Mendime
Alfred Papuçiu: Kujtimet e bukura për një botim mbresëlënës për Kosovën martire
E marte, 14.05.2019, 08:15 PM
Kujtimet
e bukura për një botim mbresëlënës për Kosovën martire
Nga
Alfred Papuçiu*
Sa
herë kaloj në Prishtinë, nëpërmjet linjës ajrore të EasyJet, për të shkuar në
Shqipëri përmallohem duke parë vëllezërit e mij nga Kosova që të mirëpresin
qysh në aeroport dhe marr aty një makinë për të kaluar drejt Tiranës, nëpërmjet
Prizrenit të bukur dhe viseve të tjera të Kosovës. Kujtoj ato ditë të dhimshme
që atyre u është dashur të luftojnë me përkushtim ndaj pushtuesit serb. Turmat
e pafund të dyndjeve të kosovarëve dhe shpërndarja e tyre nëpër botë, më
kujtojnë eksodet biblike të atyre kohërave të mugëta, veçse me përmasa shumë më
të mëdha. Në Prishtinë në një pallat 15 katësh paraqitej dikur në këmbë
Presidenti i Amerikës, Bill Klinton, duke përshëndetur me dorën e djathtë.
Eshtë vendosur në pjesën e sipërme të pallatit dhe zë për të gjati-poshtë tre
kate të fasadës pa dritare. Qëndron bukur. Dhe në fakt Kosova dhe kosovarët,
jetën e tyre të pas vitit 1999 ia dedikojnë vetëm atij, atë kohë President i
Amerikës. Pas Skënderbeut, në historinë e Kosovës, figura e Bill Klintonit,
mendoj se është e dyta për nga rëndësia. Se ishte Klintoni ai që e rrëzoi atë
përbindësh të quajtur Milosheviç nga froni dhe e dërgoi të gjykohet në Hagë, ku
gjykohen kriminelët e popujve. Për të ruajtur identitetin, kosovarëve u është
dashur të ngjitin sa më shumë emra shqiptarë, si : Vlora, Elbasan, Erzen,
Valon, Flamur, Arbër, Sarandë, Abetare, Shqipe e sa e sa të tjerë të
panumëruara. Për përpjekjet e tyre deri në ngadhjim, ndërmora punën e vështirë,
por të bukur, për përkthimin e librit me titull: «Konflikti i Kosovës, pasojat
për mjedisin dhe vendbanimet civile“. Ai erdhi para lexuesve, pas një pune të
gjatë studimore të stafit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, si
dhe të « Taks Force të përbashkët të UNEP/UNCHS për Ballkanin ». Ky vëllim, i
botuar me shije i cili për nga numri i faqeve është i vogël, rreth 100 faqe, në
krahasim me problemet e shumta që lindën pas konfliktit të Kosovës , nga
brëndia kap një gamë të tërë problemesh, të trajtuara me vërtetësi, si mesazh
për brezin e ri të Kosovës që nisi pas luftës rrugën e gjatë, të vështirë por
edhe të bukur të rimëkëmbjes së tokave ku kanë lindur, ku janë rritur dhe kanë
gjetur strehën e fundit paraardhësit e tyre.
Në
harmoni me vendimin e Këshillit Drejtues të UNEP-it dhe me rekomandimin e
vendosur të misionit të të gjithë organizmave ndërkombëtare, për vlerësimin e
nevojave humanitare që vizitoi ish RFS të Jugosllavisë, nën drejtimin e
Zëvëndës- Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Sergio Vierra de
Mello (të cilin e kam njohur personalisht, burrë i pashëm, fisnik, tepër i
zgjuar dhe komunikues kur diskutonim çiltër edhe për Kosovën dhe Shqipërinë,
dhe që fatkeqësisht u vra pabesisht në Bagdad të Irakut, ku drejtonte misionin
e Kombeve të Bashkuara), u krijua Task Force i Përbashkët për Ballkanin. Atij
iu ngarkua detyra që të bëjë një studim urgjent dhe të hollësishëm, lidhur me
pasojat e konfliktit mbi mjedisin dhe vendbanimet civile. Përveç zgjerimit të
krizës humanitare lindën shqetësime të mëdha, lidhur me pasojat e konfliktit
për mjedisin dhe vendbanimet civile. Për të gjetur një rrugëzgjidhje të këtyre
problemeve, Taks Force për Ballkanin mobilizoi një grup shkencëtarësh të
pavarur ndërkombëtarë që të punonin në Kosovë dhe në qendrat e goditura
industriale, në Serbi. Grupe të ngjashme vizituan burime të ndotjes gjatë lumit
Danub, si dhe objektiva në parqet kombëtare dhe në zonat e mbrojtura. Pas
përfundimit të misionit të tyre, grupi ju vu punës për të hartuar raportin
përfundimtar. Prej këtij raporti u paraqitën konkluzionet e Task Force për
Ballkanin të cilat m’u besuan për t’i dhënë edhe në gjuhën shqipe. Ndër të
tjera, në parathënien e librit, Klaus Töpfer, Zëvëndës Sekretar i Përgjithshëm
i Kombeve të Bashkuara dhe drejtor ekzekutiv i Programit të Kombeve të
Bashkuara për Mjedisin, shprehet : » Unë jam i bindur se një studim i tillë
asnjanës, objektiv dhe shkencor, i gjendjes së vërtetë në terren është
thelbësor në situatën pas konfliktit. Ky është një burim shumë i domosdoshëm
dhe i sigurt informacioni, për popujt që janë prekur nga lufta. Ky është
gjithashtu një mjet pune për bashkësinë ndërkombëtare, si një pjesë e pandarë e
studimit të nevojave në të gjitha përpjekjet e ngutshme humanitare, nëpër zonat
e shkatërruara nga lufta ».
Cdonjeri
prej bashkëatdhetarëve të mij patriotë dhe të ndershëm do ta kishte pranuar me
dëshirë detyrën e vështirë por të bukur të dhënies në gjuhën shqipe të këtij
botimi tepër domethënës, publicitar, me shije të hollë e me argumenta bindëse,
të radhitur me kujdes. Më shtynë ta pranoj këtë punë voluminoze edhe vëllezërit
e mij nga Kosova, viset, Maqedonia dhe Mali i Zi, edhe këtu në Diasporë, me të
cilët kam ndarë çdo ditë gëzimet, por edhe problemet e tyre që lidhen me
traumatizmin e luftës së pabesë prej pushtuesve grabitqarë serbomëdhenj.
Sidomos kur lexova për herë të pare, lidhur me vatrat e rrezikshme për
mjedisin, të zbulluara në katër qytete dhe zona të banuara në Kosovë. Kur me
fakte theksohej se forcat e armatosura serbe në Kosovë zbrazën dhe shkatërruan
shumë qytete dhe fshatra. Dëmtimi i lagjeve të banuara, i infrastrukturës, i
pajisjeve të pastrimit të ujit të pijshëm dhe i sistemit të hedhurinave, ishte
më se i dukshëm. « Kur shqiptarët e Kosovës u detyruan të braktisin shtëpitë e
tyre, dhe u vendosën përkohësisht në Shqipëri apo gjetiu në botë, shumica e
dokumentave që vërtetonin pronësinë ligjore të tokës dhe pasuritë humbën dhe u
morën me forcë, gjë që vështirësoi kthimin e refugjatëve, në krahinat e tyre të
banimit », shkruan me vërtetësi në libër zoti Pekka Haavisto, Kryetar i Task
Forcës së Përbashkët të UNEP/UNCHS për Ballkanin, ish-ministër finlandez i
Mjedisit dhe Zhvillimit. Në libër theksohet se” shqiptarët etnikë largohen ose
dëbohen nga Kosova dhe fillojnë të vërshojnë për në Shqipëri dhe në Republikën
jugosllave të Maqedonisë, duke nisur krizën e refugjatëve. Numri I refugjatëve
që janë larguar nga Kosova tek vendet fqinje, i është afruar 400 000-shit.
Përhapen dyshime se refugjatët etnikë shqiptarë janë kthyer në mburoja
njerëzore, përderisa RFJ mbyll kufijtë e saj. Në bazë të vlerësimeve të bëra në
Kosovë janë dëmtuar 120 000 banesa. Vlerësohet se më tepër se 40 000 banesa
janë të pariparueshme dhe kanë nevojë për riparim të plotë”.
Për
të marrë përsipër nxjerjen e botimit « Konfikti i Kosovës, pasojat për mjedisin
dhe vendbanimet civile », më shtyu edhe ai miku im, i cili më shkruante në një
mesazh që më mallëngjeu shumë : « Shkuam me makinë në Kosovë. Shqiptarët në
UMNIK kanë një traditë prej disa vitesh dhe organizojnë shumë bukur festën
kombëtare atje. U kënaqëm me të vërtetë. Aty pashë numrin e stërmadh të
flamurëve kombëtarë, sa nuk kisha parë ndonjëherë. M’u kujtua shkrimi yt i
bukur “Dita që na e bëri botën atdhé”. Fola për ty dhe me një miken time që
punon në Kombet e Bashkuara dhe i thashë të komunikojë me ty lidhur me shkrimin
tënd për OKB-në, mbasi asaj i intereson shumë kjo temë. Ishim sëbashku në
Prishtinë”. Më shtyu edhe ai i riu shqiptar, diku në atë Zvicrën gjermane që më
shkruante : “Është kënaqësi e veçantë të lexosh artikujt e tu, pasi për
mendimin tim, janë të pasur. Ju operoni mjeshtërisht me detajin gjë që nuk
është e lehtë të arrihet gjithmonë. Me Bujarin kam hyrë në kontakt dhe të
falenderoj për ndihmën. Përsa i përket gazetës , unë jam i interesuar që të
shkruaj here pas here për tema të ndryshme. Dua të të sqaroj që ajo që unë kam
realizuar këtu nuk është librari por një pavion me libra shqip në bibliotekën e
qytetit. Deri tani kam dorëzuar rreth 200 tituj dhe jam në kërkim vazhdimisht.
Kështu që jeni i mirëpritur dhe jam kurioz edhe për librat tuaj të rinj”. Së shpejti
mund të përurojmë “Shtëpinë e librit shqip” dhe jeni i mirëpritur të
vini...Ndërsa një mik tjetër, diku larg meje më shkruante: “Ti e di përrallën e
dhelprës me rrushin, përse e shau dhe e përbuzi ajo! Ky është edhe problemi yt
dhe i imi me atë “qoftëlargun” kalimtar këtu në diasporë. Unë jam bërë imun
tani dhe nuk më bën përshtypje cmira e xhelozia që mund të ketë ndonjë i paaftë
ndaj nesh, ndaj shkrimeve që ti shkruan apo ndaj asaj që përgatis unë në artin
që ushtroj, pasi epoka e tyre tashmë është larg. Urimet më të mira dhe ditë më
të mira për bijtë e denjë të Shqipes !” Një mik nga Shqipëria më shkruante: “Më
fal se nuk të kam shkruar për një kohë,pasi Interneti këtu ka patur një fare
difekti dhe vetëm sot munda të të shkruaj. Mua më duket se që kur shkoja tek
“Balzaku” dhe Gjeneva po më duket larg. Mbaruan negociatat pres mos organizohet
ndonjë seminar...Më bëhet qefi që vazhdon të shkruash, sepse e di që ti e ke
patur gjithmonë pasion. Si publicist i vjetër më pëlqen shumë që jep mesazhe
edhe për ne këtej. Megjithë qef do të ndihmoj për të dhënë ndonjë mendim për
shkrimet që mendon të botosh. Miku im, Franko Marussich, arkitekt i shquar,
dukagjinas, me origjinë shqiptare nga Zara e Kroacisë, duke më treguar para
disa kohësh dy banesa që ka ndërtuar për një sheik arab, diku përballë Malit
Mont-Blanc në Francë, më tha: „Mund t’i kisha ndërtuar edhe më mirë por
përsosmëria nuk ka fund“.
Duke
patur parasysh fjalët e tij, u nisa për rrugë. Hodha në letër përkthimin e
bocave që më paraqiteshin dita ditës, edhe pse shpesh herë silleshin faqe të
tjera me koregjimet e fundit. Punova shumë për botimin e librit në shqip. Është
një studim që përmblidhte në të njëjtën kohë refleksione politike, por të
ndërthurura dhe me një gjuhë shkencore, letrare, sociale. Për tri javë m’u desh
ta përfundoja përkthimin e tij, duke u konsultuar edhe me kolegët përkthyes të
botimit në gjuhë të tjera, si dhe autorët e studimit. Nuk kishim të drejtë të
konsultoheshim me njerëz të tjerë, para se botimi të dilte në dritë. Vetëm pyesja
për ndonjë fjalë ish shokun tim në Universitet dhe koleg, Agron Agalliun e
ndjerëdhe fisnik, Mimoza Kokoneshin përkthyese, mbesën time Daniela Comprelli
dhe shoqen time Roza, e cila ka një përvojë të gjatë, si përkthyese e Kryqit të
Kuq të Gjenevës. Disa herë materiali pati ndryshime që duheshin reflektuar me
shpejtësi në gjuhën shqipe. Ju kushtova punës me një sedër të madhe, pasi nuk
doja t’i lejoja vetes as edhe një gabim. Gjithmonë kisha parasysh tim atë, Tuni
Papuçiun që pas nxjerrjes së “Përpjekja e Rinisë“ me shkrimtarin Jakov Xoxa dhe
si Kryeredaktor i “Sportit“ që në 1945 deri në
1948 me Andon Mazrekun, për afro dymbëdhjetë vjet rresht punoi si
gazetar në një gazetë të vendit tim, pjesën më të madhe natën dhe “si i
freskët”, si dhe 16 vjet si redaktor përgjegjës i revistës « Fatosi », ku
grumbulloi rreth vetes shkrimtarë të njohur që shkruan edhe për vocërrakët, si
Petro Marko, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Bedri Dedja, Naum Prifti, Shpresa
Vreto, Prof. Aleko Minga, Prof. Mina Naqo, Prof. Petrit Skende, Xhevat Beqaraj,
Odhise Grillo, Lajde Staku, Nasho Jorgaqi, Skënder Drini, Adelina Mamaqi,
Skënder Hasko, Aristotel Mici, Tasim Gjokutaj, Murat Gecaj, Petraq Zoto, Marie
Mato dhe piktorë të rinj dhe me përvojë si Safo Marko, Agim Faja, etj dhe mori
pjesë me dinjitet në të gjitha festivalet e organizuara në Shkodër që e donte
shumë për njerëzit e saj të mirë, ku edhe vdiq më 3 qershor 1975, në moshën 53
vjeçare.
U
përpoqa që të përfshij në shqip edhe fjalët karakteristike që përdoren në
Kosovë, natyrisht pa ju shmangur gjuhës letrare shqipe. Në fund botimi ka dhe
një fjalorth për të cilin punova mekujdes. Në fakt nga ana e UNEP na u krijuan
lehtësi të jashtëzakonshme...Më duhej që në katër të mëngjezit t’i dorëzoja
bocat tek Aeroporti i Gjenevës fotomontazhistes tepër profesioniste nga
Britania e Madhe që punonte në Morzh të Zvicrës, për të arritur botimi sa më
parë në shtypshkronjë në Francë...
Një
ditë, në mëngjez kopjet e para në shqip më erdhën në dorë dhe pas pak dikush u
nis për në Kosovë për t’i shpërndarë tek bashkëatdhetarët tanë. Miku im Agroni
më theksoi se libri u shpërnda edhe në Uashington ku ai mori pjesë në një
konferencë ndërkombëtare. Më ndihmuan së tepërmi për këtë botim edhe ime shoqe
e mrekullueshme, Roza, im bir Genti që është shembullor në njohjen e
informatikës, pa harruar mbesën time Daniela, gazetare e ardhshme me tepër
talent dhe vajza ime, Nausika, njohëse e përkryer e gjuhës frënge dhe shqipe,
megjithëse shkollïmin e saj fillor, të mesëm dhe të mëtejshëm e ka kryer në
Zvicër...M’u bë një kërkesë për një botim tjetër pas disa muajsh, por shkaku i
një sëmundjeje të përkohshme më detyroi të mos e pranoja, pasi e ndjeva se
botimi më kishte lodhur së tepërmi dhe ndoshta nuk do të mund ta përballoja një
stres të dytë. Isha mësuar me botimet e realizuara në Byronë Ndërkombëtare të
Punës, si edhe ato për seminaret e ndryshme, por për to kam pasur kohë të
mendoj dhe t’i botoj pas disa muajsh pune, si dhe kisha kohë të mjaftueshme të
shoh dy versione që tashmë ishin botuar prej kohësh në frëngjisht dhe anglisht.
...Darkave
pasi kthehem nga puna e lodhshme e përditshme, ulem pranë ordinatorit dhe hedh
mendimet e mija, disi vjedhurazi, pasi ime shoqe, shumë e dashur me mua,
fisnike, më flet që të mos lodhem shumë. Ajo Rozë aq e mirë, e zgjuar dhe
nikoqire, që e duan të gjitha gratë kosovare që të marrë pjesë në seancat e
tyre për përkthim, më flet herë pas here të kem kujdes të mos lodhem për hir të
saj dhe të fëmijëve. Por unë e ndjej se kam nevojë të hedh një mendim, pasi një
punë e tillë, me karar, më çlodh dhe më jep kënaqësi të veçantë. Sidomos kur
është fjala për botime si « Konflikti i Kosovës, pasojat për mjedisin dhe
vendbanimet civile ».
Botimi
përveç gjuhës shqipe u botua edhe në gjuhën frënge, angleze, gjermane dhe
serbo-kroate. Ai u shoqërua me fotografi dhe harta të shumta dhe është një
kontribut i madh për vlerësimin e mjedisit në luftën moderne, nga ana e
Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe Qendrës së Kombeve të
Bashkuara për Vendbanimet Civile. Ai është një studim i mirëfilltë për gjendjen
e mjedisit dhe të vendbanimeve civile para konfliktit në Kosovë, por edhe pas
tij. Ai përmban argumentat e duhura që dëshmojnë se autoritetet e Beogradit nuk
kishin treguar kujdes për mjedisin qysh para se të ndërmerrnin hapat e kobshme
në Kosovë. Gjithashtu, konflikti i Kosovës pati një përhapje më të gjerë
krahinore : Shqipërisë dhe Maqedonisë iu deshën të prisnin një numër shumë të
madh refugjatësh nga Kosova, ndonëse ishin të papërgatitur për një dyndje të
tillë. Vendet e tjera fqinje, sidomos Bullgaria dhe Rumania që ndodhen në
rrjedhën e Danubit, i druheshin efekteve të ndotjes ndërkufitare, shkaktuar nga
mbeturinat industriale të objekteve. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17
shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për
qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë, deri në qershor të vitit 1999,
qytetarët vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan
Millosheviqit. Pas përfundimit të luftës dhe vendosjes së trupave ndërkombetare
në Kosovë, nisi zyrtarisht procesi për rindërtimin përfundimtar të Kosovës
martire që vazhdon edhe sot e kësaj dite.
*Ish funksionar ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara në
Gjenevë, në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën, në UNCTAD, në BIT dhe
konsulent për botimet në organizmat ndërkombëtare