E diele, 06.10.2024, 05:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Alma Vjero Dedja: Psikozë

E marte, 20.03.2018, 08:41 PM


Alma Vjero Dedja

 

PSIKOZË

Në gjumë të thellë tërhiqem të përjetoj mungesat
Të agjëroj nga amullitë e përditmërisë
Të zhvesh r’endjet e stolitë rutinore
Ndaj bie për(të)mbys mbi zgjimet fëminore
Dhe gjej, të zbutura nga lotët, njoftimet vjeshtake
Shkruar për gëzimet e mia paraprake..

Përpëlitem, lëviz e zë vënd në brinjë
Gjoksit t’i lë shteg të frymoj
Të ndjeki luleëndrrat që m’i shkundën psherëtimat.
Se gjysmëbotës së krahut i mungon gjysma tjetër
Gjysmëbrinjë e thyer, e harruar, e vjetër
Heshtje të gjata dhimbjesh gjysmëvojtur
Ma lanë zemrën të pambrojtur.

E kthehem mbi shpinë 
Mbjellitë e ëndrrave jastëkut të derdhin lulëri
dhe aroma flokësh përkëdhelitë.
Jastëk rrëfimesh (mbetën mes yjesh letërkëmbimet)
më mban djersën e më mbruan zverkun nga shtrembërimet.

Në gjumë shtriqem e gëzoj me engjëjt nëpër sokake
Psikoza ime miturake !

KALENDARI .. 2’7’

Nguten orët
Shtyhen minutat
Rrëzohen sekondat
Vriten mungesat e gjata
Bosh..
bosh..
bosh..
Janë gurë e janë hapa
Jane hije nga nata
Janë ca data !

Mbetur të foshnjëta
si lindjet.
Të palëvizura,
të pa konsumuara,
të pa gëzuara,
të pa harruara,
të pa shëruara,
si dhimbjet..

Të kërrusura, si tretjet
Janë ca data, si vdekjet.

Janë ca data
gëzim e mandata !

PAKETA

Ta nisa sërish pakon me sende delikate.
Përplot këshilla të pjekura temperaturash të larta,
Biskota përkëdhelish, çokollata urimesh
e akuj heshtjesh për plagët e gjakta.
Fruta.. fruta e lule kundërmimesh, 
me vitamina mëngjesesh, aroma, ngjyra e shije
Sapun, të lash sytë e dritës me gaz
Dhe bukën brum shtëpie.

Të vura dhe gjyslykët që kërkove
me numrin e së vërtetës.
A ,mos harroj, t’i qepa mëngët siç deshe
Krahë fluturimi i vura manshetës
dhe një komçë tek gusha (më ftohesh),
të mbërthesh përqafimet, të ngrohesh.
Merakun kam lënë nëpër qoshe, të mbrojë la(r)gështie.
Të kam thënë, mbulohu, tendosu sa jorgani
Kthehu nga qielli me yje, jo nga tavani..
Po të çoj foton e babit që heshtjes për ty i flet.
Harrova gjë .. Merrmë në telefon.. Eh, të marr vet’ !

P.S. Mos ki merak, e lidha fort
me rripat e dashurisë pa fren’
Bileta kushton sa flladi që e sjell
Po vjen !


CHECK UP

Bëra kontroll sot :

-Stinës (ndërroi)

-Frutave (u poqën)

-Luleve (të rëna )

-Kujtesës (mall’im)

-Cicërimës së largët
të vocërrakut.

Shtegtimet më ngasin

merakun në zemër

I bëra kontroll presionit të gjakut !

*) Për terapi marr: Dashuri !

NJË ËNDRRE

Derdhur si valë 
e pa fjalë
shkumoj
tek Ti.
Edhe si shi
sërish
derdhur në mish
ti s’shkulesh
peng lulesh.
Si zall,
mbytem 
në mall
Pellg që
hap rrathët
ëndje 
e athët.
Brymë
ndën frymë
ngarkes’
e ndrojtjes
shpoti..
Kjo vetmi 
...
Derdhur 
si val’
er’
e pafjal’
ethem 
e ngjethem
e ëmbël
të jepem,
mbi hije
(shami)
e njomë
ndër buzë 
të bie .. 
... / ...

Bën nxet’, por ti nuk flet !

LYRIDE

Mbrëmë nuk fjeta,
binin yje
Si gjilpëra të zjarrta
dogjën një re .

Nën vetull të qiellit
ish veshur bukur
Luhatej e bardha
për t’u dukur.

Unë s’gjumëzova
e ndoqa zbathur.
E tyltë.. 
dhe e përflakur .




(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora