Speciale
Mehmet Ahmetaj: Kontributi i Çabejt në formimin e toponimeve me prapashtesat diminutive...
E marte, 23.09.2008, 07:22 PM

Eqrem Çabej
Kontributi i Çabejt në formimin e toponimeve me prapashtesat diminutive –th dhe –z

Nga Mehmet Ahmetaj
Në fushën e shkencave albanologjike, E. Çabej zë kryet e vendit. Ai u dallua si studiues i pashoq i dijeve të ndryshme dhe të shumta të albanologjisë, ku i hapi edhe lavrat e para si themelvënës i tyre. Shikuar nga ky kënd vështrimor E. Çabej u veçua për studimet e tij të thukëta dhe të mirënjohura në fushë të etimologjisë, fonetikës historike, gramatikës historike, etnologjisë, toponomastikës, antroponomastikës, dialektologjisë, kulturës popullore, leksikografisë, leksikologjisë, tekstologjisë së moçme, ballkanologjisë dhe indoevropianistikës. Veneruar nga shumë anë, vëllimi i tij shkencor është i gjerë, i thellë dhe gjithëkapërthyes. Ndërkaq, si themeltar i dijeve të ndryshme të albanologjisë, ai paraqet një mbështesë dhe truall të fortë për të gjithë ata studiues që duan të vënë dorë në lëvrimin e gjuhës shqipe.
Ç‘është e drejta, këtë shkencëtar, në këtë vijë kundrimi gjuhëtarët e kanë përfilluar, përudhur gjithherë për ta shpënë dhe për ta hetuar më tej fjalëformimin prapashtesor me trajta zvogëluese deminutive me -th dhe -z. Kështu, për t’i gjithërrokur dhe shqyrtuar këto prapashtesa, do të merremi me një mori të tërë toponimesh e mikrotoponimesh, të disa trevave shqiptare në Mal të Zi për të dhënë në këtë drejtim një ndihmesë sado të vogël.
Nga ana tjetër, kundruar në diakroni, këto dy prapashtesa të kryemoçme të gjuhës shqipe, mund të thuhet se kanë pasur një përshtrirje dhe përdorim të gjerë. Mirëpo, në rrymë motesh, shumë prapashtesa të tilla kanë humbur nga përdorimi. Pra, shumë të folme të truallit gjuhësor të shqipes, i kanë bjerrë. Diku-diku, prapashtesat në fjalë, kanë vajtur në përdorim të ngushtë, ku më shumë e ku më pakëz, varësisht nga krahinat shqiptare, duke lënë gjurmë të shpeshtën e herës në toponimi, antroponimi dhe leksikografi. Ndërkaq, për përdorimin e dendur të këtyre prapashtesave, veçohet e folmja e krahinës së Çamërisë, e skajit më jugor të truallit etnik shqiptar. Po kështu, ato janë përdorur dendurazi edhe tek autorët tanë të vjetër të Veriut. Por megjithëkëtë, këto prapashtesa, kanë përdorim dhe shtrirje të theksuar edhe në të folmet e ngulimeve arbëreshe të Greqisë dhe të Italisë, të folme këto të shkëputura prej motesh nga trualli i gjuhës shqipe.
Toponimia, sidomos mikrotoponomia e skajeve të truallit etnik shqiptar në Mal të Zi, flet bindshëm për shkallëshmërinë e gjerë të ruajtjes dhe njëkohësisht të përdorimit të prapashtesave -th dhe -z. Kështu, me prapashtesën -th na del emri topik Vuthaj, katund i Malit të Kelmendit, përkatësisht i krahinës shqiptare të Plavës dhe të Gucisë. Pra, këtë prapashtesë e gjejmë zakonisht në formën e zgjeruar me -aj, ku sipas E. Çabejt: «Emri Vuth lidhet me foljen me vu, me mbiemrin participor i vutë», për vend i sheshtë, i plantë. Gjithashtu topikun Vuth,-i, e jep Gazulli për Pukë, me shpjegimin «Fushë voglake, fushore».[1] Po me këtë prapashtesë të kryehershme, i gjejmë edhe këta topikë të këtyre katundeve shqiptare, si: «Rrog?th, katund i Malit të Grudës, Krythë, katund i Anamalit, Krytha e Poshtme / Krytha e Sipërme (për e poshtme dhe e sipërme). Me këtë prapashtesë e ndeshim edhe topikun Krythë, katund i lokalitetit të Ulqinit. Rrallëherë e ndeshim edhe në antroponomi, si në antroponimin Gr?th që ruhet në gjeanologji brezash. Antroponimi Pjetër, më shpesh na del me prapashtesën-th, Pjetërth, funksionalisht me karakter përkëdhelës apo zbukurues. Ruhet në toponimin Qeta e Pjetërthit (Triepsh). Po në këtë vijë, me prapashtesën-th i ndeshim edhe një vatër të tërë mikrotoponimesh thjesht shqiptare, si: Shk?th, Shk?thi, Shk?pthi, Qeta e Shkathit, Rrethi i Shkathit, Shkathet etj. Kështu thuhet zakonisht për shkamb / shkëmbë, ku grupi i bashkëtingëlloreve mb gjithandej ka dhënë m, b dhe p, duke evoluar në tri drejtime. Për shembull., shk?m / shk?b / shk?p (= për shkamb / shkëmb). Gjithashtu me këtë prapashtesë i gjejmë edhe këto toponime, përkatësisht mikrotoponime: Biga e Rrog?thit, Brekth / Brkthi, Biga e Shk?pthit, Brija e narshk?pthit, Qarri i Rrog?thit, Rrasa e Kruethit, Sheth / Sheth, (përroskë e vogël), Shkalla e Liqethit, Brija e Narshkathit, Shkalla e Prakthit, Cukth / Cukthi (kodrinëza), Kodra e Cukthit, Kapurath, L?mthi, Liq?thi, Rrqetha,[2] Qafë Malthit (Hot), Qukthi i Shal’s, Kodra e Karth’s, Krueth / krueth[3] (krua i vogël) Krajë. Gjithashtu me prapashtesën -th, i gjejmë edhe një radhë të tërë mikrotoponimesh në krahinën gjeografike dhe etnografike shqiptare të Anës së Malit, si: Kujth / kujthe për kodër mali, (Kravar); Lukth / Lukthi, luginë e vogël, Kujtha, Maja e Lamthit (Millë) etj. Kështu, rrjedhimisht te toponimet dhe mikrotoponimet që u vunë në shqyrtim, është ruajtur mirë prej motesh ndjenja e zvogëlimit të tyre.
Është për t’u theksuar se prapashtesa -th ka një shtrirje hapësinore të madhe dhe denduri përdorimi të gjerë dhe te fjalësi dialektor shqiptar gjithandej. P. sh.: t?mëlth, lukth, qukth, kujth, malth, sheth, morth, lyeth, lerth, bryth, urth, krueth, greth, burth, makth, uth, gurth, brekth, shk?pth, liqeth, qeth, zbokth, fruth, e shumë e shumë të tjera. Pra, siç është theksuar nga E. Çabej: «Kjo prapashtesë është e moçme, sepse e gjejmë që tek autorët e vjetër të Veriut, si te Buzuku: tfurkthi, ambëlth, te Budi: ambëlth, djalëth, kadalëth, qirith, rremthi, te Bardhi: birth, mikth, te Bogdani: barithi, petkuthi, i vogëlith».[4] Gjithashtu sipas E. Çabejt: «Me prapashtesën -th kemi dhe disa emra topikë, p.sh. Greth, lumth, Kryezjarrth, Merkurth, Theth, Vuthaj, Vuth e ndonjë tjetër familje si Murth».[5]
Në këto skaje të arealit të gjuhës shqipe i ndeshim edhe një numër relativisht të madh toponimesh dhe mikrotoponimesh me prapashtesën -z: Darza (= Dardha), katund i lokalitetit të Ulqinit, Gurzi, po ashtu katund shqiptar i Krajës, përkatësisht i Anës së Sipërme të Shestanit, Gjonzë / Gjonza, katund i Anamalit, Arrëza, katund i Malit të Hotit, Gurrza,[6] katund i Çamërisë. Po me këtë prapashtesë i gjejmë edhe një radhë të tërë mikrotoponimesh: në Plavë - Guci, Gjytedza, Kodra e Kelbazs, në Hot, Shpin’zat e Malit, në Triesh, Gjytedza e Vogël, Gjytedza e Madhe, Dermjetgjytezash, Bigzat, Grykz, Paqeza, fushë voglake, Kodërzat, Urzat, Nërqafzat, Mbletza, Shalzat, Shytzat, Ledhza, Thanzat, Sukza, Ligatzat, Liqenzja, Poçivalza, Poteza, Qafza, Shalza, Shalzat, Shkallza, Shpella e Gjytet’zs, Gropza, Gropzat, Gropza e Qarrit, Gropza e Maçit, Gropza e Nenas, Gropza e Ok’ve, Gropza e Zef Ujks, Gropzat e Fratit, Gropzat e Kalae, Gropzat e Ok’s, Gropzat e Pashk’ve,[7] etj., që sipas I. Ajetit lidhen vetëm me fjalën shqipe gropëz / gropëza.[8] Po kështu, prapashtesa -z ruhet në toponimi edhe në Anë të Malit. P. sh.: Qafzi, Qafza, Kryeshejz, Shtjellzat, Fujzi, Fujza, Shpellazet, Shegzat, Toka Shegz, Govadza, K’netza, Balza, Bardza, etj. Edhe kjo prapashtesë, ashtu sikurse prapashtesa -th, në të shpeshtë u prapangjitet edhe apelati-vave të gjuhës shqipe, si: rrug’z, qaf’z, furk’z, shllin’z(ë), krekz(ë), Këlbaz(ë), kup’z, grop’z, suk’z, sheg’z, parmz(ë), marz(ë), zog’z, dor’z, narshejz(ë), pshtjellz(ë), shog’z, goj’z, narhunz(ë), shpinz(ë), lug’za, shkep’z, shpat’z, kam’z, etj. Sipas studiusit E. Çabej, «Kjo prapashtesë është e lashtë në shqipet, se na del tek autorët e vjetër te Buzuku njomëzatë, pakëzë, te Budi kafshëz, te Bardhi bletëza, Bogdani lëkurzë,[9] etj».
Kundruar në këtë drejtim, sa u përket këtyre dy prapashtesave të kahmotshme të shqipes, Sh. Demiraj, ka theksuar: «...duhet pranuar që, të paktën, një pjesë e fjalëve të prejardhura, të formuara me parashtesa dhe prapashtesa të vjetra të gjuhës shqipe, do të jenë krijuar qysh në periudhën para formimit të kësaj gjuhe. Këtu është fjala për ndajshtesa të tilla të vjetra, si prapashtesat e zvogëlimit e të përkëdhëlisë -th e z(ë)».[10]
Formimet me anë të prapashtesave -th e -z, pothuajse gjithherë i përkasin elementit rrënjës, përkatësisht fondit të trashëguar të gjuhës shqipe. Prandaj si të tilla paraqesin një pasuri e thesar të çmueshëm për begatimin e vazhdueshëm të gjuhës shqipe nga gurrat gjithmonë të pashtershme të dialekteve truallsore etnike shqiptare.
[1] E. Çabej, Studime gjuhësore II, Prishtinë, 1976, f. 308
[2] S. Gashi, Toponimia e regjionit të Trieshit, Koha, 5, 1980, f. 511.
[3] J. Koliqi, Kraja ndër mote, Prishtinë, 1993, f. 17.
[4] E. Çabej, Studime gjuhësore III, Prishtinë, 1976, f. 283
[5] E. Çabej, vep. cit. f. 283.
[6] Q. Haxhihasani, Vështrim i përgjithshëm mbi të folmen e banorëve të Çamërisë, DSh I, Tiranë, 1971, f. 122.
[7] S. Gashi, pun. cit. f. 523 - 541.
[8] I. Ajeti, Kërkime gjuhësore, Prishtinë, 1978, f. 344.
[9] E. Çabej, vep. e cit. f.298
[10] Sh. Demiraj, Gjuha shqipe dhe historia e saj, Tiranë, 1988, f. 94.