doja letërsinë e ëndërrave të
mija, po ku të pyeste ai lloj sistemi për drejtimin tënd sipas talentit e
pasionit, por ama gjeta një Shkodër, që do më jepte shumë nga pikpamja kulturore
dhe qasjet hokatare e bejtore; e më pas për të vijuar fare pak kohë si mësues
në zonën e Selitës së Mirditës, ku dhe gjeta fatin e jetës sime me një
bashkëshorte si bekim nga Perendia; deri
sa do të aktivizohesha krejt rastësisht si masovik rinie në Rrëshen, dhe për
t’u angazhuar, po krejt rastësisht, si redaktor i të parës gazetë lokale, që
vinte në kohën e regjimit komunist në Mirditë.
Që nga ajo kohë jeta ime u mbështoll me
“lëkurën” e gazetarit, lajmësit. Për të vazhduar me vitet ’90-të, i tunduar në
mes gazetarisë, politikës dhe heshtjes, për fat jo dhe aq të mirë për disa vite
zgjodha këtë të fundit, duke bërë jo pak sakrifica për mbijetesë në një vend pa
shtet deri sa erdhi viti i mbrapshtë ’97-të, kur jo pak here, si shumë
shqiptarë të tjerë, e kam parë veten në “thep të pushkës”, pikërisht se më
duhej të lëvizja si hamall nga vendlindja udhëve që zotëroheshin nga bandat
kriminale, po për mbijetesë në një dyqan të vogël me të cilën mbaja familjen,
por dhe të vetmin botim në Mirditë, gazetën Mirdita, të punuar me kujdes të epërm
me një skuadër miqsh nga më të mirët e penës dhe letrave në Mirditë, gazetë që
disa herë mori çmime të para në rang kombëtar.
Tash 20 e ca vite, nuk i jam ndarë
gazetarisë, si asaj lokale dhe kombëtare; nuk mund të harroj shtegtimet e mija
nëpër Shqipërinë e Epërme si gazetar i Shekullit, gazetës më të madhe të
kohës me kronikën, reportazhin,
dossierin, analiza apo komente si dhe në televizione, duke nis me Tv Mirdita,
ku pos kronikës apo specialeve, janë disa emisione përmes të cilave u munduam
të mbledhim në “kuvendin mediatik” pothuaj gjithë Mirditën, intelektualë apo njerez
të thjeshtë, që kishin diçka të bukur e me mend për të thënë në publik, ashtu
si dhe intervistat me të gjithë krerët e shtetit nga Berisha, Nano, Meta,
Mejdani, Moisiu, Rama, Gjinushi etj apo Rugovën, ambasadorë amerikanë e të tjerë,
si dhe akademikë apo shkrimtarë të shumtë të vendit. Po ky pasion më udhëhoqi
për disa vite në tv rajonal në Lezhë M+, për të sjellë një model tjetër
gazetarie në Rajonin e Veriut, por dhe si një urë kulturore me Metropolin, ama,
ku gjithnjë në zemër të trajtimeve ishte “Malësori i dlirtë i Shqipnisë së
Epërme” me të tana gjanat që e shoqnojnë.
Është koha tjetër vite më pas, ku
ndërthuret dhe të qenit zyrtar në turizëm, ku dhe për herë të parë solla
projektin e Turizmit për Mirditën, të cilin shoh që është duke u zbatuar hap
pas hapi nëpër ato shina, që më ra t’i shtroja me miq të mij askokohe. Dhe
tashmë, prej afro 12 viteve, vazhdoj të drejtoj kulturën në bashkinë Mirditë,
dhe më thelbësisht Ansamblin Mirdita (Mjeshtër i Madh), duke sjellë disa risi
në rang kombetar. Ama, penën nuk e kam lënë, tashmë ma shumë në trajtën
elektronike përmes rrjeteve sociale, kryesisht, duke u munduar të jem një
qytetar sa ma i përgjegjshëm e shërbyes sa më aktiv.
-Pyetje: Ka dekada të
tëra që ju merreni me gazetari, prezantime, krijimtari etj., njëkohësisht edhe
me studime të ndryshme në fusha të tjera. Cili është këndi i juaj më i
preferuar apo më i dashur dhe cilat janë arritjet tuaja pozitive?
-Përgjigje: Po e
vërtetë, merrem me gazetari dhe kulturë si dhe në fushën e promocionit aktiv
duke açenuar publikisht një lloj modeli pozitiv, por jo me studime apo
krijimtari të mirëfilltë sepse nuk jam studiues dhe as poet apo romancier. Madje hera herës kam qenë një lloj
“frikacaku” për të përcaktuar veten, ku jam, në çfarë fushe, “jam në tokë apo
hava” me atë shkollimin tim laraman, deri sa e gjeta veten pak a shumë në një
pasthënie që mikja ime pedagoge Dr Erenestina Halili, më bëri për librin e parë
“Kryq e tërthor në Shqipëri të Epërme”, ku shënon tekstualisht: “E lind dheu patriotin apo
patrioti bashkëlind në të njëjten
ditë, e lind gazetari pasionin apo pasioni bën
gazetarin, qytetari ciceronin e
tokës së
tij apo dheu rrëfen vetiu në gojë
e shkrim...
Këto asosacione kam
njëmendësuar pas rreshtave të lexuar të
publicistikës së Gjergj Markut.
Shpaloset në gazetarinë
e tij, ngjizur me letërsi, i
gjithë dimensioni gjeografik
e historik, rishtar e real, njeriu në të mirë e të keq, shteti dhe
individi, gojëdhana e kronika, problemi dhe emocioni,
shpaloset Mirdita, dheu i të parëve të
mi dhe mijëra grimca të jetës sonë
shqiptare. Rubiku, Lura, Nënshejti, Shna Ndoj, Bulqiza, Burreli, Spaçi,
Puka, Tuzi (Vitoja), Prizreni, etj., janë
gjeografi e njohur për
një gazetar, por pasionanti e sjell si histori të jetuar, me background
e personazh, herë si reportazh
udhëtimi e herë si reportazh natyralist, një herë si
artikull problemor e tjetër herë
si skicë, gjithkund në penë është ai, por
kurrë si vetëqëllim. Rrëfimi i
tij, si stilistikë, priret drej vlerës, asaj që
nuk duhet humbur assesi...dhe i bën një nder të madh fëmijës tim, që
dëgjon dinastinë e
mrekullive të dheut të gjyshit e
mijëra lexuesve të tjerë. Sepse gazetaria dhe
çdo mjeshtëri tjetër, për mua
këtë ka alterego, të tregojë të vërtetën
siç është, bardhë e zi në kronikë, të ngrejë problemin bardhë e zi në artikullin problemor, të rrefejë në gojë të të
tjerëve vlerën, të bardhën, të zezën, në reportazh. Marku ia mbërrin…’.
Pastaj kam thënë me vete, përse nuk m’u
dha me u ba shkrimtar apo poet etj etj, pasi ndieja një lloj ngulshi në gjoks
kur mundohesha me ba ndonjë esse apo kur provoja me “dështim të suksesshëm” të
bëja një tregim, sërish në ndihmë më vjen shënimi i dr Erenestinës: “Gazetari
propozon një pamje të vetme dhe të përqëndruar,
ndërsa shkrimtari nën
zhguallin e të vërtetës, i mbush
me figurë letrare, duke u futur si padashur në qerthullin gazetar-shkrimtar. Raste të
tilla bashkëjetese kemi parë plot e plot, ndodh që
edhe Marku t’i marrë shoqërisë “hua” lëndën e parë, burimin që
prej andejmi të nxjerrë produktin mbushur
me detaj. Shkrimtari ka një qëllim,
një ide kur shkruan, gazetari, gjithashtu. Marku nuk i
ndan të vërtetat në dy gjysma, por
dy gjysmat e të vërtetat i
bashkon në një realitet, që shijohet
si rregull e parim (gazetari) dhe katarsis
e frymëzim (letërsi). Togëfjalëshi i Markut nuk
mban erë kafeje bari, mban djersë e pluhur minatori, rrëzëllin si paret në
qafen e nuses mirditore, thellon si
rrudhat e flokëbardhëve që takon rrugëve
me pluhur të krahinës së tij…. Ama, armën e përbashkët të letërsisë e gazetarisë,
ai nuk e hedh nëpër udhëkryqe:
Fjalën!...”.
Kjo është pak a shumë dhe përgjigja, e
ndërkohë media e shkruar dhe televizive, kanë qenë pasioni im që në vitet e
rinisë dhe e di se do jenë deri në frymën të fundit, sepse siç e kam thënë në
disa mediume, pasioni i gazetarit dhe rrëfimtarit publiçistik, duket se më ka lindur
që në barkun e nanës!...
-Pyetje: Në fushën e
krijimtarisë, ju së fundi, keni shkruar e botuar librin monografik dedikuar
deshmorit kosovar "Mirdita për Kolë Mirditën". A mund të na flisni
pakëz për librin dhe çfarë ngërtheni në këtë libër monografik?
-Përgjigje:Realisht,
gjatë këtyre viteve në kulturë, janë qindra e qindra aktivtete të mëdha,
promovime, nderime (pasi mbuloj dhe ceremonialin ne bashki), janë sa e sa
aktivitete të përmasave kombetare në turizëm apo në skenat kombëtare;
përvjetorë të figurave të mëdha në skenën e Rrëshenit si ato për Abat Docin,
Preng Bib Dodën, Musine Kokalarin etj etj, për realizimin e të cilave është
dashur mund i madh dhe një kalkulim i gjatë jo vetëm zyrtaresk, por shoqëruar
me elementë artistikë dhe përshkrime imazhive.
Kur e mendoj, shume prej tyre, vijnë e
humbin ditë më pas, pasi më besoni, se gjëja me kryesore nuk është shfaqja e
asaj dite, por “paskuintat”, që kanë shumë rëndësi. Mirëpo këto veprimtari
shijohen nga dhjetra, qindra apo mijëra njerëz në një ditë, po ditët e tjera!
Pak e nga pak ato dalin nga kujtesa. Ndaj ashtu si për monografinë për
Ansamblin Mirdita, që vinte fill pas nderimit me Mjeshtër i Madh në Presidencë,
e që i dedikova një libër monografik, të njëtën gjë mendova për veprimarinë
nderuese për Dëshmorin e Kombit Kolë Mirdita në bashkëpunim me vëllain e tij të
mire ish-ambasador, Vilsonin në Gjermani
si dhe mikun tim gjeneral Sandër Lleshi.
Qe bërë një punë e madhe bashkëpunuese
të faktorit studiues dhe intelektual të Klinës dhe Mirditës. Ajo ditë ka qenë e
bukur, mbase nga më të bukurat në bashkëpunimin kulturor Mirditë-Kosovë, me një racionalitet të mahnitshëm. E kam
spjeguar në parathënie të librit duke thënë se duhet ruajt gjëja e bukur në
kujtesë duke shënuar se “gjithmonë ka
një mënyrë që i shërben të tashmes, por dhe historisë. Dhe ky është LIBRI. Për
shkrimtarin e madh Jorge Luis Borges, ndër instrumentet e shumtë të njeriut, më
i mahnitshmi, padyshim mbetet libri.Borgesi këtë atribut të posaçëm për librin
e mbështet në një sërë arsyesh, e mbi të gjitha, për faktin se libri ka fuqinë
e shpirtit. Kësisoj u mendua që libri për Kolë Mirditën, të sillej pikërisht
përmes “fuqisë së shpirtit”, ashtu siç dhe ishte perceptuar, ndërtuar dhe
funksionalizuar veprimtaria nderuese dhe përkujtuese për Të m’u në zemër të
Mirditës. Ndaj këtë epje të çdokujt, që iu dha rasti me i fol dy fjalë zemre,
do e gjeni të shkruar këtu në këtë libër të thjeshtë e modest, por tejet
domethënës për ne dhe brezat që do të vijnë. Do gjeni këtu anën protokollare të
ceremonialit të dorëzimit të Stemës së Artë nga kryebashkiaku i Mirditës Ndrec
Dedaj për familjen e Dëshmorit dhe fjalimet përshëndetëse larg zyrtarizmit
klasik; ashtu si dhe përshëndetjet nga personalitete në Shqipëri, Kosovë apo në
Gjermani e Amerikë, ashtu sikundër edhe rrëfime të bashkëluftarëve të
Trimit. Për të vazhduar me essetë
stilistike të një profesionaliteti të lartë, që sjellin emocion dhe bukuri
shprehjeje, pasi dhe vetë dëshmori 22 vjeçar, i tillë ishte, një djalë që
jetonte me të bukurën dhe për të bukurën deri sa dha dhe jetën për liri përmes
një ëndërre të bukur që ua la amanet brezave. Do gjeni edhe kronikën, edhe
reportazhin, përmes të cilëve stampohet koha dhe metodologjia e një
organizimi. Ana tjetër që e zbukuron
këtë libër janë dhe fotot, që e shoqërojnë cdo “minikapitull”, foto që flasin
shumë më tepër se njëmijë fjalë, pasi e japin emocionin përmes gjendjeve
njerëzore dhe ngjyrave të ndezura të një mbrëmje të paharruar në Mirditë…”.
Ja, ky është libri ku dhe ju i nderuar
Lekë keni kontributin tuaj të vyer me një kronikë-reportazh të saktë dhe elegant.
-Pyetje: Deshmorit
mirditor Kol? Mirditës, vitin e kaluar i është ndarë çmimi "Stema e Artë”
nga kryetar i Bashkisë së Mirditës. Çfarë mund të na thoni, si është pritur ky
çmim nga familja e deshmorit e mirditorët klinas të zonës së Lugut të Drinit -
Dukagjinit?
-Pergjigje: Në pamje
të parë duket si një fokusim tek një emër dëshmori, siç është dëshmori unik me rrënjë
Mirdite, djaloshi 22 vjeçar Kol Ndrecë Mirdita, por e vërteta lidhet me diçka
akoma më të madhe, ishte rasti për të nderuar Kolën dhe gjithë shokët e Kolës,
gjithë ato djem Mirdite, që i kanë rrënjët në këtë truall të bekuar, që dhanë
jetën në luftë për Çlirimin e Kosovës martire, në njëfarë mënyre si bashki, si
faktor intelektual, po nderonim me një gjest të tillë, pikërisht, LUFTËN e
Kosovës dhe gjithë Çlirimtarët! Nuk ka më bukur se të mbledhësh bashkë heronjtë
dhe sakrificat e tyre sublime, pa i nënkuptuar e marrë kurrë të ndarë. Të ndarë
ndër veti, për fat të keq kemi politikën e shumë gjana të tjera. Ama, gjakun e
dëshmorëve, e kemi të përbashkët, dhe duhet ta nderojmë e respektojmë fort si
këndej dhe andej kufirit.
Si është pritur ky nderim, nuk di ç’të
them më parë, ju e keni përjetuar vetë, por ama nuk mund të harroj një moment
kur ishim për një aktivitet në Klinë për Vitin e Skënderbeut, dhe ku qe dhe
babai i dëshmorit të Kombit, plaku i urtë Ndrecë Mirdita. Më mbante mend, dhe
di që m’u afrua para se të hynim në sallë, zgjati krahat dhe më mbështolli duke
më pëshpëritur me zë të ultë afër veshit: qofshi bekuar, ma ngjallët tim bir!
Dridhej si purtekë dhe nuk më lëshonte, i pashë lot në sy, lot që nuk i kishte
nxjerrë edhe kur pat marrë lajmin e vrasjes të të birit.
Ja ky është çmimi, kjo është pritja e
bërë!
-Pyetje: Ju në
Rrëshen e keni moderuar shkëlqyeshëm Akademinë
Përkujtimore për deshmorin Kolë Mirdita. Si jeni ndjerë emocionalisht
gjatë Akademisë dhe si mbarëvajti ecuria e atij eventi madhor?
-Përgjigje:I kam
përshkruar emocionet dhe në libër përmes reportazhit në paskuintë. Jam mësuar
me skenën prej dekadash dhe më ka rënë të moderoj si në skena e media duke pas
përballë qindra e mijëra njerëz, por ajo ditë ka qenë më e vështira, por
natyrisht më e bukura.
Pati një shi të rrëmbyeshëm deri dy orë para se të fillonte aktiviteti.
Pati dhe një ndeshje të rëndësishme të Botërorit. Nuk fjeta gjumë gjitha natës
dhe thashë me vete dështuam, na duhej me u fut në sallë, çka do ia zbehte atë
bukuri që mori aty në shesh. Për çudi koha ndryshoi për mirëdy orë para se të
fillonte aktiviteti në shesh, si duket Perendia i kishte rezervuar fill pas një
tufani ato rreze të arta dielli për birin e Kombit dhe bijtë e Lirisë, e nga
ana tjetër publiku i shumtë qytetas, në mes futbollit dhe këtij nderimi,
zgjodhi këtë të dytin. Gjë e rrallë kjo, sidomos kur ke të bësh me ndeshje të
madhe futbolli.Sheshi u mbush me qytetarë të ardh nga anë e anës si kurrë më
parë.
Nuk di kë të falenderojmë më parë, që
nga kumtuesit, që iu përmbajtën ekstratimit, familjen që e mbajti emocionin
ashtu në heshtjen e tyre epike, artistëve të mrekullueshëm vendas dhe nga mbarëshqiptaria,
qytetarëvë aq dëgjues e të vëmëndshëm; drejtuesve vendorë apo të ftuar si
deputetë, ish presidenti i Kosovës, ambasadorë e deri ushtarakë amerikanë. M’u duk
se gjithë ajo mizëri njerëzish e kishte bërë me fjalë për të qenë në një mendje
dhe të njëjtën “gjatësi vale” për mënyrën sesi do kalonte ajo Ditë Kosove, Ditë
Mirdite, Ditë e bukur Shqipnie në zemër të Mirditës sonë të dashur. Ia arritëm
bashkarisht!
-Pyetje: Në fushën
publiçistike, gazetareske, prezantuese dhe studimore kontributi juaj është në
një efekt shumëdimensional, funksional e pozitiv, pra a mund të na thoni se
cili është ai motiv kryesor që ju ka shtyer apo nxitur t’i qaseni këtyre
fushave të permendura me lart dhe të nxjerrni vlera të mirëfillta, të cilat do t’u rezistojnë shekujve?
-Pergjigje: Nuk bëj
pjesë tek ata që punon për të arshivuar veten, e as për qenë “i përmenduri
i shekujve”! Absolutisht, kam punuar e
punoi çdo ditë për të sjellë një gjë të mirë në fushën publiçistike, kulturore
apo sociale, mundohem të ndikoj sadopak për mire në vendlindjen time e më
tej.Kam qenë dikur gazetar shumë kritik, mbuloja dhe kronikën. Por dhe kritikën
jam munduar ta bëj me ndershmëri të plotë e të balancuar dhe jo si qëllim në
vetvete. Kam dashur, pse jo, të jem ai Lajmësi i kohëve të hershme; edhe
“Lajmësi i Kanunit”, por dhe i kohës së Pulitzer apo Heminguey-it e deri në
kohët moderne, gjithnjë me moton për të qenë “syri dhe veshi i publikut”. Këtë
jam munduar ta bëj nëpër gazeta apo televizone për vite e vite.
Natyrisht, duke kaluar vitet, ai “hovi
djaloshar” vjen e bie sadopak, dhe pastaj bëhesh më reflektiv.Ka disa vite,
sidomos me gazetarine online, që e kam menduar pak më ndryshe, të vë si
objektiv vetëm pozitivitetin.Sepse në një media të sotme ndër shqiptarë, që
gjithçka e nxin e bën sterrë të zezë, njerëzit kanë nevojë për pozitivitet, për
një dritë shprese.Shpesh e them, po punoj me idenë për të mos vënë “xhurdinë e
zezë” në kokë si ato gratë e moçme apo gjamtarët e Malsive, por të sjellë
modele, shembuj të mirë që të mund të udhëheqin gjeneratën e re, për të cilën
kam shumë besim se do e bëjnë një Mirditë ndryshe, një Kosovë ndryshe dhe një
Shqipni ndryshe. Shumica e pëlqejne fort këtë udhë të zgjedhur në profesionin e
lajmësit, ka të tjerë që e quajnë konformizëm!...
-Pyetje: Z.Marku, ju jeni edhe drejtor i Pallatit të
Kulturës në Rrëshën, a mund të na thoni se sa është e veshtirë të menaxhoni
këtë dikaster kulturor, dhe sa e keni mbeshtetjën e pushtetit lokal?
-Përgjigje: Ka dy
mënyra për të menaxhuar; e para të jesh puthador i politikës, servil dhe vemie,
që veç don t’i rrëmbesh benificet e pamerituara karrikes me kësi menyrash
obskurante, dhe mënyra tjetër, të jesh gjithnjë në lëvizje, së pari me
fantazinë krijuese, të jesh aty ku duhet në momentin dhe kohën e duhur si
shërbëtor i veçantë i komunitetit, që lufton fort për të kultivuar shije të
larta estetike dhe artistike ndaj tij.
Nganjëherë thuhet “hë mo kultura
kulturë është, vrima e fundit e kavallit”, ku as shteti nuk kujtohet dhe as ti
vetë nuk lëviz. E në fakt, ajo që e dallon një popull nga një tjetër është
kultura që bart, kultura që transmeton dhe ballafaqohet me botën në këtë
diversitet të llahtarshëm të kohëve të sotme.
Qëkur vura hapin e parë në këtë
institucion mendova të bëj diçka krejt ndryshe, duke angazhuar bashkëpunëtorë
gjithandej dhe sidomos në emigracion; pak e përditë bëmë një institucion
kulturor model, veprimtaria e të cilit është publikuar në disa kanale
televizive prestigjoze brenda dhe jashtë vendit.
Sëbashku me ekipin, amatorët e shumtë
dhe bashkëpunëtorët,na është dashur të luftojmë fort në dy aspekte, atë
infrastrukturore dhe veprimtaritë, duke ecur krahas. Nuk ështe e lehtë
padyshim, kur në shumicën e viteve buxheti për kulturën të shënon shifrën
absurde, ZERO! Por qasja për ta kthyer institucionin në “shtëpinë e artistëve”
si dhe një qendër të vizitueshme për vizitorët vendas dhe të huaj ka qene më e
fortë se neglizhimi zyrtar, ndaj solli atë që donim e projektuam në kokë prej
kohësh. Me foto të vjetra të arreduara gjithandej, me ndriçimin dhe
videprojeksionin modern dhixhital apo përmirësimin e asetit sanitarë, me Muzeun
etnografik të Ansamblit e me rradhë, kemi bërë që pothuaj përditë të kemi
vizita, orë mësimi apo trajnime deri me specialistë të UNESKO-s për
trashëgiminë kulturore jomateriale.
Nga ana tjetër, institucionin, jo si
llaç e tulla, por si filozofi, si mënyrë të vepruari, e kemi nxjerrë dhe në
terren, kudo ku ka Mirditë, e kemi çuar nëpër kulla përmes ritualeve të vjetra
të dasmave mirditase si një asset i lakmueshëm turistik apo me shfaqje të
shumta kudo në skena kombëtare apo talk-show televizive.
Fakti i të qenit gazetar dhe promovues
si dhe marrja me turizmin disa vite, më kanë ndihmuar që ky thesar i çmuar
etnokulturor i Mirditës, të bëhej i ditur për shqiptarët, qoftë përmes mediave
të mëdha, si dhe navigimit në internet, përmes rrjeteve sociale. Ama, ka diçka,
nëse kemi berë diçka, e kemi bërë krejt pertej fasadës, siç nuk ngjet në shumë
fusha të tjera në këtë vend.
Mund të përmendja dhjetra e qindra
veprimtari në gjitha skenat kombëtare, në media, në rajone të ndryshme të
vendit apo jashtë vendit, kudo ku kemi shkuar Ansambli Mirdita (Mjeshtër i
Madh) dhe kultura e Mirditës pritet si në zenith.Kjo gjë, natyrisht, si drejtues
të shton përgjegjësi të paimagjinueshme. Nuk jam tip që rri e “notoj në
kenetë”, mendja ime pulson, edhe për ta shpik gjënë kur dhe ajo nuk ekziston;
ndaj i jap rëndësi dhe një koncerti fëmijësh, një feste të kopshtit, një feste
abetareje e me radhë, për t’i bërë pjesë të përbashkët të qyetit, që qyteti dhe
vendlindja të jetojë me këto impulsime pozitive.
-Pyetje: Si janë
marrëdhëniet tuaja me gazetarët në trojët shqiptare e mergatë?
-Përgjigje: Kemi pas
e kemi mardhënie perfekte. Kur bëja gazetën Mirdita me miqte e mij, asokohe kur
nuk ekzistonin rrjetet sociale, dy mirditas bënë web-e të Mirditës, njëri në
Kanada dhe tjetri në Tiranë, aty postohej dhe gazeta Mirdita dhe shpërndahej
kudo kishte mirditas apo shqiptarë nëpër botë. U afruan dhjetra gazetarë nga
Mërgata, që sillnin shkrime e studime të bukura.
Këtë gjë e vazhdojmë edhe sot, me
bashkëpunimet fantastike me ju, vëllezër të penës në Kosovë, në Mali i zi,
Maqedoni apo vende të ndryshme të botës.Sa herë këshillohem, dhe natyrisht marr
dhe vërejtje për t’u përmirësuar. Por dhe diçka tjetër përfituese, stilistika
dhe linguistika, e kemi më të pasur, dhe duke bashkëpunuar e bëjmë akoma më të
pasur.
-Pyetje: Ka shumë
natyra të sojit që e bëni edhe ju, si e përballoni atë që quhet konkurencë gazetareske?
-Përgjigje: Kam
punuar për vite vetëm si gazetar, e natyrisht ishte e pranishme edhe
konkurenca. Por kurrë nuk e kam parë këtë gjë, si konkurencë për të “asgjësuar”
tjetrin, fusha është shumë e gjërë, ka vend për këdo, sidomos për
profesionistin. Konkurencë me të paaftët dhe mediokrit për fat, nuk e kam
quajt, apo aq më tepër t’i kushtoj vëmendje.
Tani këto kohë, unë jam dhe zyrtar i
kulturës, që bashkëndaj gjërat në mes dy fushave. Kam shkruar diçka tek libri
im i parë “zyrtar jo uniform në provincë”. Është vërtetë goxha e vështirë,
sepse në vend të të kuptojnë, ka raste kur të marrin si shërbëtor, si “numëror
elektoral” dhe vetëm kaq.
E kam thënë dhe vazhdoj ta them, kurrë
nuk do kisha përfunduar në zyra të shtetit me atë epje të fortë që kisha për
gazetarinë, por na la gazetaria në udhë të madhe. Media dhe shtypi u muar nga
duar të gabuara, diskriminuese dhe maltrajtuese për gazetarët e pasionit dhe të
vërtetë, idealistë dhe të pashitur për asgjë dhe për askënd.
Natyrisht, shërbyesit e etshëm dhe
dinakë përfituan, si puthadorë rotacionalë të politikës apo pronarëve, sot janë
ndër më të pasurit në vend, dhe e bëjnë gazetarinë sipas porosisë së Mëkambësit
të rradhës. Kjo e ka çeduar keq misionin e informimit, e ka denatyruar median,
dhe zor të thuash kush është gazetari i vërtetë e kush jo!
Kjo çoroditje, pak a shumë, nuk ka si
mos të ekzistojë edhe tek unë, “hëm gazetar e hëm zyrtar”! Natyrisht, karakteri
im ndër vite, për fat më kuadron të pashitshëm dhe aspak lake apo shërbëtor i
rëndomtë ndaj askujt, ama lirinë si gazetar i mirëfilltë, dua nuk dua, ma ka
rrudh. Ky është fati. Tashmë nuk kam çfarë të përmirësoj më tej sepse është, më
së pari, çedim i sistemit funksional demokratik edhe në fushën e medias.
Ndaj, për të qenë sadopak në paqe me
veten, kam gjet udhën e promovimit në vend të deklamimeve apo karshillëqeve
ndaj këtij apo atij, dmth pak a shumë, është një lloj ekuidistance e
kujdesëshme me politiken dhe pushtetin, por ama për të qenë sa më pozitiv dhe
në anën e publikut për aq sa më lejon ky pozicion aktual.
-Pyetje: Gjatë punës
ka shumë xhelozi në mes kolegësh, besoj edhe ju nuk i shmangeni dot kësaj. Si i
menaxhoni këto fenome negative?
-Pergjigje: Ka
xhelozi, por dhe varet si e trajton. Personalisht kurrë nuk kam xhelozuar për
kolegët. Por, natyrisht, secili duhet me
dit sëbrendshmi vetes sa është! Pak a shumë, e di se ku jam, dhe di ta them pa
ndrojtje dhe asnjë shenjë hipokrizie, se ky koleg apo tjetri është shumë më i mirë se unë në produktin e
tij, ndaj dhe mundohem të mësoj, të konsultohem e të bashkëpunoj, ama dhe të
bëj filtrin e duhur. Edhe në kulturë po të njëjtën gjë.
Si gjithë dynjaja kam dhe unë
“kundërshtarët” e mij, edhe xhelozues ekselent, deri dhe ndonjë “kundërshtar
patetik”, që nuk kanë lënë gjë pa bërë ndaj meje dhe produktit tim për ta
sikterosur në skutat e heshtjes dhe anashkalimit, për të më zhdukur nga skena,
nga ekrani, nga jeta publike apo historia arkivore, ndërkohë që gjithnjë kam
bërë të kundërtën për ta si e si t’uofroj bashkëpunime të sinqerta, e
megjithatë më besoni, jo vetëm që nuk i urrej, por më dhimbsen për këtë lloj
sëmundje, që pa e kuptuar vjen e të kthehet në cen, në ves, në zakon të
përjetshëm, ndaj kur kanë produkte të mira, unë i promovoj edhe këtu në
account-in tim.
Kam parasyshë një intervistë të bërë me
nanë Dilën këtu e ca vite, një grua asht fortë, por sa një grusht që kishte kap
vitin e 115-të të jetës. Ndër të tjera e pyes: nanë Dila, ti ke kalu jetë të
vështirë, më fëmijë jetim, ma shumë pa bukë se me bukë, si ka mundësi që ke
jetuar në 3 shekuj kaq gjatë, cili asht
sekreti?! E di si mu përgjigj: dëgjo
bir, e sheh atë kishën atje, qëkur jam ba me mend, kam dal në dritare tre herë
në ditë dhe kam thanë uratë e lutje, biles edhe në kohën e keqe të komunizmit,
dhe gjaja tjetër, kurrë nuk kam pas resë (zili) për askan. Shihja shoqet e mija
qe kishin shpi e katandi ma të mirë, ara e bashtena ma të pasuna, fëmijë ma të
veshur e me rradhë, por vetëm kënaqesha me shpirt për atë që ato kishin. E mua,
me sa shoh, Zoti ma ka dhan jetën e gjatë, jo prej të pasunit, por prej të
dashunit të tjetrit..”.
-Pyetje: Para pak
ditësh ju morët pjesë në Rishugurimin e Katedrales " Zonja
Ndihmëtare" në Prizren, e cila u Rishugurua nga Kardinali Pietro Parolin,
Sekretar i Shtetit të Vatikanit. Çfarë ndjenje kishit ju se besimtar i
devotshem e gazetar dhe si mund të na pershkruani kët? event madhor ?
-Përgjigje: Nuk
është se bëj pjesë tek besimtarët e përkorë, sepse realiteti i brezit tim
përkon me dy etapa. Shpesh herë e kam menduar kërkimin e qetësisë tek
devotshmëria ndaj kishës, por sërish kam mbet në këtë cak ku jam në këtë
raport, e dua fort kishën dhe besimin tim edhe pse evidentohem me prirje pak më
kozmopolite. Nana ime urtake, ajo ma ka blatuar besimin në Zot qëkur isha
fëmijë dhe kur nuk lejohej shkuarja në kishë, më ka rrëfyer sesi më ka mbart me
kilometra në djep për të më çuar tinzash tek Kisha e Rubikut ku dhe kam marrë
bekimet kishtare në muzg. Nuk di pse, por kisha e Prizrenit, atë kohë po më
kujtonte ma fort. Ndaj dhe kur na ftuan dhe unë do përfaqësoja Unionin Mirdita,
u ndieva me të vërtetë shumë mirë.
Kam qenë disa herë në Prizren dhe me
aktivitete, dhe kam parë e prek nga afër multikulturizmin e këtij vendi, por
nganjëherë dhe me pak mëdyshje, nuk po e çoj fjalën deri në trishtim; ishte
vetëm një grusht i vogël njerëzish të përkushtuar ndaj kishës.Prizreni asht
qytet me histori shume të vjetër, por ama dhe me ipeshkvi të vjetër që nga
ipeshkvi i parë i vitit 485, Paulus ose Pali. Dokumentet, siç na thotë Dom Lush Gjergji, e vërtetojnë këtë si ipeshkvi në vazhdimësi
ishte qe nga viti 1020 në bullën e Bazilit të II deri në ditët tona. Kisha e
sotme, ndër më të vjetrat në Kosovë, që i ka përballuar stuhive të përndjekjeve
dhe të motit, e kohës turko-otomane është ndërtuar gjatë viteve 1865-1870. Kemi parasyshë se në vitin 1889 ishte hapur
shkolla e parë shqipe pranë Katedrales “Zoja Ndihmëtare” dhe disa vite më vonë,
saktësisht në vitin 1889, ishte hapur edhe shkolla shqipe për vajza. Aty kisha
dëgjuar se gjenden dhe disa thesare dhe i pashë me sy. Po ashtu kam dëgjuar se
bash në këtë kishë katedrale është pagëzuar
dhe edukuar babai i Nënës Tereze, Kolë Bojaxhiu në vitin 1873…”.
E gjitha kjo ishte një shtysë e madhe
për të qenë në këtë ditë të shënuar të rishugurimit të saj, me një meshë të
shenjtë nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, një nga vizitat më të larta të
kësaj natyre në Kosovë nga Vatikani.
E përjetova mrekullisht. Madje dom Shan
Zefi më bani pjesë të grupit të pritjes që tek sheshi Shatërvan, dhe rrugëve të
kalldrëmta ku natyrisht instikti i profesionit, më bëri që të mos e lëshoj
aparatin fotografik nga dora deri në hyrjen në katedrale. M’u duk se Prizreni
ma në fund po plotësonte vetveten me një pjesë të munguar sa i përket ashtit
shqiptar; flamujt shqiptarë dhe të Vatikanit valviteshin gjithandej. Dikund
ishte dhe një grup rock-u, lokalet e mbushura, një pajton me nuse, mirditas që
punonin në filigram në lokalet e tyre të traditës.Sa shumë Mirditë ndjeva atë
ditë. Ndjeva akoma më shumë kur dhuratat e caktuara për Sekretarin Parolin, do
jepeshin nga Hana, që kishte ardh nga Amerika për këtë ditë të shenjtë, me
rrobat e mirditores së bukur, siç kanë qenë të parët e saj në origjinë dhe ajo
e mban mbiemrin Mirdita. Mesha ishte një perfeksion, e kuruar me kujdes, fjala
e përshëndetjeve dhe gjithçka tjetër deri tek ritet e një meshe të tillë madhështore.
Ika vonë pasi po e ndaja këtë emocion
edhe me miqtë e mij Mikelin dhe Nduen aty në një kafe tek sheshi Shatërvan. Me
besimin se, ashtu siç e tha kryetari i komunës, “Prizreni asht mbase i vetmi
vend në botë që me një kundrajë fotografike mund të fokusosh xhaminë, dhe
kishat. Ndaj shpresoj dhe besoj se Kisha do të vazhdojë të bëhet akoma më shumë
pjese e fortë shpirtnore për Prizrenin multikulturor dhe shumëetnik…”.
-Pyetje: Falë
sukseseve tuaja në fushën gazetarisë dhe emrit tuaj keni bërë bujë
shumëdimensionale në botën shqiptare të gazetarisë. Ju lutem na thoni, si arrin
një gazetar të bëjë emër në gazetari, duhet patur talent apo puna është ajo
vendimtare?
-Përgjigje: Kam një
emër të caktuar në gazetari, vetëm kaq, koleg i dashur! Por qoftë dhe për kaq
emër, sa herë më bie fjala me të rinj në këtë fushë, ndonjëherë kam qenë i
ftuar në auditoret e fakulteteve për të dhënë eksperiencen time modeste, u kam
artikuluar këtë gjë studentëve: nëse nuk doni të bëheni kurrë gazetar, besojini
vetëm talentit!...Çfarë u duhet talenti pa shkuar tek burimi, tek ngjarja, po
nuk ia there në këmbë apo me mjete të tjera malit apo fushave, po nuk hyre tek
shtëpia e dikujt ku ka ndodh ngjarja, apo po nuk hyre natyrshëm e dije të
thella në zakonet e traditën e atij vendi, po nuk pyete, po nuk more
“rrëfime-bio”! Pikërisht, pasi të kesh shkuar atje, hyn në punë talenti për të
punuar me detajet e më pas me stilistikën përshkrimore.
Përqindjet më të madhe të punëve të
mija në gazetari i kam bërë në terren, dhe fare pak në zyrë apo para ekranit të
kompjuterit. Edhe sot, thjeshtë për një info në fb apo rrjete sociale, iki
menjëherë, marr çantën, aparatin fotografik dhe shkoi atje ku ndodh gjëja, sepse
terreni më pëlqen pa masë, aty frymezohem dhe baraspeshohem në atë çfarë
shkruaj e hedh në publik.
Dihet se në ditët e sotme, parësore
është bërë imazhi, fotoja dhe ka humb peshën specifike fjala. Mbase është një
“flamë” e momentit sepse duhet më u rikthy tek shprehja biblike: e para ishte
FJALA! Në rast se përdorim me kujdes fjalën dhe imazhin, atëhere jemi ata që i
duhen publikut. Por sërish po e rithem, më shumë e shumë më shumë punë se
talent, më shumë terren se zyrë, sepse terreni sa te jetë jeta do të vazhdojë
të mbesë “mbreti i gazetarisë”. Shihni si është bërë gazetaria e portaleve, me
copy-paste të lajmit gjithandej, dhe me tituj bombastikë, por pa kurrfarë
përmbajtje brenda shkrimit; një gazetari dembele dhe parazite dhe më e keqja,
në jo pak raste, e kthyer në puthadore
dhe gjobvënëse. Duket sikur edhe talenti edhe puna e vullnetshme, janë në
frymën e fundit. Kjo duhet të ndryshojë dhe shpresoj që herët a vonë do të
ndodhë.
-Pyetje: Zotëri
Marku, mund të na tërhiqni një paralele të kohës së ideologjisë së idhët
komuniste dhe asaj pluraliste të sotme? Sa ishte “i lirë” gazetari, studiuesi
të shprehte atë që ndjente në shpirt? A mund t’i shmangeshe kurtheve që
krijonte ajo ideologji e idhët, që ishte si një ideologji famkeqe e ekstreme,
ku gazetari, studiuesi, prezantuesi... privohej për motive ideologjike?
-Përgjigje: Bëj
pjesë tek ata që i kam jetuar të dy epokat, atë me liri të privuara dhe këtë të
sotmen me liri të rrudhura! Nganjëherë në duket sikur lundrojmë po në ato
ujëra.Duhet me qenë korrekt me historinë dhe i vërtetë me çfarë ka ndodh me ne
si shoqëri dhe si individë.Personalisht, kam qenë gjithnjë në gjendje të
dyzuara. Jam si dhe të tjerët “pjellë” e atij sistemi. Kam përjetuar edhe
dritën e pishës apo bishtukut, por me duart e mija kam ndezur çelësin e parë të
dritës elektrike në kullën time të varfër aty nga viti 1969.
Por diabolizmi më ka ndjek për vite e
dekada.Edhe unë si gjithë të tjerët, e kemi pas idhull Enver Hoxhën dhe kemi
menduar se është Njeriu-Perendi, edhe pse nuk la kishë e xhami pa shemb.
Idologjia e tij, fjala e tij, karizma populiste dhe pamja e tij, na u fut si
droga të forta në deje, e sot jo pak vetë, për fat të keq vazhdojnë nën atë
influencë!
Po çfarë pat ndodh me disa, posaçerisht
edhe me mua. Nga njëra anë mendoja se sistemi i tij po na shkollonte, na futi
në punë, etj etj, por nga ana tjetër, gjithnjë kam pas një frikë e ankth. Që
fëmijë, madje. Nëse prindi im, punëtor i thjeshtë nëntoke, i tejvarfër, ishte
komunist, por po nga oxhaku i shtëpisë, kisha të afërmit e mij, që u ishin
pushkatuar 4 djem azganë, pasi ishin pjesë e nacionalistëve në vitet e para të
Çlirimit, kësisoj për këtë arsye absurde, ne si familje nuk jepnim e mernim dot
me familjet e tyre edhe pse ishim njerëz të një gjaku. Përshembull, mbaj mend
nga vogëlia ime, kur familjet e tyre vinin nga një fshat i Kurbinit për morte,
pinin kafenë e ngushëllimit natën dhe iknin po në mes të natës! Unë thoja me
vete, përse ikin! Vetëm pasi u rrita, do kuptoja se ndarja klasore ishte fut në
çdo qelizë të familjes shqiptare, një palë me Enverin, pala tjetër të etiketuar
si armiqtë e sistemit, për të cilët u hapën qindra burgje e vende internimi të
llahtarshëm. M’u desh që në moshën 18 vjeçare ta kuptoja akoma më në thelb atë
sistem, kur për një vit punova stazhier në ish-burgun politik të Spaçit. Shkova
me idenë se po gjeja aty ata “armiqtë e tmershëm të Partisë e Popullit”, por në
fakt, e gjitha kishte qenë propagandë.Në ato hapsana të tmershme ishte
mbërthyer në tela e kampe pune çnjerëzore elita shqiptare, njerëz të shkolluar
krejt të pafajshëm. Pak si tinzash, por ama që aty kam filluar jo më dyshimet
për të, por ta urreja me shpirt atë
sistem.
Kështu më zunë vitet e shkollës së
lartë për fizikë, dhe më pas puna, me një lloj kujdesi, deri sa krejt për konçidence
dhe vullnet të mirë të disa shokëve të mij, u futa zyrtar rinie asokohe dhe më
pas gazetar e redaktor i parë në Mirditë. Ishte gazetë partiake, por mua më
vinin në mendje historitë e Spaçit.E njihja Mirditën gjithandej, gjendjen
skandaloze ekonomike, shihja çdo ditë rrënimin e ekonomisë e nga ana tjetër
falsitetin e propogandës. Jam munduar, për aq sa kisha mundësi, të shfrytëzoja
ndonjë të “çarë lirie”, për të ngrit probleme të thekura shoqërore në atë
gazetë partiake, të mos kursehem edhe ndaj zyrtarëve të lartë vendorë, në emër
të “parimit” natyrisht. Por unë,në të vërtetë, nuk e kisha me ta si emra, por
me atë sistem të rrënuar, që po e çonte popullin në “kockë e lëkurë” për mjete
të munguara jetese. Për fat janë vite të vona, pas 1987-s, pasi vite me parë
zor se do e kishim këtë lloj trimnie për të shkruajtur disa gjëra që gazetat
qëndrore nuk bëhej fjalë ta bënin. Do të sjell një shembull. Gazeta lokale e Krujës
ato vite, duke bërë kritika parimore për kooperativa, që nuk realizonin planet,
i kishte shënuar me statistikë, se aq kg qumësh u prodhuan në iks fshat e aq
djath në këtë tjetrin e me rradhë produktet e ndryshme. Ngjet që një nga
gazetarët e Le Mond në Francë, të kishte has në këto statistika dhe pasi redaksia
e atjeshme bën disa kalkulime të përafërta, nxjerrin pak a shumë se me sa gram
qumësht, mish, djath etj etj furnizohet një familje shqiptare në “sistemin e
lulëzuar” komunist në Shqipëri. Pra, me sa gram!...Madje me atë “parimin e
shkrepses” për disa ditë publikojnë këto të dhëna. Ky ishte diskretitimi më i
madh që i bëhej sistemit komunist shqiptar. Ndaj mbaj mend, që na vinin porosi
të dedikuara nga Lart, që të kishim kujdes me shifrat! Pra, ishin shifra, që
dashje pa dashje kishin dalë në mediat lokale dhe që përtej fasadës tregonin
fytyrën e vërtetë të regjimit.
Por, kur analizoj sot, nganjëherë them
me vete, pavarësisht mungesës së lirive gazetareske për shkak të vibrimit
ideologjik edhe në gazetat e mediat e kohës, duket sikur kemi pas më shumë
guxim asokohe se sa sot, për një arsye a tjetër, edhe pse jetojmë në liri!...Me
një fjalë, dua t’i përgjigjem “kurthit të ideologjisë”, që cekni me pyetjen
tuaj, sa e burgoste gazetarin apo shkrimtarin e kohës duke deduktuar sipas
këndvështrimit tim; ka patur që e kanë bërë propogandën e ekzagjeruarme
detyrim, të tjerë që e bënin me bindje, dhe të tjerë të unshëm në servilizmin
ndaj pushtetit të kohës, siç ngjiste më spiunët vullnetarë, që rrinin natën pas
dyerve të stacioneve policore dhe të sigurimit për të shqyer prê-në e radhës!
Ama edhe sot, e them me plot bindje se
jo pak nga gazetarët, që vijnë nga ajo kohë, e kanë shndërruar në recidiv
permanent të qenit shërbyes të përjetshëm të pushteteve! Ndaj, edhe pse nuk më
pëlqejnë ndonjëherë për dalldinë e tyre pa gjuhën e argumentit, por sërish,
duke marrë gjithnjë të keqen më të vogël, them se pak a shumë, gazetarinë e
lirë, po e bëjnë rrjetet sociale, apo siç mund të perceptohet “populli
reporter”. Përjashtoj këtu, kategorikisht, “spiunët e rrjetit”, me anonimatin e
pështirë si shpifës, gjobvënës dhe intidimues!
-Pyetje: E kemi parë
se në disa raste se ju trajtoni shumë tema studimore historike. Historia është
një pasion i juaji?
-Përgjigje:
Historinë e dua, por nuk jam historian dhe aq më tepër të merrem me tema
studimore. Më shumë mund të kem ndonjë kundrajë fluide në këtë aspekt, por ama
lexoj dhe bashkëpunoj me të gjithë studiuesit vendas, apo kushdo që shkruan për
Mirditën. Mundohem të jem sa më shumë i furnizuar me informacione, sepse kjo ma
bën më të lehtë punën promocionale, për të mos lëshuar siç thotë populli “dokra
hinit”, sikur Mirdita na qenka “kërthiza e Botës”, histori këto në formë
bejtesh, që më shumë i lëshojnë në eterin global të paditurit, sidomos në
fushën e gjanë të rrjeteve sociale, por po e rithem, Mirditës i ban mirë e
nder aq sa kontribute të vërteta ka në
historinë kombëtare dhe konstitucionin shpirtnor shqiptar, e që nuk janë të
pakta. Personalisht bëj pjesë tek arketipi racional!...
-Pyetje: Sa i keni
përcjellë dhe sa i percjellni zhvillimet e aktivitet gazetareske e letrare të
mirditorëve në krahinën shqiptare të Kosovës Dardane dhe ç'ndjenje keni për ato
vlera?
-Përgjigje: Ndjek me
shumë vëmendje studimet, veprat letrare, botimet apo çdo lloj aktiviteti të
mirditorëve në origjinë të hershme, që sot janë ura më e mirë lidhëse në mes
Mirditës sonë të dashur dhe Kosovës. Është një frymë bashkëpunimi fantastike
dhe me shume vlerë.Po hulumtohen ndërsjelltazi gjëra, që kishin mbet në
pluhurin e harresës me shekuj, një punë e mirë tashmë, që ka marrë udhë, qoftë
përmes librave, gazetave apo revistave, kumtimeve nëpër sesione apo konferenca
shkencore, mediume apo akademi përkujtimore etj.
Natyrisht, i rri idesë se, tashmë, ka
ik ai moment i entusiazmit folklorizant, si puna e “muajit të mjaltit”, ndaj na
duhen edhe më shumë racionalitet me thelb të pakundërshtueshëm shkencor, larg
frymës patetike në kundrimin e fakteve historike apo aq më keq në jo pak raste
të “çoka-ve” me njëri tjetrin!...
-Pyetje: Para se ta
mbyllim këtë dialog edhe diçka për preokupimet tuaja; çfarë pret opinioni e
lexuesi nga ju?
-Përgjigje: Është
një pyetje, që një personi si puna ime, i përfshirë në shumë gjëra njëherit, ia
bën kokën lëmsh. Kështu me sa duket jam gatuar, për të qenë nga pak e
gjithkund. Nuk është gjithaq e mirë kjo mënyrë të funksionuari, por me sa duket
tashmë më është kthyer ne tipologji jetese.
Sidoqoftë, duke qenë se i kam dhe ca
vite jetë aktive para se të marr “pasaportën e pensionistit”, them se së paku,
nuk do të jem ai, që kënaqet me “gjumin e ariut polar”, do vazhdoj të punoj e
prodhoj sidomos në publiçistikë, por dhe në kulturë e turizëm. Besoj një
produkt turistik i veçantë, herët a vonë, do dalë nga duart e mija. Qindra mijëra
fotografi në fototekën time dixhitale, nuk është se do ngelen për stoli
arshivore, por do i kalojnë publikut në mënyrë të vazhdueshme. Po ashtu mund
t’i rikthehem shënimeve “Kryq e tërthor në Shqipëri të Epermë”.
E në planin e organizimeve tashmë kam marrë
dhe një angazhim mbi vete si drejtor ekzekutiv i Unionit MIRDITA me një kast
kualitativ intelektualësh, që sëbashku me shumë miq të nderuar, mirditas të
shquar nga anë e anës, të sjellim një urë përbashkuese të vërtetë përtej
politikës dhe ndasive, siç ngjet rëndom në shoqërinë tonë. Pjesë e fortë e këtij organizimi natyrisht do
të jenë dhe mirditasit në origjinë të Lugut të Drinit apo në gjithë hapësirën e
Kosovës e më tej.
Për të tjerat këtu do jemi, do Zoti të
na mbajë në binarë sa i përket shëndetit dhe mendjes!
-Pyetje: Për mua si
mik i juaj si edhe për lexuesit tanë mbarshqiptarënë Shqipëri e diasporë, ishte
kënaqësi të ndajmë të tëra këto njohuri me Ju, vertetë ndiej kënaqësi edhe më
tepër sepse u pasurova me k?to të dhëna tuaja. Zoti ju bekoftë.E bekoftë punën,
jetën e veprimtarinë Tuaj gjithëperfshirëse, kulturore e kombëtare. Ju
faleminderit miku im i çmuar, z. Gjergj Marku
-Përgjigje:Ju falenderoj për pyetjet
dhe bisedën e kandshme, gjë për të cilën, përtej retorikës dhe fasadomanisë, kemi
shumë nevojë edhe si bashkëpunime korrekte profesionale.